ATV

Blog

  • Ekstradohet në Shqipëri një kosovar i kërkuar nga Interpoli

    Ekstradohet në Shqipëri një kosovar i kërkuar nga Interpoli

    Një shtetas i Kosovës, i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet e Shqipërisë për veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, është ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë.

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 21 gusht 2026, përmes pikës kufitare në Vërmicë, ka bërë ekstradimin e një shtetasi të Kosovës nga Republika e Kosovës për në Shqipëri.

    I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë, për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’.

    Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

  • Zbulohet shorti i edicionit të ri 2026/27, java e parë sjell përballje interesante

    Zbulohet shorti i edicionit të ri 2026/27, java e parë sjell përballje interesante

    Është mësuar shorti për edicionin e ri 2026/27, i cili do të nisë më 19 shtator 2026.

    Java e parë e kampionatit do të sjellë disa përballje interesante, ku vëmendjen më të madhe e marrin duelet mes skuadrave të njohura të basketbollit kosovar.

    Në ndeshjet hapëse të sezonit do të përballen:

    • Rahoveci 029 – Trepça
    • Bashkimi – Golden Eagle Ylli
    • Bora – Vëllaznimi
    • Sigal Prishtina – Peja

    Skuadrat tashmë kanë mësuar kundërshtarët e parë të sezonit të ri, ndërsa gara pritet të jetë e fortë me synimin për titullin kampion dhe pozitat sa më të larta në tabelë.

  • Feronikeli 74 zyrtarizon transferimin e portierit Agron Kolaj

    Feronikeli 74 zyrtarizon transferimin e portierit Agron Kolaj

    Feronikeli 74 ka vazhduar përforcimin e skuadrës para sezonit të ri, duke zyrtarizuar transferimin e portierit Agron Kolaj.

    Skuadra nga Drenasi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me gardianin, i cili i bashkohet klubit pas aventurave te Besa e Pejës, Llapi, FC Prishtina dhe SC Gjilani.

    Kolaj ka qenë gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U21, ndërsa tashmë do të jetë pjesë e projektit të Feronikelit 74.

    “Mirë se erdhe në familjen tonë, Agron! Të urojmë shumë suksese me fanellën e FC Feronikeli 74”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

    Me këtë transferim, Feronikeli synon të rrisë konkurrencën në repartin e portierëve dhe të ndërtojë një skuadër sa më të kompletuar për edicionin e ri.

  • Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

    Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

    Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar të pandehurin N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter të tipit “NAS”.

    Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, atij i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale. Më pas është kontrolluar edhe një vilë e një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e marihuanës.

    Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1.063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë në disa qese.

    Po ashtu, janë sekuestruar një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike, për të cilat ekziston dyshimi se kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.

    Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorit dhe shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka caktuar ndaj N.B. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

  • Manchester City synon transferimin e Frenkie de Jong

    Manchester City synon transferimin e Frenkie de Jong

    Manchester City ka identifikuar mesfushorin e Barcelonës, Frenkie de Jong, si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e skuadrës para mbylljes së afatit kalimtar.

    Mesfushori holandez, 29-vjeçar, është një profil që prej kohësh pëlqehet nga drejtuesit e klubit anglez. Me nevojën për të shtuar alternativat në mesfushë, City ka bërë transferimin e një lojtari në këtë repart një nga prioritetet kryesore të ditëve të fundit të afatit.

    Drejtuesit e Manchester Cityt kanë përshpejtuar aktivitetin në merkato pas disa ndryshimeve të rëndësishme në skuadër. Klubi ka arkëtuar rreth 70 milionë euro nga shitja e Rodrit te Barcelona, ndërsa Tijjani Reijnders është transferuar në Arabinë Saudite për rreth 61 milionë euro.

    Ndërkohë, Bernardo Silva është larguar si lojtar i lirë drejt Real Madridit, ndërsa City është në negociata të avancuara me Newcastle për Nico González.

    Në këtë situatë, Frenkie de Jong shihet si një alternativë e rëndësishme për mesfushën e Pep Guardiolës. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të jetë e gatshme të negociojë për një nga lojtarët e saj kryesorë dhe nëse City do të arrijë të finalizojë një marrëveshje para mbylljes së afatit kalimtar.

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vendosur rregulla të reja për sjelljen dhe sigurinë në institucionet korrektuese, ndërsa janë përcaktuar edhe kritere më të qarta për shfrytëzimin e pushimeve jashtë burgut.

    Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, ka nënshkruar Kodin e Mirësjelljes së personave të burgosur dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues.

    Kodi përcakton standardet që duhet të respektojnë të dënuarit dhe të paraburgosurit gjatë qëndrimit në institucion, duke përfshirë respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin, shmangien e dhunës dhe kërcënimeve, si dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të personave të tjerë.

    Ndërkohë, pushimet jashtë institucionit do të vlerësohen në mënyrë individuale dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe nivelin e rrezikut.

    Në vlerësim do të përfshihen vepra penale për të cilën personi është dënuar, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.

    Gjithashtu, do të shqyrtohet historiku i tentimeve për arratisje, rrethanat familjare dhe mbështetja që personi i dënuar ka jashtë institucionit.

    Vlerësimi do të kryhet nga një ekip multidisiplinar, i cili pas shqyrtimit të kritereve dhe intervistimit të personit të dënuar do t’i rekomandojë drejtorit të institucionit aprovimin ose refuzimin e kërkesës.

    Vendimi përfundimtar do të merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.

    Sipas SHKK-së, këto masa synojnë forcimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës, krahas rehabilitimit dhe përgatitjes së të dënuarve për riintegrim në shoqëri.

  • Kosova triumfon ndaj Algjerisë në Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’

    Kosova triumfon ndaj Algjerisë në Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’

    Kombëtarja e Kosovës në volejboll për vajza ka regjistruar fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

    “Dardanet” kanë mposhtur Algjerinë me rezultat të pastër 3-0, në ndeshjen e dytë të Grupit B.

    Kosova e nisi takimin në mënyrë të shkëlqyeshme, duke fituar setin e parë me rezultat 25-19. Dominimi i vajzave kosovare vazhdoi edhe në setin e dytë, ku ato nuk i dhanë shumë hapësirë kundërshtares dhe triumfuan bindshëm 25-10.

    Në setin e tretë, Kosova vazhdoi me paraqitje të sigurt dhe e mbylli ndeshjen me rezultat 25-14, duke siguruar fitoren e parë në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare.

    Kjo ishte ndeshja e dytë e Kosovës në Grupin B. Në debutim, “Dardanet” ishin mposhtur nga Greqia me rezultat 0-3.

    Në Grupin B, përveç Kosovës dhe Algjerisë, bëjnë pjesë edhe Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

  • Premier League 2026/27 nis me ndryshime të rëndësishme në rregulla

    Premier League 2026/27 nis me ndryshime të rëndësishme në rregulla

    Sezoni i ri i Premier League, 2026/27, nis sot (e premte) me përballjen mes kampionit në fuqi, Arsenalit, dhe Coventry City, e cila zhvillohet nga ora 21:00. Edicioni i ri sjell edhe një sërë ndryshimesh të rëndësishme në rregullat e lojës.

    Masat e reja synojnë të përshpejtojnë ritmin e ndeshjeve dhe të vendosin ndëshkime më të rrepta për vonesat, ndërsa ndryshimet prekin ndërprerjet e lojës, trajtimin e lëndimeve, zëvendësimet dhe përdorimin e VAR-it.

    Ndryshe nga Kupa e Botës 2026, Premier League nuk do të aplikojë rregullin që parashikon ndëshkimin e lojtarëve për mbulimin e gojës me duar gjatë komunikimit. Gjithashtu, nuk do të ketë pushime të detyrueshme për hidratim.

    Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda për të kryer një rivënie anësore ose për ta rikthyer topin në lojë.

    Nëse gjyqtari vlerëson se lojtari po vonon qëllimisht, do të nisë një numërim mbrapsht prej pesë sekondash. Në rast se afati përfundon, kundërshtari do të fitojë zotërimin e topit, ndërsa në situatat kur topi duhet të rikthehet në lojë nga portieri, mund të akordohet goditje nga këndi.

    Një lojtar që merr trajtim për një dëmtim në fushë dhe shkakton ndërprerjen e lojës do të duhet të qëndrojë jashtë saj për një minutë, në vend të 30 sekondave sa ishte më parë.

    Megjithatë, do të ketë përjashtime. Për shembull, rregulli nuk do të zbatohet nëse dëmtimi është shkaktuar nga një faull për të cilin kundërshtari është ndëshkuar me karton të verdhë.

    Nëse një portier rrëzohet dhe shkakton një ndërprerje të lojës që gjykohet se është përdorur nga skuadra si një lloj pushimi taktik, trajneri do të duhet të zgjedhë një lojtar nga ekipi i tij për të lënë fushën për një minutë.

    Procesi i zëvendësimit duhet të përfundojë brenda maksimumi 10 sekondave.

    Nëse lojtari që po largohet nga fusha vonon në mënyrë të tepruar, zëvendësuesi nuk do të lejohet të hyjë menjëherë dhe skuadra do të duhet të luajë me një lojtar më pak për një minutë.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me VAR-in. Për herë të parë, teknologjia do të mund të ndërhyjë në raste që lidhen me kartonin e dytë të verdhë.

    VAR-i mund të përdoret nëse kartoni i dytë i verdhë është dhënë për një gabim të qartë, për shembull kur nuk ka pasur fare faull. Megjithatë, VAR-i nuk mund t’i kërkojë gjyqtarit t’i japë një lojtari kartonin e dytë të verdhë nëse arbitri nuk e ka ndëshkuar fare me të.

    Gjithashtu, VAR-i do të ketë mundësi të ndërhyjë në rastet kur një faull në sulm ka ndodhur para një ndërprerjeje dhe aksioni pasues përfundon me gol, penallti ose një masë tjetër disiplinore.

    Me këto ndryshime, Premier League synon të reduktojë vonesat dhe ndërprerjet e panevojshme, duke e bërë lojën më të shpejtë dhe më dinamike.

  • Rriten çmimet e derivateve të naftës

    Rriten çmimet e derivateve të naftës

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivative për ditën e sotme.

    Sipas MINT-it një litër naftë sot do të shitet 1.79 euro, një litër benzinë 1.52 euro dhe një litër gaz 0.62 euro.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Kufizim i qarkullimit për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë gjatë ditës së sotme

    Kufizim i qarkullimit për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë gjatë ditës së sotme

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot, më 21 gusht 2026, do të aplikohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    Vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta të parashikuara gjatë ditës.

    Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30 në autoudhë, pasi temperaturat pritet të kalojnë 32 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të rënda do të lejohet pa kufizime.

    Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimet emergjente dhe institucionet shëndetësore.

    MIT u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.