ATV

Blog

  • Kryeziu: Ndërhyrja nga ministrat në fjalën e deputetëve është devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve

    Kryeziu: Ndërhyrja nga ministrat në fjalën e deputetëve është devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve

    Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kyreziu ka thënë se fjala e lirë e deputetëve duhet të mbetet kusht themelor për një demokraci funksionale.

    Duke iu referuar ndërhyrjes së ministres Gërvalla në fjalën e deputetit Haradinaj, Kryeziu ka thënë se këto veprime bien ndesh me rregulloren dhe standardet parlamentare.

    Sipas Kryeziut, ndërhyrja gjatë fjalimit është cenim i drejtpërdrejtë i të drejtës së deputetit për të folur dhe devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve.

    “Kuvendi nuk është pazar ku kushdo ndërhyn, pengon apo etiketon deputetin gjatë fjalës — aq më pak ata që nuk janë deputetë. E drejta e fjalës së deputetit është e garantuar dhe çdo ndërhyrje e ministrave është e kufizuar, procedurale dhe e lidhur drejtpërdrejt me çështjen në diskutim. Ndërhyrjet jashtë këtyre normave, si rasti i Donika Gërvallës ndaj deputetit Ramush Haradinaj, bien ndesh me rregulloren dhe standardet parlamentare. Është cenim i drejtpërdrejtë i të drejtës së deputetit për të folur dhe devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve. Kuvendi zgjedh dhe mbikëqyr qeverinë, jo e kundërta. Ruajtja dhe garantimi i fjalës së deputetit mbetet kusht themelor për një parlament me demokraci funksionale”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.

  • Haradinaj përkujton masakrën në Kralan: Liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre

    Haradinaj përkujton masakrën në Kralan: Liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 3 prillin e vitit 1999, ditën kur në Kralan të Gjakovës, forcat e regjimit të Millosheviqit masakruan 86 shqiptarë të pafajshëm, shumica të rinj, ndërsa 11 prej tyre ishin të mitur.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkroi se liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre dhe se duhet ta ruajmë dhe ta çmojmë, duke kujtuar gjithmonë të rënët.

    “Po atë ditë, me pushkën e lirisë në dorë, ra heroikisht bashkëluftëtari Arton Mehmetaj, dëshmori i tretë nga familja heroike Mehmetaj e Gllogjanit. Përkrah tij, deri në frymën e fundit, ra edhe Halit Coka nga Kukësi. Kujtojmë me nderim bashkëluftëtarët: Visar Myftari, Fehmi Shala, Kujtim Qallakaj, Ilir Hoxha, Mustafë Çekaj, si dhe gjithë dëshmorët e rënë në fillimin e prillit 1999.
    Liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre. Ta ruajmë e ta çmojmë, bashkë me kujtimin për të rënët. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike”, tha i pari i AAK-së.

  • Rusia dhe Kisha Ortodokse Serbe intensifikojnë koordinimin rreth çështjes së Kosovës

    Rusia dhe Kisha Ortodokse Serbe intensifikojnë koordinimin rreth çështjes së Kosovës

    Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan Kharchenko ka zhvilluar një takim me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

    Gjatë takimit u diskutua situata në Kosovë, gjendja aktuale në botën ortodokse, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse Serbe.

    Takimi nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërkishës dhe dialogut për çështjet e fesë dhe kulturës ortodokse.

  • Pas 32 vitesh, gjendet e gjallë vajza e zhdukur në Arizona

    Pas 32 vitesh, gjendet e gjallë vajza e zhdukur në Arizona

    Një vajzë që ishte zhdukur pa gjurmë për 32 vjet në një qytet të vogël të Arizonës është gjetur e gjallë, duke sjellë zgjidhjen e një nga rastet më të vjetra të pazbardhura.

    Christina Marie Plante, tani 44 vjeç, u identifikua këtë javë nga autoritetet, duke i dhënë fund një çështjeje që kishte mbetur e hapur për dekada.

    Ajo ishte parë për herë të fundit në moshën 13-vjeçare, më 15 maj 1994, teksa po largohej nga shtëpia e saj në Star Valley për t’u drejtuar drejt stallës së kuajve. Që nga ajo kohë, ajo “u zhduk pa gjurmë”, shkruan The Sun.

    Zhdukja e saj u konsiderua një rast i rrezikshëm dhe i dyshimtë, duke nxitur një operacion të madh kërkimi nga policia, vullnetarët dhe komuniteti lokal.

    Megjithatë, për vite me radhë nuk u gjet asnjë gjurmë konkrete, dhe rasti u klasifikua si “cold case”. Ai u rihap nga zyra e sherifit të qarkut Gila, e cila, duke përdorur teknologji moderne dhe metoda të reja hetimore, arriti të bëjë një përparim vendimtar.

    Pas më shumë se tri dekadash, autoritetet konfirmuan se Plante është gjendur e gjallë dhe identiteti i saj është verifikuar zyrtarisht. Për arsye privatësie dhe mirëqenieje, detaje të tjera mbi rastin nuk janë bërë publike.

    Autoritetet theksojnë se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e rasteve të tjera të pazgjidhura dhe bëjnë thirrje qytetarëve të ofrojnë çdo informacion të mundshëm. /Telegrafi/

  • Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë i është vazhduar paraburgimi Hashim Thaçit edhe për dy muaj të tjerë në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Në këtë rast, Hashim Thaçi ka të bashkëakuzuar edhe Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

    Gjykatësi i vetëm në këtë rast gjyqësor, Christoph Gosnell konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku real që, në qoftë se lirohet, Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit dhe të kryejë vepra penale të tjera.

    Ditë më parë, mbrojtja e Bashkim Smakajt dhe ajo e Hajredin Kuçit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin prova në rastin në të cilin Smakaj e Kuçi së bashku me Hashim Thaçin, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Të dy këto parashtrime, mbrojtja i kanë dorëzuar ndaras duke njoftuar se nuk kanë ndonjë listë të dëshmitarëve. Ndërsa, mbrojtja e Kuçit ka thënë se e rezervon të drejtën që t’i drejtohet gjyqtarit gjatë fjalëve përfundimtare.

    Ndryshe, nga dy të lartpërmendurit, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se do të paraqesin prova, ndërsa ajo e Fazliut tha se nuk do e bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, Fazliu ka rezervuar të drejtën që përmes mbrojtjes të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse në këtë rast.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Reagon ZRRE: Ishim të pranishëm për raportim, mbledhja dështoi për mungesë kuorumi

    Reagon ZRRE: Ishim të pranishëm për raportim, mbledhja dështoi për mungesë kuorumi

    Bordi i Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj raportimeve mediale se nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke i cilësuar ato si të pasakta.

    Reagimi i ZRRE-së vjen pasi dështoi të mbahet mbledhja e komisionit, e planifikuar për të mërkurën, për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, çka pamundësoi zhvillimin e mbledhjes.

    Sipas ZRRE-së, Bordi kishte konfirmuar pjesëmarrjen në përputhje me ftesën zyrtare dhe ishte i pranishëm fizikisht në Kuvendi i Republikës së Kosovës, i gatshëm për të raportuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me vendimin për tarifat e energjisë elektrike.

    “Megjithatë, mbledhja e Komisionit nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm”, thuhet në reagim.

    Bordi i ZRRE-së ka shprehur keqardhje për, siç thuhet, keqinformimin e opinionit publik nga disa media lidhur me mosprezencën dhe gatishmërinë e tyre për raportim.

  • Jelena dyshohet se kishte qasje në takime të nivelit të lartë në Kosovë, Prokuroria: Dokumente sensitive nga veriu dhe Policia e Kosovës

    Jelena dyshohet se kishte qasje në takime të nivelit të lartë në Kosovë, Prokuroria: Dokumente sensitive nga veriu dhe Policia e Kosovës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, ku Prokuroria Speciale ka paraqitur detaje të reja nga aktakuza.

    Gjatë seancës, prokurori Bekim Kodraliu ka theksuar se e akuzuara, në kohën kur ka qenë e angazhuar në OSCE, dyshohet se ka pasur qasje në informacione dhe takime të nivelit të lartë me përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë.

    Sipas prokurorisë, dokumentet e administruara përfshijnë analiza të brendshme të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit, raportime mbi aktivitetet e Policia e Kosovës, si dhe përmbajtjen e takimeve të nivelit të lartë ku e pandehura dyshohet se ka qenë e pranishme ose ka pasur mundësi të jetë e pranishme.

    “Është e rëndësishme të potencohet se këto dokumente përfshijnë analiza të brendshme të sigurisë, posaçërisht në veri të vendit, raportime për aktivitetet e Policisë së Kosovës, si dhe përmbajtjen e takimeve të nivelit të lartë të përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, ku e pandehura ka mundur të jetë e pranishme,” tha prokurori special i rastit.

  • Ekzekutivi miraton nismën për bashkëpunim ushtarak dhe financiar me Turqinë

    Ekzekutivi miraton nismën për bashkëpunim ushtarak dhe financiar me Turqinë

    Qeveria “Kurti 3” ka miratuar sot në mbledhjen e radhës nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar dhe Ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Nisma përfaqësohet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë.

    Lidhur me këtë fjalën në mbledhje e mori ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili theksoi rëndësinë e nismës për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe të fushës së mbrojtjes.

    “Duke pasur parasysh se aprovimi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm, edhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Republikës së Turqisë, kërkojmë të miratohet”, tha Maqedonci.

  • Muharremi pasi VV-ja nuk shkoi në Komision për tarifat e rrymës: Si po ndihen ata 51% që i kanë votuar?

    Muharremi pasi VV-ja nuk shkoi në Komision për tarifat e rrymës: Si po ndihen ata 51% që i kanë votuar?

    Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar pasi VV-ja nuk shkoi në mbledhjen e Komisionit për traifat e rrymës.

    Postimi:

    Erdhi edhe kjo ditë!

    Deputetët e LVV nuk kanë shkuar në Komisionin për Ekonomi për tarifat e energjisë elektrike, në takimin me ZRRE, për energjinë, njësoret dhe importin me miliarda euro gjatë mandatit të fundit. Gjthashtu ZRRE nuk ka shku ne takim, ndoshta me instrukcionet e LVV-së!

    Këto ditë gjithashtu LVV nuk e votuan propozimin në një komision tjetër për pyetje rreth masave për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset nga kriza e naftës. Këto janë temat më me rëndësi aktualisht për Kosovën.

    Kush është sot LVV?

    Me këto veprime, LVV dhe Qeveria, shumica, po e sabotojnë shtetin, qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

    Si po ndihen sot 51% që i kanë votuar, e që nuk po i përfaqëson LVV kur janë në hall të madh?

  • Rusia nuk ka të ndalur, vazhdon bomardimet në Ukrainë

    Rusia nuk ka të ndalur, vazhdon bomardimet në Ukrainë

    Rusia po zhvillon një seri sulmesh ajrore të vazhdueshme ndaj Ukrainës që nga mbrëmja e së enjtes, njoftoi Forca Ajrore ukrainase të premten, duke shtuar se një numër i madh dronësh armikë ndodhen në hapësirën ajrore të vendit.

    Ky bombardim është hera e dytë këtë javë që Rusia ndjek një valë sulmesh me dronë gjatë natës me sulme të rënda gjatë ditës, një taktikë e re ndërsa Moska po teston mënyra për të depërtuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

    “Ne shohim se armiku po përdor rrugë të reja, dronë të rinj që po i modernizon vazhdimisht dhe taktika të reja,” tha zëdhënësi i forcave ajrore, Yurii Ihnat, në televizionin shtetëror.

    Ai shtoi se Rusia ka lëshuar më shumë se 400 dronë me rreze të gjatë veprimi në 24 orët e fundit, si dhe dhjetë raketa balistike që kanë goditur kryesisht zonat pranë vijës së frontit.

    Sipas Ihnat, ky bombardim është i ngjashëm me një sulm të ndodhur të martën, i cili vrau të paktën katër persona. Atëherë, një valë prej mbi 300 dronësh gjatë natës u pasua nga një tjetër sulm i madh gjatë ditës.

    Bombardimet në shkallë të gjerë nga Rusia shkaktojnë ndërprerje në të gjithë Ukrainën, pasi shumë institucione shtetërore, shërbime të transportit publik dhe biznese mbyllen gjatë sulmeve, të cilat mund të zgjasin për shumë orë.

    “Armiku po ushtron presion mbi popullsinë tonë, duke paralizuar punën e disa institucioneve publike, si dhe të institucioneve arsimore,” tha Ihnat.

    Në rajonin lindor të Kharkivit, një person u vra dhe 25 të tjerë u plagosën nga sulmet me raketa, bomba dhe dronë gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi guvernatori Oleh Synehubov në rrjetet sociale.

    Këto përfshinin edhe katër raketa balistike që goditën kryeqytetin rajonal, po ashtu të quajtur Kharkiv, gjatë natës. Autoritetet raportuan vetëm një të plagosur nga ky sulm. /a2cnn