ATV

Blog

  • Princi Harry dhe Meghan pritet të rikthehen sot në Britani me dy fëmijët

    Princi Harry dhe Meghan pritet të rikthehen sot në Britani me dy fëmijët

    Duka dhe Dukesha e Sussex-it, Princi Harry dhe Meghan Markle, pritet të rikthehen sot në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, ka mësuar BBC News.

    Familja besohet se do të udhëtojë privatisht nga Kalifornia drejt Britanisë së Madhe. Një zëdhënës i çiftit ka deklaruar se kjo nuk është diçka për të cilën ata do të komentojnë.

    Javën e kaluar u raportua se Harry dhe Meghan do të zhvendoseshin në Britani gjatë muajit gusht. Megjithatë, ata nuk pritet të rikthehen në detyrat zyrtare mbretërore, por do të jetojnë në vend si anëtarë joaktivë të familjes mbretërore.

    Familja pritet të vendoset në një pronë private në zonën e Cotswolds, jashtë Londrës. Ndërkohë, Archie dhe Lilibet janë regjistruar në shkollë dhe semestri i ri pritet të nisë javën e ardhshme, raporton BBC.

    Harry dhe Meghan u larguan nga Britania dhe hoqën dorë nga detyrat e tyre mbretërore në fillim të vitit 2020, përpara se të vendoseshin në Kaliforni në mars të po atij viti.

    Mbreti Charles është informuar për planin e tyre në fillim të këtij muaji. Familja e vizitoi Mbretin në rezidencën e tij në Highgrove në korrik, por besohet se gjatë asaj vizite nuk është diskutuar për zhvendosjen.

    Para kësaj vizite, Harry dhe Meghan nuk kishin qenë së bashku në Britani që nga varrimi i Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022. Për planet e tyre janë informuar edhe Princi dhe Princesha e Uellsit.

    Ndërkohë, çështja e sigurisë së familjes Sussex në Britani mbetet një temë e debatueshme. Vitin e kaluar, Princi Harry humbi një betejë ligjore lidhur me nivelin e sigurisë që ai dhe familja e tij kanë të drejtë të marrin gjatë qëndrimit në vend.

    Harry kishte kërkuar që të rrëzohej vendimi për uljen e nivelit të sigurisë së tij, pasi kishte hequr dorë nga detyrat mbretërore dhe ishte zhvendosur në SHBA.

    Ende nuk është e qartë se çfarë masash sigurie do të merren për familjen gjatë qëndrimit në Britani dhe kush do t’i mbulojë shpenzimet.

    Pas njoftimit për rikthimin e tyre të planifikuar, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike tha se vendimet për sigurinë e anëtarëve të familjes mbretërore merren nga Komiteti Ekzekutiv për Mbrojtjen e Mbretërve dhe Figurave Publike (Ravec), ndërsa sistemi britanik i sigurisë mbrojtëse është “rigoroz dhe proporcional”.

    Princi Harry ka deklaruar më herët se shqetësimet për sigurinë kanë qenë një nga arsyet që e kanë penguar të rikthehet në Britani dhe të marrë me vete bashkëshorten dhe fëmijët.

  • Tragjedi në ShBA, 44-vjeçari vret tetë familjarë, mes tyre katër fëmijë

    Tragjedi në ShBA, 44-vjeçari vret tetë familjarë, mes tyre katër fëmijë

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Billings në Montana të SHBA-së, ku një 44-vjeçar dyshohet se vrau tetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë katër fëmijë, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë.

    Policia kishte marrë një njoftim për të shtëna dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, dëgjoi të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e banesës. Pak më vonë, shtëpia u përfshi nga zjarri.

    I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar me prindërit e tij në këtë banesë, por familjarët thanë se ata i kishin kërkuar të largohej disa javë më parë. Sipas raportimeve, ai ishte kthyer të dielën, në kohën kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.

    Mes viktimave ishin prindërit e Smith, gjyshja, motra e tij, si dhe Megan Ghekiere dhe katër fëmijët e saj.

    Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje. Më e moshuara ishte një stërgjyshe në të 90-at, ndërsa viktima më e re ishte një vajzë vetëm shtatëvjeçare.

    Sipas autoriteteve, Smith kishte qëlluar edhe veten. Zjarri e kishte shkatërruar plotësisht banesën, duke vështirësuar punën e hetuesve.

    Viktimat janë identifikuar si Oëen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.

    Familjarët e kanë përshkruar Charlotte si heroinë, pasi ajo kishte telefonuar 911 dhe ishte përpjekur të kërkonte ndihmë për familjen e saj.

    Familja kishte origjinën nga zona e Seattle-it dhe ishte zhvendosur në Montana disa vite më parë. Sipas të afërmve, Smith ishte person i izoluar dhe kalonte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij përpara kompjuterit.

    Një nga familjarët, Brad Ireland, tha se kishte pasur shenja paralajmëruese dhe shqetësime për sjelljen e Smith, por sipas tij askush nuk kishte ndërhyrë.

    Adam Ghekiere, bashkëshorti i Megan Ghekiere, ndodhej në punë kur ndodhi sulmi. Ai e mësoi lajmin përmes radios dhe u përpoq të kontaktonte me familjarët.

    Kur mbërriti në shtëpi, ajo tashmë ishte përfshirë nga flakët. Dy orë më vonë, ai mori konfirmimin se gruaja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën.

    Ai tregoi se vajza e tij Charlotte kishte telefonuar 911 nga brenda banesës.

    “E dëgjoj vazhdimisht duke përsëritur frazën që thoshte çdo herë: ‘Të dua’, dhe ajo përgjigjej: ‘Të dua më shumë’”, rrëfeu Ghekiere.

  • “Siguria e grave në Kosovë është në rrezik serioz”, RrGK reagon pas rastit në Prizren

    “Siguria e grave në Kosovë është në rrezik serioz”, RrGK reagon pas rastit në Prizren

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një burrë 81-vjeçar dyshohet se ka mbytur bashkëshorten e tij 80-vjeçare.

    Për rastin ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), i cili ka shprehur shqetësim të thellë, duke theksuar se brenda pak ditësh dy gra janë vrarë nga partnerët e tyre në shtëpitë e tyre.

    “Gratë po vazhdojnë të vriten në hapësirat ku duhet të jenë më të sigurta”, thuhet në reagimin e RrGK-së në Facebook.

    RrGK ka vlerësuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si çështje private apo si “rast familjar”, por kërkon reagim të fuqishëm institucional, transmeton Klankosova.tv.

    “Dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe as një varg “rastesh familjare”. Ajo është dhunë e rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe kërkon përgjigje të fuqishme institucionale. Jeta e grave nuk mund të mbrohet vetëm pasi të humbet”.

    Organizata u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë, urgjentë dhe të koordinuar për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë së tyre.

    “Hetimet duhet të jenë të plota, të pavarura dhe të shpejta, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë. RrGK do ta përcjellë me vëmendje rastin dhe zhvillimet institucionale lidhur me të. Nëse jeni viktimë e dhunës me bazë gjinore, ose njihni dikë që përjeton dhunë, RrGK ofron këshillim ligjor falas në numrin 048 105 800”, thuhet në reagim.

  • Hamza priti në takim lamtumirës Guerot: Mirënjohës për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës

    Hamza priti në takim lamtumirës Guerot: Mirënjohës për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur  sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë këtij mandati.

    “Franca ka qenë përherë shtet mik i Kosovës dhe qytetarëve tanë. I shpreh mirënjohje të veçantë Ambasadorin Guerot për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe të Francës”, u shpreh kryetari Hamza.

    Kryetari Hamza i uroi suksese Ambasadorit Guerot në angazhimet e tij të ardhshme, duke vlerësuar lartë kontributin e tij.

  • Sot pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore

    Sot pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore

    Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka deklaruar se negociatat për çmimet e teksteve shkollore me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit për prindërit.

    “Tashmë jemi krejt në fund të negociimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit dhe menjëherë me nis me ekzekutimin e pagesave”, ka deklaruar Çeku.

    Sipas tij, synimi është që prindërit të kenë disa ditë kohë para nisjes së mësimit për t’i blerë tekstet dhe materialet shkollore.

    Çeku ka kritikuar faktin që librat kanë dalë në shitje në kohën kur ende po negocioheshin çmimet.

    “Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje”, është shprehur ai.

    Për këtë çështje, ministri në detyrë ka bërë të ditur se Ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse.

    “Dhe për atë, ne do t’i drejtohemi organeve përgjegjëse, sepse ata prindër duhet të kompensohen nga ata që e kanë bërë këtë shkelje”, tha Çeku.

    Ai ka theksuar se prioritet mbetet përfundimi i negociatave dhe realizimi sa më i shpejtë i pagesave, në mënyrë që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për të siguruar tekstet para fillimit të vitit të ri shkollor.

    Ndërkohë, Çeku ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, përfshirë masat e sigurisë dhe përgatitjet për sigurimin e teksteve e materialeve shkollore.

  • Vrasje e rëndë në Prizren: 80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet se u vra nga bashkëshorti 81-vjeçar

    Vrasje e rëndë në Prizren: 80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet se u vra nga bashkëshorti 81-vjeçar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, ndërsa bashkëshorti i saj 81-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për “Vrasje të rëndë”.

    Rasti ka ndodhur mëngjesin e 26 gushtit, rreth orës 01:30, ndërsa pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka ngritur dyshimet se lëndimet në trupin e viktimës mund të jenë shkaktuar nga forca duarthatë.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

    Sipas policisë, në vendngjarje kanë dalë patrullat policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

    Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.

    Ndërkohë, 81-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

    Sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre.

  • Konjufca: Ka probabilitet të madh të kemi marrëveshje për presidentin, Kurti është gati – emrat i kemi

    Konjufca: Ka probabilitet të madh të kemi marrëveshje për presidentin, Kurti është gati – emrat i kemi

    Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se ekziston një probabilitet i madh që të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

    Konjufca ka deklaruar se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillohet këtë javë përmes propozimit të emrave konkretë për president.

    Konjufca ka bërë të ditur se Vetëvendosje i ka tashmë emrat e saj për këtë pozitë, por nuk ka zbuluar se për cilët persona bëhet fjalë.

    “Prej kur Lidhja Demokratike e Kosovës janë të gatshëm për takime dhe tashmë është paralajmëruar që takimi i radhës do të zhvillohet në formën e propozimit të emrave konkret lidhur me presidentin e ardhshëm dhe kjo e bën menjëherë që kjo është një shans e mirë dhe një mundësi e re. Prandaj, besoj se ekziston një probabilitet goxha i madh që të jemi me një president dhe me një marrëveshje për president. Meqenëse kurdo që të takohet kryeministri Kurti me kryetarin Abdixhiku mendoj do të jetë forma e negocimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkret dhe prej atyre sa tyre emrave konkret unë besoj që prej tyre do të jetë edhe presidentja ose presidenti i ardhshëm i Kosovës. Mua më vjen keq që u humb java e kaluar mendoj se nuk kishte nevojë, mirëpo prapë se prapë e mirëkuptojmë këdo që ka pas nevojë për një kohë shtesë, sepse do duhet ta kuptoni që kjo nuk është një çështje që kaq e thjeshtë, partitë kanë nevojë që të vijnë tek emrat konkret sa i përket asaj se cilët do të jenë përfundimtar që do të propozohen. Lëvizja Vetëvendosje është gati, kryeministri Kurti është gati – emrat i kemi po nuk mund t’i ndaj këtu me juve, dhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati, sepse javën e kaluar tha që kjo javë do të jetë java me të cilën ata do takohen. Kurti ende s’ka ftesë”, ka deklaruar Konjufca.

  • Më 28 gusht shpallet aktgjykimi ndaj Konjufcës

    Më 28 gusht shpallet aktgjykimi ndaj Konjufcës

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

    Aktgjykimi do të shpallet më 28 gusht, në orën 13:00.

    Konjufca gjatë seancës së sotme nuk e ka pranuar fajësinë, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar aktgjykim lirues.Rasti lidhet me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare, duke ndërprerë punimet dhe detyruar deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë të largoheshin për shkak të tymit të krijuar.

    Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ai e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej.

    Ndërkaq, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

    Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka prishur këtë vendim dhe e ka kthyer çështjen në rigjykim, duke bërë që rasti të shqyrtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Sipas prokurorisë, ai, në cilësinë e deputetit, kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit më 10 gusht 2016, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.

    Sipas përshkrimit në aktakuzë, si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës, pjesëmarrësit në sallë ishin detyruar të ndërprisnin qëndrimin dhe të largoheshin nga ambientet e Kuvendit.

  • Dieta që të dobëson dhe parandalon plakjen e parakohshme

    Dieta që të dobëson dhe parandalon plakjen e parakohshme

    Në një botë të dominuar me dieta nga më të çuditshmet, pjesa më e madhe e të cilave rekomandohen nga personazhet e njohur, shumë njerëz nuk e besojnë se ka një dietë të vetme të mirë për shëndetin.

    Megjithatë, studimet kanë treguar se një dietë e pasur me perime, proteina dhe yndyra të shëndetshme ka përfitimet kryesore për të rënë në peshë dhe mbrojtur zemrën e trurin ndërsa plakemi.

    Ky lloj regjimi i të ngrënit vjen në forma të ndryshme, nga një dietë me bazë bimore deri në atë mesdhetare. Disa njerëz konsumojnë më shumë vezë, produkte të bulmetit, mish dhe peshk; ndërsa të tjerë janë vegjetarianë dhe shmangin mishin dhe produktet e tjera shtazore.

    Kryesorja është se shumica këtyre dietave kanë dy karakteristika kryesore: janë të pasura në perime, proteina dhe yndyra të shëndetshme, dhe të ulëta në ushqimet e përpunuara dhe karbohidratet e rafinuara si buka e bardhë.

    Sipas ekspertëve, regjimi i të ngrënit lidhet ngushtë me plakjen e shëndetshme dhe një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve kronike si kanceri, sëmundjet zemrës dhe përmirësimi i funksionit njohës.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës për 24 orë ka shqiptuar 2 mijë e 401 gjoba trafiku.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve janë shënuar 32 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 20 aksidente me të lënduar.

    Tutje, bëhet e ditur se për 24 orë, policia ka arrestuar 9 persona dhe 7 janë dërguar në mbajtje.

    Në 24 orët e fundit është regjistruar 1 aksident me fatalitet.