ATV

Blog

  • Vranësira e diell sot, maksimalja 22 gradë

    Vranësira e diell sot, maksimalja 22 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira e intervale kohore me diell. Herë pas here lokalisht priten riga shiu e në Dukagjin mund të ketë edhe ndonjë rrebesh lokal shiu me vetëtima e bubullimë.

    Reshjet do të jenë kryesisht të pakta në Rrafshin e Kosovës e pak më intensive në Dukagjin sidomos pasdite vonë dhe në mbrëmje.

    Temperaturat pritet të lëvizin nga 7 minimalja deri në 22 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Bajqinofci: Ka emra të PDK-së që VV-ja s’i voton – opozita të propozojë kandidat për president

    Bajqinofci: Ka emra të PDK-së që VV-ja s’i voton – opozita të propozojë kandidat për president

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci, ka deklaruar se opozita duhet të dalë me një emër konkret për president, duke kundërshtuar idenë e dhënies së votave pa një kandidat të qartë.

    Ai në Debat Plus tha se nuk ka praktikë politike që deputetët të japin nënshkrime apo vota pa e ditur se për kë po votojnë.

    “E para askund në botë nuk ka marrëveshje bllanko që mund ti japë nënshkrimet apo votat deputetëve pa emër. Këta kanë kërkuar ju duhet më na dhënë edhe nënshkrimet edhe me na votu, emrin në ua tregojmë. Nuk mundesh me votu dikë kur nuk e dinë se kush është, këtë vetëm PDK e bën”, ka deklaruar ai.

    Sipas tij, ka emra brenda opozitës, konkretisht në PDK, që Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i mbështeste, por shtoi se ekzistojnë edhe figura të tjera që mund të jenë të pranueshme për votim.

    Megjithatë, ai nuk përmendi emra konkretë.

    “Po nuk ka askund marrëveshje politike në botë që duhet me ua dhënë nënshkrimet e votat pa e ditë kë do ta votojmë. Ka emra në PDK që LVV nuk do ti votonte. Por ka edhe persona që janë edhe që mund të jenë figura që mund t’i votojmë, por nuk të japë emra”, ka deklaruar ai.

  • Kuçi: Sëmundja e pushtetit të Kurtit është sëmundje shumë e dëmshme, e cila duhet sa më shpejt të trajtohet

    Kuçi: Sëmundja e pushtetit të Kurtit është sëmundje shumë e dëmshme, e cila duhet sa më shpejt të trajtohet

    Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për një qasje të dëmshme në ushtrimin e pushtetit.

    Ajo, gjatë paraqitjes në emisionin DPT te Fidani, deklaroi se mënyra se si Kurti po e ushtron pushtetin është “sëmundje”.

    Kuçi theksoi gjithashtu se ata nuk kanë frikë nga Kurti, por shtoi se dikush tjetër ka.

    “Sëmundja e pushtetit të Kurtit është sëmundje shumë e dëmshme, e cila duhet sa më shpejt të trajtohet. Ne Kurtit nuk i tutemi, Kurtit i tutet dikush tjetër, krejt opozita parlamentare, sepse janë në rehatinë e vet”, u shpreh ajo.

  • A është rritur çmimi i biletave të udhëtimit? Stacioni i Autobusëve del me njoftim

    A është rritur çmimi i biletave të udhëtimit? Stacioni i Autobusëve del me njoftim

    Kohëve të fundit qytetarët po përballen me rritje të çmimit të biletave për udhëtimin me autobus nga një qytet në qytetin tjetër.

    E lidhur më këtë ka ardhur reagimi nga Stacioni i Autobusëve.

    Në reagim thuhet se vendimi për përcaktimin e çmimeve të biletave është kompetencë ekskluzive e operatorëve privatë të transportit.

    Reagimi i plotë:

    Në lidhje me raportimet e fundit në media për rritjen e çmimeve të biletave të udhëtimit, sqarojmë për opinionin publik se vendimi për përcaktimin e çmimeve të biletave është kompetencë ekskluzive e operatorëve privatë të transportit.

    Stacioni i Autobusëve (SAP) nuk merr pjesë në vendimmarrjen për çmimet e biletave dhe nuk ka rol në përcaktimin apo ndryshimin e tyre.

    Prandaj, çdo ndryshim i çmimeve reflekton vendime të operatorëve të transportit, bazuar në politikat dhe kostot e tyre operative.

  • Shqipëria e Kroacia pajtohen për forcimin e mbrojtjes, mohojnë pretendimet e Serbisë

    Shqipëria e Kroacia pajtohen për forcimin e mbrojtjes, mohojnë pretendimet e Serbisë

    Shqipëria dhe Kroacia janë pajtuar për ta thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, në kuadër të një deklarate trepalëshe mes tyre dhe Kosovës, që e kanë arritur më herët.

    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, e ka zhvilluar një takim me homologun e tij kroat, Ivan Anushiq, të mërkurën në Zagreb, gjatë të cilit ata konfirmuan gatishmërinë e shteteve të tyre për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake.

    Në këtë kuadër, sipas njoftimit, deklarata trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë synon të nxisë jo vetëm koordinimin strategjik, por edhe zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë te industria e mbrojtjes.

    “Diskutuam tema me interes të përbashkët që lidhen me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, si dhe mundësitë konkrete për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Deklarata trepalëshe ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.”, ka thënë ministri Nufi.

    Kurse, Anushiq, ka thënë se Kroacia dhe Shqipëria ndajnë interes të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

    “Ka kaluar kamotshëm koha kur dikush i tregonte Kroacisë, tashmë shtet sovran dhe anëtar i NATO-s dhe BE-së, çfarë të bëjë dhe si ta drejtojë politikën e vet. Ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë!”, ka thënë Anushiq, duke iu referuar drejtpërdrejt pretendimeve të Vuçiqit.

    Takimi i tyre vjen në të njëjtën ditë kur presidenti serb, paralajmëroi se Beogradi do të blejë armatim të ri pasi gjoja po përballet me trysni nga shtetet fqinje.

    Vitin e kaluar, Kosova dhe Shqipëria e Kroacia kanë nënshkruar marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë përmes një deklarate të përbashkët.

    Që të tri vendet kanë thënë vazhdimisht se deklarata trepalëshe mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt.

  • Hakerë të lidhur me Rusinë sulmojnë email-et e ushtrisë greke dhe institucioneve të NATO-s

    Hakerë të lidhur me Rusinë sulmojnë email-et e ushtrisë greke dhe institucioneve të NATO-s

    Një grup hakerësh i lidhur me Rusinë ka komprometuar llogari email të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, në kuadër të një operacioni më të gjerë spiunazhi që synon Ukrainën dhe vendet e NATO-s.

    Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike të grupit Ctrl-Alt-Intel, janë shkelur 28 llogari, ndërsa në disa raste hakerët kanë arritur të ridrejtojnë mesazhet hyrëse dhe të marrin akses të vazhdueshëm, edhe pas ndryshimit të fjalëkalimeve, duke komprometuar edhe sistemet e verifikimit me dy faktorë.

    Autoritetet greke theksojnë se të dhënat e vjedhura nuk ishin të klasifikuara dhe se incidente të tilla menaxhohen nga strukturat përkatëse të mbrojtjes kibernetike.

    Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në Rumani, Bullgari dhe Ukrainë, ku janë shënjestruar institucione ushtarake dhe të drejtësisë.

    Ekspertët besojnë se operacioni lidhet me tensionet gjeopolitike dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit me NATO-n dhe Ukrainën.

  • Ministri i Jashtëm belg nesër në Prishtinë, takohet me Kurtin

    Ministri i Jashtëm belg nesër në Prishtinë, takohet me Kurtin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë nesër në një takim zyrtar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot.

    Takimi pritet të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 13:30, ndërsa mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në oborrin e Qeverisë para nisjes së këtij takimi, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

    Kryediplomati belg, ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinën, kurse Shqipërinë, ka bërë të ditur ai, do ta vizitojë në një tjetër fazë, kur do të ketë ‘’kënaqësinë të hap ambasadën’’ belge në Tiranë.

    Duke njoftuar për vizitën në vendet e rajonit, kryediplomati belg ka shkruar se është me rëndësi që për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të ruhet perspektivë e besueshme integrimi.

    “Por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal”, ka thënë Prevot.

  • Muharremi: Nëse Parku Solar 100 MW ka dështuar, atëherë LVV e Kurti le ta ja vendosin dryrin kësaj Qeverie

    Muharremi: Nëse Parku Solar 100 MW ka dështuar, atëherë LVV e Kurti le ta ja vendosin dryrin kësaj Qeverie

    Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të Parkut Solar 100 MW në Kosovë, duke ngritur dyshime për ecurinë e tij.

    Në reagimin e tij, Muharremi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të japë sqarime publike për statusin e projektit, duke theksuar rëndësinë e tij në kontekstin e krizave energjetike në vend.

    “Kjo nuk është i vetmi dyshim, para pak ditësh, një medium tjeter serioz dhe kredibil, Radio Evuropa e Lirë, ka xhiruar lokacionin ku pritet me u ndërtu parku dhe ka konstatuar aty nuk ka asnjë panel në fushë dhe se asnjë zhvillim real të punimeve nuk është kryer. Qeveria e Kosovës nuk mund të heshtë, derisa kjo situatë kërkon përgjigje të menjëhershme. Ajo duhet pa vonesë të dalë publikisht dhe me i tregu tatimpaguesve kosovarë a ka dështuar ky projekt apo çka po ndodh realisht”, tha ai.

    Ai ka kritikuar edhe partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se, në rast të dështimit të projektit, kjo do të përbënte një dështim me ndikim të gjerë në ekonomi dhe sektorin energjetik.

  • ShBA: Asnjë anije nuk ka kaluar bllokadën në 48 orët e para

    ShBA: Asnjë anije nuk ka kaluar bllokadën në 48 orët e para

    Komanda Qendrore e ShBA-së ka folur sërish lidhur me bllokadën ushtarake amerikane ndaj porteve iraniane.

    Në deklarim thuhet se në 48 orët e para të kësaj bllokade, asnjë anije nuk ka kaluar pranë forcave amerikane, raporton BBC.

    Kjo Komandë gjithashtu shtoi se gjatë kësaj periudhe, nëntë anije kanë “zbatuar udhëzimet e forcave amerikane për t’u kthyer drejt një porti ose zone bregdetare iraniane”.

  • Detaje të tjera rreth sulmit që la katër të vdekur dhe 20 të plagosur në një shkollë në Turqi

    Detaje të tjera rreth sulmit që la katër të vdekur dhe 20 të plagosur në një shkollë në Turqi

    Një sulm me të shtëna armësh në një shkollë në Turqinë jugore të mërkurën la katër të vdekur dhe 20 të plagosur, tha një zyrtar lokal, vetëm një ditë pas një incidenti në të cilin një person i armatosur plagosi 16 persona dhe më pas vrau veten.

    Guvernatori i provincës Kahramanmaraş, Mükerrem Ünlüer, tha se një mësues dhe tre nxënës u vranë në sulmin në Shkollën e Mesme Ayser Çalık.

    “ Një nxënës erdhi në shkollë me armë që ne besojmë se i përkisnin babait të tij – në çantën e shpinës. Ai hyri në dy klasa dhe hapi zjarr rastësisht, duke shkaktuar lëndime dhe vdekje”, u tha Ünlüer gazetarëve, shkruajnë mediat e huaja.

    Dëshmitarët e cituar nga media thanë se të shtënat e dëgjuara në shkollë ishin intensive.

    Dhe sigurisht, pas kësaj, prindërit që dëgjuan për incidentin nxituan në shkollë.

    Policia ka rritur masat e sigurisë rreth ndërtesës, dhe imazhet e publikuara në rrjetet sociale treguan ambulanca të pranishme në zonë.

    Ministri i Drejtësisë Akin Gurlek tha se zyra e prokurorit lokal nisi një hetim të menjëhershëm për të shtënat.

    Sulmi i së mërkurës vjen një ditë pasi një ish-nxënës hapi zjarr në ish-shkollën e tij të mesme në Siverek në provincën jugore Şanlıurfa, duke plagosur 16 persona përpara se të vriste veten në një përleshje me policinë, thanë zyrtarët.

    Sulmi la 10 nxënës, katër mësues, një punonjës mense dhe një oficer policie të plagosur, tha Guvernatori Hasan Şıldak.

    “ Individi u rrethua brenda ndërtesës për shkak të ndërhyrjes së policisë dhe vdiq pasi qëlloi veten”, u tha Şıldak gazetarëve, duke shtuar se do të kryhet një hetim “gjithëpërfshirës” për të shtënat.