ATV

Tag: Ballina

  • Nis tejkalimi i afateve kohore të aneksit të Ohrit

    Nis tejkalimi i afateve kohore të aneksit të Ohrit

    Dështimi për të themeluar Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës, brenda 30 ditësh, përbën tejkalimin ose shkeljen e parë të afateve kohore të parapara në aneks dokumentin e dakorduar në Ohër, nga Kosova dhe Serbia.

    E hëna e 17 Prillit, është dita e 31-të nga dita e dakordimit.

    Referuar praktikave në dialog për më shumë se një dekadë, opinionisti Bekim Kabashi vlerëson se Kosovës dhe Serbisë nuk u ka munguar vullneti për negocim e nënshkrim të marrëveshjes, por për zbatimin e saj.

    “Serbia dhe Kosova më shumë i arrijnë marrëveshjet për shkak të presionit ndërkombëtar dhe mos-prishjet e raporteve me fuqitë, në këtë rast SHBA-të dhe BE-në, sesa me vullnetin për me mbërri paqe në mes të dy vendeve. Dhe po besoj që prapë do ketë probleme, edhe në implementimin e kësaj marrëveshje, në themelimin atyre institucioneve, duke përfshirë edhe institucionin që ka me e shiku nëse ka me u zbatu marrëveshja ose jo”, tha gazetari dhe analisti Bekim Kabashi.

    Palët, sipas tij, nuk janë ndikuar shumë as nga paralajmërimet për sanksione.

    “Sanksionet janë përmend më shumë se do ndikojnë në rrugën e palëve për anëtarësim në BE. Kosova pothuajse ende nuk e ka filluar qartë këtë drejtim dhe nuk e ka ndonjë shqetësim të madh në këtë drejtim. Ndërsa, Serbia është shumë më përpara në proces të integrimit në BE, por nuk ka ndonjë vullnet ose naj merak të madh nëse anëtarësohet ose jo Serbia”, tha Kabashi.

    Përgjegjës për ritmin e ulët të lëvizjes, profesori Seb Bytyçi e bën edhe Bashkimin Evropian.

    “Siç kam thënë edhe më herët, pritet të ketë zvarritje nga të dyja palët. Mirëpo, kjo dëshmon se edhe BE-ja, si ndërmjetësues, ka një qasje zvarritëse dhe deri diku e toleron zvarritjen nga të dyja palët. Kështu që mund të pritet që të ketë zvarritje edhe në të ardhmen në implementimin e marrëveshjes”, tha Bytyçi.

    Në aneksin e dakorduar më 18 mars ishte paralajmëruar trajtim “urgjent” i çështjes së të pagjeturve dhe nisje e “e menjëhershme” e punës për themelimin e Asociacionit, por për asnjërën ende nuk ka ndonjë konkluzë.

    Njësoj edhe për Komitetin që do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, pritet të ketë gjashtë anëtarë: dy Kosova, dy Serbia dhe dy Bashkimi Evropian – që do ta kryesojë këtë mekanizëm.

    Të martën, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, pritet t’i takojë në distancë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, si vazhdim i diskutimeve për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit dhe funksionalizimin e Komitetit, para takimit të radhës të nivelit të lartë. /atvlive.tv

  • Organizimi i LDK-së dhe UÇK-së: Krejt çka tha sot dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

    Organizimi i LDK-së dhe UÇK-së: Krejt çka tha sot dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

    Një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

    Në pyetjet e Prokurorisë ai ka folur fillimisht lidhur me organizimin dhe strukturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, qëllimet e kësaj partie dhe dallimet me ‘krahun e luftës’.

    Dëshmitari që po jep dëshminë me masa strikte mbrojtëse ka folur sidomos për organizimin e LDK-së në Malishevë, raporton Nacionale.

    “Synimi i LDK-së ka qenë me kundërshtu sistemin e ish-Jugosllavisë. Ka fillu jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj të udhëhequr nga presidenti Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, deklaroi dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

    Prokurori e pyeti se cila ka qenë forma e veprimit të LDK-së dhe cilat institucione kanë qenë në fuqi në atë kohë.

    “Ka qenë qeveria e Kosovës, kryeministri Bukoshi dhe të gjithë ministrat e tjerë në atë kohë. Aty ku ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, aty ka vepruar Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

    Më pas dëshmitari tregoi në detaje për organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Malishevë.

    “Pas formimit në Prishtinë, është formuar në Malishevë Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i parë i LDK-së në Malishevë ka qenë Isni Kilaj. Struktura e LDK-së është përbërë nga nënkryetarë të LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, deklaroi më tutje dëshmitari.

    Ai tregoi se LDK-ja ka pasur një përkrahje tejet të madhe në popull. Dëshmitari bëri të ditur se ishe inkuadruar në LDK në vitin 1990 dhe ende vazhdon të jetë pjesë e kësaj partie.

    Një pjesë e kësaj seance u zhvillua edhe e mbyllur për publikun, pasi përmendeshin identiteti i dëshmitarit dhe informacione të tjera konfidenciale.

    Dalja publike e UÇK-së dhe gabimet e dëshmitarit

    Përveç LDK-së, dëshmitari deklaroi se ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje tha se ka qenë fizikisht pjesëmarrës në daljen e parë publike të UÇK-së në Llaushë pas vrasjes së mësuesit Halit Geci.

    Por, pavarësisht kësaj, dëshmitari gjatë përgjigjeve të tij pati dy gabime elementare që ndërlidheshin me daljen e parë publike. E para ai tha se në Llaushë pati mbajtur fjalim Mujë Krasniqi, kur dihet që atje ka folur vetëm Rexhep Selimi. Dhe e dyta, tha se vetëm Mujë Krasniqi ka dalur pa maskë në skenë, përderisa dihet se pa maskë ka dalur edhe Daut Haradinaj.

    “UÇK-ja u bë publike pas vrasjes së mësuesit Halit Geci, në varrimin e tij është bërë publike Ushtria Çlirimtare të Kosovës. E pas vrasjes së familjes Jashari i madh e i vogël u kyçën në ushtri. Me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci kemi qenë prezentë në varrim edhe vetë. Është fol që ka marrë pjesë edhe kryetari i degës së Skënderajt, Idriz Reci. Kanë folë ata, pas tyne janë dalë përfaqësuesit e UÇK-së e kanë lexu një tekst dhe i kanë shprehë ngushëllime”, tha fillimisht dëshmitari.

    “Mujë Krasniqi ka qenë pa maskë, të tjerët kanë qenë me maska. Më vonë e kemi kuptuar se ishte Mujë Krasniqi. Muja ka lexuar diçka, ka bërë thirrje që të veprohet me UÇK-në e të ecim përpara”, deklaroi dëshmitar.

    Prokurori nuk bëri ndonjë pyetje tjetër lidhur me këto dy përgjigje. Mbetet të shihet nëse avokatët e krerëve të UÇK-së do t’ia rikujtojnë dëshmitarit dy elementet të cilat i tha lidhur me daljen publike të UÇK-së.

    Megjithatë, prokurori u interesua për faktin se cili nga folësit ka qenë më i rreptë. Dëshmitari tha se më ashpër kishte folur Rexhep Selimi.

    Dëshmitari foli edhe për raportet e LDK-së me UÇK-në. Tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Rugova, përderisa pretendoi se ushtarët e UÇK-së i kanë kërkuar atij të largohet nga LDK-ja.

    Pjesë tjetër nga dëshmia e dëshmitarit:

    Prokurori: Kush nga folësit ishte më i rreptë?

    Dëshmitari: Veç me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi.

    Prokurori: Më herët the një person e ka mesazhin më të ashpër. A e kujton kush ishte?

    Dëshmitari: Po. Rexhep Selimi. Më tregoi dikush që ishte ai.

    Prokurori: Si e kuptuat që mesazhi ishte të mos ndiqen më njerëzit pacifist?

    Dëshmitari: Fjala ishte për Lidhjen Demokratike e Kosovës. Kjo sepse thanë që nuk mundemi vetëm me fjalë paqësore, por edhe lufta. U dijke kush është në Prishtinë, e kush punon në mënyrë paqësore. Në atë kuptim.

    Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK-ja në qershor 1998?

    Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

    Prokurori: Kur objektivat e UÇK-së dhe LDK-së duke filluar nga 1998, a filluan të harmonizohen?

    Dëshmitari: Po. Nuk ishin bash të mira marrëdhëniet, edhe pse një pjesë e madhe ishim të kyçur në UÇK. Nuk kanë qenë edhe bash raportet si me thanë të shëndosha, të mira. UÇK-ja vazhdimisht bënte presion që LDK-ja ta pushonte aktivitetin e vet.

    Prokurori: Kush e ushtronte këtë presion?

    Dëshmitari: E ushtronte drejtoria politike në kuadër të UÇK-së.

    Prokurori: UÇK-ja e a e njihte presidentin Rugova?

    Dëshmitari: Jo.

    Prokurori: A vazhduat të ishit anëtar i LDK-së edhe kur u kyçët në UÇK?

    Dëshmitari: Po.

    Prokurori: Më herët dëshmuat për institucionet paralele. A mësuat nëse kishte anëtar të tjerë të UÇK-së që i njihnin këto institucione,

    Dëshmitari: Po, ka pasur edhe ushtar edhe shtab që i ka njohur institucionet e republikës së Kosovës. Edhe pse kam qenë pjesëtar i UCK-së, kam qenë në LDK, kam punuar dhe kam vepruar në çfarë është dashtë.

    Prokurroi: A e dinin ushtarët se ti ishe në LDK dhe si kanë reaguar?

    Dëshmitari: Kanë kërkuar mu tërheqë mirëpo nuk jam tërhek sepse e kisha autoritetin.

    Ky dëshmitar do të merret në pyetje për pesë ditë me radhë. Në anën tjetër, në fillim të seancës trupi gjykues ia ka aprovuar një mocion avokatit të Rexhep Selimit. Kjo lidhet me incidentet që i ka përmendur një dëshmitar, e të cilat nuk ndërlidhen me periudhën e aktakuzës për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.

  • Konjufca: Kurrë s’do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë

    Konjufca: Kurrë s’do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se masakrat e ndodhura në gjithë vendin dëshmojnë se Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullatës së pafajshme gjatë luftës.

    Pas homazheve në Kompkelin Memorial në Poklek, ai tha se kurrë nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë.

    Duke e quajtur këtë ditë të dhimbjes e krenarisë, ai shtoi se falë gjakut të të rënëve Kosova e gëzon lirinë.

    “Masakra e Poklelut dhe të gjitha ato maskara janë akte të gjenocidit mbi popullin e Kosovës, 54 veta vetëm këtu janë ekzekutuar”.

    “Sot 24 vjet më parë 128 civilë janë vrarë prej shtetit serbe, është ditë e dhimbjes dhe krenarie, falë këtij gjaku të derdhur jemi çliruar dhe ka ardhur liria”.

    “Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë, kundër popullatës së pafajshme. Lavdi të rënëve, lavdi dëshmorëve”.

  • Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

    Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët jo vetëm që u vranë, por kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive.

    Ai tha se viktimat e Çikatovës së Vjetër u dërguan në varrezë masive në Rashkë të Serbisë, sipas tij atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe.

    Ai edhe një herë i ka bërë thirrje Prokurorisë që të jetë sa më shumë aktive, duke shtuar se është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët.

    “Para 24 vjetëve, pra më 17 prill të viti 1999 këtu në Çikatovë të vjetër të Drenicës janë vrarë 28 civilë të paarmatosur e të pambrojtur nga forcat e Serbisë, të regjimit fashist të Millosheviçit, i cili në pranverën e vitit 1999 kreu gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë. Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në 5 varreza masive gjithsej, mbi 950 shqiptarë. Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë dërguar edhe të vrarët e Çikatovës së Vjetër. Pra edhe ata që u vranë në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës, pra në Rashkë atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe drejtues të strukturave paralele në Kosovë”.

    “Me datën 30 maj të vitit 2019 pra së shpejti bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës së Kosovës është amandamentuar, është ndryshuar është plotësuar Kodi i Procedurës Penale, është mundësuar që kriminelët serbë për krimet që i kanë kryer në Kosovë të gjykohen edhe në mungesë. Pra ndjekja e tyre, akuzimi, gjyqësia dhe ndëshkimi janë të mundshme edhe në mungesë për shkak se më datën 30 maj të vitit 2019 Kuvendi i Republikës e ka mundësuar një gjë të tillë duke kaluar në lexim të dytë plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale”.

    “Andaj ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne së pari nuk e bëjmë një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar që të sjellim drejtësi për ata që e derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën ne e gëzojmë të gjithë ne sot”, tha ai.

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.

    Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

    Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.

    Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Krerët e shtetit nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, në 24-vjetorin e rënies

    Krerët e shtetit nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, në 24-vjetorin e rënies

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në fshatin Poklek të komunës së Drenasit me rastin e 24 vjetorit të masakres në këtë fshat, raporton Ekonomia Online.

    24 vjet më parë në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

    Pas homazheve kreret e shtetit do ta vizitojnë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek si dhe do të bëjnë homazhe në fshatin Çikatovë e Vjetër.

  • ​Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

    Dëshmitarja e mbrojtur është dëgjuar për më shumë se tri ditë tërësisht në seanca private.

    Pas një pauze, në gjykatore do të flas dëshmitari i dytë i prokurorisë, gjithashtu i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun.

    Sipas trupit gjykues, ai mban kodin W02652.

    E lidhur me këtë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka ngritur një çështje në seancë private.

    Ndërsa më vonë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar se e kundërshtojnë një kërkesë të mbrojtjes së Hasim Thaçit dhe për këtë kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë parashtrim.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë parë në sallën ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, më 24 vjetorin e masakrës në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër.

    E para e vendit, fillimisht do të bëj homazhe në kompleksin memorial në Poklek, e më pas do të vizitojë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek.

    Qëndrimi i saj në këtë fshat është paralajmëruar për në ora 11:00.

    Ndërsa më pas, në ora 12:00, presidentja Osmani bën homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër, në Komunën e Drenasit.

    Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

  • Lajçak: Kosova dhe Serbia të fokusohen në normalizmin e marrëdhënieve

    Lajçak: Kosova dhe Serbia të fokusohen në normalizmin e marrëdhënieve

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u shpreh i shqetësuar me disa zhvillime në veriun e Kosovës.

    Lajçak tha se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të fokusohen në normalizmin e marrëdhënieve.

    “Kjo javë në Bruksel ishte relativisht e qetë për mua, gjë që më dha mundësinë të punoj në dokumente të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe të thellohem më thellë në zhvillimet dhe gjendjet aktuale në rajon. Fatkeqësisht, disa nga këto zhvillime janë shqetësuese dhe presim që palët të jenë plotësisht të fokusuara në normalizimin e marrëdhënieve”,tha Lajçak.

    Ai theksoi se ka pasur takime edhe me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele, Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

  • Kërkohet kujdes me zgjedhjet në veri, ekspertët vlerësojnë se mund të ketë tensione

    Kërkohet kujdes me zgjedhjet në veri, ekspertët vlerësojnë se mund të ketë tensione

    Një javë ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, në katër komunat në veri të Kosovës.

    Krahas listës serbe që nuk do marrin pjesë në zgjedhje, serbët e veriut tashmë kanë marrë thirrje nga Beogradi, që as të mos dalin në votime.

    Një situatë e tillë sipas Profesorit amerikan, Edward Joseph, i konvenon presidentit Serb Aleksandër Vuqiq në çfarëdo mënyre.

    Aleksandër Vuçiq do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente, por ne kemi KFOR-in, duhet të shikojmë nga KFOR-i për trajtimin e kësaj çështjeje, shpresojmë se ata do të merren me këtë, kjo është një mënyrë. Mënyra tjetër është se ai do të mund të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe pothuajse asnjë serb nuk voton. Pra, ai do të përfitonte, Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin shikoni, kjo është një farsë, ata nuk po e dëgjojnë popullin, populli nuk doli dhe nuk votoi. Kështu që liderët e Kosovës duhet të mendojnë për këtë, të mendojnë për pasojat e kësaj, dhe përfitimin e Beogradit nga një gjë e tillë, është gjë shumë e keqe”, tha Joseph.

    Njëjtë mendojnë edhe ekspertët vendor, teksa thonë se incidentet në veri tashme veçse janë të pashmangshme.

    “Kjo mund të themi se kontribuon më së shumti në politikat ditore të Aleksandër Vuqiq, sepse aj e ka tashmë skenarin në dorë duke e ditur që tanimë KQZ-ja ka caktuar qendrat e vendvotimeve që tashmë janë 11 sosh që shpine në pikat kufitare 1 dhe 31, duke mënjanuar qendrat klasike të vendvotimit siç kanë qenë më herët. Kjo po dëshmon që tensionet janë të pashmangshme sa i përket tentativës për të mbajtur zgjedhjet në pjesën veriore”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Ndër të tjera, eksperti amerikan Edward Joseph thotë se ndonëse ka marrëveshje mes palëve që rregullojnë disa çështje, marrëveshja finale duket ende larg. /atvlive.tv