ATV

Tag: Ballina

  • Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

    Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

    Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

    Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

    Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

    Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

    Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

    Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

    Kosova, plotësisht e varur nga importi

    Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

    Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

    Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

    Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

    Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

    Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

    Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

    Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë.

    Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të shqyrtojnë vazhdimin e masave mbrojtëse, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit në kohë krize.

    Rreziku i abuzimeve dhe roli i konkurrencës

    Në situata krizash, paralajmërojnë njohësit e tregut, hapet edhe dera për abuzime.

    Eksperti i tregut të naftës, Jakup Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku që kompanitë t’i rrisin çmimet edhe për sasi të blera më herët me çmime më të ulëta.

    Sipas tij, inspektorati duhet të verifikojë kohën e importit dhe koston reale për të shmangur abuzimet.

    Edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) paralajmëron hetime për çdo ndryshim të dyshimtë të çmimeve, ose marrëveshje të mundshme mes operatorëve për përcaktim të njëjtë të tyre.

    Megjithatë, AKK-ja nuk i sqaroi REL-it se cilat masa konkrete do të ndërmerren, në rast se konstatohen shkelje.

    Shtrenjtim zinxhir

    Presioni nuk vjen vetëm nga nafta.

    Në bursën hungareze HUPX, nga e cila importon edhe Kosova, çmimi i energjisë elektrike u rrit nga rreth 60 euro për megavat-orë më 1 mars në 115 euro më 3 mars – pothuajse dyfishim brenda dy ditësh.

    Në të njëjtën kohë, çmimi referencë i gazit në Evropë u rrit për 33 për qind më 3 mars, pas një tjetër rritjeje prej rreth 50 për qind në fillim të javës.

    Një faktor shtesë ishte vendimi i kompanisë shtetërore të Katarit, QatarEnergy, për të ndalur prodhimin pas sulmeve ushtarake ndaj objekteve të saj.

    Rritja e njëkohshme e naftës, energjisë dhe gazit krijon efekt zinxhir në ekonomi.

    Sipas Gashit, ky shtrenjtim do t’i rrisë kostot e transportit, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve për kompanitë prodhuese dhe tregtare.

    “Derivatet e naftës janë pjesë esenciale e sektorit të energjisë – gjë që i bën ato jetike për çdo degë tjetër të ekonomisë”, thotë ai.

    Një paralajmërim të ngjashëm lëshoi edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), e cila vlerësoi se rritja e çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në koston e transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë.

    Sipas saj, kjo situatë “do të rëndojë edhe më shumë koston e jetesës”, duke rritur rrezikun për një valë të re inflacioni.

    Në këtë kontekst, Dhoma propozoi që institucionet të shqyrtojnë uljen ose pezullimin e përkohshëm të disa taksave për bizneset më të prekura, si dhe rishikimin e barrës tatimore për produktet esenciale.

    Masa të tilla, sipas saj, do të ndihmonin në amortizimin e goditjes te konsumatorët dhe në mbështetjen e prodhimit dhe eksportit vendor, në një periudhë pasigurie të theksuar ekonomike.

    Kjo situatë kujton, po ashtu, krizën e nisur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, kur çmimet globale të naftës, gazit dhe energjisë elektrike u rritën brenda ditësh.

    Asokohe, rritja e menjëhershme e çmimeve u përkthye direkt në shtrenjtim të karburanteve dhe produkteve bazë në Kosovë dhe gjetiu.

  • Pas takimit Kurti-Abdixhiku, mblidhet grupi parlamentar i LDK-së

    Pas takimit Kurti-Abdixhiku, mblidhet grupi parlamentar i LDK-së

    Grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet për të diskutuar çështjen e presidentit.

    Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala konfirmoi takimin në selinë e partisë, ndërkohë që tha se ende nuk janë informuar mbi diskutimin që kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati sot me kryeministrin, Albin Kurti për çështjen e presidentit.

    Kurti foli shkurt pas takimit.

    Ai tha se takimi me Abdixhikun, i treti me radhë ishte “konstruktiv”, por nuk dha më shumë detaje.

    “Takimi shkoji në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, tha Kurti.

    Kurti e Abdixhiku u takuan edhe ditën e djeshme.

  • FSK-ja do të shënojë Epopenë e UÇK-së me ceremoni në kazermën “Adem Jashari”

    FSK-ja do të shënojë Epopenë e UÇK-së me ceremoni në kazermën “Adem Jashari”

    Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Forca e Sigurisë e Kosovës do të rreshtojë kuadratet e saj në një ceremoni zyrtare që do të mbahet të enjten, më 5 mars 2026, në orën 12:00, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, manifestimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe krerët më të lartë shtetërorë si dhe mysafirë të ftuar.

    Nga mediat është kërkuar që të jenë në vendin e aktivitetit jo më vonë se ora 11:45, për të mundësuar mbarëvajtjen e ceremonisë.

  • Cakolli: Vendi në zgjedhje nëse Presidenti s’zgjidhet deri të enjten

    Cakolli: Vendi në zgjedhje nëse Presidenti s’zgjidhet deri të enjten

    Eugen Cakolli nga KDI thënë se Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kur ishte zgjedhur Hashim Thaçi president në vitin 2026.

    Kjo me argument se në sallë do duhej të ishin 120 deputetë, por Cakolli tha se Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar këtë.

    Ai tha se tutje se deputetët nuk bëjnë mirë nëse nuk qëndrojnë sallë, por kjo nuk krijon vakum kushtetues.

    Por, nëse nuk zgjedhet Presidenti deri të enjten, thotë ai, vendi shkon në zgjedhje.

    “Deputetët nuk bëjnë mirë nëse nuk qëndrojnë, por nuk krijon vakum kushtetutës. Gjykata shkon një hap tutje, kur e pati rrëzu këtë argumentin e ka përcaktu që në rast se vendimi si i tillë mbahet në shumicën minimale atëherë procedura është zhvilluar si duhet. Deputetëve iu ka njohur mandatin të lirë”, ka thënë ai të hënën në Pressing.

  • Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe institucionet në Kosovë për të shqyrtuar mundësinë e evakuimit të qytetarëve kosovarë, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore.

    Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – që të paraqiten pranë përfaqësisë diplomatike nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë.

    “Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.

    Qytetarët që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk janë regjistruar ende, janë ftuar të kontaktojnë Ambasadën përmes emailit [email protected] ose në numrin e telefonit/WhatsApp +971 54 709 2109, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe qytetin ku ndodhen.

    Sipas Ambasadës, regjistrimi është i domosdoshëm për procedimin e kërkesave në rast të evakuimit, përfshirë pajisjen me leje kalimi urgjente në kufirin e Arabisë Saudite.

    “Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, procedurë e cila realizohet nga Ambasada jonë në Abu Dhabi për të gjithë qytetarët tanë që gjenden në Emirate, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad – Arabi Saudite”, theksohet më tej.

    Ambasada ka bërë të ditur se, në rast të krijimit të kushteve për evakuim emergjent të organizuar, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet e Kosovës dhe autoritetet saudite, qytetarët do të njoftohen menjëherë për fluturimet e mundshme nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh.

  • Edhe dy ditë afat për presidentin, partitë ende pa marrëveshje

    Edhe dy ditë afat për presidentin, partitë ende pa marrëveshje

    Edhe dy ditë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike parlamentare ende nuk kanë një marrëveshje që do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.

    5 marsi është dita e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të zgjedhin presidentin.

    Takimi i zhvilluar të hënën në mes të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat.

    Pas takimit, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani.

    “Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.

    Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.

    Abdixhiku tha se nëse edhe Vetëvendosja, edhe Partia Demokratike hyjnë në garë me nga një nominim për president, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Me 66 votat e koalicionit qeverisës dhe 15 deputetët e LDK-së do të siguroheshin 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, që afat kushtetues ka deri më 5 mars.

    “Pra në qoftë se vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse nuk e di se si do t’i bëjnë 80 vota por konsensusi bën president. LDK-ja ka qenë e angazhuar të gjejë president. Pra të gjejë një emër konsesual, jo zgjatim të qeverisë, mos të jetë vazhdimësi e qeverisë, e sidomos e një qeverie që i ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundër balancë”, ka deklaruar lideri i LDK-së.

    Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë.

    “Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.

    E për kandidaturën e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk i ka votat e mjaftueshme.

    “Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk duhet të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por nja 84-85”.

    Kurti të dielën ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Pas takimit me Hamzën ai deklaroi se nuk ka një emër konsensual për president dhe se shpreson që javën që nisi të hënën (dje) të ketë garë për këtë post. Por, interpretimin e zgjidhjes së mundshme të çështjes së presidentit të ri si garë e ka përjashtuar kryetari i PDK-së. Ai ka thënë se po të ketë garë “rezultati dihet”. Hamza bëri të ditur se i ka ofruar Kurtit një marrëveshje sipas së cilës presidenti do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së, si përpjekje për të shmangur zgjedhjet dhe për të tejkaluar ngërçin politik.
    Kurti më herët ka deklaruar se beson që Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit.

    Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

    Ndryshe nga Jashari, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

    Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

    Kurti ka thënë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe procesi të zhvillohet përmes garës në Kuvend.

    Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

    Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

  • Kurti: Të përpiqemi edhe sonte e nesër, do të flasim për emra konkretë, s’ka nevojë të shkojmë në zgjedhje

    Kurti: Të përpiqemi edhe sonte e nesër, do të flasim për emra konkretë, s’ka nevojë të shkojmë në zgjedhje

    Kryeministri Albin Kurti parlajmëroi se do të bëjë “përpjekje” edhe sonte dhe nesër për ta zgjidhur çështjen e Presidentit.

    “Na lejoni që të përpiqemi edhe sonte edhe nesër, e pasnesër besoj duhet të mësohet për këtë gjë”, tha ai për mediat pas një takimi në Kuvend me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Kurti tha se do të diskutohen edhe emrat konkretë dhe shtoi se “nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje”.

    “Padyshim që do të diskutojmë edhe për emra konkretë, por edhe një herë po them: mundësitë janë aty, nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje. Për shkak të mundësive që janë aty është e arsyeshme të mos shkojmë në zgjedhje, veçse nuk është hera e parë që në Kosovë ndodhin edhe gjëra të paarsyeshme”, tha ai.

    “Pra, unë edhe një herë bëj thirrje që të mos shkojmë në zgjedhje, të sigurohemi që do t’i kemi së paku 80 aty dhe më pastaj të vazhdojmë”, shtoi Kurti.

    “Padyshim që në vijim do të flasim edhe me emra konkretë, sepse ju e dini që edhe nuk mjafton një kandidat, duhen dy kandidatë”, tha ai.

  • MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se, përmes misioneve diplomatike, është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Kosovës që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.

    Sipas të dhënave më të fundit, në:

    Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës;

    Arabinë Saudite 331 qytetarë;

    Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot;

    Katar 75 qytetarë;

    Kuvajt rreth 60 qytetarë;

    Bahrein 4 qytetarë;

    Oman 2 qytetarë.

    “Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore.

    Ministria është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve tanë, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht, janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.

    Megjithatë, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit, rekomandojnë dhe udhëzojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime, deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se secili udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme që mund të lindin nga zhvillimet e paparashikueshme të situatës.

    Rekomandime për qytetarët tanë:

    Të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale.

    Të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftim të radhës.

    Të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë tona diplomatike.

    Për çdo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe: +971 547092109

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael: +972 586 340450

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite: +966 537508835

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar: +974 5055 9453

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri”.

  • Kryhet takimi me Kurtin, Abdixhiku: S’ka konsensus brenda partive politike për Presidentin, s’na u prezantua ndonjë kandidat

    Kryhet takimi me Kurtin, Abdixhiku: S’ka konsensus brenda partive politike për Presidentin, s’na u prezantua ndonjë kandidat

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se “duket se është i pamundur” konsensusi politik për Presidentin.

    Pas takimit të sotëm me kryeministrin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë këtë çështje.

    “Të them të drejtën, e shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare”, tha ai, duke treguar se është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Abdixhiku tha se “nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që na është prezantuar”.

    Ai tha se do ta njoftojë grupin parlamentar të LDK-së për takimet.

    “Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë as s’mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë e besa as s’mund t1% nominojë dikë, sepse siç e dini, duhen 30 nënshkrime”, tha ai.

  • Më 5 mars mbahet seancë solemne për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Më 5 mars mbahet seancë solemne për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë tha se në mbledhje u dakorduan që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Së pari u dakorduam që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra kjo seancë do të mbahet me datën 5, në orën 10:00, dhe përveç krerëve të shtetit do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare. Diskutuam edhe për propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndonëse anëtarët e Kryesisë kërkuan më shumë informacione që të plotësojnë dosjen e deritanishme, prandaj këtë çështje do ta trajtojmë në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit”, tha ajo.

    Ajo tha se diskutuan edhe për Projektligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje.

    “Trajtuam edhe disa kërkesa që ndërlidhen për Projektligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje, që është një nismë qytetare. U dakorduam që t’i takojmë nismëtarët që të flasim për këtë çështje dhe për qëllimin e kësaj nisme. Gjithashtu edhe disa kërkesa të natyrës administrative i trajtuam si Kryesi e Kuvendit”, tha ajo.