ATV

Tag: Ballina

  • Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia e Kosovës, ka vlerësuar si të qeta dhe pa asnjë incident, zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore.

    Kështu është deklaruar nga PK’ja përmes një komunikate për media, ku është shtuar edhe se, PK’ja ka realizuar me sukses planin e saj operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

    Po ashtu, në komunikatë shtohet se, plani operativ ka paraparë edhe inicimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale dhe penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit.

    Megjithatë, siç njofton PK’ja, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.

    Komunikata e plotë:

    Zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore, në aspektin e sigurisë vlerësohen të qeta dhe pa asnjë incident

    Prishtinë, 23 prill 2021

    Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident

    Përveç ofrimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor, plani operativ ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.​

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përcjelljen e materialit sensitiv e deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

  • Kandidati i VV-së për Mitrovicën e veriut: I fituam zgjedhjet

    Kandidati i VV-së për Mitrovicën e veriut: I fituam zgjedhjet

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ai ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

    Zgjedhjet e sotme janë karakterizuar me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve.

    Por Atiq thotë se ai do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim.

    ”Kemi dalë si votues i këtyre zgjedhjeve. Faleminderit të gjithë qytetarët. Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë ai.

    I pyetur për sfidat që do të përballen me Listën Serbe pasi këta të fundit bojkotuan zgjedhjet, Atiq tha se ”për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitur”.

  • VV-ja shpall fitoren në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut

    VV-ja shpall fitoren në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut

    Deputeti i LVV-së Armend Muja ka shpallur fitoren e LVV-së në dy komuna të veriut të Kosovës.

    “Lëvizja Vetëvendosje, kandidati Lulzim Hetemi fiton mbi 70% të votave në Komunen e Leposaviqit”.

    “Lëvizja Vetëvendosje, kandidati Erden Atiq fiton mbi 65% të votave në Komunen Veriore të Mitrovices!”.

    Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

    Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.

  • KQZ: Dalja në zgjedhje vetëm 3.47 për qind

    KQZ: Dalja në zgjedhje vetëm 3.47 për qind

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se është përmbyllur procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës.

    Në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.

    Ata votuan për të zgjedhur katër kryetarë të rinj në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

    Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi është zhvilluar pa asnjë problem dhe se rezultatet e para preliminare pritet të publikohen në ueb-faqen e saj pas orës 20:00.

    Kjo është dalja në zgjedhje, sipas komunave:

    Leposaviq: 141 votues apo 1.06 për qind

    Zubin Potok: 385 votues apo 5.78 për qind

    Zveçan: 204 votues apo 2.92 për qind

    Mitrovicë e Veriut: 837 votues apo 4.62 për qind

  • Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore të vendit

    Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore të vendit

    Ka përfunduar në ora 19:00 procesi i votimit në zgjedhjet e katër komunave veriore të vendit.

    Të dielën e 23 prillit, qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, iu kanë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj.

    Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore, 6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

    Në përgjithësi, numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave është 11, ndërsa më shumë se 60 kandidatë janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

    Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit në garë janë: Albulena Hetemi Behluli (PDK) Aleksandër Jablanoviq (PKS) dhe Lulzim Hetemi (VV).

    Në Zubin Potok gara zhvillohet mes dy kandidatëve, Izmir Zeqirin nga PDK dhe Flatron Hasanin e Vetëvendosjes.

    Në Zveçan kandidojnë Ilir Peci nga PDK-së, Fetah Peci nga VV, ndërsa Sladjana Pantoviq është kandidate e pavarur.

    Në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë Iniciaitva Qytetare Mitrovica me kandidatin Betim Osmani, PDK me Taulant Kelmendin dhe Vetëvendosje me Erden Atiq.

    Kurse, në zgjedhjet për dy kuvendet komunale, Partia Demokratike e Kosovës garon me 16 kandidatë në Zveçan dhe 2 në Leposaviq, e Lëvizja Vetëvendosje me 10 kandidatë në Zveçan dhe 18 në Leposaviq. Nga radhët e komunitetit serb, vetëm Partia Kosovskih Srba ka rreth 20 kandidatë në garë për kuvendin e komunës së Leposaviqit.

  • Zgjedhjet në veri: Mbi 1 mijë votues deri në ora 15:00

    Zgjedhjet në veri: Mbi 1 mijë votues deri në ora 15:00

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka deklaruar sot se “procesi zgjedhor është duke vijuar në rregull”, transmeton Paparaci.

    Sipas tij, nuk është paraqitur ndonjë pengesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore. Megjithatë, pjesëmarrja vijon të jetë ende e ulët.

    KQZ-ja bëri të ditur se deri në orën 15:00, në Leposaviq ka pasur 110 votues, apo 0.83%, kurse në Zubin Potok kanë votuar 240 votues apo 3.6%.

    Në Zveçan kanë votuar 145 votues, apo 2.07% dhe në Mitrovicën e Veriut 597 votues apo 3.3%.

  • ​Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

    ​Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ftuar qytetarët me të drejtë vote, që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje që po mbahen në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok

    Procesi zgjedhor në katër komunat veriore, siç ka shkruar Konjufca, po organizohet në atmosferë të qetë dhe demokratike, raporton KosovaPress.

    Më tej, Konjufca ka thënë se vota e qytetarëve do të ketë ndikim të madh në vendimmarrje lokale dhe ndryshime të përgjithshme pozitive.

    Lexoni shkrimin e plotë:

    Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.

    Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.

    Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj.

  • Pesë serb votojnë në Leposaviq, procesi zhvillohet pa incidente

    Pesë serb votojnë në Leposaviq, procesi zhvillohet pa incidente

    Në qendrën e votimit në Leposaviq kanë votuar vetëm tre qytetarë, ka njoftuar për Ekonomia Online dhe disa media tjera menaxheri Enver Aliu, raporton Ekonomia Online.

    “Qendra është hapur me kohë dhe deri më tani kanë votuar tre qytetarë, të tretë kanë qenë të nacionalitetit serb”, tha Aliu, teksa shtoi se nuk ka pas asnjë incident.

    Ndërsa dy të tjerë të nacionalitetit serb kanë votuar edhe në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.

    Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.

    Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.

    Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

    Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

    Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.

  • Zgjedhjet në Veri – vjen reagimi i Vuçiqit

    Zgjedhjet në Veri – vjen reagimi i Vuçiqit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar për zgjedhjet që po mbahen në katër komunat veriore të vendit.

    Ai ka thënë se është krenar që në zgjedhjet e sotme kanë dalë pak serbë për të votuar.

    “Me krenari duhet të them se deri në këtë moment kanë dalë vetëm disa serbë në të katër komunat së bashku. Serbët duan t’u shërbejnë interesave të tyre, duan paqen, duan të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, ka deklaruar Vuçiq, shkruan nova.rs.

  • Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen

    Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen

    Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen
    Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka deklaroi se pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.

    “Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat… Përsëritje nuk do të ketë”, tha Daka për REL.

    Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    “Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, tha Daka.

    Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ftoi më herët qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe në këtë mënyrë t’i zgjedhin, siç tha, përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike.

    Në veri janë rreth 45.000 qytetarë me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, së bashku me kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

    Të gjitha këto komuna mbajnë lidhje të ngushta me Beogradin, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë dhe institucionet e Kosovës./Rel