ATV

Blog

  • Seanca për presidentin, Abdixhiku: Show propagandues i LVV-së, s’marrim pjesë

    Seanca për presidentin, Abdixhiku: Show propagandues i LVV-së, s’marrim pjesë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën për presidentin e thirrur sot në ora 17:00.

    Ai ka thënë se kjo seancë është “show propagandues i LVV-së”.

    Abdixhiku ka thënë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me Vetëvendosjen për presidentin.

  • Kreshnik Uka shpallet “Ylli i Javës” në Superligë për herë të tretë

    Kreshnik Uka shpallet “Ylli i Javës” në Superligë për herë të tretë

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, po vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e tridhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të tretë futbollistit të FC Drenicës, Kreshnik Uka, i cili u dallua me paraqitje të shkëlqyer dhe shënoi dy gola në ndeshjen ndaj FC Prishtina e Re, e cila përfundoi me rezultatin 2:3.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pas marrjes së çmimit, Uka u shpreh i lumtur për vlerësimin si lojtari më i mirë i javës:

    “E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi duke parë pozitën e Prishtinës së Re në tabelë, e dinim se atyre u nevojiteshin pikët e plota. Fillimi i ndeshjes nuk ishte siç e kishim pritur, pasi në pjesën e parë ishim në disavantazh 1:0. Megjithatë, në pushim të ndeshjes, së bashku me trajnerin, lojtarët dhe kapitenin Genc Hamiti, u dakorduam që të dalim fuqishëm në pjesën e dytë dhe ta përmbysim rezultatin – dhe ashtu ndodhi.”

    “Shpresoj të vazhdojmë në këtë formë, pse jo edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit. Si klub, nuk e kemi pasur synim daljen në Evropë përmes kampionatit, por përmes Kupës. Megjithatë, tash e tutje gjithçka është e mundur. Kjo është meritë e bashkëlojtarëve, duke filluar nga kapiteni Genc Hamiti e deri te lojtari më i ri, të cilët po japin maksimumin. Edhe stafi dhe trajneri po bëjnë një punë të shkëlqyer. Kemi krijuar një mentalitet të ri në ekip dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

    FC Drenica aktualisht gjendet në pozitën e 7-të në tabelë me 38 pikë.

  • Prokurori Kodrali për dënimin e Gjukanoviq: Askush nuk do të jetë mbi ligjin

    Prokurori Kodrali për dënimin e Gjukanoviq: Askush nuk do të jetë mbi ligjin

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur fajtor zyrtaren e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jelena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me 6 vjet burgim efektiv, raporton Ekonomia Online.

    Prokurori i rastit, Bekim Kodrali, tha se aktgjykimi erdhi pas një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor, ndërsa theksoi se veprimtaria e të pandehurës është dëshmuar përtej dyshimit të bazuar mirë.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, pas një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor, shpalli fajtor një zyrtare të Misionit të OSBE-së në Republikën e Kosovës, Jelena Gjukanoviq, për kryerjen e veprës penale spiunazhi, e kryer në vazhdimësi nga neni 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal, dhe i shqiptoi një dënim me burg efektiv prej 6 vitesh. Prokuroria Speciale ka bashkëpunuar në koordinim të ngushtë me institucionet e sigurisë, me Policinë e Kosovës, Departamentin Kundër Terrorizmit, e në veçanti edhe me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi siguruar prova konkrete dhe të mjaftueshme, me të cilat edhe u vërtetua përtej dyshimit të bazuar mirë, se e pandehura Gjukanoviq ka kryer aktivitet të kundërligjshëm, aktivitet i cili ka ndihmuar agjencinë sekrete serbe BIA, në implementimin e narrativës së tyre në dëm të interesave të Kosovës. Nga këtu, dërgojmë një mesazh të qartë se askush nuk do të jetë mbi ligjin, dhe ne do të ndërmarrim të gjitha masat konkrete në ndjekjen dhe hetimin e të gjithë kryesve të këtyre veprave penale, të cilat cenojnë rendin juridik kushtetues, sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve dhe zyrtarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se Prokuroria do të analizojë aktgjykimin dhe më pas do të vendosë për hapat e mëtejmë ligjorë.

    “Ne do të pranojmë aktgjykimin e gjykatës dhe varësisht pas analizimit të arsyetimit, do të vlerësojmë në lidhje me dënueshmërinë e gjykatës”, tha ai.

  • Trajnimi për kërkim-shpëtim malor, FSK forcon reagimin ndaj emergjencave

    Trajnimi për kërkim-shpëtim malor, FSK forcon reagimin ndaj emergjencave

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim ka përfunduar me sukses Trajnimin Bazik të Kërkim-Shpëtimit Malor.

    Gjatë këtij trajnimi, siç thuhet në Facebook, pjesëmarrësit kanë përfituar njohuri dhe aftësi të specializuara për operacione në terrene malore.

    Programi, sipas FSK-së, ka përfshirë orientimin në terren, teknikat bazike të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, operacionet e kërkim-shpëtimit në kushte të vështira, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në ambiente malore.

    “Trajnimi u zhvillua në përputhje me standardet profesionale dhe synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së për reagim efikas në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca në mjedise malore në Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile”, shkruan FSK.

  • Arrestohet një person në Prishtinë – tenton të sulmojë disa pjesëmarrës gjatë prezantimit të muralit për nënë Ferdonijen

    Arrestohet një person në Prishtinë – tenton të sulmojë disa pjesëmarrës gjatë prezantimit të muralit për nënë Ferdonijen

    Një person është arrestuar sot rreth orës 11:30 gjatë një ceremonie në rrugën “Dëshmorët e Kombit” pasi ka tentuar të sulmojë fizikisht disa persona.

    Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

    Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zyrtarët policorë, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar.

    “Sot, rreth orës 11:30, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Prishtinë, një person gjatë një ceremonie ka tentuar t’i sulmojë disa persona të tjerë. Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zyrtarët policorë, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Pllana.

    Ndërkaq, sipas pamjeve të mediave prezent ngjarja ka ndodhur gjatë prezantimit të muralit për nënën Ferdonije.

  • Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Sportit, Blerim Gashani derisa prezantoi projektligjin shpjegoi edhe dobitë që sjellë.

    “Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, është një arritje strategjike për Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, duke dëshmuar kapacitetin institucional për të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij niveli.

    Në këtë kuadër, marrëveshja me Shqipërinë, paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportet e lundrimit, është një zgjedhje logjike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për organizimin e ngjarjeve multisportive.

    Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si mikpritëse, por përkundrazi, e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Marrëveshja përcakton qartë ndarjen e përgjegjësive dhe detyrave, ku Kosova si vendi mikpritës mban barrën kryesore financiare për organizimin e lojërave në tërësi. Kjo përfshin mbulimin e shpenzimeve përkatëse organizative dhe logjistike, duke garantuar që standardet e kërkuara ndërkombëtare të respektohen në tërësi“, tha ai.

    Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Arbnora Saliu tha se e përkrahin këtë projektligj.

    “Sa i përket projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, që erdhi për shqyrtim para disa ditëve, ju e dini që ne i kemi dhënë vërejtjet tona lidhur me mënyrën se si janë paraparë procedurat e prokurimit, auditimit, raportimit të shpenzimeve buxhetore si dhe rekrutimit të stafit. Këto vërejtje i kemi adresuar përmes katër amendamenteve. Shqetësimet e njëjta lidhur me këtë projektligj i kanë ngritur edhe zyra e BE-së në Kosovë. Megjithatë, shumica këtu, kjo shumicë e deputetëve kanë qenë kundër amendamenteve të propozuara nga ne dhe fatkeqësisht projektligji ka kaluar në formën fillestare.

    Sot ne e kemi sjellë për votim projektligjin numër 10 L-040 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Këtu parashihet bashkëpunimi me Shqipërinë për zhvillimin e disa prej garave të sporteve ujore në Durrës.

    Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare, ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështesim“, tha ajo.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Adelina Thaçi tha se kanë ngritur shqetësimet e tyre për këtë por se mbështesin marrëveshjen.

    “Si anëtare e Komisionit për Kulturë, kam ngritur shqetësimet e mia sa i përket marrëveshjes ndërshtetërore, por Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë marrëveshje ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizimin e tyre, natyrisht si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare që është në interesin e vendit“, tha ajo.

    Edhe, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka përkrahur, të njëjtën.

    “Unë konsideroj që është e një rëndësie të veçantë dhe na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosovë-Shqipëri, duke e ditur se nga kjo qeveri kanë munguar në vazhdimësi bashkëpunimet me Republikën e Shqipërisë“, tha ajo.

  • Avokati i spijunës serbe që u dënua me 6 vjet burgim: Do të luftojë deri në Gjykatën Kushtetuese

    Avokati i spijunës serbe që u dënua me 6 vjet burgim: Do të luftojë deri në Gjykatën Kushtetuese

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është shpallur aktgjykimi ndaj ish-punëtores së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e cila është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

    E pas kësaj është deklaruar avokati i saj Predrag Milkoviq. Ai tha se telefoni i klientës së saj, u konfiskua pa urdhër të gjykatës.

    “Mendoj që provat s’mund të jenë me ligj. Nuk janë me ligj për shkak se nuk ka qenë me urdhër të gjykatës konfiskimi i telefonit, që është paraparë me nenin 103 paragrafi 5 me kodin e procedurës penale. Do të thotë që secili telefon për me analizu, për të bërë konfiskimin e telefonit, kjo duhet të bëhet me urdhër të Gjykatës, e ky nuk ka qenë me urdhër të gjykatës”, tha ai.

    Milkoviq i pakënaqur me vendimin e gjykatës për denim me 6 vjet burgim për klientën e tij, tha se do ta apeloj rastin dhe do të luftojë deri në Gjykatën Kushtetuese.

    “Po do ta apeloj dhe do të luftoj deri në Gjykatën Kushtetuese. Konfiskimi i telefonit nuk mund të bëhet pa urdhërin e gjykatës”, tha ai.

  • Nis seanca e Kuvendit të Kosovës,  në rend dite shtatë pika

    Nis seanca e Kuvendit të Kosovës, në rend dite shtatë pika

    Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

    Në këtë seancë do të diskutohen shtatë pika.

    Rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, 
2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, 
5. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
 6. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës,
 7. Emërimi i drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

  • Gjenerata e 63-të e kadetëve, nisin trajnimin për polic

    Gjenerata e 63-të e kadetëve, nisin trajnimin për polic

    Policia e Kosovës ka mirëpritur pjesëtarët më të rinj të saj, respektivisht gjeneratën 63 të kadetëve policorë, të cilët pasi kanë përfunduar me sukses të gjitha fazat testuese në konkursin për zyrtarë policorë dhe nënshkrimin e kontratave me Policinë e Kosovës, tashmë zyrtarisht fillojnë trajnimin themelor për zyrtar policor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Edhe kjo gjeneratë është mirëpritur nga përfaqësues të PK-së, të cilët njëherësh edhe do të jenë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe përgatitjen e saj përgjatë trajnimit themelor për zyrtar policor, i cili do t’i aftësojë profesionalisht kadetët policorë për punën policore në praktikë.

  • Kylian Mbappé në dyshim serioz për El Clásico pas dëmtimit muskulor

    Kylian Mbappé në dyshim serioz për El Clásico pas dëmtimit muskulor

    Kylian Mbappé rrezikon seriozisht të humbasë El Clásicon e 10 majit pas një dëmtimi muskulor në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Sulmuesi francez u detyrua të largohej nga loja ndaj Real Betis dhe ekzaminimet mjekësore konfirmuan një dëmtim në muskulin semitendinosus.

    Edhe pse Real Madrid nuk ka dhënë një afat rikuperimi, situata e tij është e pasigurt dhe pjesëmarrja në ndeshjen kundër Barcelonës mbetet në dyshim.

    Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një problem të lehtë, por mungesa e përmirësimit brenda 48 orëve bëri që klubi të kryejë analiza më të thelluara. Kjo ka shtuar shqetësimet në kampin madrilen, sidomos në një periudhë vendimtare të sezonit.

    Situata komplikohet edhe më shumë për shkak të mungesave të tjera në skuadër, si Éder Militão dhe Arda Güler, duke i krijuar vështirësi trajnerit Álvaro Arbeloa në përzgjedhjen e formacionit.

    Real Madrid shpreson që Mbappé të rikuperohet në kohë, por vendimi përfundimtar do të varet nga ditët e ardhshme.