ATV

Blog

  • FBK shtyn afatin e licencimit të klubeve deri më 26 gusht

    FBK shtyn afatin e licencimit të klubeve deri më 26 gusht

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur të shtyjë afatin për përfundimin e procesit të licencimit të klubeve për edicionin garues 2026/27.

    Afati i ri për përfundimin e këtij procesi është 26 gushti, ndërsa FBK ka bërë të ditur se kjo është data përfundimtare dhe nuk do të ketë shtyrje të tjera.

    Vendimi është marrë pasi vetëm një numër i kufizuar i klubeve kanë arritur të përmbushin dhe dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar gjatë afatit të rregullt të licencimit, i cili ishte nga 5 deri më 14 gusht.

    Klubet që nuk i përmbushin kriteret dhe nuk e kompletojnë dokumentacionin deri më 26 gusht do të trajtohen në përputhje me Rregulloren për Licencimin e Klubeve. Sipas FBK-së, klubet që nuk pajisen me licencë nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në garat e basketbollit.

    Ndërkohë, Bordi i FBK-së ka vendosur të shtyjë edhe afatin kalimtar veror në të gjitha garat deri më 28 gusht.

    Kjo shtyrje do t’u mundësojë klubeve që, pas përfundimit të procesit të licencimit, të përfundojnë procedurat për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve.

    Klubet janë të obliguara që të gjitha procedurat për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve t’i përfundojnë brenda afatit të ri, më 28 gusht.

  • Lionel Messi nën hetim nga MLS pas përplasjes me Quinn Sullivan

    Lionel Messi nën hetim nga MLS pas përplasjes me Quinn Sullivan

    Lionel Messi është vënë nën hetim nga Komiteti Disiplinor i Major League Soccer (MLS) pas një incidenti me Quinn Sullivan gjatë ndeshjes mes Inter Miamit dhe Philadelphia Union, e cila përfundoi në barazim 2-2.

    Kapiteni i Inter Miamit mund të përballet me masa disiplinore pasi pamjet televizive e tregojnë duke goditur me shuplakë Sullivanin në pjesën e pasme të kokës gjatë një përplasjeje mes dy lojtarëve.

    Ndeshja ishte e tensionuar, veçanërisht në pjesën e dytë. Messi kishte shënuar më herët në takim, ndërsa Inter Miami po kërkonte të rikthente epërsinë kur situata mes tij dhe Sullivanit u përshkallëzua.

    Tensionet u shtuan edhe më shumë pasi Philadelphia Union arriti të barazojë rezultatin. Ndërkohë, Cavan Sullivan, vëllai më i vogël i Quinn, u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me Yannick Bright.

    Incidenti mes Messit dhe Quinn Sullivan nuk u ndëshkua gjatë ndeshjes nga gjyqtari. Megjithatë, pamjet e përplasjes u bënë virale në rrjetet sociale, duke bërë që Komiteti Disiplinor i MLS-së të nisë shqyrtimin e rastit.

    Komiteti do të analizojë pamjet dhe do të vendosë nëse sjellja e Messit meriton ndonjë masë disiplinore. Nëse incidenti cilësohet si sjellje e dhunshme, argjentinasi mund të përballet me gjobë ose edhe me një ndeshje pezullim.

  • Barcelona arrin marrëveshje personale me Lautaro Martínez, tani nis bisedimet me Interin

    Barcelona arrin marrëveshje personale me Lautaro Martínez, tani nis bisedimet me Interin

    Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm në përpjekjen për të transferuar sulmuesin e Interit, Lautaro Martínez. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, klubi katalanas ka arritur një marrëveshje paraprake me përfaqësuesit e sulmuesit argjentinas për kushtet personale të një kontrate të mundshme.

     

    Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, së bashku me Bojan Krkić, kanë zhvilluar takime me stafin e Lautaros dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për aspektet financiare të marrëveshjes.

     

    Pas këtij hapi, Barcelona pritet të përqendrohet te negociatat me Interin. Klubi italian nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga kapiteni i tij, i cili ka kontratë deri në vitin 2029 dhe mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës zikaltër.

     

    Megjithatë, një ofertë e konsiderueshme mund të ndryshojë situatën. Barcelona po përgatit një propozim fillestar që pritet të jetë nën shifrën 100 milionë euro, ndërsa Interi do të vlerësojë çdo ofertë që do të mbërrijë për sulmuesin argjentinas.

     

    Lautaro Martínez është identifikuar nga drejtuesit katalanas si objektivi kryesor për repartin ofensiv, pasi klubi ka hequr dorë nga gara për sulmuesin e Atletico Madridit, Julián Álvarez.

     

    Tashmë mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të arrijë të bindë Interin për të lënë të lirë “El Toron” dhe për ta sjellë atë në Camp Nou.

  • Presidentja sllovene nën akuzat për lidhje me rrjetet ruse, kërkohet t’i hiqet qasja në informacionet sekrete

    Presidentja sllovene nën akuzat për lidhje me rrjetet ruse, kërkohet t’i hiqet qasja në informacionet sekrete

    Një skandal ka shpërthyer në Slloveni, pasi presidentja Natasha Pirc Musar është përfshirë në një debat të fortë mbi lidhjet e dyshuara me persona me të kaluar të lidhur me inteligjencën ruse.

    Çështja doli në pah pas një aksidenti automobilistik më 31 korrik, në të cilin u përfshi makina zyrtare e presidentes. Mes personave që udhëtonin me të ishte Viktorija Krivolucka, një mike e vjetër e Pirc Musar me origjinë ruse. Presidentja u shtrua në spital pas aksidentit, ku pësoi frakturë të klavikulës.

    Krivolucka është lidhur nga mediat sllovene me Roman Jegliq, një ish-zyrtar të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet ’90. Sipas raportimeve, Krivolucka ka konfirmuar se kishte jetuar me Jeglič në Rusi për disa vite, por ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte me të prej rreth 15 vitesh.

    Kërkohet t’i ndalohet qasja në informacionet sekrete

    Skandali ka marrë përmasa politike pasi deputeti i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Žan Mahnič, i ka kërkuar qeverisë të ndalojë furnizimin e presidentes dhe zyrës së saj me raporte të inteligjencës dhe sigurisë.

    Mahnič argumenton se dyshimet për lidhje me rrjete ruse kërkojnë një vlerësim të plotë të kundërzbulimit dhe mbrojtjes së informacionit të klasifikuar. Komisioni parlamentar i sigurisë ka kërkuar gjithashtu sqarime nga shërbimet kompetente për ndikimin e mundshëm rus në rrethin e presidentes.

    Presidenca ka deklaruar se presidentja nuk bashkëpunon me rrjetet e inteligjencës ruse dhe ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet që e lidhin atë drejtpërdrejt me Roman Jeglič. Sipas zyrës së presidentes, Pirc Musar nuk e ka takuar dhe nuk e njeh personalisht ish-zyrtarin e inteligjencës.

    Edhe Krivolucka ka mohuar lidhjet aktuale me inteligjencën ruse, duke deklaruar se nuk ka pasur kontakte me Jeglič për shumë vite. Deri tani, nuk është bërë publike ndonjë provë që tregon se ajo ka bashkëpunuar me shërbimet ruse. /Ballkanweb

  • Vjedhje e rëndë në Leshak, vidhen para dhe stoli ari

    Vjedhje e rëndë në Leshak, vidhen para dhe stoli ari

    Një vjedhje e rëndë është raportuar në fshatin Borovë të Leshakut, ku persona të dyshuar të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë para të gatshme dhe stoli ari.

    Sipas raportimit, rasti ka ndodhur të enjten.

    Policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Për momentin, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me vlerën e dëmit.

    Rasti është duke u hetuar.

  • Kanosi dhe mbajti me forcë një grua në banesë, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Kanosi dhe mbajti me forcë një grua në banesë, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Një shtetas i Serbisë është arrestuar në Gjilan, pasi dyshohet se ka kanosur dhe përdorur forcë fizike ndaj një gruaje, po ashtu shtetase e Serbisë.

    Sipas policisë, viktima ishte mbajtur pa dëshirën e saj në banesën e të dyshuarit, ndërkohë që thuhet se ajo ka pranuar trajtim mjekësor.

    Tutje Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Inspektorati i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në disa komuna të vendit

    Inspektorati i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në disa komuna të vendit

    Inspektorati Qendror i Punës pas kontrolleve të kryera në 12 vendpunishte në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren dhe Ferizaj ka vendosur për ndalimin e punimeve pas tha se gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    “Për këtë arsye, IQP ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 12 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë. Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve. Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë”, tha Inspektorati në njoftim.

    Inspektorati Qendror i Punës u zotua se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

  • Vdekja e punëtorit në KEK, Jashari: Kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda

    Vdekja e punëtorit në KEK, Jashari: Kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda

    Një punëtor 32-vjeçar i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën të mërkurën, më 20 gusht, në vendin e punës, pasi dyshohet se ka pasur kontakt me një kabllo elektrike.

    Ky është rasti i katërt me fatalitet që raportohet brenda këtij viti në KEK, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, ndërsa ka ngritur shqetësime për kushtet e sigurisë në vendet e punës në këtë korporatë.

    “Po fillimisht e ndjejmë obligim ti shprehim ngushëllime familjes së kolegut tonë Arbenit Ahmetit i cili gjeti vdekjen fatkeqësisht në vendin e tij të punës në një kontakt me një kabëll elektrike, ka pësu një aksident që ka qenë fatale për jetën e tij. Ne i shprehim ngushëllime familjes, shokëve dhe gjithë dashamirëve që e kanë njohur, një djalë të sjellshëm, një djalë punëtor dhe një djalë i dalluar në mesin tonë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Për rastin se si ka ndodhur aty në vendngjarje është duke u marrë policia dhe organet e hetuesisë, forenzika e të tjera të cilat janë duke u marrë me shkaqet e aksidentit”, tha ai.

    Jashari tha se kushtet e punës në KEK janë të rënda dhe se, sipas tij, ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse për punëtorët.

    “Për kushtet e punës të them me të vërtetë mund të themi se në Korporatën Energjetike të Kosovës kushtet janë jashtëzakonisht të rënda, kemi mungesë të disa pajisjeve mbrojtëse, si nga aspect e pajisjeve elektrike, makinerike dhe nga ana e xetarisë, kështu që natyra e punës në KEK është jashtëzakonisht e vështirë, jashtëzakonisht është e rëndë, kështu që ne i bëjmë apel menaxhmentit, bordit që të merren me përmirësimin e këtyre kushteve, me përmirësimin e gjendjes së vendeve të punës dhe sigurinë në përgjithësi të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës”, tha ai

    Ai tha se përveç rasteve me fatalitet, sindikata ka shqetësime edhe për sëmundjet që, sipas dyshimeve të tyre, mund të lidhen me kushtet e punës në KEK.

    “Fatkeqësisht i kemi pas këto humbje të kolegëve tanë me aksidente fatale për jetën e tyre, mirëpo kemi edhe vdekje të cilat mirren sëmundjet në vendet e punës që ne dyshojmë për shkak të gazrave të ndryshme, për shkak pluhurit, për shkak zhurmës, për shkak dridhjeve, për shkak natyrës së punës që është e rëndë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ne kemi bo shkresa dhe kemi bo kërkesa të vazhdueshme menaxhmentit dhe bordit që të përmirësohen kushtet e punëtorëve, përmirësohet siguria e tyre në vendet e punës”, tha ai.

    Jashari kritikoi qasjen që, sipas tij, institucionet dhe menaxhmenti ndërmarrin masa vetëm pasi të ndodhin aksidentet, duke kërkuar që problemet e sigurisë të adresohen paraprakisht.

    “Fatkeqësisht është bë si praktikë, si traditë jo e mirë që vetëm pasi të ndodhë aksidenti, vetëm pasi të ndodhin rastet të mirremi na me to. Duhet njëherë e përgjithmonë që ne të mirremi dhe t’i evitojmë problemet para se të ndodhin. Kur të ndodhin është gjithçka e vonë sepse jeta e njeriut ma nuk kthehet mbrapa”, tha ai.

    Vetëm gjatë vitit 2026, katër punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

  • Kanosje me armë zjarri në Kaçanik, arrestohet një 16-vjeçar

    Kanosje me armë zjarri në Kaçanik, arrestohet një 16-vjeçar

    Një 16-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se gjatë një mosmarrëveshjeje në fshatin Doganaj ka kanosur një person me armë zjarri.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar dy të dyshuar. Gjatë kontrollit, jashtë një shtëpie, në një hapësirë me barishte, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri (pistoletë) pa fishekë.

    Pas intervistimit të personave të dyshuar, i dyshuari B.C, 16 vjeç është ndaluar për 24 orë, ndërsa i dyshuari tjetër madhor është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti është iniciuar për veprat penale “Sulmi”, “Kanosja me armë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Sveçla: Arsenali i armëve u gjet pranë varrezave masive në Zubin-Potok

    Sveçla: Arsenali i armëve u gjet pranë varrezave masive në Zubin-Potok

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se arsenali i armëve i prezantuar nga Policia e Kosovës është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin-Potok.

    Në konferencën për media, Sveçla ka deklaruar se armët, municionet dhe pajisjet ushtarake janë gjetur në afërsi të zonave ku janë zbuluar mbetjet mortore të 23 personave.

    “Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve… u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.