ATV

Tag: Ballina

  • Themelohet komiteti i përbashkët monitorues, nis punën pas takimit të 2 majit

    Themelohet komiteti i përbashkët monitorues, nis punën pas takimit të 2 majit

    Saktësisht 31 ditë pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia themeluan Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj.

    Komiteti u themelua pas takimeve të ndara dhe në distancë, që përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, zhvilloi të martën me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

    “BE-ja, si lehtësues i Dialogut Beograd-Prishtinë, bashkë me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, sot kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, do të përfaqësojë Kosovën, ndërsa Petar Pektovic Serbinë, në këtë Komitet që do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak.

    Dakordim është arritur edhe për datën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    “Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e referencës pritet të finalizohen dhe të miratohen në takimin e parë të Komitetit, që do të ndodhë pas takimit të radhës të nivelit të lartë në Dialog, që është caktuar për të martën, më 2 Maj, në Bruksel”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Megjithatë, as Bashkimi Evropian e as ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk treguan nëse palët janë dakorduar për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, që pritet të prezantohet në takimin e liderëve shtetërorë. /atvlive.tv

  • Urime të shumta për Kosovën pas heqjes së regjimit të vizave

    Urime të shumta për Kosovën pas heqjes së regjimit të vizave

    Vendimi i fundit për vizat u mor.

    Parlamenti evropian të martën miratoi përfundimisht heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Por, edhe për më shumë se 8 muaj, kosovarët nuk do të mundë të udhëtojnë vetëm me pasaportë.

    Procedurat e mëtejme, siç janë ceremonia e nënshkrimit, e publikimi në gazetën zyrtare, e tek në fund edhe aplikimi i sistemit Etias, do t’i shtyjnë udhëtimet pa viza të qytetarëve deri në janar të vitit të ardhshëm.

    Megjithatë, kjo po vlerësohet si ditë e madhe për Kosovën.

    “Të dashur qytetarë, njerëz të dashur të Kosovës, urime! Më në fund kemi votën për liberalizim të #vizave për Kosovën. Ju është dashur të prisni shumë gjatë dhe kjo ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme. Jam shumë e lumtur për ju, e ky vendim do t’ju bëjë juve edhe më të lumtur. Urime, ka përfunduar edhe kjo punë!”, thotë në urimin e saj raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cremon.

    Edhe deputeti holandez Thjis Reuten, uroi për procesin, siç e quajti ai të vonuar.

    “Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së, për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Evropës! Tani mund ta hapim kapitullin tjetër, duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Reuten.

    Shampanjë nuk hapën, por liderët shtetërorë, megjithatë uruan qytetarët.

    “Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar gjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE-ja. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre!”, tha kryeministri Kurti.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës vjen pas 12 vjet pritjeje, nga hapi i parë për nisjen e negociatave për liberalizim. /atvlive.tv

  • Pa viza, por jo pa pagesë e pa mbushje aplikacioni: Ja çfarë duhet të dini për sistemin ETIAS

    Pa viza, por jo pa pagesë e pa mbushje aplikacioni: Ja çfarë duhet të dini për sistemin ETIAS

    Sot Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe mendohet se nga 1 janari i vitit 2024, me pasaportën e Kosovës do të mund të udhëtoni në vendet e Evropës.

    Por, pavarësisht kësaj, ky nuk do të jetë fundi për mbushjen e aplikacioneve e për pagesa, shkruan Paparaci.com.

    Kjo pasi kërkesat për hyrje në Bashkimin Evropian janë duket ndryshuar dhe sistemi ETIAS do t’iu duhet kosovarëve në mënyrë që të mund të hynë në vendet e BE-së.

    ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, pra nuk është vizë, por do të kërkohet si dokument për të udhëtuar.

    Ju do të mund të aplikoni për ETIAS nga viti 2024 dhe kjo është e detyrueshme për hyrje në BE për më shumë se 1 miliard udhëtarë.

    Çfarë duhet të bëni?

    Ju duhet të mbushni aplikacionin e ETIAS.
    Të paguani tarifën e ETIAS
    Të aplikoni.

    Aplikimi nuk është ndonjë proces i vështirë. Krejt çfarë ju duhet është pasaporta, një e-mail adresë dhe një debit ose credit kartelë banke për pagesën e tarifës.

    Krejt çfarë duhet të bëni është të plotësoni aplikacioni së bashku me dokumentet e lartpërmendura.

    Nga ju kërkohen informacione të thjeshta si emri dhe mbiemri, data dhe vendi i lindjes, gjinia, adresa dhe nacionaliteti.

    Të dhënat e pasaportës duhet të përfshijnë numrin e pasaportës, datën e lëshimit dhe datën e skadimit.

    Informacionet e tjera përfshijnë datën e udhëtimit dhe të kthimit.

    Ende nuk dihet se sa do të jetë tarifa e sistemit ETIAS, por kjo sigurisht që do të bëhet një kusht për të hyrë në vendet e BE-së.

  • “Është për të gjithë”: Kurti uron liberalizimin e vizave, nuk provon të marrë meritat

    “Është për të gjithë”: Kurti uron liberalizimin e vizave, nuk provon të marrë meritat

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët e vendit për liberalizimin e vizave.

    Në këtë postim, z. Kurti nuk provoi të merrte meritat për këtë proces siç ndodhi në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.

    Ai ka thënë se “kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë.”

    “Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë,” – shprehet kryeministri Kurti.

    Megjithatë, nuk dihet nëse z. Kurti do të arrijë që t’i përmbahet tundimit për të marrë meritat në ditët e ardhshme.

    Statusi i plotë:

  • Rohde pas liberalizimit të vizave: Nuk mund të shpreh sa i lumtur jam për qytetarët kosovarë, e merituar

    Rohde pas liberalizimit të vizave: Nuk mund të shpreh sa i lumtur jam për qytetarët kosovarë, e merituar

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka përshendetur miratimin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.

    Ai shpërndau një Twitter adresimin e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila iu gëzua këtij miratimi.

    ”Më në fund është bërë! Me miratimin përfundimisht sot nga Parlamenti Evropian, liberalizimi i vizave i vonuar do të futet më së voni deri më 1 janar 2024. Gjermania ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën që nga viti 2016”, ka shkruar ambasadori gjerman.

    ”Nuk mund të shpreh sa i lumtur jam për qytetarët kosovarë! E merituar! Faleminderit eurodeputetes Violavon Cramon për angazhimin tuaj në këtë çështje”, ka thënë ambasadori.

    Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi nesër do të udhëtojë për në Strasburg, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

  • Osmani uron për vizat, meritat ia lë qytetarëve

    Osmani uron për vizat, meritat ia lë qytetarëve

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar sot pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Europian.

    Ajo tha se ky vendim final është fitore edhe për demokracinë në Europë dhe jo vetëm për Kosovën. Osmani tha se meritë për këtë ka populli i Kosovës.

    “Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”.

    Osmani tha se nga data kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm do të ndihen të barabartë me popujt tjerë europianë.

    “Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”.

  • Von Cramon uron Kosovën për vizat: Vendim i shumëpritur dhe shumë i merituar

    Von Cramon uron Kosovën për vizat: Vendim i shumëpritur dhe shumë i merituar

    Raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka uruar Kosovën pas vendimit të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave.

    Ajo ka thënë se ky vendim është lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Po ashtu, se ky vendim i PE’së është i shumë pritur dhe shumë i merituar për Kosovën.

    “Lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës nga Parlamenti Evropian! Urime për Liberalizimin e Vizave të shumëpritur dhe shumë të merituar që do t’ju lejojë të udhëtoni më në fund lirisht nëpër Evropë që nga viti 2024! Gëzuar lirinë e lëvizjes!”, ka thënë Cramon.

  • Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Parlamenti Europian sot ka miratuar dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Eurodeputeti holandez Thjis Reuten, i cili është raportues për vizat e Kosovës në PE, pas këtij miratimi tha se më në fund e realizuan një premtim të vonuar për Kosovën.

    “Parlamenti Europian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën. Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Europës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët europiane”.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshill të Evropës. Votimi për Liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit./atvlive.tv

  • Vjen reagimi i Qeverisë për vizat

    Vjen reagimi i Qeverisë për vizat

    Qeveria e Kosovës e quajti moment kyç përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët, derisa tha se falë punës së saj, u arrit ky zhbllokim.

    Ajo tha të martën pas përfundimit të votimit në Parlamentin Evropian se vendimi do të nënshkruhet të mërkurën në Strasbourg nga PE-ja dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

    “Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

    Qeveria theksoi se qytetarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i 2024-s.

  • Parlamenti Evropian i tha PO liberalizimit të vizave

    Parlamenti Evropian i tha PO liberalizimit të vizave

    Parlamenti Evropian në seancën e sotme ka miratuar liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Miratimi u bë pa votim, pasi s’pati asnjë kundërshtim.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshill të Evropës. Votimi për Liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit./atvlive.tv