ATV

Blog

  • “Çmimet po rriten, Qeveria spektatore” – Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    “Çmimet po rriten, Qeveria spektatore” – Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme.

    Një kërkesë të tillë e ka bërë LDK-ja, me përkrahje të deputetëve të partive të tjera opozitare, PDK-së dhe AAK-së.

    Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.

    Seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.

    Shefja e deputetëve të LDK-ë, Jehona Lushaku Sadriu ka thënë se është urgjente ndërhyrja e ekzekutivit për rastin e rritjes së çmimeve.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!” ka shkruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, në Facebook.

  • Deputetët e PDK, LDK, AAK thërrasin mbledhje të komisionit për Vlerat e Luftës: Ekspozita ishte devijim i historisë

    Deputetët e PDK, LDK, AAK thërrasin mbledhje të komisionit për Vlerat e Luftës: Ekspozita ishte devijim i historisë

    Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka njoftuar se me deputetë nga LDK e AAK’ja, kanë kërkuar mbledhje të komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    Behrami ka thënë se mbledhja është nesër nga ora 10:00, duke bërë të ditur edhe se, nënshkrues të kërkesës janë Sala Jasahri, Armend Zemaj, Albana Bytyqi, dhe ai vetë.

    Në letrën e deputetëve, thuhet se, Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, dhe se këto zhvillime rrezikojnë të zbehin karakterin çlirimtar të luftës.

    Aty deklarohet edhe për ekspozitën për masakrat në Kosovë, duke thënë se njëjta ka nxitur shqetësim të thellë publik për mënyrën e trajtimit të ngjarjeve të luftës, dhe se, përmbajtja e saj është devijim nga e vërteta historike.

    Postimi:

    Bashkë me kolegë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, përmes një shkrese të përbashkët kemi kërkuar të hënën nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, Fatmire Kollçaku, që urgjentisht të thërrasë mbledhjen e këtij komisioni.

    Nesër në ora 10:00 mblidhet komisioni!

    Në vitet e fundit, Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, përmes interpretimeve që shtrembërojnë ngjarje të rëndësishme dhe krijojnë narrativa që bien ndesh me realitetin e dokumentuar.

    Më poshtë e keni kërkesën e plotë të nënshkruar nga:

    Sala Jasahri,

    Armend Zemaj

    Albana Bytyqi

    Artan Behrami

  • “Kulmi i hipokrizisë”, Deliu i ashpër me Kurtin pas akuzave ndaj mediave: Nxirr emra ose ndalo me këtë lojë të ndytë

    “Kulmi i hipokrizisë”, Deliu i ashpër me Kurtin pas akuzave ndaj mediave: Nxirr emra ose ndalo me këtë lojë të ndytë

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër pas akuzave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit ndaj mediave.

    Deliu i tha Kurtit që nëse ka prova të nxjerr emra, ose të ndalojë siç thotë ajo me këtë fushatë të ndytë.

    Ajo tha se nga buxheti i Kosovës u financua shkelja mbi historinë e Kosovës.

    “I financon nga buxheti i taksapaguesve ata që e shkelin mbi historinë tonë pastaj del si akuzues pa asnjë provë. Ky është kulmi i hipokrizisë. Nëse ke guxim, nxirr emra! Ose ndalu me këtë lojë të ndytë”, ka shkruar Deliu në Facebook.

  • Minatorët ankohen që s’iu doli paga e 13-të, sindikata: Pushteti për vete çdo vit rritje paga e privilegje, ne jemi lënë jashtë

    Minatorët ankohen që s’iu doli paga e 13-të, sindikata: Pushteti për vete çdo vit rritje paga e privilegje, ne jemi lënë jashtë

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës tha se nuk e morën pagën e 13-të sikurse punonjësit tjerë publikë, duke e konsideruar këtë si pjesë e një “padrejtësie sistematike”.

    Sindikata tha se minatorëve nuk iu është rritur paga që nga viti 2016 derisa potencoi punën e vështirë që bëjnë çdo ditë.

    “Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të. As trusti pensional nuk i paguhet. Dhe kur kërkon drejtësi, kur përballet me institucionet, ai nuk gjen mbështetje. Edhe gjykata i kthen shpinën. Padrejtësia vuloset me vendim”.

    Sindikata tha se minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dërmuar nga puna e rëndë dhe se në vend që të gjejë mbështetje, “ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti”.

    “Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi. Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më. Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë. U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetëmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset”.

  • Lejimi i dorëzimit të materialeve pas mbylljes së gjykimit, OVL UÇK: Padrejtësi e radhës nga Specialja

    Lejimi i dorëzimit të materialeve pas mbylljes së gjykimit, OVL UÇK: Padrejtësi e radhës nga Specialja

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pasi që Gjykata Speciale i ka lejuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar dorëzimin e materialeve pas mbylljes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas OVL të UÇK-së, vendimi i fundit i Gjykatës Speciale është një tjetër goditje ndaj parimit të një procesi të drejtë.

    “Pas mbylljes së rastit, lejimi i Prokurorisë për të dorëzuar materiale të reja, duke i quajtur ato “njoftime” e jo “prova” përbën një manovër të rrezikshme procedurale që cenon drejtpërdrejt barazinë e palëve në proces. Në këtë mënyrë, mbrojtjes së bashkëluftëtarëve tonë po i kufizohet mundësia për një përballje të barabartë, duke e shndërruar drejtësinë në një proces të njëanshëm.”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

    Sipas kësaj shoqate, drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi standarde të dyfishta.

  • Endrit Thaçi i shkon për vizitë Përparim Ramës, ia dhuron librin autobiografik të babait

    Endrit Thaçi i shkon për vizitë Përparim Ramës, ia dhuron librin autobiografik të babait

    Endriti, djali i ish-presidentit, Hashim Thaçi i ka shkuar për vizitë kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

    Ai ka falënderuar të parin e kryeqytetit për mbështetjen e vlerave të luftës si dhe njëherësh i ka dhuruar librin autobiografik të babait, “Shtet i ri, burrë shteti modern”.

    “Faleminderit për mikpritjen Përparim Rama”, shkroi ai në rrjetet sociale.

  • Austria refuzon përdorimin e hapësirës ajrore nga SHBA për operacione kundër Iranit

    Austria refuzon përdorimin e hapësirës ajrore nga SHBA për operacione kundër Iranit

    Austria nuk ka lejuar Shtetet e Bashkuara të përdorin hapësirën e saj ajrore për operacione të mundshme kundër Iranit.

    Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili bëri të ditur për agjencinë austriake të lajmeve APA se SHBA kishte paraqitur “shumë” kërkesa për fluturime mbi territorin austriak.

    Sipas autoriteteve në Vjenë, këto kërkesa nuk janë miratuar, duke theksuar qëndrimin e Austrisë në lidhje me përdorimin e hapësirës së saj ajrore në kontekste të ndjeshme ushtarake. /Panorama

  • Enver Hasani sqaron se si i kalojnë kompetencat Haxhiut pasi t’i skadojë mandati Vjosa Osmanit

    Enver Hasani sqaron se si i kalojnë kompetencat Haxhiut pasi t’i skadojë mandati Vjosa Osmanit

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka sqaruar se pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale më 4 prill, përgjegjësitë e shefit të shtetit kalojnë automatikisht te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pa pasur nevojë për vendim apo urdhër formal.

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk ka asnjë dilemë se Neni 90 i Kushtetutës vlen edhe me rastin e përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

    Sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani nuk paraqet situatë të paprecedentë.

    Hasani tha se në rastin konkret bëhet fjalë për një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, një çështje që është sqaruar nga aktgjykimi i vitit 2011 pas largimit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.

    “Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behxhet Pacolli”, ka deklaruar Hasani.

    “Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ngjitet një nivel më lart të ndërtesës së Kuvendit dhe nis ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të shefit të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj, jo më shumë”, ka thënë ai për “Papracin”.

    Në këto rrethana ai thekson nuk nevojitet as votim në Kuvend dhe as ndonjë autorizim nga presidentja në largim.

    Hasani shtoi se kalimi i kompetencave te kryetarja e Kuvendit bëhet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, praktika e njëjtë është ndjekur edhe në rastet e mëhershme, si pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, kur ushtrimin e detyrës e mori kryetarja e Kuvendit, asokohe Vjosa Osmani.

  • “Takim mjaft vëllazëror”, ambasadori Malaj deklarohet pas bisedës me Konjufcën

    “Takim mjaft vëllazëror”, ambasadori Malaj deklarohet pas bisedës me Konjufcën

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, takimin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka përshkruar si “mjaft vëllazëror dhe produktiv”.

    Ambasadori Malaj tha se “gjatë bisedës, u ndalëm në mënyrat dhe mundësitë konkrete për të dinamizuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy ministrive tona të jashtme, si dhe për të forcuar më tej koordinimin dhe bashkëpunimin, në funksion të mbrojtjes sa më efektive të interesave të qytetarëve tanë”.

    Postimi i plotë:

  • ‘‘Thasë parash’’, Musliu: Prokuroria t’i ftojë për intervistim Kurtin e Nagavcin për deklaratat e tyre publike

    ‘‘Thasë parash’’, Musliu: Prokuroria t’i ftojë për intervistim Kurtin e Nagavcin për deklaratat e tyre publike

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj mediave nga ana e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se prokuroria duhet ta ftojë atë për intervistim.

    Musliu ka shtuar se, opinioni duhet ta dijë të vërtetën kur ‘’hidhen akuza për financim të mediave nga burime të ndryshme’’.

    ‘‘Kush janë këto media? Nga kush financohen? Cilat janë provat? Nëse ka fakte, ato duhet të dalin në dritë. Nëse jo, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për deklarata që cenojnë besimin në media dhe në institucionet e vendit’’, ka shtuar ajo mes tjerash.

    Postimi:

    Shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi deklarata të përgjithshme dhe me propagande, por ndërtohet mbi fakte dhe përgjegjësi.

    Prokuroria duhet të veprojë pa hezitim: të ftojë për intervistim Albin Kurtin dhe Arbërie Nagavcin për deklaratat e tyre publike.

    Kur hidhen akuza për financim të mediave nga burime të dyshimta, opinioni publik ka të drejtë dhe duhet ta të dijë të vërtetën.

    Kush janë këto media? Nga kush financohen? Cilat janë provat?

    Nëse ka fakte, ato duhet të dalin në dritë. Nëse jo, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për deklarata që cenojnë besimin në media dhe në institucionet e vendit.

    E vërteta nuk mund të mbetet peng i fjalëve, ajo duhet të mbështetet në prova.