ATV

Blog

  • Aleanca dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, Tahiri: Nuk guxon ta shkelë ligjin

    Aleanca dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, Tahiri: Nuk guxon ta shkelë ligjin

    Aleanca ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për siç thonë ata lidhur me vendimet antikushtetuese të Qeverisë në detyrë, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i kësaj partie Besnik Tahiri ka bërë të ditur se Aleanca ka deponuar kallëzimin penal ndaj Qeverisë në detyrë, respektivisht kryeministrit në detyrë, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht.

    “Sot, Aleanca ka deponuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç edhe e ka paralajmëruar në tri konferenca rresht me radhë, një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht kryeministrin në detyrë, për shkak se në datën 12 gusht të këtij viti, ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe të juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, janë vendime që bien ndesh me ligjin dhe me të gjitha rregulloret që i ka një qeveri”, tha Tahiri.

    Ai tha se Qeveria në detyrë nuk është qeveri e votuar dhe se, sipas tij, ligji e ndalon marrjen e vendimeve që lidhen me 17 vendime të miratuara në mbledhjen e Qeverisë.

    “Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë për shkak se nuk është qeveri e votuar. Ajo e ka të ndaluar me ligjin për qeveri me marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive, në agjencione qeveritare, mirëpo në një rast edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm”, tha ai.

    Tahiri theksoi se Qeveria në detyrë, sipas tij, nuk guxon të shkelë Ligjin për Qeverinë dhe se kompetencat e saj janë të kufizuara.

    “Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, ligjin për qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne me ta. Për shkak se është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara dhe rrjedhimisht me marrjen e këtyre vendimeve e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues të detyrës”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se në kallëzimin penal është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.

    “Po ashtu, ajo që theksojmë si Aleancë në këtë kallëzim penal është se një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive për shkak se kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, kjo po ashtu është e sanksionuar edhe me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme, i cili vendim është po ashtu i elaboruar në kallëzimin tonë penal”, tha ai.

    “Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.

  • Deliu-Kodra: Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë njësoj

    Deliu-Kodra: Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë njësoj

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se 16 shtatori po afrohet dhe se me afrimin e kësaj date ndihet gjithnjë e më shumë pesha e saj.

    Ajo ka thënë se në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se barrën kryesore të këtij procesi prej vitesh e kanë bartur familjet e tyre.

    Sipas Deliu-Kodrës, procesi ka prekur edhe bashkëluftëtarët, PDK-në dhe shoqërinë në Kosovë.

    “Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj”, ka deklaruar ajo.

    Deliu-Kodra ka vlerësuar se Kosova po i afrohet këtij momenti të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe në një krizë të vazhdueshme politike.

    Ajo ka kërkuar që në një periudhë të tillë shteti të ketë institucione funksionale, përgjegjësi dhe maturi, si dhe një zë institucional që, sipas saj, ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet.

    Postimi i saj i plotë:

    “Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta”, ka thënë Deliu-Kodra.16 shtatori po afrohet dhe, sa më shumë afrohet, aq më shumë e ndiejmë peshën e asaj date.

    Në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej vitesh, barrën më të rëndë të këtij procesi e kanë bartur familjet e tyre, por ai ka prekur edhe shumë më gjerë: bashkëluftëtarët, PDK-në dhe gjithë Kosovën.

    Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj. Kosova po shkon drejt një momenti kaq të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe me një krizë politike që po vazhdon.

    Në ditë të tilla, shteti duhet të jetë aty. Duhet të ketë institucione që funksionojnë, përgjegjësi, maturi dhe një zë që e përfaqëson Kosovën me dinjitet.

    Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta.

    Prandaj kemi nevojë për institucione. Jo nesër. Sot.

  • Hapet konkursi për rekrutimin e stafit për fabrikën e municioneve në Gjakovë

    Hapet konkursi për rekrutimin e stafit për fabrikën e municioneve në Gjakovë

    Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e personelit profesional, teknik dhe mbështetës që do të angazhohet në Kompleksin për Prodhimin e Municioneve në Jahoc të Gjakovës.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se ky konkurs përfshin fusha të ndryshme, si: inxhinieri, teknikë, prodhim, mirëmbajtje, kontroll i cilësisë, siguri, logjistikë, si dhe fusha të tjera të nevojshme për funksionimin e kompleksit.

    “Përzgjedhja e aplikantëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës, meritokracisë dhe profesionalizmit. Aplikantët e përzgjedhur, para se të angazhohen në detyrë, do të ndjekin trajnimet e nevojshme profesionale. Hapja e këtij konkursi shënon një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore për industrinë e mbrojtjes”.

    Tutje në njoftim thuhet se ftohen të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.

    “Afati për aplikim është nga data 24–30 gusht 2026”.

    Aplikimi realizohet duke klikuar në linkun: https://konkursi.rks-gov.net/jobs?servant=4…

     

     

  • Aktakuzë ndaj 21 serbëve për krimet në Reçak – Prokuroria pretendon se u vranë 42 civilë dhe u dëbuan rreth 20 mijë persona

    Aktakuzë ndaj 21 serbëve për krimet në Reçak – Prokuroria pretendon se u vranë 42 civilë dhe u dëbuan rreth 20 mijë persona

    Prishtinë – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, të cilët i akuzon për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Reçak, më 15 janar 1999.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit, si pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se në bashkëkryerje morën pjesë në një operacion gjatë të cilit u vranë 42 civilë të Reçakut.

    Sipas Prokurorisë, operacioni nisi rreth orës 06:00, me granatimin e fshatit nga pozicionet “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpumës”. Më pas, forcat serbe dyshohet se hynë në fshat me automjete të blinduara dhe nisën kontrollimin e shtëpive.

    Në aktakuzë përshkruhen edhe raste konkrete të vrasjeve. Sipas Prokurorisë, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashit u vra Banush Kameri, ndërsa pretendohet se më pas atij iu pre koka.

    Në vendin e quajtur “Vrella”, sipas aktakuzës, u vranë Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së tij u vranë Ahmet Mustafa dhe fqinji i tij, Hajriz Jakupi.

    Prokuroria përshkruan edhe vrasjen e Skender Halilit dhe Hanumshahe Mujotës, ndërsa gjatë largimit të disa civilëve drejt malit, pretendohet se policia serbe hapi zjarr ndaj tyre, duke vrarë Halim, Riza dhe Zenel Beqirin. Në këtë rast, sipas aktakuzës, u plagosën Aziz, Zuhra dhe Fetije Beqiri.

    Operacioni, sipas Prokurorisë, vazhdoi edhe në lagjen “Emini”, ku Ismet Emini u plagos në këmbë, ndërsa vëllai i tij, Ajet Emini, u vra.

    Në aktakuzë pretendohet se gjatë operacionit në Reçak civilët u vranë, u keqtrajtuan dhe u torturuan, ndërsa u shkatërruan prona dhe u dëbuan banorët shqiptarë. Sipas Prokurorisë, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth u dëbuan.

    Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa ndaj 21 të pandehurve është kërkuar zhvillimi i procedurës në mungesë.

    Të gjitha të dhënat për vrasjet dhe veprimet e të pandehurve janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë. Fajësia e tyre duhet të vërtetohet përmes një vendimi gjyqësor.

  • Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se komuna ka përfituar 1,010,000 euro në kuadër të marrëveshjes për grantin për financimin e programeve të banimit.

    Nga kjo shumë, 625 mijë euro janë të dedikuara për renovimin e shtëpive private të familjeve të cenueshme, ndërsa 385 mijë euro për rindërtimin e shtëpive private për këto familje.

    Prebreza ka theksuar se ky financim përtej investimit në infrastrukturë synon të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës, sigurisë dhe mirëqenies së familjeve përfituese.

    Sipas tij, Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdojë të punojë që mbështetja institucionale të orientohet te familjet që kanë më së shumti nevojë, duke synuar krijimin e kushteve të denja të banimit.

  • Taylor Swift tregon si përballet me kritikët: Më pëlqen t’ua kthej talljen

    Taylor Swift tregon si përballet me kritikët: Më pëlqen t’ua kthej talljen

    Taylor Swift ka folur hapur për presionin e famës dhe mënyrën se si përballet me kritikat.

    Gjatë një bisede retrospektive në “The Icon Sessions”, këngëtarja pranoi se ndonjëherë argëtohet duke iu kundërpërgjigjur atyre që e kritikojnë.

    “Kur njerëzit më tallin, është vërtet argëtuese t’ua kthej edhe unë talljen”, u shpreh Swift, duke shtuar me humor se ndonjëherë përdor fjalë që kritikët duhet t’i kërkojnë për t’i kuptuar.

    36-vjeçarja tregoi se ndër vite ka zhvilluar mënyra të ndryshme për të përballuar presionin e famës. “Ti e zgjodhe këtë. Ti e zgjodhe këtë çdo ditë”, tha ajo, duke iu kujtuar vetes se kishte mundësinë të hiqte dorë përpara se fama të bëhej e pakontrollueshme.

    Megjithatë, Swift theksoi se dashuria për muzikën është arsyeja që vazhdon.

    “Vendosa të mos e bëj sepse e dua shumë. Dhe aty fillon dhe aty mbaron”, tha ajo, duke shtuar se gjithçka që vjen bashkë me famën ia vlen për sa kohë që mund të vazhdojë të krijojë muzikë.

    Gjatë eventit, këngëtarja surprizoi gjithashtu fansat me një performancë ku këndoi disa prej hiteve të saj, mes tyre “August” dhe “All Too Well”. /Telegrafi/

  • OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    “Është thirr një prtoestë nga “Liria ka Emër” më 12 shtator ku ne si OVL u bëjmë ftesë të gjtihë qytetarëve por edhe ne t’i bashkëngjitemi protestës. Ne do të mbështesim protestën dhe bëjëmë thirje të që të jetë një protestë e madhe”, ka thënë ai.

    Gucati, ka folur edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të cilin e kanë dorëzuar në Gjykatën Speciale, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Organizata e Veteranëve ka marrë një iniciativë për nënshkrimet apo peticionin ku kemi mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe i kemi dorëzuar në Gjykatën Speciale, përlirimin e shokëve tanë nga burgu që mbahen padrejtësisht sot në Hagë. Takimet tona kanë qenë me ambasadat mike në Kosovë, këtë periudhë kemi dërguar mbi 300 letra personaliteteve ndërkombëtare, ku prej tyre janë 285 anëtarë të asamblesë së Këshillit të Europës, gjithmonë duke kërkuar drejtësi, barazi në Gjykatën Speciale. Takime me Parlamentin e Zvicrës, me deputetë zvicranë, takim me Parlamentin Evropian, takime në Vatikan, që kanë qenë prej një rëndësie më të madhe, ku kemi marrë një mbështetje shumë të madhe, për herë të parë zbret këmba e Organizatës së Veteranëve në Vatikan, që e kanë thyer protokollin, që i falënderoj Vatikanin që na kanë pritur në atë takim. Takimin me kryetaren e veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë në zyrën tonë dhe takimi i fundit me Ambasadën Amerikane”, ka shtuar Gucati.

     

  • Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në një takim njoftues shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re.

    Me këtë rast, sipas komunikatës për media, Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

    “Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë nga EULEX gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, në njoftim theksohet se Sveçla dhe Lopes diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë.

    “Ministri Sveçla ritheksoi përkushtimin për fuqizimin e  sundimit të ligjit dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”.

  • Çmimet e prodhimit në Kosovë në rritje, 4.6% më të larta se një vit më parë

    Çmimet e prodhimit në Kosovë në rritje, 4.6% më të larta se një vit më parë

    Çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) u rrit mesatarisht me 4.6% në TM2 2026, krahasuar me TM2 2025.

    Ndërkohë, në raport me tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

    Rritjet më të mëdha vjetore janë regjistruar në disa sektorë të ekonomisë. Në krye qëndron grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me një rritje prej 32.2%.

    Pas tij renditen prodhimi i pijeve me 20.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre me 14.7%, si dhe prodhimi tjetër me 9.8%.

    Rritje janë shënuar edhe te:

    Produktet e gomës dhe plastikës – 3.8%

    Produktet minerale jometalike – 3.3%

    Përpunimi i produkteve ushqimore – 3.2%

    Prodhimi i mobilieve – 2.6%

    Makineritë dhe pajisjet – 2.4%

    Rritje edhe në tremujorin e dytë

    Në bazë tremujore, pra krahasuar me TM1 2026, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

    Rritjet më të mëdha u regjistruan te prodhimi i pijeve (3.2%), prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (2.6%), prodhimi i metaleve (2.3%) dhe produktet e gomës dhe plastikës (2.0%).

    Ndërkohë, çmimet ranë në disa sektorë. Rënia më e madhe u regjistrua te prodhimi i veshjeve, me 6.4%, ndërsa te prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure rënia ishte 2.7%.

    Sipas ASK-së, këto ndryshime kanë bërë që rritja e përgjithshme e çmimeve të prodhimit të arrijë në 4.6% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025.

    Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të publikimit për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e dytë të vitit 2026.

  • Ndahet nga jeta Mehdi Mehmeti, sportisti që la gjurmë në volejbollin kosovar

    Ndahet nga jeta Mehdi Mehmeti, sportisti që la gjurmë në volejbollin kosovar

    Është ndarë nga jeta Mehdi Mehmeti, një emër i njohur dhe i respektuar i volejbollit në Kosovë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Mehmeti për vite me radhë ishte pjesë e zhvillimit të volejbollit kosovar, duke kontribuar si trajner dhe udhëheqës sportiv në volejbollin e meshkujve dhe femrave.

    Kontributi dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbahen mend nga komuniteti i volejbollit dhe gjeneratat që ai ndihmoi të zhvillohen.

    Në emër të KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi ka shprehur ngushëllime për familjen Mehmeti dhe të gjithë komunitetin sportiv.