ATV

Blog

  • ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    Ushtria amerikane ka sekuestruar të enjten një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar tensionet me Iranin, një ditë pasi Garda e saj paraushtarake Revolucionare mori kontrollin e dy anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

    Departamenti i Mbrojtjes ka publikuar videopamje të forcave amerikane në kuvertën e cisternës së naftës Majestic X, e cila u sekuestrua në Oqeanin Indian.

    “Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato veprojnë”, ka thënë Pentagoni në një deklaratë.

  • “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    E veja e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë kur Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit nga një grup i armatosur serbësh më 2023, rrëfen për Radion Evropa e Lirë kujtimet për jetën e tij. Lumnije Bunjaku thotë se po e pret me ankth vendimin gjyqësor që do të shpallet më 24 prill ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë, ku vdiq bashkëshorti i saj, i shpallur Hero i Kosovës.

    Trim dhe patriot.

    Këto janë dy fjalët e vetme që Lumnije Bunjaku thotë se e përshkruajnë më së miri burrin e saj, policin Afrim Bunjaku, i cili u shpall Hero i Kosovës pasi u vra në detyrë kur një grup i armatosur serbësh e sulmuan atë dhe kolegët e tij, në vitin 2023.

    “Nganjëherë them: Vetëm një herë po të më kishte hidhëruar, do t’ia kisha kujtuar”, shprehet Lumnija, teksa sheh fotografinë e tij të madhe me shirit të zi, që zë vendin kryesor në dhomën e ndejës në shtëpinë e familjes.

    Ajo thotë se kishte frikë nga rreziqet e profesionit të cilin burri i saj e synonte, që nga koha kur u martuan, 30 vjet më parë.

    Por, siç kujton Lumnija, ishte një pasion që nuk kishte si të mos e përkrahte.

    “E ka dashur këtë profesion gjithmonë. Thonë se edhe si fëmijë, kur e kanë pyetur në shkollë se çfarë dëshironte të bëhej, ai thoshte: ‘Dua të bëhem polic’”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).

    Kjo dëshirë, Afrim Bunjakut iu plotësua në vitin 2001, kur nisi punën si polic i Kosovës.

    Gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, çifti Bunjaku, së bashku me prindërit e Afrimit, dhe katër fëmijët e tyre, jetuan në Samadrexhë të Vushtrrisë.

    Fshati ndodhet rreth gjysmë ore larg nga zona e veriut të Kosovës, ku tensionet ndëretnike ishin të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

    Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, në vazhdimësi ka kundërshtuar njohjen e autoriteteve të Kosovës, ndërsa tensionet atje kulmuan më 24 shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur ndaj Policisë në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

    Sipas autoriteteve të Kosovës, me këtë sulm u tentua të aneksohej pjesa e veriut të vendit.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    Inspektorati Policor i Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i angazhuar në Njësinë  e Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.

    Sipas IPK-së, hetimet ndaj zyrtarit janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”.

    Teksa ka njoftuar tutje se pas konsultave me prokurorin, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

    “Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, thuhet në njoftimin e IPK-së.

  • Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik, të cilin Qosja e ka udhëhequr për shumë vjet, ka njoftuar se nesër në orën 12:00 do të mbahet mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së akademikut.

    Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89 vjeçare.

    Vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se ceremonia e varrimit është zhvilluar në një organizim privat familjar.

  • Biznesmeni Baliu: Ma shumë angazhohem për me pastru natyrën se te 12 biznese që i kam

    Biznesmeni Baliu: Ma shumë angazhohem për me pastru natyrën se te 12 biznese që i kam

    Biznesmeni Bali Baliu ka zgjedhur një rrugë të pazakontë krahas angazhimeve të tij të shumta në botën e biznesit. Edhe pse menaxhon rreth 10 deri në 12 kompani, ai thotë se përkushtimi më i madh i tij nuk lidhet me fitimin, por me mbrojtjen e natyrës.

    Baliu në emisionin “LIBERO” tregoi se ka marrë një hap konkret për të kontribuar në mjedis: ai ka punësuar një punëtor dhe i ka siguruar pajisjet e nevojshme, përfshirë edhe kombin, për pastrimin e zonës së Shalës së Bajgorës. Megjithatë, nuk ndalet vetëm me kaq —edhe ai del në terren dhe pastron natyrën.

    “Është pak investim, por ma shumë më flen kjo. Ma shumë më knaq kjo që e bëj se krejt bizneset e tjera që i kam. Ma shumë angazhohem për pastërtinë e Shalës së Bajgorës se për 12 biznese, sepse e bëj me pasion dhe knaqna kur e shoh natyrën e pastër”, është shprehur Baliu.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Bali Baliut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Vajzat janë detyru me e testu virgjërinë”, Dr.Fejza flet për absurditetin që u lejua me ligj në Kosovë

    “Vajzat janë detyru me e testu virgjërinë”, Dr.Fejza flet për absurditetin që u lejua me ligj në Kosovë

    Testimi i virgjërisë, ka qenë dikur i lejuar me ligj në Kosovë, duke shkaktuar pasoja të rënda psikologjike dhe sociale. Kështu u shpreh doktori dhe seksologu Hajrullah Fejza në emisionin “LIBERO” ku tregoi se pikërisht këtë temë e ka trajtuar në doktoratën e tij.

    Sipas tij, gjetjet nga hulumtimi janë tronditëse dhe dëshmojnë vuajtjet e shumta që kanë përjetuar vajzat si pasojë e kësaj praktike. “Është tmerr çka ka ndodh… është me u ulë e me qajt për gratë dhe vajzat tona”, theksoi ai, duke përmendur presionin e madh që u bëhej për të dëshmuar virgjërinë, shpesh edhe përmes kërkimit të njollave të gjakut në natën e parë të martesës.

    Fejza nënvizoi se kjo praktikë tashmë është ndaluar me ligj dhe nuk aplikohet më për qëllime personale apo për të kënaqur kërkesat e familjarëve apo partnerëve. Sipas tij, ndalimi i testimit të virgjërisë është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së dinjitetit dhe të drejtave të grave.

    Megjithatë, ai sqaroi se në raste të veçanta, procedura të caktuara mund të kryhen vetëm me urdhër të gjykatës, duke theksuar se kjo çështje tashmë konsiderohet një kapitull i mbyllur në shoqërinë kosovare.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Hajrullah Fejzës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Trabzonspor do të synoj ta aktivizoj opsionin e blerjes për Ernest Muçin pas një oferte të majme nga Evropa

    Trabzonspor do të synoj ta aktivizoj opsionin e blerjes për Ernest Muçin pas një oferte të majme nga Evropa

    Në orët e fundit, media turke “Eagle Media” ka zbuluar planet e Trabzonspor për të ardhmen e futbollistit të kombëtares shqiptare, Ernest Muçi. Sipas kësaj mediaje, Trabzonspor ka vendosur të ushtrojë opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit të Muçit nga Besiktas për një shumë prej 8.5 milionë euro, me mundësinë e pagesës në 5 këste.

     

    Në përputhje me marrëveshjen mes dy klubeve, Trabzonspor do të paguajë këtë shumë për të siguruar shërbimet e futbollistit, që aktualisht ndodhet në huazim te ky klub. Sidoqoftë, një zhvillim i ri ka shfaqur një mundësi të re: një ofertë prej 17.5 milionë euro ka mbërritur nga një ekip evropian për Ernest Muçin, dhe klubi turk po e vlerëson seriozisht këtë mundësi.

     

    Për momentin, stafi teknik dhe drejtuesit e Trabzonspor po shqyrtojnë mënyrën më të mirë për të përfituar nga kjo situatë, duke synuar që të shesin kartonin e Muçit për një çmim të lartë pas blerjes përfundimtare nga Besiktas. Kjo lëvizje mund të sjellë një fitim të madh për klubin turk, duke përfituar nga vlera e rritur e futbollistit.

  • Kuvendi miraton Ligjin për “Prishtina 2030”, opozita ngre shqetësime për transparencën dhe financat

    Kuvendi miraton Ligjin për “Prishtina 2030”, opozita ngre shqetësime për transparencën dhe financat

    Kuvendi i Kosovës i ka hapur zyrtarisht rrugë organizimit të Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, pasi miratoi ligjin përkatës me 64 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për vendin në drejtim të organizimit të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive ndërkombëtare.

    Megjithatë, përkundër konsensusit në votim, projektligji është shoqëruar me kritika të forta nga opozita, e cila ka ngritur shqetësime serioze për transparencën dhe menaxhimin e financave publike.

    Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Arbnora Salihu, ka kërkuar që Komiteti Organizativ të mos raportojë vetëm te Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, por edhe para Kuvendit, duke qenë se financimi kryesor vjen nga buxheti shtetëror. Ajo gjithashtu ka shprehur shqetësime për mundësinë e anashkalimit të procedurave të prokurimit publik, duke theksuar se për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

    Kritika të ngjashme janë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja Adelina Thaqi-Meta ka vënë në pah mungesën e qartësisë ligjore dhe të mekanizmave të fortë të llogaridhënies, duke përmendur edhe vërejtjet e BE-së për përbërjen e bordit drejtues dhe përfshirjen e gjerë të ekzekutivit në këtë strukturë.

    Ndërkohë, deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, ka ngritur shqetësimin për shumën prej rreth 254 milionë eurosh dhe rrezikun që këto mjete të menaxhohen jashtë procedurave standarde të prokurimit publik.

    Nga ana tjetër, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mbrojtur ligjin duke theksuar se legjislacioni për prokurimin publik mbetet plotësisht në fuqi për çdo shpenzim nga buxheti i shtetit. Sipas tij, rregulloret e Komitetit Organizativ janë në përputhje me ligjin dhe të domosdoshme për organizimin e Lojërave sipas standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

    Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e këtij eventi nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, duke e vendosur Prishtina në qendër të sportit mesdhetar në vitin 2030. Ngjarja pritet të zhvillohet kryesisht në kryeqytet, ndërsa disa aktivitete mund të shpërndahen edhe në qytete të tjera, në varësi të infrastrukturës sportive.

    Ky projekt konsiderohet një mundësi e madhe për promovimin ndërkombëtar të vendit, por njëkohësisht edhe një test i rëndësishëm për transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike.

  • BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    Bashkimi Evropian ka dhënë miratimin përfundimtar për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pasi Hungaria hoqi veton e saj.

    Procedura e brendshme u nis nga ambasadorët të mërkurën dhe u finalizua të enjten.

    Nuk u ngritën kundërshtime dhe rregullorja e fundit në pritje, e cila kërkon unanimitet për të ndryshuar buxhetin e BE-së, u miratua.

    Përparimi i shumëpritur erdhi dy ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se tubacioni Druzhba , i cili transporton naftë të lirë ruse në Hungari dhe Sllovaki, ishte riparuar dhe mund të rifillonte operacionet.

    Bëhet e ditur se ndërprerja e rrjedhave të naftës përmes Druzhbës ishte në thelb të vendimit të Orban për të vënë veton ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh në shkurt.

    Bllokimi i minutës së fundit zemëroi udhëheqësit e tjerë të BE-së, të cilët e dënuan atë si një përpjekje “të papranueshme” për të “shantazhuar”.

    Fakti që Orban e kishte miratuar kredinë në dhjetor dhe kishte siguruar një mundësi për t’u tërhequr nga BE-ja ishte veçanërisht shqetësues për shtetet e tjera anëtare.

    Një diplomat i lartë e përshkroi veton si një “pikë kthese” në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Budapestit.

    Ndryshe, Komisioni Evropian, i cili do të menaxhojë skemën financiare, thotë se pagesa e parë për Kievin do të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur” sapo të jenë gati të gjitha dokumentet ligjore dhe teknike.

    Për vitin 2026, Brukseli synon të transferojë gradualisht 45 miliardë euro, ku 16.7 miliardë euro do të ndahen për mbështetje financiare dhe 28.3 miliardë euro për mbështetje ushtarake.

    Pagesat do të bëhen me kusht që të miratohen reformat nga Kievi.

    Çdo ndryshim në luftën kundër korrupsionit mund të shkaktojë një pezullim të përkohshëm të ndihmës.

    Veçanërisht, pjesa ushtarake e kredisë do të ketë dispozita “Made in Europe” për të siguruar që sa më shumë fonde të shkojë te prodhuesit vendas.

    45 miliardë eurot e mbetura do të mbahen për vitin 2027 dhe do të mbulojnë dy të tretat e nevojave të financimit të Ukrainës.

    Aleatët perëndimorë pritet të mbulojnë një të tretën e fundit.

    Huamarrja e përbashkët do të përjashtojë Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Si rezultat, 24 shtetet e tjera anëtare do të paguajnë rreth 3 miliardë euro në norma interesi vjetore .

    Ukrainës do t’i kërkohet të kthejë kredinë prej 90 miliardë eurosh vetëm nëse Rusia pranon ndonjëherë dëmshpërblimet e luftës, diçka që Moska e ka përjashtuar kategorikisht. /Telegrafi/

  • Vdekja e Qosjes, Hamza: Humbje e madhe për mbarë kombin shqiptar

    Vdekja e Qosjes, Hamza: Humbje e madhe për mbarë kombin shqiptar

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së akademikut Rexhep Qosja.

    Hamza ka thënë se vdekja e Qosjes është e madhe jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.

    “Si akademik i shquar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin shkencor dhe kulturor shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe të pazëvendësueshme për brezat që vijnë. Si mendimtar i angazhuar në çështjet politike, akademik Rexhep Qosja kontribuoi edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në përpjekjet për liri e barazi të popullit tonë. Në këto momente të rënda për ju, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta.”, ka thënë Hamza.

    Ai ka shtuar se kujtimi dhe vepra e akademikut Rexhep Qosja do të mbeten të përhershme.