ATV

Tag: Ballina

  • Heqja e vizave, paralajmërohet fluks më i madh i ikjes së mjekëve

    Heqja e vizave, paralajmërohet fluks më i madh i ikjes së mjekëve

    Nga janari e deri në prill, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, nga vendi janë larguar 88 mjekë. Pleurat Sejdiu, që udhëheq me këtë institucion tha se kjo shifër e kalon numrin e ikjeve gjatë vitit të kaluar.

    Sipas tij, në krejt vitin 2022 nga Kosova ishin larguar 211 mjekë të profileve të ndryshme. Madje ai paralajmëron se pas heqjes së vizave nga janari i 2024 do të rritet dinamika dhe numri i largimeve.

    “Lehtësimi i këtyre komunikimeve me siguri që do të rrit dinamiken dhe numrin e largimeve. Vitin e kaluar kemi pasur 211 me gjitha ato bllokada të komunikimeve, këtë vit deri me ditën e sodit kemi 88 që e kalon mesataren e viti të kaluar, katër mujorin e parë. Presim një numër më të madh se vitin e kaluar. Arsyet të cilat kanë qenë vitin e kaluar dhe janë po të njëjtat është çështja e papunësisë, kemi një numër të madh të mjekëve afër 400 mjek janë të pa punë”.

    Sipas tij, Kosovën e kanë lënë në shumicën e rasteve të papunët pa përjashtuar edhe profesionistët, por që thonë edhe përkundër mungesave të pa punë vazhdojnë të jenë rreth 400 mjekë.

    Madje thotë se vazhdon të jetë çudi se si komunat që kanë më së shumti nevojë për staf në këtë sektorë vetëm ankohen e nuk shpallin konkurse për pranimin e mjekëve të rinj.

    “Pjesa më e madhe e këtyre që largohen janë nga kjo kategori, që janë të pa punë. Pastaj janë specializantët, ata që janë në vitin e dytë të tretë, të specializimeve nuk janë të kënaqur me kualitetin e shkollimit specialisti që ju ofrohet këtu në Kosovë dhe është gjenerata më kërkuese se gjenerata e jonë dhe ky është një numër i madh i tyre, edhe arsyet pse largohen. Arsyeja e tret janë kushtet e punës dhe paga”.

    “Punësimi i këtyre të rive, është e habitshme si është e mundur kur të gjitha komunat dhe komunat janë ato të cilat janë punëdhënësit kryesor të këtyre kategorive që po largohen. Të hap konkurse për mjek sepse kanë nevojë për mjek, vetë kanë shprehur brengen se nuk kanë mjek dhe këta duhet të punësohen. Kanë nevojë edhe për infermier por më pak. Pjesa e dytë është ndryshimi në kualitet flas të shkollimit specilaistik, ku duhet shteti të ofrojë më shumë bursa apo mbështetje financiare për shkollimin e tyre në vitin e fundit jashtë vendit siç ka qenë çdo herë”.

    Përderisa deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshaj, thotë se kushdo që e ka në plan të largohet e gjen mënyrë, edhe nëse nuk ka liberalizim.

    Por thotë se heqja e vizave është masë lehtësuese dhe shumë e favorshme për të pasur një fluks më të madh të shkuarjes se profesionistëve jashtë vendit, raporton EO.

    “Unë mendoj që kush e ka plan të largohet jashtë vendit e gjen rrugën që të shkojë. Realisht ky është një lehtësim për qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Sa i përket stafit profesional mjekësor dhe infermeror ata kanë pasur oferta edhe më herët kanë lëvizur, por një rrethanë e tillë ka gjasa që në rrethanat të cilat i kemi sot pas telasheve me ligjin e pagave është e mundur që të kemi një fluks më të madh të shkuarjes së profesionistëve jashtë vendit”.

    Ikja e mjekëve, thotë ai duhet të merret me shqetësim ngase, nevojiten gjashtë vjet që ta “prodhojmë” një mjek ose katër vjet për një infermier.

    “Kjo është shumë shqetësuese për vendin dhe duhet që të jetë shumë shqetësuese, për shkak se neve na nevojitet gjashtë vite që ta prodhojmë një mjek ose katër vite për një infermier. Ndërsa vetëm deri me tash këta tre muajt e para i kemi mbi 60 mjek dhe një numër te konsiderueshëm të infermiereve të cilët kanë shkuara në vendet e tjera”./EO

  • ​22 prilli – Dita ndërkombëtare e Tokës

    ​22 prilli – Dita ndërkombëtare e Tokës

    Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill të vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.

    Më 22 prill, në mbarë botën, dashamirëse të mjedisit organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe njeriut, si aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, etj.

  • Këshilli Evropian konfirmon: Liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia

    Këshilli Evropian konfirmon: Liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia

    Liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe, konfirmuan zyrtarë të Komisionit Evropian.

    Zëdhënësja Anita Hipper tha në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se “regjimi i vizave do të mbetet i vlefshëm vetëm për ata shtetas në Kosovë, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”.

    Serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave edhe kur Serbisë i janë hequr ato në vitin 2009.

    Megjithatë, nga Komisioni Evropian thanë se po punojnë që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lirinë e lëvizjes në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra shtetesh evropiane.

    “Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.

    Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën, më 19 prill, raportuesi për viza i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, tha po ashtu se heqja e vizave vlen vetëm për pasaportat e Kosovës.

    “[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.

    Vendimi për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.

    Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

    Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave për vete.

    Para kësaj kohe, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.

    Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”./REL

  • Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se qëndrimi amerikan është i qartë dhe nuk ka ndryshuar lidhur me procesin zgjedhor në veri të Kosovës.

    Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Hovenier ka rikujtuar se në pajtueshmëri me predispozitat ligjore, Kosova do të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të vendit.

    Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë zoti Hovenier, duke kërkuar njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës të dëshmojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

    Për këta të fundit ndërkaq dhe për partitë politike, ambasadori amerikan ka nënvizuar rëndësinë e “përgjegjësisë që kanë për të respektuar proceset demokratike”, duke ua rikujtuar mundësinë që e kanë pasur të gjithë për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë.

    Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb.

    Tri ditë para zgjedhjeve, nga gara është tërhequr Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, me arsyetimin se “nuk ka kushte adekuate” për mbajtjen e tyre.

    Mirëpo, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion tashmë i ka shtypur fletëvotimet.

    I pyetur nëse do të numërohen votat për Partinë e Serbëve të Kosovës, ai ka thënë se “KQZ-ja do t’i publikojë rezultatet për kandidatët e certifikuar.”

    Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës./REL/

  • Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

    Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

    E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”, raporton REL.

    “Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

    Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

    Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

    Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

    Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

    Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

    Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

    Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./REL/

  • Kurti viziton BIK-un për Fitër Bajram, çmon rolin e tyre për çështjen kombëtare

    Kurti viziton BIK-un për Fitër Bajram, çmon rolin e tyre për çështjen kombëtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin e tij qeverisës, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Kurti uroi besimtarët për festën e Fitër Bajramit, ndërkaq kërkoi që solidariteti të mos jetë i kufizuar vetëm për muajin e Ramazanit.

    Kurti tha se Tërnava i ka njoftuar se sa shumë është rritur solidariteti në popullsi pikërisht gjatë muajit të Ramazanit.

    “Sot në ditën e Fitër Bajramin bashkë me kolegë nga Qeveria erdhëm që t’ia urojmë këtë festë të madhe që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe me të cilën besimtarët kanë treguar përkushtim dhe sakrificë. Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj gjatë gjithë vitit”, ka theksuar Kurti.

    Ai në këtë vizitë ka kujtuar rolin, sipas tij të madh, historik e shoqëror të BIK-ut në historinë e re të Kosovës.

    “Te medreseja janë organizuar shumë mbledhje e takime, të cilët edhe i kanë strehuar veprimtarët politikë por edhe kanë mundësuar tubime ku janë mbajtur diskutime e vendime të rëndësishme për zhvillimet politike të asaj kohe. E dimë që nga lufta e fundit 37 imamë i kemi dëshmorë të kombit sot”, është shprehur Kurti.

  • Shefi i BE-së në Kosovë, uron besimtarët në gjuhën shqipe: Me fat Bajrami

    Shefi i BE-së në Kosovë, uron besimtarët në gjuhën shqipe: Me fat Bajrami

    Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

    Szunyog thotë se në vijim të muajit të agjërimit dhe vetëreflektimit uron të gjithë besimtarët për Bajram.

    “Në vijim të muajit të agjërimit, vetëreflektimit, ndarjes dhe sakrificës, dua t’ju uroj të gjithë anëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë festën e Bajramit. Me fat Bajrami”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

  • ​Osmani: Festa e Bajramit le të shërbejë për të mbështetur nevojtarët

    ​Osmani: Festa e Bajramit le të shërbejë për të mbështetur nevojtarët

    Presidentja Vjosa Osmani uroi që festa e Bajramit të Madh të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

    Osmani tha se, kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza.

    “Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Me fat Fitër Bajramin!”, uroi Osmani.

    Ndryshe, pas muajit të rëndësishëm të besimtarëve myslimanë, Ramazanit, që përfundoi ditën e enjte, sot të njëjtit në të gjithë botën kremtojnë ditën e parë të Bajramit të Madh.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

  • Kurti: Fitër Bajrami sjelltë mirësie e begati në shtetin tonë

    Kurti: Fitër Bajrami sjelltë mirësie e begati në shtetin tonë

    Kryeministri Albin Kurti uroi myslimanët me rastin e Fitër Bjaramit duke uruar që kjo kremtë të sjellë mirësi e begati në shtëpitë e besimtarëve por edhe në shtetin e Kosovës.

    “Me fat Fitër Bajrami! Pas një muaji përkushtim e sakrificë për lartësim shpirtëror, uroj që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe! Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë”, shkroi Kurti në rrjete sociale.

    Ndryshe, pas muajit të rëndësishëm të besimtarëve myslimanë, Ramazanit, që përfundoi ditën e enjte, sot të njëjtit në të gjithë botën kremtojnë ditën e parë të Bajramit të Madh.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

  • Tërnava: Braktisja e vendit nuk është zgjidhje, e kemi obligim angazhimin për shtetin

    Tërnava: Braktisja e vendit nuk është zgjidhje, e kemi obligim angazhimin për shtetin

    Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot (e enjte) ditën e parë të Fiter Bajrmit. Manifestimi qendror për këtë festë në vend u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ndërsa u përcollën mesazhe paqeje, për angazhim në të mirë të Republikës dhe thirrje për të mos braktisur vendin.

    Ne mesazhin e tij pas faljes së Bajramit të Madh, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se Bajrami i Madh sjellë gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.

    “Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër”, deklaroi Tërnava.

    Tërnava shtoi se mësimet e porositë gjatë muajit Ramazanit duhet të na shoqërojnë edhe muajve të tjerë.

    Sipas tij, në krye të këtyre mësimeve është kujdesi ndaj familjes, vlerë që sipas Tërnavës, duhet ruajtur me xhelozi.

    “Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike. Familja tek populli ynë në vazhdimësi ka qenë institucioni më i besuar dhe më i çmuar vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi dhe duhet kultivuar ato te brezat e rinj”, vijoi Tërnava.

    Gjatë fjalës së tij, Tërnava deklaroi se të gjithë e kemi obligim angazhimin për shtetin e Kosovës në mënyrë që vendi të bëhet më i mirë.

    Ai u shpreh se falë sakrificës shekullore të popullit erdhi liria dhe pavarësia por tashmë mbetet tek brezat aktualë që Kosova të jetë Republika ku duan të jenë të gjithë kategoritë e shoqërisë.

    “E kemi obligim që ta ruajmë dhe ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai. Ka dashur Zoti që tash e disa vite vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, mirëpo është obligim ynë që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me persepektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanët rriten të sigurtë e të marrin edukim e arsim cilësor, një vend ku sigurohet vende pune e jetë të dinjitetshme për bijtë e bijat tona… Falë sakrificës shekullore të popullit tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por si qytetarë të këtij vendi e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjithë kategoritë e shoqërisë”, vijoi Tërnava.

    Tërnava u ndal edhe tek një fenomen tjetër shqetësues, e që është braktisja e vendit nga të rinjtë dhe ekspertë të fushave të ndryshëm.

    Myftiu i Kosovës tha se braktisja nuk është zgjidhje dhe se qëllimi kryesor në jetë nuk është vetëm ana materiale. Ai tha se e kemi obligim të ndërtojmë vendin.

    “Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet. Vendi ynë merr peshë e kuptim vetëm me bijtë e bijat e saj atëherë kur i kemi shtëpitë tona plot, me bijë e bija, me nipa e mbesa, kur çerdhet e shkollat t’i kemi në funksion të edukimit e mësimit se në të kundërtën i mbetemi borxh vendit dhe brezave që vijnë. E kemi obligim ta duam dhe ta ndërtojmë vendin”, tha Tërnava.

    Manifestimi për festën e Fitër – Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit pati ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    Namazi i Fitër – Bajramit u fal në orën 06:23, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti./KP