ATV

Blog

  • Frenkie De Jong mund të mungojë për Barcelonën kundër Atletico Madridit

    Frenkie De Jong mund të mungojë për Barcelonën kundër Atletico Madridit

    Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, ka munguar sërish nga stërvitja kolektive, duke shtuar shqetësimet lidhur me rikuperimin e tij. Reprezentuesi holandez ka qenë jashtë fushave për një muaj për shkak të një lëndimi në muskujt e kofshës, dhe duket se paraqitja e tij në ndeshjen e së shtunës kundër Atletico Madrid në La Liga është pothuajse e pamundur.

    Ndërkohë, Barcelona shpreson që De Jong të rikthehet për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atleticos, që do të zhvillohet javën e ardhshme. Në mungesë të tij, Marc Bernal do të vazhdojë të mbajë rolin kryesor në mesfushë përkrah Pedrit.

    Kjo do të jetë një mungesë e madhe për Barcelonën, pasi siç e dimë, De Jong është një lojtar i padiskutueshëm në formacionin bazë të Hansi Flick, dhe katalunasit kanë nevojë për pikët e plota në këtë përballje.

    Aktualisht, Barcelona është lideri i vetëm në La Liga, katër pikë para Real Madridit. Nëse nuk arrin të fitojë këtë ndeshje, gara për titull në kampionatin spanjoll do të bëhet shumë më e hapur.

    Kujtojmë se përballja mes Atleticos dhe Barcelonës do të zhvillohet të shtunën në orën 21:00.

  • Gabriele Gravina Dorëheqet nga Posti i Presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC)

    Gabriele Gravina Dorëheqet nga Posti i Presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC)

    Gabriele Gravina ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), pas dështimit të kombëtares italiane për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për të tretin cikël radhazi.

    Gravina e paraqiti dorëheqjen gjatë një mbledhjeje emergjente të Këshillit të Përgjithshëm të FIGC-së, pas humbjes së Italisë në finalen e playoff-it të Botërorit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, të martën në mbrëmje.

    Zgjedhjet për emërimin e pasuesit të tij do të zhvillohen më 22 qershor. Në mbledhjen emergjente të FIGC-së morën pjesë presidenti i Serie A, Ezio Simonelli, presidenti i Serie B, Paolo Bedin, presidenti i Serie C, Matteo Marani, presidenti i ligave amatore Giancarlo Abete, kreu i shoqatës së lojtarëve Umberto Calcagno dhe kreu i shoqatës së trajnerëve Renzo Ulivieri. Gravina kishte mbajtur postin më të lartë në federatën italiane të futbollit që nga tetori i vitit 2018.

    Gjatë mandatit të tij, Italia fitoi Euro 2020, por gjithashtu dështoi të kualifikohej në Kupat e Botës 2022 dhe 2026, ndërkohë që ai ishte në krye. Kujtojmë se Italia kishte dështuar të kualifikohej edhe për Botërorin 2018, para se Gravina të merrte detyrën.

    Ai gjithashtu ishte përgjegjës për emërimin e Luciano Spalletti dhe Gennaro Gattuso si përzgjedhës të kombëtares italiane, përkatësisht në vitet 2023 dhe 2025.

    Mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit në të ardhmen.

  • Nafta, ish-ministri Angjeli: Qeveritë në rajon, masa mbrojtëse për konsumatorët. Zinxhiri që rëndon mbi shqiptarët! Rritja e çmimeve prek çdo sektor

    Nafta, ish-ministri Angjeli: Qeveritë në rajon, masa mbrojtëse për konsumatorët. Zinxhiri që rëndon mbi shqiptarët! Rritja e çmimeve prek çdo sektor

    AKADEMIK.PROF.DR ANASTAS ANGJELI

    REAGIMET NDAJ KRIZËS ENERGJETIKE NË VENDET E RAJONIT DHE PAKETAT MBËSHTETËSE

    Lufta në Iran ka ndryshuar rrënjësisht tregjet e energjisë. Sipas analizave të fundit, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po pengon afërsisht 20 milionë fuçi në ditë të arrijnë në tregjet globale, një ndërprerje shumë më e rëndë se embargoja e naftës e vitit 1973, e cila hoqi 4.5 milionë fuçi në ditë. Kjo ndërprerje ka ndaluar në mënyrë efektive trafikun e tankerëve përmes një prej pikave më kritike të bllokimit të energjisë në botë duke shkaktuar rritje globale të çmimeve të energjisë. Edhe vendet e rajonit janë prekur nga goditjet e kësaj krize. Në funksion të përballjes me pasojat e kësaj krize, reagimet e shteteve të rajonit tashme po strukturohen dhe po zbatohen. Në të njëjtën kohë, qeveritë përballen me një dilemë klasike të politikës ekonomike: nëse ndërhyjnë për të zbutur efektet, rrezikojnë të rëndojnë financat publike; nëse nuk ndërhyjnë, rrezikojnë destabilizim social dhe ekonomik. Në praktikë, shumica e vendeve kanë zgjedhur një qasje hibride, duke kombinuar ndërhyrjen selektive me ruajtjen e disiplinës fiskale.

    ZBATIMI I POLITIKAVE KOMBËTARE DHE MASAT E EMERGJENCËS, KONTROLLET E ÇMIMEVE DHE KUFIZIMET E EKSPORTIT

    Qeveritë e Ballkanit kanë nisur masa të reagimit të shpejtë për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga goditjet e çmimeve. Disa vende kanë prezantuar deklarata emergjence dhe kanë zbatuar ndërhyrje të drejtpërdrejta në çmime. Një qeveri futi një gjendje emergjence energjetike për 30 ditë dhe uli taksën e vlerës së shtuar për naftën dhe benzinën nga 18% në 10%. Këto masa antikrizë parashikohet të ulin faturat e energjisë elektrike me afërsisht 13%, me çmimet e benzinës dhe naftës që bien rreth 30 cent për litër – një lehtësim domethënës në një rajon ku kostot e karburantit ndikojnë drejtpërdrejt në sektorët e transportit e bujqësisë dhe te konsumatorët.

    Më 9 mars, të paktën një qeveri ballkanike zbatoi një ndalim eksporti për naftën bruto, eurodizelin, benzinën dhe karburantin e aviacionit, me kufizimin që do të mbetet në fuqi deri më 2 prill. Kjo masë proteksioniste i jep përparësi sigurisë së furnizimit vendas mbi tregtinë rajonale, duke reflektuar natyrën akute të krizës. Politika nënvizon se sa shpejt tregjet e energjisë mund t’i detyrojnë qeveritë të braktisin parimet e tregut të lirë kur përballen me emergjenca furnizimi.

    SFIDAT DHE KUFIZIMET

    Vendet e rajonit përballen me kufizime strukturore që kufizojnë fleksibilitetin e politikave. Varësia e rajonit nga energjia e importuar, kapaciteti i kufizuar i prodhimit vendas dhe mbështetja në rrugët e furnizimit të cenueshme përmes Mesdheut dhe Lindjes së Mesme krijojnë cenueshmëri të vazhdueshme. Gjatë tri javëve të fundit, qeveritë e vendete të rajonit kanë kaluar nga shoku fillestar në menaxhimin e emergjencës, duke zbatuar kontrolle çmimesh, kufizime eksporti dhe deklarata emergjence. Ndërsa masat afatshkurtra ofrojnë lehtësim të menjëhershëm, kriza ka përshpejtuar diskutimet afatgjata në lidhje me diversifikimin e energjisë, infrastrukturën e tubacioneve dhe autonominë strategjike. Javët në vijim do të përcaktojnë nëse këto masa stabilizojnë tregjet apo nëse përshkallëzimi i mëtejshëm në Lindjen e Mesme detyron ndërhyrje shtesë. Po cilat janë disa nga paketat (masat) përkatëse sipas shteteve:

    SERBIA: Qeveria njoftoi një paketë ndërhyrjeje shtetërore për të frenuar çmimet e karburantit dhe për të siguruar furnizimin, duke lidhur politikën e energjisë me shqetësime më të gjera gjeopolitike. Veçanërisht, Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të reja të BE-së kundër Iranit dhe nuk zbatoi dy vendimet e fundit të Bashkimit Evropian, duke u përpjekur të ruajë një politikë neutraliteti. Vuçiç paralajmëroi se çmimi i gazit do të jetë një problem më i madh se nafta, duke sugjeruar se qeveria e tij po përgatitet për masa më serioze në të ardhmen.

    1. Një qetësi e kontrolluar në publik, një alarm i heshtur brenda institucioneve. Ndërsa mediat ndërkombëtare raportonin për rritjen e çmimeve të naftës, qeveria serbe zgjodhi një ton të matur: “Situata është nën kontroll”. Ishte një frazë e thjeshtë, por e ngarkuar me qëllim. Serbia e di që paniku është më i rrezikshëm se vetë kriza. Por pas dyerve të mbyllura, ministrat e Energjisë dhe Financave zhvillonin takime të një pasnjëshme. Çdo grafik, çdo tabelë, çdo parashikim tregonte të njëjtën gjë: çmimet globale po ngjiteshin, dhe Serbia duhej të vepronte shpejt.

    2. Çmimet e karburantit: shteti mban frenat. Serbia ka një traditë të gjatë ndërhyrjeje në tregun e karburanteve. Dhe në këtë krizë, ajo traditë u rikthye si një armë mbrojtëse. Qeveria vendosi të ruajë kontrollin e çmimeve, duke përdorur formulën javore që përcakton kufijtë e lejuar të shitjes. Kjo do të thoshte se: çmimet nuk do të shpërthenin menjëherë, kompanitë nuk do të kishin hapësirë për spekulime, konsumatorët do të ndiheshin të mbrojtur. Në një vend ku çmimi i karburantit prek çdo familje, çdo biznes, çdo kilometër të ekonomisë, ky ishte një sinjal qetësues.

    3. NIS – zemra e sistemit. Në qendër të gjithë kësaj qëndronte NIS, kompania kombëtare e naftës, ku Gazprom Neft mban shumicën e aksioneve. Kjo e bën Serbinë një rast të veçantë në rajon: një vend që nuk kontrollon plotësisht furnizimin e vet, por që ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi çmimet përmes mekanizmave shtetërorë. Në ditët e para të krizës, drejtuesit e NIS u thirrën në takime urgjente. Pyetjet ishin të qartas: Sa janë rezervat? Sa zgjat furnizimi aktual? A ka rrezik ndërprerjeje? Përgjigjet ishin qetësuese, por askush nuk e mori si të mirëqenë.

    4. Rezervat strategjike: garancia e heshtur. Serbia ka investuar prej vitesh në rezervat e saj të naftës. Në këtë krizë, ato rezerva u bënë garancia e heshtur që qeveria përdori për të mbajtur publikun të qetë. Zyrtarët deklaruan se vendi ka mjaftueshëm naftë për të përballuar çdo luhatje afatshkurtër. Në prapaskenë, u dhanë urdhra për të rritur stokun nëse çmimet vazhdonin të ngjiteshin.

    5. Mesazhi për qytetarët: “Ne jemi këtu”. Në komunikimet publike, qeveria serbe zgjodhi një ton të kujdesshëm, pothuajse “prindëror”. Nuk pati paralajmërime dramatike, as deklarata alarmante. Vetëm një mesazh i qartë: “Nuk do të ketë mungesa. Nuk do të ketë shpërthime çmimesh. Shteti po kujdeset”. Në një vend ku stabiliteti ekonomik është i lidhur ngushtë me stabilitetin politik, ky mesazh ishte më shumë se një deklaratë, ishte një strategji.

    KOSOVA: Kuvendi i Kosovës ka miratuar zgjatjen e masave emergjente për energjinë për një muaj tjetër, siç kishte propozuar Qeveria e Kosovës. Kjo sugjeron që Kosova po i mban protokollet e saj të emergjencës në vend që të prezantojë masa të reja në këtë periudhë specifike.

    1. Qeveria në lëvizje: një reagim i shpejtë dhe i matur. Në orët e para pas rritjes së çmimeve të karburantit në tregjet ndërkombëtare, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë doli me një deklaratë të qartë: Kosova do të monitorojë nga afër tregun e derivateve dhe nuk do të lejojë abuzime. Në zyrat e qeverisë nisi një koordinim i shpejtë mes Ministrisë së Tregtisë, Doganës së Kosovës, Administratës Tatimore dhe Zyrës së Kryeministrit. Qëllimi ishte i thjeshtë: të parandalohej çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve.

    2-Kontroll i tregut të karburanteve. Kosova ka një histori të gjatë me shqetësimet për abuzime në tregun e derivateve. Prandaj reagimi i parë ishte forcimi i inspektimeve. Inspektorët u dërguan në terren për të kontrolluar marzhet e fitimit, sasinë e stokut, çmimet e shitjes me pakicë dhe respektimin e rregullave të konkurrencës. Mesazhi ishte i prerë: çdo kompani që tenton të përfitojë nga kriza, do të ndëshkohet.

    3. Furnizimi me energji elektrike: pika më e ndjeshme. Kosova është e varur nga importet e energjisë, sidomos në periudhat kur termocentralet e vjetra kanë probleme teknike. Lufta në Iran dhe rritja e çmimeve globale e shtynë qeverinë të rishikojë menjëherë kontratat e importit, kapacitetet e rezervës dhe planin e furnizimit për muajt në vijim. KEDS dhe KOSTT u angazhuan të siguronin se nuk do të kishte ndërprerje, ndërsa qeveria paralajmëroi se do të ndërhynte financiarisht nëse çmimet e importit rriteshin shumë.

    4. Komunikimi me publikun: transparencë dhe qetësi Në një vend ku çdo rritje çmimi mund të ndezë pakënaqësi sociale, qeveria e Kosovës zgjodhi një ton të qetë dhe të hapur. Zyrtarët theksuan se, furnizimi është i qëndrueshëm, nuk ka rrezik për mungesa, çmimet do të monitorohen çdo ditë. Kryeministri Kurti, në daljet e tij publike e lidhi situatën me zhvillimet globale, duke theksuar se Kosova nuk mund t’u shmanget valëve të tregut ndërkombëtar, por mund t’i menaxhojë ato me kujdes.

    5. Fokus te konsumatori dhe bizneset e vogla Qeveria paralajmëroi se nëse çmimet rriten më tej, do të aktivizohen: subvencione për familjet me të ardhura të ulëta, mbështetje për bizneset e vogla, masa për të ruajtur stabilitetin e tregut. Kjo qasje synon të shmangë efektin zinxhir që rritja e çmimeve të karburantit ka mbi transportin, ushqimet dhe prodhimin.

    MAQEDONIA E VERIUT: Maqedonia e Veriut ndërmori veprime më agresive. Qeveria e Maqedonisë së Veriut uli TVSH-në për karburantin nga 18% në 10% për të ndaluar rritjen e çmimeve në pompë. Zyrtarët sugjeruan gjithashtu që, nëse është e nevojshme, vendet duhet të jenë të përgatitura të vendosin masa më të rrepta, duke përfshirë kufizimet dhe fiksimin e çmimeve për energjinë. Në orët e para pas rritjes së çmimeve të karburantit, qeveria u gjend përballë një presioni të dyfishtë: të qetësonte publikun dhe të ruante stabilitetin ekonomik. Kryeministri Hristijan Mickoski doli para mediave me një ton të matur, por të vendosur. Ai e pranoi hapur se tensionet në Lindjen e Mesme po ushtronin presion mbi tregjet, por shtoi se qeveria ishte gati të vepronte.

    1. Paralajmërimi i parë: ulja e akcizës nëse çmimet rriten më tej. Në deklaratën e tij, Mickoski la të kuptohej se qeveria ishte e gatshme të përdorte një nga instrumentet më të forta fiskale: uljen e akcizës për karburantet. Ky ishte një sinjal i qartë se Shkupi nuk do të lejonte që rritja e çmimeve globale të përkthehej automatikisht në barrë për qytetarët. Mesazhi ishte i thjeshtë: “Nëse çmimet rriten, ne do të ndërhyjmë”.

    2. Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE): roli i rojtarit të çmimeve. Ndërkohë, Komisioni Rregullator për Energjetikë — institucioni që çdo të martë vendos çmimet e reja të derivateve — u bë qendra nervore e krizës. Në zyrat e tij, ekspertët analizuan çdo lëvizje të tregut ndërkombëtar, çdo raport të bursave të naftës, çdo sinjal të panikut global. Vendimet e tyre javore u kthyen në një barometër të ankthit publik. Çdo rritje, sado e vogël, ndihej në atmosferën e qytetit.

    3. Qeveria kërkon qetësi: furnizimi është i sigurt. Në komunikimet zyrtare, qeveria theksoi se nuk kishte rrezik për mungesa të karburantit. Importet vazhdonin normalisht, depot ishin të mbushura dhe furnizuesit nuk kishin raportuar probleme logjistike. Por në prapaskenë, Ministria e Ekonomisë kishte nisur një seri takimesh me kompanitë importuese për të siguruar stabilitetin e furnizimit, shmangien e spekulimeve dhe ruajtjen e çmimeve brenda kufijve të arsyeshëm.

    4. Dimensioni social: mbrojtja e familjeve dhe bizneseve. Qeveria paralajmëroi se, nëse çmimet vazhdonin të rriteshin, do të aktivizoheshin masa shtesë për: familjet me të ardhura të ulëta, transportin publik, bizneset e vogla që varen nga karburanti.

    Në një vend ku ekonomia është e brishtë dhe varësia nga importet është e lartë, këto masa nuk ishin vetëm teknike — ishin politike, sociale dhe simbolike.

    5. Një vend i vogël, në një krizë të madhe. Në fund, reagimi i Maqedonisë së Veriut ishte një përzierje e qetësisë së kujdesshme dhe gatishmërisë për të ndërhyrë. Shkupi e di se nuk mund të ndikojë tregjet globale, por mund të mbrojë qytetarët e vet nga goditjet e tyre. Në këtë krizë, qeveria u përpoq të dërgonte një mesazh të qartë: “Nuk jemi të pafuqishëm. Do të veprojmë kur të jetë e nevojshme”.

    MALI I ZI :Qasja e Malit të Zi është përqendruar më shumë në rezervat strategjike. Vendi nisi një tender për rezervat strategjike të karburantit me një ndalim të rreptë për naftën ruse, duke kërkuar që karburanti të jetë prodhuar pas 21 janarit 2026 dhe të mos vijë nga kompanitë nën sanksione. Përveç kësaj, Mali i Zi duhet të grumbullojë një total prej 112,340 tonësh metrikë rezerva nafte midis 1 korrikut 2025 dhe 30 qershorit 2026.

    1. Formula e çmimeve – mekanizmi që nuk fle kurrë. Mali i Zi ka një sistem të veçantë: çmimet e karburantit rishikohen çdo dy javë, sipas një formule të automatizuar që pasqyron lëvizjet e tregut ndërkombëtar. Kjo formulë është si një orë që nuk ndalet dhe këtë herë, ajo tregonte vetëm një drejtim: lart. Qeveria e dinte se nuk mund ta ndalte mekanizmin, por mund ta amortizonte goditjen. Prandaj ministrat dolën publikisht për të shpjeguar se rritja ishte e pashmangshme, por e kontrolluar.

    2. Qetësimi i publikut: “Nuk ka rrezik për mungesa”. Në një vend ku furnizimi varet plotësisht nga importet, frika më e madhe nuk është çmimi, është mungesa. Pikërisht për këtë arsye, qeveria doli me një deklaratë të qartë: “Furnizimi me karburant është i qëndrueshëm. Nuk ka asnjë rrezik për mungesa”. Kjo deklaratë nuk ishte vetëm teknike. Ishte psikologjike. Mali i Zi e di se paniku është më i shtrenjtë se nafta.

    3. Inspektimet në treg: një sy i mprehtë mbi kompanitë. Ministria e Ekonomisë aktivizoi menjëherë inspektorët e saj. Ata u shpërndanë nëpër pika karburanti për të kontrolluar çmimet e vendosura, marzhet e fitimit, sasinë e stokut dhe respektimin e rregullave të konkurrencës. Mesazhi ishte i qartë: çdo tentativë për abuzim, do të ndëshkohet. Në një treg të vogël, ku disa kompani kanë ndikim të madh, ky ishte një paralajmërim i rëndësishëm.

    4. Energjia elektrike: një front i dytë i krizës.Ndërkohë, në sektorin e energjisë elektrike, kompania shtetërore EPCG nisi të analizonte ndikimin e çmimeve globale në importet e energjisë. Mali i Zi prodhon një pjesë të madhe të energjisë nga hidrocentralet, por në periudha të thata është i detyruar të importojë. Lufta në Iran rriti çmimet e energjisë në bursat evropiane dhe EPCG u përball me një realitet të ri: çdo megavat i importuar do të kushtonte më shumë. Qeveria sinjalizoi se, nëse situata përkeqësohej, do të ndërhynte për të mbrojtur konsumatorët.

    5. Një vend i vogël, një reagim i matur. Në fund, reagimi i Malit të Zi ishte i qetë, i matur dhe i përqendruar në stabilitet. Podgorica nuk kishte luksin të ndikonte tregjet globale, por kishte vullnetin të mbronte qytetarët e saj. Në këtë krizë, Mali i Zi zgjodhi të mos dramatizojë, por të menaxhojë. Të mos premtojë shumë, por të garantojë mjaftueshëm. Të mos krijojë panik, por të ruajë ekuilibrin.

    Në nivel të Bashkimit Evropian, situata reflekton kompleksitetin institucional të unionit. Propozimet për ulje të taksave mbi energjinë, subvencione të targetuara dhe fleksibilitet në rezervat e gazit, të cilat zakonisht synojnë nivele rreth 90% të kapacitetit, tregojnë një përpjekje për koordinim. Megjithatë, mungesa e një politike të përbashkët fiskale dhe energjetike e bën reagimin të fragmentuar. Nga një këndvështrim ekonomik, kjo kufizon efektivitetin e përgjigjes kolektive dhe e lë barrën kryesore mbi shtetet anëtare sidoqoftë.

    REAGIMI NË DISA SHTETE EUROPIANE KA QENË I MENJËHERSHËM

    GREQIA: Paketa prej 300 milionë eurosh, që mbulon periudhën prill maj 2026 dhe përfaqëson rreth 0.15% të PBB-së, është projektuar si një ndërhyrje e përkohshme dhe e targetuar. Subvencioni për diesel prej 0.16 euro për litër, që arrin në një ulje efektive deri në 0.20 euro për konsumatorin, synon të frenojë përhapjen e kostove në ekonomi përmes sektorit të transportit. Ky është një element kyç, pasi transporti është nyja përmes së cilës energjia përkthehet në çmime më të larta për mallrat dhe shërbimet. Karta digjitale e karburantit, që ofron 50 deri në 60 euro çdo dy muaj për familjet, përfaqëson një evoluim të politikave sociale drejt mekanizmave më të targetuar dhe më efikasë. Në vend të subvencioneve universale që shpesh përfitojnë edhe ata që nuk kanë nevojë, kjo qasje synon të përqendrojë burimet aty ku ndikimi është më i madh. Në sektorin bujqësor, subvencioni prej 15% për plehrat kimike adreson një nga kanalet më të rëndësishme të transmetimit të krizës, duke qenë se energjia përbën deri në 30 deri në 40% të kostove të prodhimit. Kjo është një përpjekje për të parandaluar që kriza energjetike të shndërrohet në një krizë ushqimore. Mbështetja për transportin detar ka një dimension të veçantë ekonomik për Greqinë. Në një vend me mbi 100 ishuj të banuar, rritja e çmimeve të karburantit do të përkthehej drejtpërdrejt në rritje të kostove të jetesës dhe në izolim ekonomik të zonave periferike. Duke subvencionuar këtë sektor, shteti ndërhyn për të ruajtur integrimin e tregut të brendshëm. Vendosja e kufijve për marzhet e fitimit për tre muaj tregon gjithashtu një gatishmëri për të korrigjuar devijimet e tregut në periudha krize, duke adresuar jo vetëm kostot reale, por edhe sjelljet spekulative.

    RUMANIA: Në një drejtim tjetër ka zgjedhur një qasje më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë. Tavani për marzhet e fitimit të karburanteve dhe kufizimi i eksporteve për deri në gjashtë muaj përfaqësojnë ndërhyrje që prekin drejtpërdrejt mekanizmin e tregut. Ndihma shtetërore prej 140 deri në 150 milionë euro për sektorin e transportit plotëson këtë paketë. Nga pikëpamja ekonomike, kjo qasje siguron stabilitet afatshkurtër, por mund të krijojë shtrembërime në alokimin e burimeve dhe të ulë stimujt për investim në sektorin energjetik.

    FRANCA: Në vend të ndërhyrjeve të menjëhershme në kërkesë, po fokusohet në ofertë. Varësia prej rreth 50% nga importet për diesel e bën ekonominë të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme. Për këtë arsye, diskutimet për rritjen e kapaciteteve të rafinimit dhe prodhimit vendas synojnë të adresojnë këtë dobësi strukturore. Ekonomikisht kjo përfaqëson një zhvendosje nga politika e menaxhimit të krizës, drejt politikës së ndërtimit të reziliencës.

    MBRETËRIA E BASHKUAR: Ka adoptuar një qasje më të kujdesshme, duke shmangur ndërhyrjet e menjëhershme fiskale, pavarësisht presionit inflacionist që luhatet rreth 4 deri në 5%. Monitorimi i vazhdueshëm i tregut tregon një strategji që synon të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe të shmangë reagimet e nxituara. Kjo qasje mbështetet në besimin se tregjet kanë një aftësi të caktuar vetëkorrigjuese dhe se ndërhyrja duhet të jetë e fundit, jo e para.

    Mund të thuhet se reagimet e vendeve të ndryshme tregojnë se një model i ri i menaxhimit ekonomik po konsolidohet. Pra, lufta me Iranin nuk ka krijuar këtë prirje, por e ka përshpejtuar atë, duke e bërë më të dukshme një transformim, ku roli i shtetit në ekonomi po rritet dhe po rikonfigurohet në funksion të krizave të reja globale.

    PO SHQIPËRIA?

    Në ditët e para pas shpërthimit të konfliktit në Iran, tregu shqiptar i karburanteve u drodh si një tel i tendosur. Çmimet u rritën menjëherë, duke reflektuar panikun e tregjeve ndërkombëtare. Në këtë atmosferë tensioni, qeveria shqiptare doli publikisht për të qetësuar situatën dhe për të treguar se nuk do të lejonte abuzime. Në podcastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama foli me një ton të matur, por të prerë. Ai pranoi se rritja e çmimeve ishte e pashmangshme, sepse Shqipëria është e lidhur drejtpërdrejt me luhatjet globale të naftës. Por theksoi se qeveria nuk do të rrinte duarkryq. Po sa dhe si ndikon kjo situatë në Shqipëri? Së pari, kjo varet nga kohëzgjatja e krizës. Duket se kriza ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë. Nafta në ekonominë tonë zë një peshë dominuese në miksin energjetik. Në vitet 2003–2024, ajo ishte rreth 61% e konsumit total të energjisë. Burimet e tjera kryesore janë energjia elektrike dhe drutë e zjarrit, me përkatësisht rreth 24.0% dhe 9.5% të totalit. Pra, ka një zhvendosje graduale e strukturës energjetike: pesha e naftës ka ardhur në rënie, ndërkohë që ajo e energjisë elektrike është rritur. Paralelisht me të, intensiteti i përdorimit të naftës në raport me PBB-në ka shënuar një rënie të ndjeshme. Kështu, indeksi i këtij treguesi është ulur nga 100 në vitin 2003 në 48.7 në vitin 2024, duke sinjalizuar një përgjysmim të varësisë relative të vëllimit të aktivitetit ekonomik nga nafta.

    Ndërkaq, fatura e importit të naftës në vitin 2025 shënoi 667 milionë euro, duke përbërë një shumë relativisht të konsiderueshme. Për rrjedhojë, dinamika e këtij treguesi mbetet e ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve globale të energjisë.

    Ka një ekspozim të moderuar të drejtpërdrejtë të familjeve shqiptare ndaj luhatjeve të çmimeve të naftës, falë peshës së kufizuar të lëndës djegëse në shportën e konsumit familjar (rreth 3.5). Ka një ndikim indirekt nëpërmjet kostove të prodhimit dhe transmetimit përgjatë zinxhirit të furnizimit, veçanërisht në sektorë si transporti, bujqësia, industria përpunuese dhe ndërtimi. Por stabiliteti makroekonomik dhe ritmi pozitiv i rritjes ekonomike pritet të mbeten të pacenuar, duke ilustruar rezistencën e rritur të ekonomisë shqiptare. Po çfarë po bëhet deri tani? Në podkastin e sipërpërmendur duket se:

    1-Kryemijnistri Rama njoftoi krijimin e një Task-Force të re, e cila do të kontrollojë tregun e karburanteve në kohë reale. Kjo strukturë do të punojë krah për krah me Bordin e Transparencës, duke monitoruar importet, çmimet e shitjes, marzhet e fitimit dhe çdo sinjal të sjelljes spekulative. Mesazhi ishte i qartë: tregu është i lirë, por jo i braktisur.

    Nuk ka prova për abuzime. Rama theksoi se deri në atë moment nuk ishte evidentuar asnjë rast abuzimi. Megjithatë, ai la të kuptohej se kjo nuk ishte arsye për vetëkënaqësi. Kontrolli do të vazhdojë dhe qeveria është e gatshme të ndërhyjë menjëherë nëse situata devijon.

    2-Ulja e përkohshme e akcizës. Për të zbutur goditjen e çmimeve, qeveria ka vendosur uljen e përkohshme të akcizës, një masë që synon të amortizojë efektin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare dhe të mbajë nën kontroll kostot për qytetarët.

    3-Të ardhurat shtesë për mbështetje sociale. Kryeministri nënvizoi se çdo të ardhur shtesë që vjen nga çmimet e larta globale do të përdoret për: pensionistët, shtresat në nevojë dhe për të ruajtur stabilitetin social. Në një kohë kur frika ekonomike mund të përhapet shpejt, ky ishte një premtim për të mbajtur shoqërinë të mbrojtur. Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, është e ekspozuar ndaj stuhive globale të energjisë. Por qeveria dëshmon se ka instrumente për të ruajtur ekuilibrin: transparencë, kontrolle dhe ndërhyrje të shpejta kur është e nevojshme.

    4-Bordi i Transparencës vendosi, që prej dt. 26 mars ora 18.30, nafta me pakicë nuk do të tregtohet më shumë se çmimi 203 lekë/litër, ndërsa benzina me pakicë më shumë se 175 lekë/ litër. Edhe Bankat Qendrore, Federal Rezerva, Banka Qendrore Europiane, Banka Qendrore e Anglisë, Bankat Qendrore të vendeve të Rajonit përfshi dhe Banka e Shqipërisë kanë rritur vigjilencën dhe janë në pritje dhe për momentin nuk kanë ndërmarrë ndryshime në politikën monetare. Ndërkaq kriza vazhdon. Të gjithë janë në pritje për hapat e mëtejshëm…

  • Mënyra se si të shëroni muskujt e lënduar

    Mënyra se si të shëroni muskujt e lënduar

    Kur tepër shpejt tendosni muskulin, ndodh lëndimi, d.m.th. pëlcitja e fijeve muskulore.

    Sa më shumë fije të jenë të shkëputura, lëndimi është më serioz. Shkoni te mjeku nëse zona e lënduar është shtangur apo përflakur, apo nëse me rastin e lëvizjeve shkakton dhimbje të madhe. Ndërkohë, ndiqni këtë tabelë kohore të trajnerit të kondicionit, Shon Grosse.

    24 orët e para deri në 48 orë

    Zvogëloni dhembjen dhe ënjtjen me metodën R.I.C.E (Rest=pushim, ice=akull, Compresson = kompresioni, Elevation – elevacioni). Mbështillni fashën elastike përreth vendit të lënduar, aq fort që të bëjë kompresonin pa ngadalësimin e qarkullimit të gjakut. Pastaj ngrini vendin e lënduar mbi lartësinë e trupit dhe pushoni duke shtuar akull në çdo 2–3 orë nga 15-20 minuta derisa jenë të zgjuar.

    Xhelet kundër përflakjes, të cilat përmbajnë ibuprofen gjithashtu mund të ndihmojnë në këtë fazë, mirëpo mos i përdorini më gjatë se 4 ditë, sepse mund të çrregullojnë shërimin e muskujve.

    Pas 3 deri në 4 dite

    Në mënyrë që të pengoni shtangimin dhe dobësimin e zonës së lënduar filloni me lëvizje dhe zgjidhjen. Ndoshta do të ndieni dhembje të butë, mirëpo nuk bën të matet me dhembjen nga lëndimi.

    Një herë apo dy herë në ditë, lëvizja e lehtë e zonës së lënduar në seri prej 10–20 përsëritjeve, gradualisht duke shtuar vëllimin e lëvizjeve në çdo seri vijuese. Gjithashtu lehtë shtrini zonën e lënduar. Provoni 5–10 përsëritje me shtytje nga 10–30 sekonda. Ndjenja nuk është e këndshme, por do të ndihmojë.

    Pas 2 deri në 3 jave

    Shtoni ngarkesën me pesha, përsëritje dhe seri të barabarta 25-50% të ngarkesave të aplikuara para lëndimit. Në çdo të tretin trening shtoni ngarkesën me 10 për qind. Ndërprisni shtimin e ngarkesës nëse ndieni dhembje dhe mos kaloni në nivelin pasues derisa dhembja të pushojë.

    Nëse në këtë fazë të shërimit ende hetoni shtangim apo ënjtje, nëse dhembja çrregullon aktivitetet tuaja të përditshme ose nëse ndiheni jo këndshëm në pjesën e lëndimit, shkoni te mjeku ose fiziatri para se të vazhdoni me cilindo aktivitet.

  • Komunitetet fetare në Shqipëri përfitojnë 203 milionë lekë nga buxheti i shtetit sivjet

    Komunitetet fetare në Shqipëri përfitojnë 203 milionë lekë nga buxheti i shtetit sivjet

    Komunitetet fetare në Shqipëri do të përfitojnë këtë vit një fond prej 203 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, duke shënuar një rritje prej rreth 60 milionë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.

    Pjesa më e madhe e këtij fondi, mbi 57 milionë lekë, i është akorduar Komunitetit Mysliman. Ndërkohë, Kisha Ortodokse Autoqefale dhe Kisha Katolike do të përfitojnë secila nga 48.6 milionë lekë. Për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane është parashikuar një shumë prej 48.35 milionë lekësh.

    Këto fonde përdoren kryesisht për të mbuluar një pjesë të pagave të punonjësve të komuniteteve fetare. Përveç kësaj, për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane janë ndarë edhe 28 milionë lekë shtesë si kontribut për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër.

    Shpërndarja e fondeve bëhet në përpjesëtim me numrin e besimtarëve të secilit komunitet, bazuar në të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023. Sipas këtij censi, mbi 1.1 milionë qytetarë janë deklaruar myslimanë, rreth 202 mijë katolikë, afro 173 mijë ortodoksë dhe pak më pak se 116 mijë bektashinj.

    Ndërkohë, në buxhetin e këtij viti nuk është parashikuar ende një fond i veçantë për projektin e “Parkut të Besimit”. Ky projekt, i cili synon të promovojë bashkëjetesën fetare, mbetet për momentin i pezulluar.

    Parku është planifikuar të ndërtohet në një sipërfaqe prej 210 mijë metrash katrorë pranë luginës së Erzenit dhe pritet të mirëpresë deri në 30 mijë vizitorë në vit. Brenda tij do të ndërtohen ambiente për aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe evente me kapacitet deri në 500 persona. Struktura e parkut do të pasqyrojë simbolet e besimeve të ndryshme fetare, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për komunitetet.

  • Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

    Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

    Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

    Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

    “Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

    “Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

    Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues.

  • Paralajmërimi i ShBA-së për sulme nga Irani, deklarohet Presidenca shqiptare

    Paralajmërimi i ShBA-së për sulme nga Irani, deklarohet Presidenca shqiptare

    Ambasadave e ShBA-së në Tiranë gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se Shqipëria mund të jetë cak i sulmeve nga Irani.

    Lidhur me këtë, mediat dhe opozita ka bërë thirrje që të mblidhet Këshilli i Sigurisë.

    E për këtë ka reaguar sot Presidenca e Shqipërisë, duke dhënë sqarim lidhur me funksionet e këtij organi.

    Zyra e Shtypit e Presidentit thekson se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor në mbështetje të kreut të shtetit, i cili nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

    Në vlerësimin e kreut të shtetit, të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe po ndjekin nga afër situatën. Po ashtu, theksohet se mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë konsiderohet në nivele shumë të larta.

    “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Presidencës për mediat shkruan A2.

    “Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjtha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë. Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta. Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore”, vijon reagimi i Presidencës.

  • KFOR-i kryen stërvitje me helikopterë në Pejë

    KFOR-i kryen stërvitje me helikopterë në Pejë

    Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-Ë)të KFOR-it, zhvilluan stërvitje me helikopterë me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet avionëve dhe trupave tokësore në Camp Villaggio Italia në Pejë.

    KFOR-i, përmes një postimi në Facebook, potencoi se këto aktivitete janë të fokusuara në transportin e personelit, evakuimin mjekësor dhe skenarët emergjent.

    “Personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situative, duke pasqyruar angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

  • Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Flamur Noka godet me shishe uji Taulant Ballën

    Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Flamur Noka godet me shishe uji Taulant Ballën

    Gjatë një seance të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Flamur Noka ka goditur me një shishe uji Taulant Ballën.

    Pas debateve të ashpra ku Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës Flamur Nokës dhe bllokimit të foltores nga deputetët e PD, seanca u ndërpre.

    Gjatë momentit kur u ndërpre senaca, Flamur Noka i rrethuar nga deputetët e tjerë është afruar tek Balla dhe ka goditur me një shishe uji Ballën./TCH

  • Musliu-Shoshi: Deklarata e Kurtit për mediat, presion politik i maskuar si shqetësim etik

    Musliu-Shoshi: Deklarata e Kurtit për mediat, presion politik i maskuar si shqetësim etik

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e ka cilësuar të rrezikshme deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me mediat duke i etiketuar si “argatë të brendshëm”

    Musliu-Shoshi tha se kjo është një përpjekje e Kurtit për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend.

    “Kur Kryeministri flet për “thasë parash”, për “argatë të brendshëm” dhe për “ndikime të fshehta”, pa ofruar asnjë fakt konkret dhe pa ndjekur rrugë institucionale, ai nuk po mbron demokracinë por ai po ndërton një narrativë të rrezikshme kundër mediave. Kjo nuk është transparencë. Ky është presion politik i maskuar si shqetësim etik. Në një demokraci funksionale, akuzat për financime të paligjshme nuk bëhen nga podiumet politike për konsum publik, por adresohen në institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ajo.

    Musliu-Shoshi ka shtuar se demokracia mbrohet duke i lënë mediat të lira edhe kur janë kritike ndaj pushtetit.

    “Si Kryetare e Komisionit për Media, e konsideroj këtë gjuhë të papranueshme dhe potencialisht të dëmshme për klimën demokratike në vend. Mediat nuk mund të vendosen nën hijen e dyshimeve të përgjithësuara, sepse kjo krijon një ambient frike dhe autocensure. Po, transparenca është e domosdoshme. Po, pavarësia duhet të mbrohet. Por ajo nuk mbrohet duke hedhur akuza të paargumentuara ndaj të gjithëve. Ajo mbrohet duke forcuar institucionet, duke respektuar lirinë editoriale dhe duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar narrativën publike”, ka shkruar ajo.