ATV

Tag: Ballina

  • Osmani kujton ish-sekretaren Albright në 4-vjetorin e vdekjes: Na ndihmoi ta shkruajmë historinë

    Osmani kujton ish-sekretaren Albright në 4-vjetorin e vdekjes: Na ndihmoi ta shkruajmë historinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kujtuar ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në katërvjetorin e vdekjes së saj.

    Osmani tha se Albright ndihmoi në shkrimin e historisë së Kosovës.

    “Në kohën vendimtare për fatin e Kosovës, si Sekretare e Shtetit në administratën e Presidentit Bill Clinton, ajo ishte ndër zërat kyç për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, një vendim që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, vizita e ish-sekretares amerikane, në Kosovë në vitin 1999 dhe rikthimi në Prishtinë dy dekada më vonë, kur e cilësoi ndërhyrjen si të drejtë, dëshmojnë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës së drejtë të popullit..

    “Busti i saj në zemër të kryeqytetit tonë qëndron si një kujtesë e përhershme për rolin historik që pati në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Ndërkaq, miqësia me Shtetet e Bashkuara mbetet një testament në nderim të trashëgimisë së saj. Mirënjohje e përjetshme për Sekretaren Madeleine Albright!”, u shpreh Osmani.

    Albright vdiq më 23 mars 2022, në moshën 86-vjeçare

  • Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan vetëm gjatë 5 viteve të fundit në Kosovë. Saktësisht 12 mijë e 215 persona apo edhe më shumë të cilët shkelën ligjin, i shpëtuan dënimit për shkak se lënda e tyre u vjetërsua.

    Kështu vërtetohet nga mbledhja e të dhënave në pesë raportet që ka publikuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga viti 2020.

    Vetëm në 2024-ën, u parashkruan gjithsej 2 mijë e 375 raste. Sipas raportit të KPK-së, në mesin e këtyre rasteve, ishin edhe 17 aktakuza që ishin ngritur nga Departamentet e Krimeve të Rënda të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, gjatë atij viti vetëm një rast u parashkrua në fazën e hetimit.

    E numri më i madh i rasteve që u parashkruan në 2024-ën, ishin ato të Departamentit të Përgjithshëm. Sipas raportit të Këshillit Prokurorisë, gjykatat themelore morën vendime për parashkrim të 2 mijë e 357 aktakuzave të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Nga Departamenti i Përgjithshëm ishin gati të gjitha rastet të cilat u parashkruan në 2023-ën. Nga raportet e KPK-së, rezulton se atë vit, u parashkruan gjithsej 2050 raste, 2 mijë e 45 prej të cilave ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Ndërkaq, vetëm pesë nga të gjitha rastet të cilat u parashkruan gjatë 2023-ës, ishin lëndë për Krime të Rënda. Në 2023-ën, asnjë rast nuk u parashkrua në fazën e hetimit.

    Numri më i madh i rasteve të parashkrimit të lëndëve u regjistrua në 2022-ën. Atë vit, bazuar në raportin e Këshillit Prokurorial, u parashkruan 3 mijë e 80 raste.
    Dy prej këtyre rasteve u parashkruan qysh në fazën e hetimit.

    3 mijë e 77 raste të cilat u parashkruan gjatë 2022-ës, ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, njëri nga rastet që u parashkruan në 2022-ën, lidhej me një aktakuzë të Departamentit të Krimeve të Rënda.

    Vjetërsim të krimeve të rënda pati edhe në 2021-ën. Sipas raportit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, atë vit, Gjykatat Themelore vendosën për parashkrimin e 13 rasteve të Krimeve të Rënda.

    Në 2021-ën, 11 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Kurse, u parashkruan 2 mijë e 326 aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore, duke e çuar kështu në 2 mijë e 350 numrin e rasteve të cilat u parashkruan në 2021-ën.

    E në 2020-ën, ishin vetëm 10 lëndë më shumë të cilat e vjetërsuan e u parashkruan. Në raportin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, figurojnë gjithsej 2 mijë e 360 raste të parashkruan në atë vit.
    Mbështetur në të dhënat e këtij raporti, në mesin e lëndëve që u parashkruan ishin edhe 11 raste të krimeve të rënda.

    Ndërkaq, vetëm gjatë atij viti, 2 mijë e 331 raste u parashkruan lidhur me aktakuzat e prokurorëve të Departamenteve të Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Në 2020-ën,18 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Mirëpo, në këto raporte nuk figuron ndonjë e dhënë për dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të Shtetit nga të gjitha rastet të cilat janë parashkruar.

  • Tahiri i AAK-së bën kërkesë që Qeveria të vendosë masa urgjente për situatën ekonomike

    Tahiri i AAK-së bën kërkesë që Qeveria të vendosë masa urgjente për situatën ekonomike

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Tregtisë për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend pas rritjes së shpejt të çmimit të karburanteve.

    Në këtë kërkesë sugjerohen katër masa urgjente që sipas tyre duhet t’i marrë Qeveria e Kosovës për të evituar pasojat ekonomike si rrjedhojë e shtrenjtimit të derivateve.

    Ndryshe, ekspertët e ekonomisë në vend kanë rekomanduar heqjen e aksizës së naftës dhe uljen e TVSH-së.

    Në anën tjetër, vende si Greqia dhe Kroacia kanë prezantuar pako të masave ekonomike me anë të subvencioneve për të ndihmuar qytetarët në përballimin e shtrenjtimit të çmimeve si pasojë e konfliktit të fundit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA.

  • Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë të vrarë për një javë në Kosovë, përfshirë autoren e një krimi të rëndë në Podujevë

    Pesë persona të vrarë është bilanci i një jave të rëndë krimi në Kosovë. Java e kaluar që nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës, përfundoi me një vrasje edhe më të rëndë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën 3 persona, përfshirë autoren e cila dyshohet se pas krimit e qëlloi edhe veten.

    Tre persona vdiqën, përfshirë autoren, në një vrasje të rëndë mbrëmë në Majac të Podujevës.

    Një 31-vjeçare me inicialet A.G. dyshohet se pasi vrau I.B (burrë, 45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (73-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq më pas në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

    Nuk mundi t’i përballojë plagëve as vetë autorja, e cila pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, dyshohet se e qëlloi edhe veten. Ajo vdiq gjithashtu në Qendrën Emergjente në QKUK.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se në vendin e ngjarjes ka sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja si dhe “prova të tjera materiale relevante për rastin”.

    Prokuroria thotë se po zhvillon hetime intensive lidhur me rastin, duke thënë fillimisht se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”.

    E rezervuar për të dhënë detaje për shkak të fazës preliminare të hetimeve, zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala tha sot në një prononcim për mediat se krimi dyshohet se ndodhi “për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre” (autores dhe 45-vjeçarit).

    Policia e Kosovës bëri të ditur në raportin e saj ditor një burrë u gjet pa shenja jete në një veturë, ndërsa brenda një shtëpie i gjetën dy gra me plagë të rënda.

    Ky krim i rëndë e çoi në pesë numrin e të vrarëve brenda javës së kaluar në Kosovë.

    Një ditë më herët, të shtunën, një person u vra në orët e pasdites në fshatin Bokshiq të Klinës. I dyshuari J.J., i arrestuar në vendin e ngjarjes, Policia tha se është vëllai i viktimës.

    Prokuroria Themelore e Pejës tha se kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në krim dhe prova të tjera relevante.

    Ndaj të dyshuarit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

    Java e kaluar kishte nisur me një vrasje të rëndë në qendër të Gjakovës. Një person u vra në rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe një tjetër mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e hershëm të së hënës.

    I dyshuari fillimisht ishte në arrati dhe Policia, që e kishte identifikuar, po e kërkonte, derisa ai dy ditë më pas vendosi të vetdorëzohej.

  • Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave nënshkruan marrëveshjet në vlerë 96 milionë euro me Bankën Botërore

    Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, me qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

    Marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro. Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

    Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

    Ndërkaq, Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

  • Haradinaj i ashpër ndaj pushtetit: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

    Haradinaj i ashpër ndaj pushtetit: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe ekonomike në Kosovë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si jonormale dhe të dhimbshme për qytetarin.

    Sipas Haradinajt, vendi po përballet me një situatë të paprecedentë, ku institucionet funksionojnë jashtë normave ligjore e kushtetuese dhe ku parlamenti, ndonëse i zgjedhur, mbetet i pezulluar.

    Ai, përmes një postimi në Facebook, theksoi se debati publik është zhvendosur tërësisht në çështje politike, ndërsa problemet reale të qytetarëve po lihen në harresë.

    “Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeq që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë”, ka shkruar ai.

    Haradinaj ngriti shqetësimin edhe për varfërinë në rritje, emigrimin masiv dhe rritjen e çmimeve, duke veçuar shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor.

    “Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm. E dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, që nuk janë më shumë se sa lëmoshë, po shndërrohen në mrekullinë e ‘çudibërësit’”, ka shkruar ai.

    Në reagimin e tij, ai vuri në dukje mungesën e investimeve kapitale dhe të huaja, si dhe zvarritjen e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

    “Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve. Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar…”.

    “Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është. Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë. Unë kam shpresë për ditë më të mira!”, tha Haradinaj.

  • FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shteteve partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026”, i cili po realizohet në Gjermani.

    Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në këtë ushtrim, FSK-ja, me një skuadër transporti nga Komanda e Logjistikës, po realizon operacione duke qenë e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.

    “Ky ushtrim ka në fokus zhvillimin e kapaciteteve në fushën e transportit dhe mbështetjes logjistike në klasat I, III dhe V. FSK-ja po operon me automjetet e saj logjistike, duke qenë plotësisht e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane. Përmes këtij ushtrimi, pjesëtarët e Komandës së Logjistikës po realizojnë me sukses detyra të mbështetjes në transport, duke dëshmuar profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në mjedis ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Ambasada Amerikane në Kosovë paralajmëron për rreziqe globale ndaj qytetarëve amerikanë: Situata kërkon vigjilencë të shtuar

    Ambasada Amerikane në Kosovë paralajmëron për rreziqe globale ndaj qytetarëve amerikanë: Situata kërkon vigjilencë të shtuar

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka ngritur alarmin për sigurinë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar.

    Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada ka përcjellë mesazhin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili lidhet me zhvillimet e fundit dhe tensionet globale.

    Në njoftim theksohet se amerikanët në mbarë botën duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë të publikuara nga ambasadat dhe konsullatat përkatëse.

    Po ashtu, paralajmërohet se situata e sigurisë mund të ndikojë edhe në udhëtime, përfshirë ndërprerje të mundshme të fluturimeve apo kufizime në hapësirën ajrore.

    Ambasada u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve, në mënyrë që të shmangen rreziqet e mundshme.

    “Kujdes në të Gjithë Botën: Departamenti i Shtetit këshillon amerikanët në të gjithë botën, dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme, të tregojnë kujdes të shtuar. Amerikanët jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet në alarmet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së. Mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimit. Objektet diplomatike të SHBA-së, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Grupet mbështetëse të Iranit mund të shënjestrojnë interesa të tjera të SHBA-së jashtë vendit ose vende të lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe/ose amerikanët në të gjithë botën”, thuhet në njoftim.

  • Tragjedia në Majac, QKUK jep detaje: Njëra nga gratë humbi jetën, tjetra në gjendje kritike

    Tragjedia në Majac, QKUK jep detaje: Njëra nga gratë humbi jetën, tjetra në gjendje kritike

    Një ngjarje tragjike ndodhi në majac të Podujevës, ku dy gra u plagosën nga arma e zjarrit. Megjithatë, njëra nga të plagosurat nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po trajtohet intensivisht.

    “Në orët e vona të mbrëmjes, Qendra Emergjente e QKUK-së pranoi dy paciente femra, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra në vitin 1995, të sjella me autoambulancë nga Podujeva pas plagëve nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftim.

    Të dyja pacientet u pranuan në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, duke u intubuar me frymëmarrje të asistuar dhe duke iu nënshtruar ekzaminimeve emergjente.

    Njëra paciente u dërgua në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit vazhdojnë trajtimin intensiv.

    “Megjithë përpjekjet maksimale të stafit mjekësor, pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate”, njofton QKUK.

    Gjendja e pacientes së dytë mbetet kritike, dhe ajo po trajtohet intensivisht nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

  • Tri vrasje brenda javës në Kosovë

    Tri vrasje brenda javës në Kosovë

    Kosova është tronditur nga tri raste të rënda vrasjesh që kanë ndodhur brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe rendin në vend.

    Fillimisht të hënën e kaluar qyteti i Gjakovës u tronditën në orët e para të mëngjesit ku një person i moshës 38 vjeçare, humbi jetën pas plagosjes me armë zjarri.

    Autori i ngjarjes ishte në arrati për disa orë por që më vonë u paraqit te organet e rendit. Në këtë rast mbeti i plagosur edhe një 29 vjeçar.

    Rasti i dytë ndodhi të shtunën ku si pasojë e përleshjes midis dy vëllezërve, njëri nga ta humbi jetën.

    Lidhur me këtë rast është arrestuar një person. Ndërsa rasti i tretë ndodhi natën e mbrëmshme në fshatin Majac të Podujevës kur një grua plagosi për vdekje një burrë. Në këtë rast mbeti i plagosur edhe një person.