ATV

Tag: Ballina

  • Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati do të paraqesë sot propozimin për miratimin e vendimit për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

    Propozimi është vendosur në rendin e ditës të mbledhjes së kabinetit qeveritar të mërkurën.

    Sipas pikës 9 të rendit të ditës, qeveria pritet të miratojë sot kompensimin financiar të deputetëve të legjislaturës së viteve 90′.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja do të fillojë në ora 11:00.

    Në rend të ditës janë 15 pika.

  • Vazhdon edhe sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjimi i dëshmitares në masa të rrepta sigurie

    Vazhdon edhe sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjimi i dëshmitares në masa të rrepta sigurie

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në këtë seancë po vazhdon dhënia e dëshmisë nga dëshmitarja e para në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

    Dëgjimi i dëshmitares së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së, është duke vazhduar në sesion privat, me ç’rast asnjë dëshmi nga e tërë marrja në pyetje nga Prokuroria e dëshmitares së parë gjatë katër seancave të ardhshme nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar.

    Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

    Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

    Prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

    Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

    Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

    “Është pak proces i çuditshëm kështu”, u tha nga ana e mbrojtjes.
    Gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e të tjerëve shumë herë është ankuar për dy vjet e gjysmë të mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, për redaktim masiv të informatave lidhur me akuzat, vonesa ekstreme si dhe fshehje të dëshmive shfajësuese nga Prokuroria.

    Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

    Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

    Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

  • Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, po zhvillohen hetime në mënyrë intensive.

    Përmes një komunikate, Prokuroria njoftoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar, derisa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

    “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë, gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona deri më tani të panjohur e të cilët pas aktit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, me ç’rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente./atvlive.tv/

     

  • Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Dëshmitarja e parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot dëshminë e saj.

    Gjatë ditës së djeshme, dëshmia e saj është marrë në seancë private gjatë gjithë kohës dhe pothuajse asgjë nuk ka qenë e hapur për publikun.

    Sipas deklarimeve të gjykatës, do të duhen katër ditë që dëshmitarja e parë të përfundojë dëshminë e saj, ndërsa mbrojtja do të ketë kohën e vet për të bërë pyetje.

    Specialja është kritikuar lidhur me mbajtjen e seancave private dhe përmbajtjeve të redaktuara në rastin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

  • Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar incidentin në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një qytetar.

    “BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në reagimin e lëshuar.

    Policia e Kosovës ka njoftuar për përfshirjen e katër zyrtarëve policorë në plagosjen e qytetarit serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Leposaviç.

    “Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, sqaron njoftimi.

    Tutje thuhet se zyrtari në fjalë është suspenduar, bashkë me tre të tjerë që dyshohen për përfshirje në rast.

    “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj paralajmëron dështimin e zgjedhjeve në veri

    Haradinaj paralajmëron dështimin e zgjedhjeve në veri

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka folur rreth organizimit të zgjedhjeve në veri që pritet të mbahet më 23 prill.

    Haradinaj tha në Klan Kosova se këto zgjedhje do të dështojnë.

    “Prapë ne do ta humbim fytyrën tonë. Nëse rezultati është nën 10 për qind niveli pjesëmarrjes. Mos të bëjmë hajgare. Ne jemi duke e mashtruar vetën. Edhe aleatët të lënë për të dështuar, në mënyrë që ta tregojnë vendin”, tha Haradinaj.

    Ai tha se u insistua me ‘budallakinë e vendit tonë’ që të mbahen zgjedhjet sërish atje.

    “E kemi ngrirë kokën e kemi thënë ne jemi shtet, e kemi Kushtetutën, i kemi ligjet i shpallim zgjedhjet. E ku kemi mbërritur? Mos me pas ardhur amerikani që të na nxjerrë nga aty, kishim mbetur në të”, theksoi ai.

  • Konjufca e dënon sulmin ndaj Valon Sylës: Krim që nuk përkon as me kulturën as traditën shqiptare

    Konjufca e dënon sulmin ndaj Valon Sylës: Krim që nuk përkon as me kulturën as traditën shqiptare

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla

    Në reagimin e tij, Konjufca ka thënë së kjo është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit “dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”.

    “Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm.

    Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare.

    Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë!

    Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në reagimin e Konjufcës.

  • AGK e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    AGK e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj gazetarir Valon Syla.

    AGK ka kërkuar hetime urgjente në lidhje me rastin ndaj Valon Sylës.

    Reagimi i plotë:

    AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

    Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

    Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

    Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

    AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë.

    #SafeJournalists

  • ShBA e shqetësuar për plagosjen në veri, Hovenier preket edhe nga mohimi fillestar i Policisë

    ShBA e shqetësuar për plagosjen në veri, Hovenier preket edhe nga mohimi fillestar i Policisë

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar të martën se ShBA-të janë të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan.

    Ai shkroi në Twitter se zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm.

    “Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi diplomati amerikan.

    Sipas tij, të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.

    “Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Hovenier.

    Policia e Kosovës sot ka ka bërë të ditur se një zyrtar policor është i përfshirë në shkëmbim zjarri me armë në pjesën veriore të Kosovës.

    Edhe pse policia fillimisht e kishte mohuar të jetë e përfshirë në këtë incident, në pasditen e së martës kanë thënë se kanë suspenduar gjithsej katër zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

    “Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti. Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.”, thuhet në komunikatën e policisë.

  • Padia për gjenocid, qeveria hesht, juristët janë pesimistë

    Padia për gjenocid, qeveria hesht, juristët janë pesimistë

    Ngritja e padisë për gjenocid ndaj shtetit serb, ishte njëri nga premtimet e Qeverisë Kurti II.

    Megjithatë, për përgatitjen e padisë, deri më tani ekzekutivi nuk ka treguar për ndonjë hap konkret.

    Derisa qeveria hesht, profesorë e juristë janë skeptikë nëse Kosova mund ta paditë Serbinë për gjenocid.

    “Dua të them më plotë kompetencë se as qeveritë e deritanishme nuk janë angazhuar për se afërmi për t’i dokumentuar, t’i mbledhin e t’i sistemojnë të gjitha krimet e tmerrshme dhe të llahtarshme”, tha profesor i së drejtës ndërkombëtare, Ismet Salihu.

    Për ngritjen e kësaj padie, sipas profesorit Ismet Salihu, duhet angazhim shumë i madh.

    “Tepër vonë jemi, po para se të fillojnë përgatitjet për këtë padi duhet një punë 3 ose 4 vjeçare për t’i dokumentuar të gjitha krimet që i ka kryer shteti serb në Kosovë”, tha Salihu

    Krahas kësaj, Kosova përballet edhe me pengesa procedurale.

    “Ne e dimë që Kosova nuk është pjesë e OKB-së, dhe vetëm shtete anëtare mund të iniciojnë një procedurë të tillë… Nëse ka mjaftueshëm elemente për të iniciuar një akuzë për gjenocid sepse edhe Kroacia dhe Bosnja e kanë bërë padi por këto padi janë refuzuar”, tha Amer Alija nga fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    Derisa, gjatë ditës Qeveria nuk ka kthyer përgjigje, ditë më parë zëvendësministri i drejtësisë, Blerim Sallahu, në emisionin CONTEX, kishte deklaruar se pavarësisht nëse padia për gjenocid nuk përfshihet në marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel, nuk do të thotë që puna në përgatitjen e saj do të ndalet. /atvlive.tv