ATV

“Shqiptaria” në Lushnje për bashkimin kulturor mbarëkombëtar

Written by

in

Organizata “Shqiptaria” nga Prishtina pati nderin të vizitojë qytetin historik të Lushnjes, me ftesë të kryetarit të Shoqatës Kulturore Bektashiane “Miqtë e Naimit”, Kujtim Baze, i cili organizoi një pritje të ngrohtë e vëllazërore për delegacionin e kësaj organizate.

Sipas njoftimit, ky takim ishte një dëshmi e qartë e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj vlerave atdhetare dhe bashkëpunimit kulturor mbarëkombëtar.

“Pjesë e veçantë e kësaj vizite ishte pritja zyrtare nga kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, e cila na nderoi me një mikpritje të ngrohtë dhe me mbështetjen e saj për iniciativat që lidhen me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Sefa përcolli me krenari vlerat që e karakterizojnë qytetin e Kongresit – qytet i unitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të bashkërendimit të aktiviteteve për shënimin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që do të mbahet më 6 maj 2025 në Prishtinë, me pjesëmarrjen e Shoqatës “Miqtë e Naimit” dhe grupeve të tjera kulturore nga trevat shqiptare”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë një mirënjohje të veçantë ka bërë për atdhetarin Gramoz Cjapi, për mbështetjen e tij të pandërprerë dhe kontributin në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar.

“Të frymëzuar nga vepra e Frashërllinjve dhe ideali rilindas i Naimit, ne vijojmë përkushtimin tonë ndaj forcimit të vetëdijes kombëtare dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve. “Dielli për shqiptarinë lind nga Perëndimi.” – Naim Frashëri”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *