ATV

Tag: Ballina

  • Gjithçka gati për zgjedhjet e nesërme

    Gjithçka gati për zgjedhjet e nesërme

    Të gjitha përgatitjet janë bërë.

    Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat Veriore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se është gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

    Andaj shpresojnë që i gjithë procesi të shkojë i qetë dhe i lirë.

    Në këtë mbledhje u zëvendësuan edhe komisionarët e nominuar nga partia politike, Partia Kosovskih Srba (PDK), të cilët njoftuan se nuk do të dalin në ditën e zgjedhjeve në vendvotime.

    Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Në garë për zgjedhjet e së dielës janë gjithsej 10 kandidatë për kryetar komune. /atvlive.tv

  • Puna “e dobët” e legjislativit/ Vendi ka pranuar Raportin e Progresit tash e 5 muaj, por ende nuk është debatuar për të

    Puna “e dobët” e legjislativit/ Vendi ka pranuar Raportin e Progresit tash e 5 muaj, por ende nuk është debatuar për të

    Kanë kaluar më shumë se 5 muaj prej kur vendi ka pranuar nga Komisioni Evropian, Raportin për Progresin e vendit.

    Por që atëherë, nuk është arritur asnjëherë të diskutohet për të në Kuvend.

    “Imagjino, ne marrim edhe pak muaj Raportin e Progresit për vitin që lamë, e ne s’kemi arritur që të diskutojmë ende për atë të vitit 2021. Ju mund ta imagjinoni në çfarë gjendje është kjo mazhorancë, kur një raport që është dashur të diskutohet para 5 muajve, ende e kemi në agjendën parlamentare”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri

    Të pakuptimtë tashmë diskutimin për këtë raport e konsideron edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Nuk e di sa ka mbet legjitim. është interesant me u debatua në seanca menjëherë pas publikimit, ku secili e analizon secilin veprim, apo dikaster dhe cilat janë arritjet e ngecjet. Ky është edhe qëllimi i raporti të progresit”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Sikur ky raport kanë mbetur edhe dhjetëra projektligje pa u debatuar e pa u miratuar në seanca të Kuvendit.

    Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas monitoruesve të Kuvendit, puna e legjislativit ishte më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.

    “Numri i projektligjeve që janë miratuar është diku 15, derisa në procedurë janë 16, duke e krahasuar me numrin e vitit të kaluar dhe aktivitetin që ka treguar, ne mund të pohojmë që puna e Kuvendit ka rënë ndjeshëm”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Në seanca të Kuvendit vazhdojnë ende të jenë në rend dite pika të papërfunduara nga seancat e kaluara, madje edhe të seancave nga viti i kaluar.

    Pikërisht kjo është përmendur edhe në Raportin e Progresit ku ka pasur kritika për punën e Kuvendit, duke theksuar vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. /atvlive.tv

  • Pa pjesëmarrjen e serbëve, konsiderohet se zgjedhjet nuk prodhojnë legjitimitet

    Pa pjesëmarrjen e serbëve, konsiderohet se zgjedhjet nuk prodhojnë legjitimitet

    Qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës, të dielën kanë mundësi të zgjedhin kryetarët e tyre.

    Që nga konfirmimi i datës së zgjedhjeve, tema më e diskutuar ka qenë dalja e votuesve.

    Presidentja Vjosa Osmani, ftoi qytetarët të dalin në zgjedhje, pavarësisht kërcënimeve.

    “Shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, tha Osmani.

    Temë tjetër e diskutuar është nëse popullata lokale bojkoton zgjedhjet a kanë ato legjitimitet.

    Krstic, i cili jeton dhe vepron në pjesën veriore të Republikës, nuk beson se mund të ketë përshkallëzim të situatës, megjithatë nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të izoluara.

    Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeffry Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

    Në një intervistë për ATV-në, edhe ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport tha se është shumë e rëndësishme të shmanget çfarëdo incidenti i dhunshëm dhe të mos ketë përpjekje për të prishur procesin demokratik zgjedhor. /atvlive.tv

  • Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se qytetarët e komunitetit serb ende vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

    Pasi të dielën mbahen zgjedhjet në 4 komunat veriore, Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, me ç’rast ka deklaruar se në këtë mënyrë presidenti Vuçiq, do e marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.

    “Qytetarët tanë të komunitetit serb vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta. Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Andaj, Sveçla ka shkruar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb.

    “Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, thuhet tutje në postimin e Sveçlës.

    Më 23 prill mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqi.

  • Raporti i Dick Martyt u aprovua pa asnjë të dyshuar, SHBA dhe BE ishin të njoftuara por nuk reaguan

    Raporti i Dick Martyt u aprovua pa asnjë të dyshuar, SHBA dhe BE ishin të njoftuara por nuk reaguan

    Bashkimi Evropian dhe të gjitha qeveritë e shteteve anëtare të saj dhe kontribuuese për Misionin e EULEX-it ishin të informuara edhe zyrtarisht se nuk kishte asnjë person të dyshimtë lidhur me akuzat në Dick Martyt, por megjithatë pretendimet e tij monstruoze të ngritura përmes dosjeve të falsifikuara të Serbisë u lanë të procedohen dhe morën mbështetje qindra milionëshe deri në arritjen e qëllimit politik – krijimin e Gjykatës Speciale dhe akuzimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe pjesëtarë tjerë të UÇK-së.

    Raporti i ish senatorit zviceran u aprovua në Këshillin e Evropës në Strasburg më 26 janar 2011, ndërkaq rreth dy muaj më vonë, në një takim në Bruksel, Shefi i EULEX-it Bernd Borchardt njoftoi edhe zyrtarisht anëtarët e Parlamentit Evropian se nuk kishte asnjë person të dyshuar lidhur me raportin e Dick Martyt, por megjithatë EULEX e ka hetuar dhe do të vazhdoj të hetonte këtë rast.

    “Siç e dini, Misioni i ka marrë shumë seriozisht akuzat e ngritura nga z. Marty në raportin e tij. Pothuajse menjëherë pasi Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë të bazuar në raport, EULEX-i hapi një hetim paraprak mbi pretendimet e raportit. Kjo do të thotë se në këtë fazë të hetimeve nuk ka asnjë të dyshuar. Dëshiroj të theksoj edhe një herë se prokurorët e EULEX-it kanë juridiksion mbi akuzat e ngritura nga z. Marty”, ua ka thënë euro-parlamentarëve, Shefi i atëhershëm Misionit të BE-së për sundimin e ligjit, Bernd Borchardt, më 15 mars 2011.

    Megjithëse nuk ishte asnjë shenjë se akuzat e rënda dhe sensacionale që vërshuan mediat e botës, vetëm dy muaj pas lindjes se shtetit të Kosovës, Shefi i EULEX-it njoftonte shefat e vet në Bruksel se angazhimi për t’u marrë me raportin e Martyt nuk do të ndalet.

    Gjithashtu, ambasadori gjerman Borchardt i ka njoftuar zyrtarët e BE-së se Serbia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojnë edhe më tej, me plotë zell, lidhur me pretendimet e Martyt.

    “Në javët e ardhshme, EULEX-i synon të ndërmarrë hapat e mëposhtëm: Misioni ka staf të përkushtuar i cili do të merret vetëm me këto pretendime. Do të sigurohet niveli më i lartë i sigurisë dhe konfidencialitetit. Aktualisht po bëhen përpjekje për të forcuar Programin tonë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili përfshin një Program specifik të Zhvendosjes së Dëshmitarëve. Bashkëpunimi me homologët në Beograd dhe Tiranë ka funksionuar deri më sot për kënaqësinë tonë dhe do të vazhdojë”, ka thënë tutje Borchardt, sipas dokumentit në gjuhën angleze.

    Jo vetëm nga Marty dhe ekipi i hetuesve të EULEX-it gjatë tri viteve pas shpalljes së pavarësisë, por raporti i Dick Martyt u hetua edhe për mbi 10 vite nga hetues amerikanë dhe evropianë por nuk është gjetur gjë e vërtetë. Këto pretendime janë hetuar madje edhe nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë si dhe nga UNMIK-u, në vitet e para pas luftës.

    Në ditën e dytë kur iu dha mundësia t’i drejtohet publikisht Gjykatës Speciale dhe opinionit vendor dhe ndërkombëtar ish-presidenti Hashim Thaçi deklaroi se etë ai, UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët janë shfajësuar nga këto akuza të raportit të Martyt dhe se e vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr.

    “Kur raporti i Dick Martyt, para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare me tha se një gjykatë e veçantë ishte parësore për të hequr rënë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik të organesh dhe se ‘Shtëpia e Verdhë’ nuk kanë ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi”, ka thënë Thaçi më 4 prill, në Gjykatën Speciale.

    Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë nisur procedurën për rrëzimin e rezolutës dhe raportit të rrejshëm të Dick Martyt, që përveç UÇK-së e Kosovës, implikon edhe Shqipërinë.

  • IKD: Ende s’ka nisur së zbatuari vendimi i Kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

    IKD: Ende s’ka nisur së zbatuari vendimi i Kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

    Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

    Kështu thuhet në një njoftim për media nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

    Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera mund të drejtohen për mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

    Tutje në njoftim bëhet e ditur se zbatimi i vendimeve të saj është i detyrueshëm për të gjithë, por Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari Aktgjykimin në rastin nr. KO190/19.

    “Më 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykim, përmes së cilit ajo kishte deklaruar të pranueshme kërkesën e Gjykatës Supreme e cila kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e paragrafi 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015.

    Gjykata kishte vlerësuar se kjo dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, (Barazia para Ligjit) dhe me Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Ndalimi i Diskriminimit) dhe (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit)”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu nga KDI thonë se: “Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Në të njëjtën kohë, këto dispozita shfuqizohen me 15 korrik 2023”.

    “Në rastin e këtij aktgjykimi, rezulton se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria ende nuk kanë nisur së zbatuari këtë aktgjykim.

    Projektligji për Skemat Pensionale, ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2021 dhe 2022 për miratim në Qeveri, por i njëjti nuk ishte miratuar. Në programin legjislativ për vitin 2023, përkundër obligimit që rrjedh nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 121-të, nuk e përfshin këtë projektligj në Programin Legjislativ”.

    IKD, përmes kërkesës për qasje në informata dhe dokumente publike, siç thuhet në njoftim ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfereve me pyetjen se kur do të fillojnë së zbatuari obligimet që dalin nga ky aktgjykim.

    “Përveç MFPT-së, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i KBPT-së, nuk kanë kthyer përgjigje përkundër faktit që u janë dërguar dy kërkesa për qasje në informata.

    MFPT, në përgjigjen e saj thotë se ‘agjenda legjislative është dokument dinamik i cili, siç është parë edhe në të kaluarën, pëson ndryshime gjatë vitit në kuptim që numër i konsiderueshëm projektligjesh i shtohet agjendës’ “.

    Në ndërkohë, pas kësaj përgjigje, siç bëhet e ditur nga IKD programi legjislativ ndryshohet tre herë: me 31 janar 2023, duke u shtuar 2 projektligje, me 9 mars 2023 duke u shtuar një projektligj dhe me 13 prill 2023 duke u shtuar 12 projektligje.

    “Sërish, Projektligji për Skemat Pensionale nuk përfshihet në agjendën legjislative për vitin 2023.

    Një reformë pensionale, ishte premtuar në fushatën elektorale të vitit 2021 nga partia që aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin, por e njëjta nuk është iniciuar përkundër faktit që kanë kaluar dy vite të Qeverisë Kurti 2 dhe përkundër faktit që bartësit e këtyre dy institucioneve, janë në dijeni për mohimin e të drejtës në pension kontributdhënës për mijëra qytetarë të Kosovës.

    IKD shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me mos nisjen e zbatimit të këtij aktgjykimi, kur kihet parasysh se vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që mund ta pengojë Kuvendin dhe Qeverinë të nisë së zbatuari këtë aktgjykim, për të miratuar ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, përfundon njoftimi i IKD-së.

  • Hajdari: Mbi 720 milionë euro investime direkte gjatë 2022-ës, ulet bilanci tregtar

    Hajdari: Mbi 720 milionë euro investime direkte gjatë 2022-ës, ulet bilanci tregtar

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë për Ekonomia Online se bilanci tregtar është zvogëluar fal rritjes së eksportit, ndërsa investimet e huaja direkte, gjatë vitit 2022, janë rritur në vlerë prej 772 milionë euro.

    Hajdari ka folur edhe për rritjen e eksportit të mallrave për vitin e kaluar, për të cilën thotë se është rritur për 22 për qind rritje krahasuar me vitin 2021.

    Teksa ka folur për bilancin tregtar, Hajdari tha se aktualisht Kosova e ka 1 me 6, ndërsa më herët i njëjti ishte 1 me 10. Kjo gjë sipas ministres po bëhet falë zëvendësimit të produkteve të importit me prodhimin vendor.

    “Bilanci tregtar fal rritjes së eksporteve, ne kemi pasur një bilanc tregtar 1 me 10, ndërsa tani duke iu falënderuar rritjes së prodhimit vendor, rritjes së eksportit kemi zvogëluar bilancin tregtar, dhe tani e kemi 1 me 6. Pra po eksportojmë 1 po marrim afër 6, dhe kjo është falë rritjes së kapacitetit të prodhimit vendor, por edhe zëvendësimit të produkteve të importit me prodhimin vendor”, u shpreh Hajdari për EO.

    Kosova qëndron mirë sipas Hajdarit edhe te eksporti i mallrave, ku shifra totale për vitin 2022 ka shkuar në 920 milionë euro.

    “Të eksporti i mallrave për vitin e kaluar kemi afër 920 milionë, që është 22 për qind rritje krahasuar me vitin 2021. 93 për qind krahasuar me vitin 2020. Po nëse shkojmë edhe te eksporti i shërbimeve, kemi edhe një rritje rekorde prej 2.5 miliardë euro për vitin 2022 e që është 32 për qind rritje krahasuar me vitin 2021 dhe 153 për qind rritje krahasuar me vitin 2020, pra po rritet sektori privat në Kosovë dhe po ndihmon në qëndrueshmëri të vendit, sepse përpos rritjes së mirëqenies së popullatës sonë përmes zhvillimit industrial dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës, po krijon edhe një qëndrueshmëri të shtetit”, tha Hajdari.

    Ministrja Hajdari tha se ndihmë të madhe po u japin bizneseve prodhuese.

    “Për herë të parë në Kosovë tani pas pavarësisë kemi hartuar në bashkëpunim të afërt me bizneset tona politikën industriale deri në vitin 2030, me të cilën politikë synojmë përkrahjen drejtë prodhimit, sepse në të gjitha sektorët që janë analizuar, vlera e shtuar e sektorëve nga perspektiva e vlerës së shtuar është kuptuar se të rinjtë tanë kanë aftësinë e prodhimit për sektorë të ndryshëm të prodhimit dhe përpunimit, dhe nga kjo analizë paraprake për shtatë sektorët kryesor industrial, sjell konkludimin se Kosova ka mundësinë për të prodhuar më shumë, dhe deri më tani prodhimi nuk e ka sjell sa duhet kontributin që ka mundur ta sjellë për ta zbërthyer vendin tonë në një vend më të zhvilluar ekonomikisht, pra jemi vendi i varur nga importi”.

    E për investimet e huaja direkte, sipas Hajdarit, kanë shkuar në 772 milionë euro. Kjo shifër sipas saj është tregues se sektori privat po i zgjeron produktet.

    “Për investimet e huaja edhe këtu një vlerë e mirë, rekord krahasuar me vitet e kaluara, por ne ende presim edhe më shumë rritje të investimeve duke përkrahur sektorin privat, duke rritur prodhimin. Investimet e huaja direkte në vlerë rekord në vitin e kaluar ishin 772 milionë euro. Pra është një tregues i qartë që sektori privat po rrit prodhimtarinë, po zgjeron produktet”, u shpreh ajo.

  • Sot heshtje zgjedhore, nesër votohet në katër komunat në veri të vendit

    Sot heshtje zgjedhore, nesër votohet në katër komunat në veri të vendit

    Të dielën më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në këto dy të fundit votohet edhe për asamble.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Gjithashtu, Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.

    “Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj”, thuhet në njoftim.

    Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Kosova dhe Serbia e kanë detyrë që ta bëjnë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, polici dhe gjyqësor dhe njëkohësisht të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë demokratike dhe paqësore.

  • Escobar: Një evoluim i jashtëzakonshëm i Kurtit për Asociacionin, ishte shumë e vështirë për këtë qeveri ta pranonte

    Escobar: Një evoluim i jashtëzakonshëm i Kurtit për Asociacionin, ishte shumë e vështirë për këtë qeveri ta pranonte

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ndonëse ka parë një progres në qëndrimin e Kryeministrit Kurtit lidhur me çështjen e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ishte e vështirë për qeverinë t’a pranonte si detyrim.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se tashmë, Qeveria e Kosovës po e konsideron çështjen e Asociacionit si ‘detyrim’.

    “Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, ka thënë Escobar.

    Se a ka një plan kohor për zbatimin në tërsi të marrëveshjes, Escobar ka thënë se pret diçka konkrete nga Qeveria e Kosovës në maj të këtij viti.

    “Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar gjersa ka theksuar se “Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”.

    Lidhur me zgjedhjet në komunat në veri të vendit, Escobar ka thënë se bojkotimi i tyre nuk mbetet një zgjidhje efikase.

    “Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka deklaruar Escobar.

    Zgjedhjet në Veri të vendit pritet të mbahen të dielën e 23 prillit.

    Se a ka mundësi që mospjesëmarrja e Listës Serbe të vonojë formimin e Asociacionit, Escobar ka thënë se pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet.

  • BE bën thirrje të krijohen kushte për zgjedhje paqësore

    BE bën thirrje të krijohen kushte për zgjedhje paqësore

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ripërsëritur zhgënjimin e vendeve anëtare për mos pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 prillit.

    Megjithatë, ai ka bërë thirrje qe zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore.

    “Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për kandidaturat është shtyrë gjithashtu. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje”, ka thënë Stano për RTV21.

    Të dielën mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.