ATV

Tag: Ballina

  • Gjykata që thirret në emër të popullit, s’i lejon kosovarët t’i dëgjojnë dëshmitë

    Gjykata që thirret në emër të popullit, s’i lejon kosovarët t’i dëgjojnë dëshmitë

    Dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve, për tri ditë radhazi dha dëshminë në seancë të mbyllur për publikun.

    Krejt çfraë u publikua ishte fakti se dëshmitari ishte intervistuar dy herë në zyrat e ZPS-së.

    Teksa tha se këtë praktikë me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdorë deri në fund të gjykimit, avokati Florim Shefqeti e cilëson si mungesë të transparencës.

    “Ne besojmë se si në çdo lloj gjykimi që nuk është publik ne kemi parë edhe në aspektin vendor raste kur është bërë mbyllja e seancave ka pas reagime për mungesë transparence, dhe prandaj edhe kjo patjetër ndikon në mungesën e transparencës dhe po flas personalisht nuk do të kemi mundësi të gjykojmë çfarëdo vendimi apo të japim mendim për atë vendim në mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave që deklarohen…”, tha Florim Shefqeti, avokat.
    Mbylljen e plotë të seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim po kritikohet edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    “Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur ne edhe në të kaluarën në proceset gjyqësore para misioneve ndërkombëtare kemi pas redaktime të seancave, kemi pas ndryshim të zërit e fotografisë, janë marr masa që të ruhet identiteti, por të themi shumica e dëshmisë ka qenë e hapur për publikun dhe monitoruese për arsye se jo çdo pyetje dhe jo çdo përgjigje ka të bëjë me identitetin”, tha Amer Alija nga FDHK.

    Fakti që dëshmia e dëshmitarit të parë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve u dha në seancë private i shqetësoi edhe familjet e dëshmorëve.

    “Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë…”, tha Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

    Me 11 prilli në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. /atvlive.tv

  • Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Për përdorimin e gjuhës së këtillë, sipas rregullores së Kuvendit, deputetit i shqiptohet fillimisht vërejtje e në rast të përsëritjes së kësaj shkeljeje parashihet edhe largimi nga seanca.

    Por, përpos rregullores e cila në këtë aspekt po vlerësohet e përgjithshme, tashmë për gjuhën, qasjen dhe sjelljen e deputetëve do të ketë edhe Kod Etik, dokument që vlerësohet i domosdoshëm.

    “Zhvillimet e fundit kanë krijuar nevojën për kategorizimin e shkeljeve që deputetët bëjnë. Tani nuk kemi vetëm gjuhë jo parlamentare por edhe gjuhë seksiste. Në këto rrethana kodi I etikës do të bëjë dallimin e kategorizoj këto gjuhë…”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Në një përpjekje të tillë është duke punuar Kuvendi dhe së shpeti pritet që ky dokument të finalizohet.

    “Javën që shkoj ishim edhe në Shqipëri për të parë se si shteti I Shqipërisë e ka rregulluar, se si deputetët kanë obligimet detyrat e sigurisht edhe sanksionet nëse ata nuk veprojnë në raport me kodin e etikës I cili synon të rregullojë disa nga mekanizmat e sjelljes dhe jo vetëm, natyrisht dhe të përgjegjësive që I ka deputeti..”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    Ndërkaq Rregullorja e re Kuvendit u miratua në korrik të vitit të kaluar, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja paraprake e këtij institucioni. /atvlive.tv

  • BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE-ja shprehet e zhgënjyer për mospjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet lokale, në katër komunat veriore të Kosovës. Në një përgjigje për Radio Kosovën një zëdhënës i BE-së ka thënë se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në struktura e nivelit qendror dhe lokal.

    Më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), me shumicë serbe, pritet të mbahen zgjedhjet lokale. Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

    Një zëdhënës në Bruksel i ka thënë Radio Kosovës, përmes emailit, se është për keqardhje bojkotimi i zgjedhjeve nga përfaqësuesit politikë të serbëve lokalë.

    “Prandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit serbë në Kosovë janë larguar nga të gjitha institucionet kosovare, përfshi këtu pozitat në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

    Largimi kishte ardhur sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesnin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS (Republika e Kosovës.)

    Nga Brukseli thonë se BE-ja është angazhuar, me partnerët e saj, për të de-përshkallëzuar tensionet dhe që serbët t’i përmbushin detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucione vendore.

    “Deri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë,” thuhet në përgjigjen e tyre.

    Me datë 27 shkurt të këtij viti Kosova dhe Serbia nënshkruan një Marrëveshje për Rrugën e Normalizimit ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë me 18 mars.

    Sipas BE-së “Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal.”

    Sipas BE-së, ata nuk mund ta detyrojnë as Kosovën e as Serbinë që këto procese demokratike të jenë të suksesshme.

    “Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore,” thuhet krejt në fund në përgjigjen e BE-së, për Radio Kosovën.

  • Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë mbyllur me sukses diskutimet për program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për çështjen e ndërtimit të kapaciteteve të reja për energji të ripërtëritshme me erë dhe diell. Sipas tij, programi ka vlerën deri në 260 milionë euro.

    Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se programi fillimisht vë në dispozicion 80 milionë euro në kuadër të “instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”.

    “Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në. Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore”, ka shkruar Murati. Sipas tij, pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri në vlerë prej 100 milionë eurosh për 2 vjetët e ardhshëm.

    Për këtë mbështetje, Murati ka thënë se pikënisje ka qenë “suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike dhe vendimmarrjen e matur fiskale”.

    “Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN”, ka shkruar ai.

  • Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për vrasjen e nënës së tij gjatë ditës së djeshme në Pejë.

    Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë.

    “Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, përfundon njoftimi.

    Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

    Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

    Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

    Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

    Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

    Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

  • Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, më 14 prill 2023, KQZ-ja
    miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë./atvlive.tv/

    Kliko në link për të parë listën me qendrat e votimit:

    https://kqz-ks.org/wp-content/uploads/2023/04/Lista-e-Qendrave-te-Votimit-per-Zgjedhjet-e-dates-23.04.2023.pdf

     

  • Regjimenti i këmbësorisë përfundon trajnimin “Lufta në qendrat e banuara”

    Regjimenti i këmbësorisë përfundon trajnimin “Lufta në qendrat e banuara”

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se kompania 1B e Regjimentit të parë të këmbësorisë ka përfunduar trajnimin “Lufta në qendrat e banuara” me instruktorët e Operacioneve Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Mehaj në një postim në Facebook shkruan se qëllimi i këtij trajnimi ka qenë stërvitja e pjesëtareve për luftë në qendrat urbane, e që është një nga detyrat kryesore të këmbësorisë për përmbushje të misionit.

    “Gjatë ekzekutimit të trajnimi pjesëtarët kanë praktikuar disiplinat ushtarake, qitje me armë individuale dhe në ekip si dhe janë trajnuar për lufte në qendra të banuara në kushte të ditës dhe të natës, si një nga metodat me komplekse të luftës.

    Trajnimi u përmbyll me realizimin e skenarit të ‘kordon-kërkimit’ dhe ‘pastrimit të dhomave’ ku pjesëmarrësit treguan nivel të lartë të përgatitjes profesionale”, shkruan Mehaj.

  • Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

    Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të shtunën në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, raporton Ekonomia Online.

    Takimi ndërmjet Osmanit dhe Abazoviqit është duke u zhvilluar në presidencë.

    Kryeministri Abazoviq dje ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës, shkruan EO.

    Kryeministri i Malit të Zi, dje gjatë ditës ka pasur takime edhe me zyrtarë të ndryshëm shtetëror, biznese si dhe ka takuar edhe liderët e partive politike.

    Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë sot do ta vizitojë edhe komunën e Pejes, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

    Abazoviq për vizitë zyrtare ka mbërritur në Kosovë gjatë së enjtes.

  • ​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

    ​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

    Për tri ditë me radhë në seancë private është dëgjuar dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në Hagë. Por, ky vendim i trupit gjykues po kritikohet nga njohës e monitorues të këtij procesi gjyqësor të cilët po konsiderojnë se këto veprime të Gjykatës Speciale flasin për mungesë të transparencës në këtë gjykim.

    Nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së thonë se kjo gjykatë që vendimet i merr “në emër të popullit” nuk e lejon që populli të dëgjojë asnjë fjalë nga dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas tyre, asnjë dëshmitarë nuk ka pse të ketë frikë dhe të fshihet.

    Avokati Florim Shefqeti shprehet se duke marr parasysh masat e sigurisë për mbrojtjen e identitetit dhe personalitetit për dëshmitaren anonime nuk është dashur të privohet publiku kosovar nga dëgjimi i marrjes në pyetje të dëshmitares.

    “Ne kemi parë fillimin e deklaratës së dëshmitarit të parë i cili ka qenë i fshehur identiteti dhe personaliteti i tij, respektivisht edhe pamja edhe zëri kanë qenë të mbrojtura. Prandaj, në kuptim të peshës dhe rëndësisë së parimit të publicitetit nën masat e siguruara që janë krijuar për fshehjen e identitetit dhe dukjes së tij ne vlerësojmë se nuk është dashur të privohet publiku i gjerë, edhe kosovar, edhe të tjerë, nga dëgjimi i deklaratave të dëshmitarit të parë dhe besojmë që kjo do të vazhdojë si praktikë në të gjithë gjykimin. Pra, do ta kemi një gjykim jopublik dhe që nuk ndikon çfarëdo vendimi të jetë që të krijohet perceptimi publik lidhur me procesin gjyqësor”, shtoi Shefqeti.

    Shefqeti konsideron po ashtu se me këto vendime të trupit gjykues procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po bëhet jotransparent.

    Ai madje beson që këtë praktikë të mbylljes së seancave me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdori deri në fund të gjykimit.

    “Ne besojmë se si në çdo lloj gjykimi që nuk është publik ne kemi parë edhe në aspektin vendor raste kur është bërë mbyllja e seancave ka pas reagime për mungesë transparence, dhe prandaj edhe kjo patjetër ndikon në mungesën e transparencës dhe po flas personalisht nuk do të kemi mundësi të gjykojmë çfarëdo vendimi apo të japim mendim për atë vendim në mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave që deklarohen… Mbi bazën e kësaj që ka filluar me dëshmitarin e parë me arsye se janë dhënë gjoja se në mbrojtjen e dëshmitarëve ne besojmë që deri në fund do të vazhdojë në këtë formë“ u shpreh ai.

    Monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Amer Alija shprehet se gjatë kësaj jave 99% seancat gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë të mbyllur për publikun me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit.

    Sipas tij, trupi gjykues duhet të kujdeset që përveç deklaratave që mund ta zbulojnë identitetin e dëshmitarit, pjesa tjetër e dëshmisë të jetë e hapur për publikun.

    “Sa i përket parimit të publicitetit apo transparencës së këtyre proceseve gjyqësore për arsye se këto raste kanë mjaftë vëmendje dhe kanë mjaftë interes për publikun kosovar gjykatat duhet të kujdeset që informatat apo deklaratat, pjesë të deklaratave të cilat nuk lidhen me identitetin e familjarëve apo të dëshmitarit të jenë të hapura për publikun për arsye se edhe publiku, mediat dhe monitoruesit kanë të drejtë që të kenë një opinion të vetë, një përshtypje se nëse në fund të shpalljes të aktgjykimit ka pas mjaftueshëm prova qoftë për një vendim lirues apo dënues… Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur ne edhe në të kaluarën në proceset gjyqësore para misioneve ndërkombëtare kemi pas redaktime të seancave, kemi pas ndryshim të zërit e fotografisë, janë marr masa që të ruhet identiteti, por të themi shumica e dëshmisë ka qenë e hapur për publikun dhe monitoruese për arsye se jo çdo pyetje dhe jo çdo përgjigje ka të bëjë me identitetin. Publiku më shumë i intereson brumi i deklaratës nëse ka pas mjaftueshëm prova, inkriminim apo cila ka qenë deklarata në të cilën bazohet prokuroria. Kryetari i trupit gjykues dhe trupi gjykues duhet të kujdesen të mos i redaktojnë në tërësi seancat kur kemi dëshmitarët anonimë”, shprehet Alija.

    Për dëgjimin e dëshmitarit të parë ne rastin e Thacit dhe të tjerëve në seancë private për publikun shprehen të shqetësuar edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

    Xhavit Jashari nga kjo dhoqatë thotë se këto veprime të Speciales dëshmojnë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike dhe synon kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë…. Gjithë këto që po ndodhin në këtë proces tash presim ta shohim sepse është vetëm fillimi argumenton fuqishëm që këto tendenca janë për të kriminalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Shqetësuese është gjithsesi sepse nëse dikush është, siç po thotë prokuroria, dhe po merren si dëshmitarë është e mbyllur seanca kalon në privat dhe nuk njihet dëshmitari dhe nëse janë dëshmitarë që kanë qenë pjesëtarë të UÇK ata duhet të dalin hapur dhe nuk kanë pse të fshihen megjithatë këtu kemi të bëjmë me njerëz të shitur dhe janë edhe njerëz të blerë dhe shumë ka punuar kjo gjykatë me prokurorinë serbe”, shprehet Jashari.

    Që nga 11 prilli në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Ndërsa, më 3 prill në Hagë pas dy vitesh të procedurës paraprake, nisi gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për krime të pretenduara lufte.

    Qysh në nisjen e procesit gjyqësor, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale në Hagë. Ndërsa, edhe mbrojtja e tyre mohoi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre./KP