ATV

Blog

  • ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    Transparencë më të madhe nga qeveria në procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian u kërkua të mërkurën në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, raporton KosovaPress.

    Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke diskutuar për shqyrtimin e planit të punës së komisionit e konsideroi të nevojshme që kryenegociatori i Kosovës për integrim në Bashkim Evroian, Jeton Zulfaj të vjen në komision për raportin gjatë këtij muaji.

    Sipas saj, duhet të ftohen edhe ambasadoret e akredituar në Prishtinë për të marrë perspektivën e tyre për rrugën e Kosovës drejt unionit evropian.

    Mirëpo sipas saj në agjendë thirrja e ambasadorët duhet te ndodh në muajin maj, pasi të shihet si përmbyllet çështja e presidentit, pasi BE-ja ka prioritet edhe stabilitetin institucional në Kosovë.

    Kërkesë të ngjashme adresoi edhe deputetja tjetër opozitare nga AAK-ja, Time Kadrijaj.

    Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga radhët e LVV-së, Liza Gashi, theksoi nevojën e organizimit edhe të një tryeze të përbashkët me të gjithë ambasadorët e huaj të BE-së.

  • Ja si dukej Mimoza Ahmeti në vitin 2003: Videoja virale në TikTok që po “çmend” rrjetin

    Ja si dukej Mimoza Ahmeti në vitin 2003: Videoja virale në TikTok që po “çmend” rrjetin

    Mimoza Ahmeti njihet gjerësisht si një nga penat më rebele dhe më të vlerësuara të letërsisë shqipe, por ajo që shumëkush mund të ketë harruar është fakti se ajo është një artiste e vërtetë multidimensionale.

    Përveç suksesit në botën e librave, Mimoza ka një histori mjaft interesante me muzikën, duke sfiduar ndër vite skenat e festivaleve më të rëndësishme në vend.

    Së fundmi, një video e saj po bëhet virale në platformën TikTok, duke rikthyer në vëmendje performancën e saj ikonike të vitit 2003 në “Kënga Magjike”.

    Me këngën titulluar “Arti i jetës në vetmi”, ajo solli një stil unik dhe një vërtetësi që rrallëherë shihej në skenat e asaj kohe, duke u shndërruar menjëherë në një moment nostalgjik për ndjekësit e rrjeteve sociale.

    Pjesëmarrjet e saj nuk kanë qenë të rastësishme, pasi ajo ka lënë gjurmë edhe në skena të tjera prestigjioze si “Top Fest”, duke dëshmuar se poezia e saj mund të kthehet lehtësisht në melodi.

    Përveç hitit “Arti i jetës në vetmi”, publiku e kujton atë edhe për këngë të tjera mjaft të njohura si “Lejla”, ku shfaqi anën e saj më avangarde, apo performancën plot ndjesi në këngën “Bukuritë e tua”.

    Ky rikthim në vëmendje vjen në një moment kur Mimoza ka fituar sërish adhurimin e masës përmes eksperiencës së saj në “Ferma VIP”.

    Ajo arriti të marrë zemrat e publikut me thjeshtësinë dhe karakterin e saj unik, duke u shpallur madje edhe si fermerja e preferuar nga votat e njerëzve.

    Edhe pse sot vazhdon të jetë aktive në projekte të ndryshme, këto materiale arkivore dhe suksesi i saj i fundit televiziv na kujtojnë se arti i Mimozës nuk njeh kufij dhe se ajo mbetet një nga ato personazhe që di të mbetet gjithmonë aktuale. /Prive By Liberta Spahiu

    @arbi1985 #shqip #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #albania #albanian #fermavip ♬ original sound – arbi1985

  • Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Dy persona janë arrestuar pasi kanë tentuar ta rrembejnë një 17 vjeçar në Pogradec e më pas e kanë rrahur dhe e kanë therë me thikë.

    Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

    “Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.

    “Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

  • Kompletohet mozaiku i Botërorit 2026, 48 kombëtare gati për spektaklin më të madh të futbollit

    Kompletohet mozaiku i Botërorit 2026, 48 kombëtare gati për spektaklin më të madh të futbollit

    Lista e plotë e kombëtareve pjesëmarrëse për Kupën e Botës 2026 tashmë është zyrtare. Turneu madhor do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetët e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, duke shënuar një epokë të re për futbollin botëror.

    Ky edicion do të jetë historik, pasi për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, të ndara në 12 grupe, duke e bërë garën më gjithëpërfshirëse dhe më konkurruese se kurrë më parë.

    Biletat e fundit për në Botëror u siguruan pas një serie ndeshjesh dramatike në kualifikime. Në Evropë, Turqia siguroi kualifikimin pasi mposhti Kosovën, ndërsa Suedia triumfoi ndaj Polonisë. Një nga surprizat më të mëdha ishte eliminimi i Italisë nga Bosnia dhe Herzegovina pas penalltive, ndërsa Republika Çeke eliminoi Danimarkën.

    Bileta e fundit për në turne u sigurua nga Iraku, i cili mposhti Bolivinë me rezultat 2-1 në finalen ndërkontinentale të zhvilluar në Monterrey, duke u rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1986.

    Ndërkohë, Republika Demokratike e Congos vulosi pjesëmarrjen duke mposhtur Xhamajkën 1-0 pas vazhdimeve, duke plotësuar kështu listën e 48 ekipeve që do të luftojnë për titullin e kampionit të botës.

    Grupet e Kupës së Botës 2026 janë:

    Grupi A: Meksika, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Republika Çeke

    Grupi B: Kanadaja, Bosnja dhe Hercegovina, Katari, Zvicra

    Grupi C: Brazili, Maroku, Haiti, Skocia

    Grupi D: SHBA, Paraguai, Australi, Turqi

    Grupi E: Gjermania, Kurasao, Bregu i Fildishtë, Ekuador

    Grupi F: Holanda, Japonia, Suedia, Tunizia

    Grupi G: Belgjika, Egjipti, Irani, Zelanda e Re

    Grupi H: Spanja, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai

    Grupi I: Franca, Senegali, Iraku, Norvegjia

    Grupi J: Argjentina, Algjeria, Austria, Jordania

    Grupi K: Portugalia, Republika Demokratike e Kongos, Uzbekistani, Kolumbia

    Grupi L: Anglia, Kroacia, Gana, Panama

  • QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    Qendra Klinike Universitar e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.

    QKUK thekson se pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.

    “Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave”, thuhet në njoftim.

    SHSKUK tutje bën të ditur se gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, duke përfshirë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe pjesa distale e ezofagut, dilatime të ezofagut, gastroskopi eksplorative, si dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.

    “Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se vendosja e PEG-ut tek pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, që zakonisht paraqitet si pasojë e çrregullimeve neurologjike kongjenitale apo traumave me pasoja neurologjike, tashmë realizohet brenda vendit. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, ndërsa me avancimin e këtij shërbimi kjo nevojë është eliminuar”, thuhet në njoftim.

  • Mehmeti kundërshton taksën prej 10 eurosh për automjetet jashtë Prishtinës, e quan shkelje të barazisë

    Mehmeti kundërshton taksën prej 10 eurosh për automjetet jashtë Prishtinës, e quan shkelje të barazisë

    Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit, duke e cilësuar atë si të papajtueshme me parimin e barazisë para ligjit.

    Gjatë fjalës së tij, Mehmeti theksoi se një masë e tillë cenon trajtimin e barabartë të qytetarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre.

    “Taksa e Kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Kryeqytetit, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë”, deklaroi Mehmeti.

    Ai nënvizoi se qytetarët që jetojnë jashtë Prishtinës nuk mund të trajtohen ndryshe, pasi gëzojnë të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër i vendit.

    “Edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kryeqytetit janë qytetarë të Republikës së Kosovës, janë qytetarë që e kanë një Kryeqytet dhe janë të barabartë para ligjit”, u shpreh ai.

    Në vijim, Mehmeti i referohet edhe një dispozite konkrete të rregullores së propozuar, të cilën e konsideron problematike.

    “Neni 14, paragrafi 2, që thotë: ‘Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje’, është ndër dispozitat më problematike”, theksoi Mehmeti.

    Sipas tij, kjo dispozitë krijon dallime të pajustifikuara ndërmjet qytetarëve dhe ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë e saj me parimet themelore juridike.

  • Incident i rëndë në Deçan: 11-vjeçari sulmohet në shkollë, arrestohet i dyshuari

    Incident i rëndë në Deçan: 11-vjeçari sulmohet në shkollë, arrestohet i dyshuari

    Një nxënës 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një burrë në ambientet e një shkolle në fshatin Dranoc të Deçanit.

    Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se i dyshuari është identifikuar dhe ndaluar për 48 orë.

    “Lidhur me rastin kanë nisur hetimet”, deklaroi ai.

    I mituri ka pësuar lëndime trupore, por pas trajtimit mjekësor ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh tek prindërit dhe komuniteti.

    Rrethanat dhe motivet e këtij incidenti ende nuk janë bërë të ditura.

  • Trump: Po e shqyrtoj seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO

    Trump: Po e shqyrtoj seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se po e shqyrton seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO, pasi e krahasoi përsëri aleancën me një “tigër prej letre”.

    “[Nato] është përtej njohjes,” tha ai në një intervistë për Telegraph.

    “Nuk u ndikova kurrë nga NATO. Gjithmonë e dija se ata ishin një tigër letre, dhe Putini e di këtë gjithashtu, meqë ra fjala”, është shprehur Trump.

    Presidenti amerikan ka drejtuar kritika ndaj aleatëve në javët e fundit për mosndihmë në rihapjen e ngushticës së Hormuzit, e cila është mbyllur në mënyrë efektive nga Irani ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon.

    Ai shtoi se SHBA ka qenë aty për vendet që kishin nevojë për mbështetjen e saj, përfshirë Ukrainën, edhe pse “nuk ishte problemi i tyre”.

    Trump iu drejtua me kritika gjithashtu Mbretërisë së Bashkuar në intervistë. “Ju nuk keni fare marinë. Jeni shumë të vjetër dhe keni pasur transportues aeroplanësh që nuk funksiononin”, tha ai.

    Trump ka folur kundër NATO-s për vite me radhë. Gjysmë viti para se të bëhej president i SHBA-së, ai tha se do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte çdo anëtar të NATO-s që nuk i përmbush detyrimet e tij sipas aleancës ushtarake.

    Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kërcënoi shumë herë të tërhiqej nga NATO, përfshirë edhe në samitin e asaj aleance në vitin 2018. Më pas ai kritikoi vendet e tjera për mos shpenzimin e 2 përqindëshit të brutoprodhimit të tyre vendor për mbrojtje.

  • Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren, mirënjohje për një rrugëtim që bashkoi një komb

    Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren, mirënjohje për një rrugëtim që bashkoi një komb

    Në një ceremoni solemne të mbajtur këtë të mërkurë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, si vlerësim për përfaqësimin dinjitoz dhe emocionet e mëdha që i kanë dhuruar vendit.

    Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë figura kyçe të futbollit kosovar, mes tyre kryetari i Federata e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda, si dhe futbollistët Vedat Muriqi dhe Valon Berisha, së bashku me përfaqësues të tjerë të federatës.

    Presidentja Osmani vlerësoi lart kontributin e ekipit kombëtar, duke theksuar se ata kanë qenë burim krenarie dhe frymëzimi për qytetarët, falë përkushtimit, disiplinës dhe shpirtit luftarak të treguar në çdo ndeshje. Ajo nënvizoi se paraqitjet e fundit kanë dëshmuar qartë se Kosova po afrohet gjithnjë e më shumë me nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.

    Në fjalën e saj, Osmani theksoi se kjo dekoratë është një vlerësim për sakrificën, mundin dhe djersën e çdo lojtari, si dhe për krenarinë që kanë sjellë tek shqiptarët kudo në botë. Ajo shtoi se, pavarësisht rezultatit të fundit, Kombëtarja ka fituar një vend të veçantë në zemrat e qytetarëve dhe do të mbetet simbol i unitetit dhe i shpresës.

    Ky vlerësim vjen pas një rrugëtimi mbresëlënës të Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës, ku skuadra arriti deri në fazën vendimtare, duke dëshmuar rritje të jashtëzakonshme dhe potencial për të ardhmen.

    Një moment që nuk shënon fundin e një rruge, por forcimin e besimit se suksesi i madh është vetëm çështje kohe.

  • Fisnik Asllani reagon pas eliminimit të Kosovës, ëndrra u ndal në hapin e fundit

    Fisnik Asllani reagon pas eliminimit të Kosovës, ëndrra u ndal në hapin e fundit

    Sulmuesi i talentuar Fisnik Asllani ka reaguar pas eliminimit të Kosovës nga faza e play-off-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, duke ndarë emocionet e tij me tifozët.

    Asllani ishte një nga lojtarët më të spikatur të Kosovës gjatë këtyre kualifikueseve, duke dhënë kontribut të madh në rrugëtimin historik të ekipit dhe duke realizuar tre gola të rëndësishëm.

    Përmes një postimi në Instagram, ai e përshkroi eliminimin jo thjesht si një humbje, por si një ëndërr që u ndal shumë pranë realizimit.

    “Nuk është veç një humbje… është një ëndërr që u ndal pak para fundit. E dhamë shpirtin, besuam deri në sekondën e fundit, por fati nuk ishte në anën tonë”, ka shkruar ai.

    Sulmuesi kosovar theksoi edhe dhimbjen e madhe që la kjo ndeshje, duke qenë se skuadra ishte shumë afër një momenti historik për vendin.

    “Dhimbja është e madhe, sepse e dinim sa afër ishim historisë… sa afër një momenti që do mbetej përgjithmonë”.

    Fjalët e tij pasqyrojnë më së miri ndjenjën e një kombëtareje që luftoi deri në fund dhe që për pak ishte pjesë e historisë së madhe të futbollit botëror.