ATV

Tag: Ballina

  • Deputetët marrin paga pa punuar, kosto mbi 200 mijë euro në mars

    Deputetët marrin paga pa punuar, kosto mbi 200 mijë euro në mars

    Derisa po pritet vendimi i Kushtetueses, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të marrin paga pa punuar. Pavarësisht mosangazhimit të tyre, në fund të muajit mars buxhetit të Kosovës do t`i kushtojnë rreth 200 mijë euro. Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.000 eurove, ndërsa janë shtuar zërat që kërkojnë rishikimin e ligjit që rregullon përfitimet e deputetëve.

    120 deputetët e legjislaturës së 10-të u betuan më 11 shkurt, në seancën konstituive, duke u zotuar në përmbushjen e detyrave me nder dhe përkushtim.

    Ky akt solemn i hapi rrugën angazhimit të deputetëve për të quar përpara agjendën legjislative, që ishte në pauzë prej më shumë se një viti.

    Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.067,06 eurove. Ndërsa 26 zyrtarë të lartë personalë të deputetëve gjatë muajit shkurt u paguan 14.634,61 euro. Gjatë muajit mars deputetët do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 200 mijë euro, ani pse ata nuk janë angazhuar fare prej datës 9 të këtij muaji, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ndaloi çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

    Pra, më 31 mars deputetët e Kuvendit, do të marrin pagën e plotë e shumë prej tyre edhe shtesën për shkak të viteve të përvojës. Buxheti i shtetit, gjithashtu, mbulon pagat e asistentëve personalë të deputetëve, të cilët konsiderohen staf mbështetës politik.

    Monitoruesit e punës së Kuvendit e shohin këtë situatë të paprecedentë. Për ta, marrja e pagës së plotë pa asnjë angazhim ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe moralin e përfaqësuesve të qytetarëve.

    Ngjarjet e njëpasnjëshme që kanë quar në bllokadë të punës së të zgjedhurve të popullit e dëmtojnë legjitimitetin e qytetarëve dhe besimin në institucione.

    Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro. Vetëm vitin e kaluar, janë shpenzuar mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit për pagat e 120 deputetëve pa ndonjë rezultat konkret nga puna e tyre, pas ngërçit të stërzgjatur në Kuvend.

  • Raportohet se e dyshuara për vrasjen në Majac u vetëplagos me armë në kokë

    Raportohet se e dyshuara për vrasjen në Majac u vetëplagos me armë në kokë

    Zhvillime dramatike janë konfirmuar në rastin e rëndë në Majac, ku e dyshuara për vrasje është gjetur e plagosur rëndë.

    Sipas informacioneve të Sinjali, ajo dyshohet se ka tentuar t’i marrë jetën vetes duke u vetplagosur në kokë me armë zjarri, menjëherë pas kryerjes së krimit.

    Njësitë e FIT-it kanë ndërhyrë në objektin ku ajo ishte barrikaduar dhe e kanë gjetur në gjendje të rëndë, duke e nxjerrë dhe duke i ofruar ndihmën e parë në vendin e ngjarjes.

    E dyshuara është duke u transportuar me urgjencë për trajtim mjekësor, ndërsa në këtë rast janë raportuar edhe persona të tjerë të plagosur rëndë, si dhe një viktimë e cila ka humbur jetën dhe ende nuk është identifikuar.

    Policia dhe njësitë relevante janë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë në zhvillim.

  • Rruga Pejë–Kullë–Rozhajë e pakalueshme për kamionë, shkaku i borës

    Rruga Pejë–Kullë–Rozhajë e pakalueshme për kamionë, shkaku i borës

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se rruga Pejë-PKK Kullë Rozhanjë është e pakalueshme për mjetet e transportit kamionë.

    Kjo qendër thotë se ka kontaktuar me policinë e Malit të Zi.

    Rruga është e pakalueshme pas reshjeve të borës në pjesën e Malit të Zi.

    “Ju njoftojmë se pas kontakteve me policinë e Malit te Zi në PKK Kullë, rruga Pejë-PKK Kullë-Rozhajë dhe anasjelltas, është e pa kalueshme për mjetet e transportit të mallrave (kamionë), si pasojë e reshjeve të borës në pjesën e Malit të Zi. Për më shumë informata kontaktoni📞QKMK, në numrat: 04519800, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim.

  • Nafta 1.70, inflacioni 6%, çmimi rrymës, Bajrami: Një qeveri e përgjegjshme do të mblidhej e të merrte masa

    Nafta 1.70, inflacioni 6%, çmimi rrymës, Bajrami: Një qeveri e përgjegjshme do të mblidhej e të merrte masa

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar në lidhje me çmimet e larta të naftës që pasohen edhe me rritje të çmimeve të tjera.

    Ajo përmendi inflacionin 6% të shkurtit 2026 krahasuar me vitin paraprak, si dhe çmimet e energjisë.

    Në këtë situatë, ajo shton se një qeveri e përgjegjshme do të mblidhej disa herë për të marrë masa.

    Ajo rekomandoi uljen e TVSH-së dhe akcizës, derisa tregu të stabilizohet.

    Postimi i plotë:

    Apo e shihni çmimin e naftës?

    A po e dini që Mimoza i’a ka qitë tavanin?

    Qysh po ju duket ky tavan, poshtë apo lart?

    Të nderuar qytetarë,

    A e dini se sikur çmimi i naftës për ne në Kosovë janë çmimet e të gjitha produkteve që ne nuk i prodhojmë, por i importojmë.

    Kosova në vitin 2025 ka importuar mbi 7 miliardë euro mallëra. Këtyre produkteve qeveria kurrë s’ka me pasë mundësi me ua caktu çmimin aq sa po i’a cakton naftës këto ditë, sepse çmimi i tyre më së paku varet nga autoritetet tona.

    Një Qeveri e përgjegjshme duke parë çmimin e naftës ish dashtë me u mbledhë urgjentisht dhe me vendosë me ulë TVSH në karburante nga 18% në 8% dhe ta përgjysmoj akcizën në karburante derisa të normalizohet tregu, këto vendime t’i përcjellë në Kuvend me datë 1 prill.

    Tutje duke parë çmimin e energjisë, normën e inflacion 6% dhe tash çmimet e naftës deri tani Kabineti Qeveritar është dashur t’i ketë pasur disa takime me të gjitha odat ekonomike te vendit dhe me Shoqatën e Naftarëve për të ju dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, POR këto takime nuk kanë ndodhë sepse po shkojmë në zgjedhje, keshtuqë Kurti po i fërkon duart, se me këto çmime rriten të hyrat buxhetore, e sa më e madhe kriza për familjet në kohën e zgjedhjeve, aq më të vlefshme bëhen 100-shet e buxhetit për blerje votash. Strategjia e Kurtit është ‘varfëro e sundo’, andaj Kurti me gjithë strategjinë e tij të dështuar që 6 vite dhe shpurën e tij duhet të dalin në opozitë.

  • ‘‘Si me jetu pa ty’’, i vrari në Klinë ishte i afërm i ish-deputetes: Lajm i hidhur, zot çoju forcën

    ‘‘Si me jetu pa ty’’, i vrari në Klinë ishte i afërm i ish-deputetes: Lajm i hidhur, zot çoju forcën

    Teuta Haxhiu, ish deputete e kuvendit të Kosovës, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Klinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vdekur Faruk Isufi.

    Përmes postimit të Haxhiut, është kuptuar që deputetja ka pasur lidhje familjare me viktimën.

    Këtë ngjarje, ish deputetja e ka cilësuar si ‘’lajm të hidhur’’.

    “Lajm i hidhur vdekja jote tezak.

    Si me jetu pa ty, vajzat e djalin që u gezuam të gjithë që 5- motrat u bënë me vlla. O zot qoju forcën🙏“, ka shkruar ajo.

  • Tahiri paralajmëron kolaps ekonomik, kërkon ulje të TVSH-së dhe heqje të akcizës

    Tahiri paralajmëron kolaps ekonomik, kërkon ulje të TVSH-së dhe heqje të akcizës

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK, Besnik Tahiri, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike në vend, duke paralajmëruar se bizneset janë në prag kolapsi për shkak të rritjes së çmimeve dhe barrës fiskale.

    Sipas tij, çmimi i lartë i naftës dhe obligimet tatimore janë bërë të papërballueshme për punëdhënësit, duke rrezikuar mbylljen e ndërmarrjeve dhe humbjen e mijëra vendeve të punës.

    Tahiri kritikon qasjen e qeverisë, duke thënë se ndërhyrjet aktuale po i detyrojnë bizneset të operojnë me humbje.

    Ai thekson se shtetet serioze ndërmarrin masa si ulja e përkohshme e akcizës dhe TVSH-së, subvencionimi i sektorëve kritikë dhe krijimi i rezervave strategjike, duke përmendur përvoja ndërkombëtare si ato të Ukraina dhe Japonia.

    Tahiri kërkon masa urgjente nga institucionet, përfshirë lirimin e menjëhershëm të një pjese të TVSH-së dhe heqjen e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut.

    Ai e konsideron situatën aktuale si një rrezik serioz për ekonominë e vendit, duke shtuar se, pa ndërhyrje të shpejtë, pasojat do të jenë të rënda për qytetarët dhe sektorin privat.

  • Dhjetë ditë deri në afatin e Kushtetueses për Dekretin e Osmanit, vazhdimësi e Kuvendit apo zgjedhje të reja?

    Dhjetë ditë deri në afatin e Kushtetueses për Dekretin e Osmanit, vazhdimësi e Kuvendit apo zgjedhje të reja?

    Masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës që ka ndaluar ndërmarrjen e çfarëdo veprimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca do të skadojë brenda dhjetë dite.

    Kushtetuesja deri me datën 31 mars do të dalë me vendimin e saj për të sqaruar nëse Dekreti i Presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka qenë i drejtë dhe kushtetues.

    Gjykatë në të njëjtën kohë është duke shqyrtuar edhe një kërkesë të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket seancës së nisur për zgjedhjen e presidentit në të cilën janë propozuar Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha Kollçaku.

    Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë deputetët e partive opozitare që të marrin pjesë në seancën e votimit të presidentit, duke qenë se asnjëra parti s’ka marrë pjesë në seancën e parë dhe kryekuvendarja Albulena Haxhiu është detyruar të ndërprejë seancën në mungesë kuorumi.

    Ky vendim i Gjykatës pritet të sqarojë nëse do ta vazhdohet me Kuvendin aktual apo nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

    Negociatat mes LVV’së dhe partive opozitare për gjetjen e një emri për president nuk kanë rezultuar me sukses pavarësisht takimeve të shumta.

    Kurti ndërkohë nuk ka pranuar që ta kandidojë edhe për një mandat, Vjosa Osmanin, gjë që ka çuar në një përplasje në mes të kabinetit të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të Kurtit.

    Nga LVV e kanë cilësuar si antikushtetues Dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe Kurti në disa deklarime të tij ka folur sikur ai dekret të mos ekzistonte.

    Kurti ka folur për atë se si duhet përsëri të ketë negociata me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

  • Në Kosovë sot festohet Fitër Bajrami

    Në Kosovë sot festohet Fitër Bajrami

    Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin.

    Kjo festë vjen pas Muajit të Shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanë anembanë botës agjërojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    “Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri. Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

    Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

  • Kryeministri Kurti uron festën e Fitër Bajramit

    Kryeministri Kurti uron festën e Fitër Bajramit

    Kryeministri Albin Kurti u ka uruar të gjithëve festën e Fitër Bajramit.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti uroi që agjërimi dhe lutjet të jenë pranuar.

    “Në mesin e begative që gëzojmë sot, të rrethuar me më të dashurit tanë, le të na gjejë kjo ditë feste për besimtarët myslimanë, dhe çdo ditë tjetër e vitit, edhe më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me nevojat e atyre që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri”.

    “Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja. Në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”, ka shkruar ai.

  • Mbi 20 masa ndëshkuese nga inspektimet në dy ditët e fundit

    Mbi 20 masa ndëshkuese nga inspektimet në dy ditët e fundit

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar mbi 20 masa ndëshkuese vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në kuadër të një aksioni të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës.

    Elma Krasniqi nga Inspektorati, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë konstatuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh, për të cilat janë ndërmarrë veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Inspektorët konform prej legjislacionit në fuqi kanë të drejtë që brenda afatit prej 8 ditësh pas konstatimit të shkelës kanë të drejtë marrjen vendimit për shqiptimin e masës ndëshkuese. Ne kemi evidenca të subjekteve të cilët janë përsëritës të shkeljeve ndaj tyre do të ketë masa progresive ndërsa për ata që është për herë të parë natyrisht do të merret për bazë”, ka deklaruar Krasniqi në Dukagjini.

    Sipas saj, shkeljet më të shpeshta kanë qenë mospërputhja e çmimeve nga rafti në arkë, por jo të vetmet.

    Në disa raste, bizneset nuk kishin vendosur flamujt e origjinës për produktet në shitje, ndërsa janë evidentuar edhe parregullsi të tjera në çmime.

    Krasniqi ka theksuare inspektorët, në bazë të ligjit, kanë afat prej tetë ditësh për të marrë vendim përfundimtar lidhur me masat ndëshkuese ndaj subjekteve që shkelin rregullat.

    Ajo ka shtuar se për bizneset që përsërisin shkeljet do të aplikohen masa më të ashpra, ndërsa për ata që hasen për herë të parë do të merren parasysh rrethanat përkatëse.