ATV

Blog

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës për 24 orë ka shqiptuar 2 mijë e 401 gjoba trafiku.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve janë shënuar 32 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 20 aksidente me të lënduar.

    Tutje, bëhet e ditur se për 24 orë, policia ka arrestuar 9 persona dhe 7 janë dërguar në mbajtje.

    Në 24 orët e fundit është regjistruar 1 aksident me fatalitet.

  • Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, IShP nis hetimin në Korçë

    Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, IShP nis hetimin në Korçë

    Një ekip specialistësh të IShP-së nga Tirana ka mbërritur në terren, ku po kryen hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin dhe marrjen e masave të nevojshme për kontrollin e tyre, shkruan Euronews.al.

    Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor. I moshuari banon në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës.

    Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, 72-vjeçari iu drejtua spitalit, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

    Ndërkohë, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle në zona të ndryshme të qarkut të Korçës për të evidentuar praninë e mushkonjës bartëse të virusit dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren për frenimin e përhapjes së saj.

    Në kuadër të hetimit dhe masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistimin në vatër. Në zonat ku konstatohet prania e mushkonjave, pritet të ndërhyhet me dezinfektim dhe trajtime të posaçme.

    Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma ose të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

    Në rastet e rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

    Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të përcaktojë shkallën e pranisë së mushkonjës bartëse në zonë dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tjera.

  • Kosovari kapet me patentë shofer të falsifikuar në Aeroportin e Prishtinës

    Kosovari kapet me patentë shofer të falsifikuar në Aeroportin e Prishtinës

    Një rast i dyshuar i falsifikimit të dokumentit është raportuar mbrëmjen e së martës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të dokumenteve personale dhe të automjetit, i dyshuari ka prezantuar një patentë shoferi të lëshuar nga një shtet tjetër, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar.

    Me urdhër të prokurorit, dokumenti është konfiskuar për procedura të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Zelensky i bën thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës

    Zelensky i bën thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka kërkuar Kinës që të luajë një rol më të fuqishëm diplomatik në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave.

    Zelenskyy i bëri këto komente teksa falënderoi liderët ndërkombëtarë për urimet me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, të shënuar më 24 gusht. Mesazhi drejtuar presidentit kinez, Xi Jinping, mori rëndësi të veçantë për shkak të rolit që Pekini mund të luajë në përpjekjet diplomatike për përfundimin e konfliktit.

    Duke iu referuar marrëdhënieve mes dy vendeve, Zelenskyy theksoi se pavarësia është një vlerë e panegociueshme për ukrainasit dhe për të gjitha kombet sovrane.

    “Ne mbështetemi në bashkëpunim të mëtejshëm dhe në Kinën që luan një rol të fortë diplomatik për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit tonë. Paqja mund të jetë arritja jonë e përbashkët”, shkroi presidenti ukrainas.

    Zelenskyy falënderoi gjithashtu Xi Jinping për urimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, të ndërtuara mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

  • ShBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

    ShBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

    Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

    Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

    Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

    Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

    Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

    Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

    Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

    Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare./REL

  • Dyshohet se në vazhdimësi u rrah nga bashkëshorti i saj në Skenderaj, gruaja me fëmijët dërgohet në strehimore

    Dyshohet se në vazhdimësi u rrah nga bashkëshorti i saj në Skenderaj, gruaja me fëmijët dërgohet në strehimore

    Një grua dyshohet se në vazhdimësi ka pësuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 20.08.2026 rreth orës 23:00, në Skenderaj.

    Tutje bëhet e ditur se viktima pas trajtimit mjekësor bashkë me fëmijët është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është sjellë në stacion dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Skenderaj / 20.08.2026 – 23:00. Dyshohet (raportohet 25.08.2026) se në vazhdimësi viktima f/k ka pësuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. Viktima pas trajtimit mjekësor bashkë me fëmijët është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është sjellë në stacion dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

  • Irani dhe Omani dakordohen për krijimin e një korridori të përkohshëm në Ngushticën e Hormuzit

    Irani dhe Omani dakordohen për krijimin e një korridori të përkohshëm në Ngushticën e Hormuzit

    Irani dhe Omani kanë rënë dakord për krijimin e një korridori të përkohshëm lundrimi në Ngushticën e Hormuzit, pas një takimi në Teheran mes ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr al-Busaidi, dhe homologut të tij iranian, Abbas Araghchi.

    Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet, të vendosura në anët e kundërta të kësaj ngushtice strategjike, njoftuan se kuadri i propozuar përfshin një rrugë të përbashkët të përkohshme për trafikun e anijeve, si dhe angazhimin për pastrimin e minave nga rruga ujore.

    Deklarata shtoi se negociatat teknike do të vazhdojnë, me synimin për krijimin e një korridori të përhershëm detar dhe arritjen e një marrëveshjeje mbi administrimin e ardhshëm të ngushticës.

    Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi për televizionin shtetëror se është arritur një mirëkuptim për një rrugë të përkohshme, përmes së cilës trafiku nga Gjiri i Omanit drejt Gjirit Persik do të kalojë tërësisht nëpër ujërat iraniane, ndërsa rruga dalëse do të kalojë pjesërisht nëpër ujërat iraniane dhe pjesërisht në ujërat territoriale të Omanit.

    Ai shtoi se negociatat pritet të zgjasin nga 30 deri në 60 ditë, me synimin për të arritur një marrëveshje për një rrugë të re të përhershme dhe të qëndrueshme.

    Ngushtica e Hormuzit ka qenë një pikë kyçe e tensioneve në rajon. Para se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të sulmonin Iranin më 28 shkurt, rreth një e pesta e naftës së tregtuar globalisht kalonte përmes kësaj rruge ujore.

    Ende nuk dihet nëse Uashingtoni do ta pranojë marrëveshjen e re të arritur mes Teheranit dhe Muskatit.

    Ndërkohë, presidenti iranian dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë zhvilluar bisedime me një delegacion pakistanez, i cili u largua nga Teherani të martën pas diskutimeve për ringjalljen e negociatave që synojnë t’i japin fund konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së, sipas ushtrisë pakistaneze.

  • Lirohet nafta në Kosovë, shtrenjtohen benzina e gazi

    Lirohet nafta në Kosovë, shtrenjtohen benzina e gazi

    Çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës kanë pësuar ndryshime sot, krahasuar me një ditë më parë.

    Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), çmimi maksimal i naftës (dizelit) sot është 1.78 euro për litër, nga 1.79 euro sa ishte dje.

    Ndërkohë, benzina sot mund të shitet deri në 1.54 euro për litër, duke u rritur nga 1.53 euro sa ishte më 25 gusht.

    Edhe çmimi maksimal i gazit ka shënuar rritje, nga 0.62 euro në 0.63 euro për litër.

    Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 10:00.

  • 331 shërbime emergjente në QKUK gjatë 24 orëve të fundit, 25 persona u lënduan në aksidente

    331 shërbime emergjente në QKUK gjatë 24 orëve të fundit, 25 persona u lënduan në aksidente

    Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar 331 shërbime emergjente për qytetarët gjatë 24 orëve të fundit.

    Sipas njoftimit të QKUK-së, fluksi i pacientëve në Qendrën Emergjente vazhdon të jetë i njëjtë, ndërsa rastet janë trajtuar në njësitë përkatëse.

    Në Reanimim janë trajtuar 79 pacientë, në Emergjencën Internistike 111 pacientë, në Emergjencën Kirurgjike 56 pacientë, ndërsa në Emergjencën Ortopedike 62 pacientë.

    Ndërkaq, në Sallën e Vogël janë trajtuar 23 pacientë, të cilëve u janë ofruar shërbime për qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.

    Në mesin e rasteve të trajtuara janë evidentuar edhe 3 persona të përfshirë në përleshje fizike, si dhe 25 persona të lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.

    “Me angazhim, përkushtim dhe përgjegjësi, puna në Qendrën Emergjente po vazhdon pandërprerë, me qëllim që çdo pacient të marrë kujdesin dhe shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar edhe 36 pranime për trajtim në klinika të ndryshme të QKUK-së.

  • Konjufca deklarohet i pafajshëm, Prokuroria kërkon që të shpallet përgjegjës

    Konjufca deklarohet i pafajshëm, Prokuroria kërkon që të shpallet përgjegjës

    Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Në seancën e sotme, Konjufca është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij,

    “Jo nuk ndihem fajtor”, tha ai.

    Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar që Konjufca të shpallet përgjegjës për veprimet për të cilat akuzohet.

    Rasti ka të bëjë me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare, duke ndërprerë punimet dhe detyruar deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë të largoheshin nga salla.

    Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

    Gjykata e Apelit më pas e kishte prishur këtë vendim dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

    Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Sipas aktakuzës, Konjufca, në cilësinë e deputetit, kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit më 10 gusht 2016, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.