ATV

Blog

  • Nafta sot më lirë se dje për 1 cent

    Nafta sot më lirë se dje për 1 cent

    1 cent më lirë se ditën e djeshme do të shitet një litër naftë në Kosovë.

    1.76 ishte çmimi të mërkurën, kurse sot do të jetë 1.75 euro.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, benzina do të shitet për 1.43 euro, derisa çmimi i gazit do të jetë 0.88 cent për litër.

    Çmimet do të hyjnë në fuqi nga ora 10:00

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Dragodan

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Dragodan

    Një burrë është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në Dragodan (Arbëri) të Prishtinës.

    Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Klankosova.tv, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    “Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana.

  • Ministria e Punës njofton fillimin e inspektimeve për siguri dhe shëndet në punë

    Ministria e Punës njofton fillimin e inspektimeve për siguri dhe shëndet në punë

    Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare ka njoftuar se në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës do të fillojë aksionin e jashtëzakonshëm të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Ky aksion ndërmerret në zbatim të vendimit të Ministrit, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria dhe aktivitetet e ngjashme”, thuhet në njoftim.

  • Të shtëna me armë në orët e mëngjesit në Prishtinë, dy të plagosur

    Të shtëna me armë në orët e mëngjesit në Prishtinë, dy të plagosur

    Në orët e para të mëngjesit ka pasur të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Dragodan.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për pasojë dy persona janë plagosur.

    Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

    “ Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informatat fillestare, dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor

    Aktualisht hetuesit policor në koordinim me Prokurorin e Shtetit po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.

  • Rama sot drejt Italisë, takohet me Melonin

    Rama sot drejt Italisë, takohet me Melonin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot Italinë.

    Kreu i qeverisë shqiptare mësohet se do të zhvillojë një takim me homologen e tij italiane, Georgia Meloni.

    Takimi do të nisë në orën 15:00 në Palazzo Chigi.

    “Ditën e enjte, më datë 16 prill, kryeministrja Meloni do të zhvillopjë një takim me kreun e qeverisë së Shqipërisë Edi Rama në Palazzo Chigi”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Romës.

    Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane. Dy liderët vazhdojnë që të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në interes të të dyja vendeve, raporton Tv Klan.

  • Azemi – këshilltarit në MINTI: Juve nuk ju besoj, prandaj kam shkuar në Prokurori

    Azemi – këshilltarit në MINTI: Juve nuk ju besoj, prandaj kam shkuar në Prokurori

    Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se nuk ka besim se mekanizmat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), do të ndërmarrin masat e nevojshme për çështjen e njehsorëve elektrikë.

    Në emisionin “Konfront” në KTV ai i ka thënë këshilltarit në MINTI, Ali Tafarshiku, se për këtë arsye dëshmitë që njehsorët kanë pasur orë në shpërputhje me orën reale, i ka dërguar në Prokurori e në Drejtorinë e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.

    “Shteti e ka për obligim ta mbrojë qytetarin, unë po them që ty nuk po të besoj se ti ke qenë në gjumë, ti nuk ke bërë asgjë, për këtë kam shkuar në Prokurori, kam shkuar te krimet ekonomike, kam thënë ja ku i keni dëshmitë”, është shprehur Azemi.

    Ai ka thënë se edhe Ministria obligohet të ju dërgojë të gjitha dëshmitë organeve të drejtësisë.

    Tafarshiku, ka thënë se nga data 31 mars e deri më tani kanë pranuar gjithsej 664 ankesa nga qytetarët për shpërputhje të orës që figuron në njehsorë me atë reale.

    Tafarshiku ka bërë të ditur po ashtu se pesë gjoba janë shqiptuar sot ndërsa shtatë të tjera janë në proces.

    “Njehsorët e skaduar i kemi verifikuar dhe menjëherë inspektorati ka vijuar të shqiptojë gjoba, pesë sot, shtatë janë në proces. Nga data 31 mars deri në këtë moment i kemi 664 ankesa, prej tyre 444 janë në formën elektronike që i kanë bashkëngjitur edhe argumentet me foto ndërsa 220 tjera kanë qenë thirrje telefonike për të cilat komisioni verifikues është duke dalur çdo ditë në teren. Në bazë të rezultateve të deritanishme rezulton që 90 për qind rezulton që koha reale nuk përputhet me kohën që figuron në njehsorë”, ka thënë Tafarshiku.

    Mospërputhje në njehsorë siç potencoi Tafarshiku ka edhe në datë dhe se 90% e njehsorëve për të cilët janë adresuar ankesa kanë datë ose orë të gabuar.

    “Kemi diferencë prej 12 orësh, kemi diferencë prej 4-5 ditëve në përputhje të datave”, deklaroi këshilltari i MINTI-t.

  • Lushtaku: Të hënën PDK-ja ka mbledhje, në fokus edhe çështja e Presidentit

    Lushtaku: Të hënën PDK-ja ka mbledhje, në fokus edhe çështja e Presidentit

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në Politiko tha se partia e tij pritet të mbajë një mbledhje të rëndësishme të hënën, ku do të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Sipas Lushtakut, Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë deri më tani “kontributin maksimal” në proceset politike, por ai ka shprehur shqetësimin për qasjen e kryeministrit dhe subjektit të tij politik.

    Ai theksoi se, sipas vlerësimit të PDK-së, veprimet e Albin Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje po interpretohen si një pozicionim më shumë opozitar sesa si përgjegjësi qeverisëse.

    Lushtaku shtoi se në mbledhjen e paralajmëruar do të analizohen të gjitha këto zhvillime dhe do të përcaktohen hapat e mëtejmë të PDK-së në raport me situatën politike në vend.

  • Deputeti Berisha bën thirrje që Murat Jashari të jetë kandidat për president: Shpëtimtar për situatën

    Deputeti Berisha bën thirrje që Murat Jashari të jetë kandidat për president: Shpëtimtar për situatën

    Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin krizën politike në vend dhe se zgjidhja duhet të gjendet përmes një marrëveshjeje për presidentin.

    Ai tha se asnjë parti nuk duket e gatshme për zgjedhje dhe se, sipas tij, edhe nëse ato mbahen, nuk do të sjellin rezultat për daljen nga situata aktuale.

    “Nuk mendoj se do të dalim nga situata me zgjedhje. Edhe nëse shkojmë në zgjedhje, nuk do të kemi zgjidhje”, ka deklaruar Berisha në emisionin FIVE.

    Berisha i bëri thirrje Murat Jasharit që të konsiderojë mundësinë për të qenë kandidat konsensual për president, duke e cilësuar si një figurë që mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës.

    “Të kemi një mundësi të daljes nga kjo situatë me rikthy qëndrimin e Murat Jasharit, edhe besoj që ne nuk presim të kemi ndonjë luftë në Kosovë por situatë është shumë e rëndë. Në një situatë të tillë nëse nuk kemi zgjidhje tjetër mendoj se është momenti i duhur… do të hyjmë në procese të cilat janë të errëta dhe normalisht zoti Jashari mendoj se e ka menduar një moment të tillë kur ne nuk kemi asnjë zgjidhje dhe ai moment sigurisht brenda këtyre 12 ditëve do të vijë”, ka theksuar ai.

    Berisha theksoi se partitë duhet të arrijnë dakordim për një emër të unifikuar për president, duke shtuar se qytetarët presin veprime.

    “Nuk ka kuptim të mos kemi një emër të unifikuar. Qytetari nuk i do zgjedhjet, ata duan të shohin punë dhe ndryshim”, u shpreh ai.

    Ai gjithashtu tha se partitë politike nuk përfitojnë nga bartja e përgjegjësive nga njëra-tjetra.

  • Emini: S’ka qenë kurrë çështja te emri për presidentin, në momentin e fundit do të kemi marrëveshje

    Emini: S’ka qenë kurrë çështja te emri për presidentin, në momentin e fundit do të kemi marrëveshje

    Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka thënë se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë asnjë partie politike dhe se beson që do të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit.

    Ajo ka thënë se nuk ka qenë kurrë çështja te emri për presidentin, por se janë dinamikat e fuqia politike që mund ta zgjidhin këtë çështje në fund.

    “Në momentin e fundit do të kemi një marrëveshje, sepse partitë edhe pse normalisht po përgatitet për zgjedhje, janë në fushatë, ish-presidentja Osmani është në fushatë politike, edhe partitë e tjera, mirëpo të gjitha partitë i druhen një procesi të ri zgjedhor”, ka deklaruar Emini në emisionin “Interaktiv” në KTV.

    Sipas saj edhe Vetëvendosja ka shumë për të humbur nëse vendi shkon në zgjedhje.

    “E para Vetëvendosja ka shumë për të humbur, ajo normalisht se është një hap para në lojë, sepse nuk i ka pritur partitë e tjera dhe nuk ka bërë asnjë marrëveshje për qeverisje, i ka vazhduar ato që mund t’i vazhdojë e vetme dhe i ka lënë çështjet për të cilat i duhet opozita deri në momentin e fundit sepse normalisht ka avantazh në lojë dhe gjatë kësaj kohe Vetëvendosja është duke menaxhuar me buxhetin e shtetit, është buxhet mjaft gjeneroz, ka skema sociale, ka rrogën e 13-të, diçka që aplikohet për herë të parë”, ka deklaruar Emini

    “Të tjerat edhe pse normalisht e kanë të vetëm levë në dorë ndaj Vetëvendosjes, numrat për presidentin, sepse nuk kanë fuqi tjetër politike, po e shtyjnë deri në fund lojën … që të dyja (PDK dhe LDK) sepse e treta AAK-ja ka gjasa të mos e kalojë pragun, sidomos nëse Vjosa Osmani futet në lojë partiake politike, këto të dyja do të jenë të rrezikuara”, ka shtuar ajo.

    Emini ka thënë se do të ishte e udhës që të mos kishte zgjedhje të reja, pasi sipas saj, një proces i ri zgjedhor nuk do të prodhonte asnjë ndryshim dhe asnjë përfitim për Kosovën.

    Emini ka theksuar se e udhës do të ishte të vazhdonte puna e Qeverisë pasi sipas saj ka procese jetike si dialogu e integrimet për të cilat ka thënë se duhet të punohet.

    Kosova ka hyrë në dy javët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon detyrimisht në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se është i gatshëm ta tërheqë kandidaturën për president, në rast se opozita ofron një kandidaturë.

    Por, ka theksuar se “nga aeroplani” shihet mungesa e vullnetit të opozitës për të zgjedhur presidentin.

    Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.

    E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.

    Kushtetuta kërkon që presidenti i ri të zgjidhet jo më larg se një muaj përpara se t’i përfundojë mandati atij aktual. Seanca për zgjedhjen e presidentit u zhvillua më 5 mars, një muaj para se Vjosa Osmani ta përmbyllte mandatin. Të nesërmen, Osmani nxori dekretin, me të cilin e shpërndau Kuvendin.

    Por, Kushtetuesja e shpalli të paefektshëm dekretin dhe vendosi që t’u japë kohë deputetëve deri më 28 prill, meqë konstatoi se nga nisja e mandatit ata nuk i patën në dispozicion 60 ditë për ta zgjedhur kreun e shtetit. E, sipas Kushtetutës, nëse zgjedhja dështon pas 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.

  • QKUK-ja përgënjeshtron ministrin Vitia, raporti për pishinat ende nuk i është dorëzuar

    QKUK-ja përgënjeshtron ministrin Vitia, raporti për pishinat ende nuk i është dorëzuar

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë deklaroi se e ka pranuar raportin për mosfunksionalizimin e pishinave për hidroterapi. Por atë e ka demantuar Qendra Klinike Universitare, sipas së cilës dokumenti ende nuk i është dorëzuar ministrit

    Qendra Klinike Universitare (QKUK) ka përgënjeshtruar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili gati dy javë më parë u shpreh se e ka pranuar raportin e kërkuar nga ky institucion për arsyet e mosfunksionalizimit të dy pishinave për hidroterapi.

    Për këtë problem, për të cilin Vitia tha se ishte njoftuar tek pas raportimit të KOHËS, në konferencën e 3 prillit deklaroi se e posedon raportin.

    “Po, raporti më është dorëzuar, janë të gjetura arsyet pse ka ndodhur. Janë masat e rekomanduara dhe natyrisht ashtu siç thashë edhe më herët për kolegun e juaj, përmes një emaili në kërkesën e juaj në këtë raport, besoj që shumë shpejt do ta merrni… Sigurisht e keni bërë para se të vijë raporti. Raporti ka ardhur nga mesi i kësaj jave”, pati thënë Vitia.

    Po atë ditë, KOHA e ka përsëritur kërkesën me email për qasje në këtë raport. Por, deri të mërkurën, Ministria nuk e ka vënë atë në dispozicion, pavarësisht disa kërkesave që janë bërë.

    E dymbëdhjetë ditë pas kësaj deklarate të ministrit Vitia, në QKUK thanë se raporti ende nuk i është dorëzuar ministrit.

    “Raporti lidhur me çështjen e mosfunksionalizimit të dy pishinave në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit tashmë është i përgatitur. Gjatë procesit të hartimit është kërkuar informata shtesë nga komisioni për të siguruar që raporti të jetë sa më i plotë dhe i saktë. Aktualisht, raporti është në procedurë dhe do t’i përcillet Bordit Drejtues, i cili më pas do ta shqyrtojë dhe do t’ia paraqesë ministrit të Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

    KOHA ka raportuar në muajin shkurt se dy pishina të destinuara për hidroterapi ishin mbushur me ujë vetëm për ditën e përurimit, më 29 dhjetor 2022, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Vitia.

    Vitia tha se për mosfunksionalizimin e tyre prej gati tre vjetësh ishte informuar nga raportimi në media, për çka deklaroi se ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe Bordi Drejtues.

    Pishinat i përkasin Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit dhe u shërbejnë pacientëve për hidroterapi.