ATV

Blog

  • Osmani: Jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë duhet ta ngrisim zërin për të kërkuar drejtësi për krimet serbe ndaj popullit shqiptar

    Osmani: Jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë duhet ta ngrisim zërin për të kërkuar drejtësi për krimet serbe ndaj popullit shqiptar

    Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në 27 vjetorin e Masakrës së Lybeniqit.

    Gjatë deklarimit për media, Osmani u shpreh se aty u vranë edhe foshnjet 18 muajshe.

    “Këtu u vranë e u masakruan edhe gratë shtatzëna, këtu u vranë edhe foshnjet në barkun e nënës e këtu u vranë edhe të moshuarit që nuk mund të lëviznin. Këtu u shpërfaq në mënyrë më mizore qëllimi i regjimit gjenocidal serb. Qëllimi ishte që ta shfaroste popullin shqiptar nga faqja e dheut”, deklaroi ajo.

    “Këtë qëllim nuk e arriti kurrë sepse populli shqiptar u ringrit, familjet në Lybeniq u ringritën,

    “Duhet të na bashkojë zërat mendjet dhe zemrat gjithsecilit shqiptar në mënyrë që jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë ta ngrisim zërin për të kërkuar drejtësi dhe për të shpërfaqur krimet e llahtarshme serbe kundër popullit shqiptar”, tha Osmani.

    Më 1 prill 1999-të në Lybeniq të Pejës, nga grupi famëkeq serb “Çakejt” u vranë 80 civilë shqiptarë.

  • Haradinaj për përvjetorin e masakrës së Lypieniqit: Sot ndamë dhimbjen me familjarët

    Haradinaj për përvjetorin e masakrës së Lypieniqit: Sot ndamë dhimbjen me familjarët

    Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Lybeniqit në Pejë, një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë.

    I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe afër pllakës përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinaj.

    Haradinaj në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit të cilët kanë rënë për liri.

    Postimi i plotë:

    Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999 ishte kobshme për këtë fshat dhe zonën përreth. Shteti serb ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi. Sot ndamë dhimbjen me familjarët, si dhe zbuluam pllakën përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinaj, të cilit pata nderin t’i ndaj dekoratën “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” për angazhimin në çështjen kombëtare. Në vitet 90-ta kulla e tij ka qenë një prej bazave më të sigurta dhe më të rëndësishme të UÇK-së, çerdhe e shumë luftëtarëve të orëve të para.

    Me përulje kujtojmë edhe martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë, familjen e Januz Canës që u shua pa pasardhës, si dhe të rënët në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesë të tjera të qytetit.

    Asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre u bënë mburojë e kësaj toke.

    Sot e për mot, përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri

  • KEDS: Situata aktuale në zonën Ferizaj–Bibaj, është për shkak të mungesës së kapaciteteve të KOSTT

    KEDS: Situata aktuale në zonën Ferizaj–Bibaj, është për shkak të mungesës së kapaciteteve të KOSTT

    KEDS, ka njoftuar se situata aktuale me energjinë elektrike në zonën Ferizaj–Bibaj është pasojë e mungesës së kapaciteteve nga KOSTT.

    Në njoftim shtohet se transformatori T3 në TS Bibaj (40 MVA) është jashtë funksionit që nga 13.03, gjë e cila ka shkaktuar mungesë energjie në zonë.

    Tutje shtohet se, për të zbutur situatën, KEDS ka ndërmarrë disa masa: Përdorim të lidhjeve alternative për furnizim të konsumatorëve; Vendosje të dy transformatorëve shpërndarës (8 MVA secili); Forcim të fijeve të kabllove për rritje të përkohshme të kapacitetit.

    Postimi:

    NJOFTIM 📢

    Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se situata aktuale me energjinë elektrike në zonën Ferizaj–Bibaj është pasojë e mungesës së kapaciteteve nga KOSTT. Transformatori T3 në TS Bibaj (40 MVA) është jashtë funksionit që nga 13.03.2026, duke shkaktuar mungesë energjie në zonë.

    Për të zbutur situatën, KEDS ka ndërmarrë disa masa:

    • Përdorim të lidhjeve alternative për furnizim të konsumatorëve.

    • Vendosje të dy transformatorëve shpërndarës (8 MVA secili).

    • Forcim të fijeve të kabllove për rritje të përkohshme të kapacitetit.

    Megjithatë, për shkak të mungesës së energjisë nga KOSTT, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të përballuar ngarkesën e krijuar. Në orët e pikut (17:00–00:00) mund të ndodhin kufizime të furnizimit deri në 8 MW në disa zona, sidomos në NS Bibaj dhe NS Kastrioti.

    KEDS ka kërkuar nga KOSTT ndërmarrjen e të hapave konkretë për zëvendësimin e kapacitetit të humbur transmetues prej 40 MVA, pasi në të kundërtën situata vetëm e përkeqësuar e furnizimit me energji elektrike mund të përkeqësohet edhe më tej.

  • Komisioni për Buxhet i jep dritën jeshile kredisë 80 milionëshe nga Franca

    Komisioni për Buxhet i jep dritën jeshile kredisë 80 milionëshe nga Franca

    Me nëntë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim në Komisionin për Buxhet është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati prezantoi këtë marrëveshje dhe koston e saj.

    “Sa i përket kësaj marrëveshje, por edhe marrëveshjes pasuese, pra që do të jetë, sepse janë dy marrëveshje që realisht kanë të njëjtin synim; është kjo me Agjencinë Franceze për Zhvillim apo AFD dhe tjetra është me Bankën Zhvillimore Gjermane, KfW. Kjo është një marrëveshje në shumën prej 80 milionë, ngjashëm siç është edhe marrëveshja tjetër me KfW. Pra, janë dy marrëveshje me nga 80 milionë euro, të cilat synojnë arugmentimin apo rritjen e mbështetjes të Republikës së Kosovës si vazhdimësi e asaj që kemi me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian”, tha ai, raporton EO.

  • Ambasada e ShBA-së lavdëron kombëtaren e Kosovës: Arritja juaj është e paharrueshme dhe e jashtëzakonshme

    Ambasada e ShBA-së lavdëron kombëtaren e Kosovës: Arritja juaj është e paharrueshme dhe e jashtëzakonshme

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka lavdëruar Kosovën pas ndeshjes së mbrëmshme me Turqinë, duke e futbollistët luajtën me zemër, vendosmëri e krenari.

    Ambasada ka vlerësuar se ajo çfarë ka arritur Kosova është e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.

    “Një përpjekje e shkëlqyer nga ekipi kombëtar i Kosovës – luajtët me zemër, vendosmëri dhe krenari. Ajo që arritët është vërtet e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme”, ka shkruar ambasada.

  • PD letër zyrtare Ambasadave në Tiranë: Po synohet lirimi nga burgu i zyrtarëve të korruptuar

    PD letër zyrtare Ambasadave në Tiranë: Po synohet lirimi nga burgu i zyrtarëve të korruptuar

    Grupi Parlamentar i Partia Demokratike (PD) ka dërguar një letër zyrtare Ambasadave të huaja në Tirana, duke kërkuar monitorimin e procesit në Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

    Në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi, demokratët shprehin shqetësimin se vendimmarrjet e pritshme mund të çojnë në lirimin nga burgu të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe të cenojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

    Kjo lëvizje nënvizon tensionet politike dhe shqetësimet për integritetin e drejtësisë në vend, ndërkohë që vëmendja e aktorëve ndërkombëtarë kërkohet për të garantuar transparencë në vendimet e Gjykatës së Lartë.

    Letra e plotë:

    Nëpërmjet kësaj letre, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 9 prill, për të shqyrtuar çështje që lidhen me masën e sigurisë “arrest në burg” (paraburgim). Kjo paraqet një nismë personale të kryetarit Sokol Sadushi, pa një justifikim ligjor mbi bazën e saj.

    Kjo nismë vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend, ku një numër zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë aktualisht nën hetim ose subjekt i masave të sigurisë për akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Aktualisht, i vetmi zyrtar i lartë në detyrë që ndodhet në burg është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, ky vendim mund të ndikojë edhe disa figura të profilit të lartë të krimit të organizuar që aktualisht ndodhen në paraburgim.

    Në të njëjtën kohë, deklaratat e fundit publike nga përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv, përfshirë Kryeministrin, kanë shprehur kritika ndaj përdorimit të “arrestit në burg” dhe praktikës më të gjerë të paraburgimit. Këto deklarata kanë ngritur shqetësime shtesë lidhur me perceptimin e mundshëm të ndikimit ose presionit ndaj institucioneve të drejtësisë në një moment kaq të ndjeshëm.

    Ekziston një shqetësim i arsyeshëm publik se një interpretim i ri ose më i butë i kësaj mase sigurie mund të çojë në ndryshime në statusin e personave të ndaluar, përfshirë figura të profilit të lartë politik dhe të krimit të organizuar. Një zhvillim i tillë mund të ndikojë ndjeshëm besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit dhe seriozitetin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.

    Lufta kundër korrupsionit dhe mbajtja përgjegjëse e zyrtarëve të lartë janë shtylla thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çdo përpjekje që cenon luftën kundër korrupsionit, punën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), apo ndjekjen dhe ndëshkimin e duhur të figurave të larta politike, rrezikon gjithashtu të minojë rrugën e integrimit evropian të vendit.

    Në këtë kontekst, ju bëjmë thirrje me mirësi që:
* Të monitoroni nga afër procesin dhe vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
• Të inkurajoni transparencën dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të shtetit të së drejtës;
• Të mbështesni institucionet shqiptare në garantimin e një sistemi drejtësie të paanshëm, të pavarur dhe konsistent.

    Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është një element kyç për stabilitetin demokratik dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo vendim me ndikim të gjerë duhet të bazohet në parime të forta ligjore dhe të mbrohet nga çdo perceptim i ndikimit politik.

    Ju falënderojmë për vëmendjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

  • IPK arreston një polic për “lëndim të rëndë trupor”, u përfshi në një përleshje mes disa personave

    IPK arreston një polic për “lëndim të rëndë trupor”, u përfshi në një përleshje mes disa personave

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor jashtë detyrës, i dyshuar për “lëndim të rëndë trupor” pas një incidenti në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të IPK-së, rasti fillimisht ishte raportuar si rrahje në progres mes disa personave, ku dyshohej se ishte i përfshirë edhe polici.

    “Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident në Prishtinë pas mesnatës ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Incidenti fillimisht ishte raportuar në Polici si rrahje në progres në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë në mes disa personave e ku dyshohej se në këtë rast është përshirë edhe zyrtari policor. Pas pranimit të informacioneve hetuesit e Inspektoratit Policor i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    IPK ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të tij dhe ka paralajmëruar veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

    “Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

  • Katër zgjidhje të shpejta për flokët e yndyrshme

    Katër zgjidhje të shpejta për flokët e yndyrshme

    Flokët e yndyrshme mund të kthehen në një bezdi shumë shpejt dhe zgjidhja më efikase për to duket sikur është dushi.

    Megjithatë ekspertët nuk e rekomandojnë gjithnjë, larja e tepërt e flokëve mund t’i prishë dhe të përkeqësojë problemin në flokët tuaj.

    Aloe vera

    Një nga mënyrat më të mira e natyrale për të balancuar flokët e yndyrshëm pa dyshim që është aloe vera.

    E mbushur me antioksidantë dhe plot vlera ushqyese ajo do të ndihmojë edhe në daljen e flokëve të rinj.

    Mjafton të hidhni në një enë 3 lugë gjelle me lëng limoni, 1 lugë gjelle me xhel aloe vera dhe 200 ml shampom flokësh.

    Përziejini të gjitha këta përbërës dhe lani flokët me ta dy herë në javë.

    Shumë shpejt do të shihni ndryshime në përbërjen e shëndetin e flokëve tuaj.

    Çaji i zi

    Në një çajnik të vogël shtoni gjysmë gote me ujë dhe 2 lugë gjelle çaj të zi ose dy bustina.

    Vëreni të ziejë për disa minuta derisa të shikoni që çaji ka lëshuar esencën e më pas kulloni uji ose hiqni bustinat.

    Ujin që përfituat lëreni të ftohet paksa dhe lyeni me të rrënjët e flokëve tuaj duke masazhuar me lëvizje rrethore duke e lënë për 20 minuta.

    Në fund shpëlajeni kokën me ujë të vakët.

    Lëng limoni

    Limoni ka veti kurative për shumë pjesë të trupit dhe sidomos në lëkurë dhe flokë.

    Për këto të fundit mund t’ju ndihmojë që të largoni yndyrën e tepërt.

    Shtrydhni rreth 200 ml lëng limonësh të freskët, bashkojini me 100 ml ujë dhe hidheni këtë masë në flokët tuaj.

    Lëreni të thahet për 10-15 minuta e më pas shpëlajini flokët me ujë të ftohtë.

    Vezë dhe lëng limoni

    Kombinimi i vezëve me lëngun e limonit mund të bëjë mrekulli për flokët tuaj.

    Merrni dy të verdha vezësh, shtoni në to lëng limoni dhe përzieni mire.

    Këtë masë merreni pak nga pak në duart dhe vendoseni tek rrënjët e flokëve tuaj nëpër të gjithë kokën.

    Lëreni të thahet për 10 minuta e më pas shpëlajeni kokën me shampon si zakonisht.

  • Edhe kryeministri australian i drejtohet kombit: Na presin muaj të vështirë

    Edhe kryeministri australian i drejtohet kombit: Na presin muaj të vështirë

    Kryeministri australian Anthony Albanese ka paralajmëruar se muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për shkak të një krize energjitike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme.

    “Muajt ​​në vijim mund të mos jenë të lehtë. Dua ta them këtë hapur. Asnjë qeveri nuk mund të premtojë se do të heqë presionet që po shkakton kjo luftë”, tha ai në një fjalim të rrallë drejtuar kombit.

    Ai shtoi se qeveria do të bënte gjithçka që mundet për të zbutur pasojat. “Mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur Australinë nga pasojat më të këqija”, tha Albanese.

    Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që sa herë që është e mundur, të përdorin transportin publik në vend të makinave.

    “Nëse do të udhëtoni, mos merrni më shumë karburant sesa ju nevojitet – mbusheni siç do të bënit normalisht. Mendoni për të tjerët në komunitetin tuaj, veçanërisht në zonat rurale dhe në sektorët kyç”, tha ai.

  • ​Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, PDK voton kundër

    ​Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, PDK voton kundër

    Komisioni për Buxhet ka aprovuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës. Ky projektligj mori 6 vota për, dy kundër dhe një abstenim.

    Kundër kësaj marrëveshje votuan deputetët e PDK-së, Kujtim Gashi dhe Mërgim Lushtaku.

    ministri i Financave, Hekuran Murati i cili dha sqarimet se pse duhet të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës. Murati këtë e konsideroi si mundësi për forcim të stabilitetit financiar në vend.

    Ai përmendi katër projekte të rëndësishme që i parasheh ky projekt, përfshirë integrimin e Kosovës në SERA.

    “Marrëveshja parasheh themelimin dhe financimin e kapitalit fillestar të Bankës Zhvillimore një projekt tepër i rëndësishëm dhe prioritet për qeverinë tonë, gjithashtu parasheh shtimin e kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore për dritare të reja shtesë që të përmirësohet qasja në financim për ndërmarrjet e vogla mikro, të vogla dhe të mesme. Marrëveshja parasheh edhe mbështetje e Fondit për sigurim të depozitave në ndryshim të kornizës ligjore po ashtu edhe me shtimin e kapitalit shtesë në mënyrë që depozita në bankat e Kosovë niveli të ngritët nga 5 mijë euro aktualisht që është i depozitave të siguruara në 10 mijë euro. Komponenta e katërt kyçe ka të bëjë me integrimin e Kosovës në SERA që nënkupton kosto të transfereve tepër më të ulëta sesa këto që janë aktualisht… Shuma totale e marrëveshje është 49.3 milionë euro dhe periudha e kthimit për 35 milionë euro për komponentën A është 5 vite grejs periudhë dhe 25 vite kthim. Për kompenntën B është 14 milionë euro dhe 5 vite grejs periudhë dhe 5 vite kthim”, tha ai.

    Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi konsideron se Kosova nuk ka nevojë për një borxh të tillë, prandaj theksoi se deputetët e kësaj partie që janë anëtarë të Komisionit për Buxhet nuk e mbështesin këtë marrëveshje.

    “Ne mendojmë se Kosova nuk ka nevojë ta marr një borxh të tillë një kredi për asistencë teknike për të cilën jemi të bindur që mund të mbulohet nga vetë ju për shkak se buxheti e mundëson një gjë të tillë duke pas parasysh shumë marrëveshje dhe shumë kredi”, tha ai.

    Edhe anëtari i Komisionit për Buxhet nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa u interesua të di më shumë për dallimin mes Bankës Zhvillimore dhe Fondi për Garanci Kreditore.

    E ministri i Financave dha sqarime në këtë drejtim.

    “Banka Zhvillimore parasheh që përmes ofrimit të instrumenteve ët reja shtesë e këto ndërlidhet a do ketë konkurrshmëri me sektorin shtesë. Në situata ku ka mungesë likuiditeti apo në situata ku bankat kanë arritur ekspozimin maksimal këtu hyn Banka Zhvillimore… Ideja është të ofrohen instrumente tjera të pagesave apo instrumenteve të quajtura për garantime të pagesave për import apo eksport të cilat bankat aktuale mund të kenë kufizime sa i përket ekspozimit dhe Fondi nuk ofron një gjë të tillë, synimi është tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të arrihet edhe përmes partneriteti aktual bankar” ,theksoi ai .

    E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa qysh në fillim të mbledhjes të këtij Komisioni kërkoi që në rend dite të shtohet edhe çështja e rritjes së çmimeve të produkteve përfshirë ato të naftës dhe energjisë.

    “Propozoj çështja e çmimeve të naftës dhe energjisë që kanë reflektim tek çmimet e të gjitha produkteve tjera dhe vështirësimi i standardeve të jetesës. Pra, thjesht kërkojmë raportim nga ministri i Financave se çka ka bërë qeveria e Kosovës dhe çka po planifikon që të bëjë për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët e Kosovë ndaj këtyre çmimeve”, tha ai.

    E kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti tha se për këto pika tashmë LDK ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme ditën e premte dhe temë diskutimi janë pikat që kërkoi të diskutohen nga deputeti, Mustafa.

    Në rend dite të Komisionit për Buxhet janë edhe Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika, Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-017 për ratifikimin e marrëveshjen së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin ”Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”. /kp/