ATV

Blog

  • Irani propozon hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa përfshirë programin bërthamor

    Irani propozon hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa përfshirë programin bërthamor

    Irani ka paraqitur një propozim për të hequr kufizimet në Ngushticën e Hormuzit pa e trajtuar programin e tij bërthamor, sipas dy zyrtarëve rajonalë të cituar nga mediat ndërkombëtare.

    Sipas tyre, propozimi është diskutuar në bisedime të mbyllura dhe është transmetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Pakistanit.

    Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Iranit ka zhvilluar një vizitë në Rusi, ku ka deklaruar se takimi shërben për konsultime lidhur me luftën me Izraelin dhe SHBA-në.

    Sipas burimeve siç raporton The Guardian, Irani kërkon gjithashtu që SHBA të heqë bllokadën ndaj vendit si pjesë e marrëveshjes së propozuar.

    Megjithatë, ky plan nuk pritet të mbështetet nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe ndalimin e programit bërthamor iranian, si dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

    Trump ka thënë më herët se SHBA ka “të gjitha kartat” dhe se Irani mund të kontaktojë Uashingtonin nëse dëshiron bisedime.

  • Liverpooli i qëndron besnik Arne Slotit-Nuk ka plan për Xabi Alonson

    Liverpooli i qëndron besnik Arne Slotit-Nuk ka plan për Xabi Alonson

    Liverpool FC nuk është duke planifikuar ta zëvendësojë trajnerin Arne Slot me Xabi Alonso gjatë verës, pavarësisht spekulimeve të fundit në media.

    Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi anglez vazhdon t’i besojë Slotit dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për ta rikthyer Alonson në “Anfield”. Raportimet nga Gjermania kishin sugjeruar të kundërtën, por ato janë mohuar, duke theksuar se nuk ka pasur kontakte mes palëve.

    Liverpooli po përballet me një fund sezoni jo shumë bindës dhe aktualisht renditet në mesin e katër skuadrave të para në Premier League. Megjithatë, gara për një vend në UEFA Champions League mbetet e hapur, dhe çdo lëshim mund të rrisë presionin mbi trajnerin.

    Ndërkohë, Alonso mbetet i lirë pas largimit nga Real Madrid CF në muajin janar, çka e ka bërë atë një emër të përfolur për stolin e Liverpoolit. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e klubit janë aktualisht të fokusuar në mbështetjen e Slotit dhe jo në një ndryshim të mundshëm në pankinë.

  • Afati drejt fundit, Tahiri: Situata tregon papërgjegjësi – Kosova është në prag të zgjedhjeve

    Afati drejt fundit, Tahiri: Situata tregon papërgjegjësi – Kosova është në prag të zgjedhjeve

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka komentuar situatën aktuale sa i përket çështjes së presidentit.

    Para seancës, deputeti tha se situata vërteton se Kosova është në prag të zgjedhjeve, dhe sipas tij, kjo është papërgjegjësi e shumicës parlamentare.

    “Ajo që është shumë shqetësuese dhe brengë e secilit qytetarë është tema kryesore, zgjidhja dhe zgjedhja e presidentit. Jemi në ditën e fundit, po na përsëritet situata e para disa muajve kur vijmë në ditën e fundit dhe ende nuk e dimë kush janë kandidatët unifikues të cilët potencialisht mund t’i marrin 80 votat në Kuvend, kjo situatë na tregon papërgjegjësinë e shumicës parlamentare”, deklaroi Tahiri.

    “Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe na tregon për një eksperiment të vazhdueshëm”.

  • Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u solidarizua sot me familjet, të dashurit e të cilave mbeten të zhdukur që nga lufta.

    Përmes një postimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, theksohet se drejtësia tranzicionale do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të sqaruar fatin e 1 mijë e 581 personave të zhdukur, dhe shton se do të ndihmojë në sjelljen e një ndjenje paqeje për familjet e tyre.

    “Drejtësia tranzicionale = e drejta për të ditur të vërtetën!”, thuhet në njoftim.

  • Real Madrid refuzon 80 milionë euro për Federico Valverde

    Real Madrid refuzon 80 milionë euro për Federico Valverde

    Real Madrid ka refuzuar një ofertë prej 80 milionë eurosh për Federico Valverde, duke e konfirmuar mesfushorin si një nga shtyllat kryesore të projektit sportiv për vitet në vijim.

    Drejtuesit e klubit madrilen mbajtën një qëndrim të prerë ndaj ofertës së ardhur nga Al-Ahli, duke bërë të qartë se lojtari nuk është në shitje. Pavarësisht shumës së konsiderueshme, drejtoria sportive vlerëson se kontributi i Valverdes tejkalon çdo ofertë financiare, falë performancës së qëndrueshme dhe rolit të tij në skuadër.

    Kontrata e Valverdes me Real Madridin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029, çka i jep klubit një avantazh të madh në çdo negociatë të mundshme. Kjo situatë eliminon çdo presion për shitje dhe i lejon klubit të ruajë një strategji të qartë dhe të qëndrueshme.

    Aftësia e tij për të luajtur në disa pozicione, si në mesfushë ashtu edhe në krah, e bën një element thelbësor për trajnerin. Megjithatë, si klubi madrilen ashtu edhe vetë lojtari kanë konfirmuar se një transferim nuk është në horizont.

    Interesi i klubit saudit lidhet me strategjinë për të afruar lojtarë të nivelit të lartë dhe për të rritur konkurrencën ndërkombëtare. Në moshën 27-vjeçare, Valverde mbetet i përqendruar në vazhdimin e karrierës në elitën e futbollit evropian dhe në arritjen e sukseseve të reja me Real Madridin.

    Refuzimi i ofertës është një tjetër tregues i qartë i filozofisë aktuale të klubit: ruajtja e stabilitetit sportiv dhe e lojtarëve kyç ka përparësi ndaj përfitimeve financiare afatshkurtra. Në këtë kuadër, Valverde përfaqëson profilin ideal të futbollistit që Real Madrid synon të mbështesë – talent, përkushtim dhe perspektivë afatgjatë.

  • Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës është përkujtuar masakra e Mejës, ku një nga pjesëmarrëset e homazheve ishte edhe një nënë 96-vjeçare.

    Vase Tahiraj, u pa teksa qëndronte para varrit të djalit të saj të vetëm, Halil Miftar Tahiraj, një nga viktimat e kësaj masakre.

    Në këtë përkujtim morën pjesë edhe qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues e krerë institucionalë, të cilët bënë homazhe në nder të viktimave të masakrës së Mejës.

  • Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke kërkuar angazhim më të madh ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre.

    Kurti tha se edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi një mijë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa institucionet e vendit janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e fatit të tyre.

    “Bëjmë nderime për gjithë të zhdukurit edhe 1565 i kemi ende të pagjetur, komisioni qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen të gjallë e të vdekur nga forcat armike të Serbisë së Millosheviqit. Duhet të kujtojmë që i fundit që u varros djali i vogël 9 vjeçar. Sinan Dauti nga Prekazi…Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive përveç atyre 5 që tashmë janë zbuluar e për të cilët Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar nga vetë ata publikisht se janë 16 masive gjithsej e vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreh 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se përgjegjësia për zbardhjen e së vërtetës qëndron te Serbia, ndërsa kërkoi presion më të madh nga faktori ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

    “Atje ku është përgjegjësia atje është edhe e vërteta mirëpo ne nuk kemi juridiksion mbi Serbinë, faktori ndërkombëtarë evropian dhe amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trysni Serbisë ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para gjyqit. Edhe në Kosovë tash e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës qofshin urdhër -dhënës apo ekzekutor dhe për këtë prokuroria speciale e ka përkrahjen e plotë të qeverisë së Republikës gjithashtu edhe sistemi në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara por unë besoj që duhet të punojnë edhe më shumë edhe më shpejt seç po bëhet meqenëse dëshmitarët po plaken shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja përpara drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, tha ai.

  • Haradinaj nderon martirët në Mejë: Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës

    Haradinaj nderon martirët në Mejë: Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qëndruar në Mejë me rastin e 27-vjetorit të masakrës, atje ku 376 shqiptarë u vranë e u masakruan nga forcat serbe.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se më 27 prill 1999, forcat serbe kryen njërën ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, duke ekzekutuar mizorisht motra e vëllezër shqiptarë të pafajshëm, të dy besimeve fetare.

    Ai shton se shumë prej tyre, edhe sot, mbeten të pagjetur, ndërsa thotë se plagët e luftës nuk mbyllen pa ndriçimin e fatit të tyre.

    “Sot, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve, nderuam kujtimin për martirët e masakrës së Mejës dhe për dëshmorët e martirët e Skivjanit dhe dëshmorët e Prejlepit. Në përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarëve të mi, Edmond Dabiqaj, Sadri Latifaj dhe Haxhi Tolaj, nderojmë sot kontributin e fshatit Prejlep në Luftën Çlirimtare, Dëshmorët e Martirët që ia fali lirisë”.

    “Po sot, kujtojmë bashkëluftëtarët Bekim Thaçi, Fetah Sylejmani, Isuf Dinaj, Muhamet Bardheci, Mustafë Avdullahu, Pëllumb Ademaj, Rexhep Hajdaraj, Shkelzen Brahimaj dhe Xhavit Fetahaj të rënë në betejat e fundit të prillit anekënd Dukagjinit. Falë gjakut të tyre, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare dhe falë ndihmës së botës së përparuar liridashëse, NATO-s së prirë nga Amerika, ne sot jetojmë të lirë në shtetin tonë. Mirënjohës ndaj sakrificës të të gjithë të rënëve për liri! Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës!”, ka shkruar ish-komandanti i UÇK-së.

  • Vrasja e çiftit në Lezhë, Policia identifikon të dyshuarit

    Vrasja e çiftit në Lezhë, Policia identifikon të dyshuarit

    Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi, ka dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e para mbi zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur dje më 26 prill, në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

    Nasufi dha detaje lidhur me ngjarjen tragjike, duke bërë të ditur se janë identifikuar edhe të dyshuarit.

    “Nga hetimet intensive, përmes këqyrjes së provave dhe analizimit të pamjeve filmike përgjatë itinerarit të lëvizjes së viktimave dhe autorëve, është bërë i mundur identifikimi i një prej automjeteve të përdorura, tip “Audi A4”. Më tej, hetimet kanë çuar në identifikimin e tre autorëve të dyshuar: shtetasit A. M. (22 vjeç), F. M. (36 vjeç) dhe R. M. (23 vjeç), banues në Lezhë. Sipas dinamikës së rindërtuar të ngjarjes, automjeti “Audi A4” ka ndjekur lëvizjet e viktimës, ndërsa një automjet tjetër, tip “Volkswagen” pa targa, i ka prerë rrugën dhe më pas autorët kanë hapur zjarr me breshëri në drejtim të mjetit ku udhëtonte çifti”, deklaroi Nasufi në këtë konferencë për media.

    Dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje lidhet me hakmarrjen.

    Pas identifikimit të autorëve, Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por pa arritur t’i lokalizojë ata. Të tre janë shpallur në kërkim.

    Operacioni për kapjen e tyre vijon në terren, ku janë përfshirë edhe forcat speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.

    Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe armëve të përdorura në krim.

  • Besa Famgas reagon ashpër pas humbjes në finale: “Kjo që ndodhi është e papranueshme”

    Besa Famgas reagon ashpër pas humbjes në finale: “Kjo që ndodhi është e papranueshme”

    Presidenti i Besa Famgas, Enis Idrizi, ka reaguar publikisht pas humbjes së ekipit të tij ndaj Kastriotit në finalen e Kupës së Kosovës në hendboll, duke shprehur pakënaqësi të madhe ndaj gjykimit dhe delegimit të arbitrave.

     

    Idrizi theksoi se organizimi i finales ishte në nivel, por ajo që ndodhi në fushë, sipas tij, nuk kishte lidhje me sportin. Ai akuzoi drejtpërdrejt gjyqtarët për vendime të padrejta që, sipas tij, ndikuan në rezultatin përfundimtar.

     

    “Po ajo që ndodhi në fushë sonte nuk ka lidhje me sport. Nga delegimi deri te referimi – kjo është turp për hendbollin në Kosovë. Vendime në momentet kyçe, pa asnjë standard, pa asnjë konsistencë, që e kanë ndryshuar drejtpërdrejt rrjedhën e lojës”, thuhet në reagimin e tij.

     

    Ai shtoi se një situatë e tillë është e papranueshme për një klub me historinë e Besa Famgas, duke e cilësuar këtë jo vetëm si një humbje finaleje, por si dëmtim të hapur të garës.

     

    Idrizi kërkoi përgjigje të qarta nga organet përkatëse lidhur me mënyrën e delegimit të gjyqtarëve dhe pse, sipas tij, nuk janë angazhuar arbitrat më të mirë të mundshëm për një ndeshje të tillë.

     

    “Duhet të jepen përgjigje të qarta: si u bë delegimi? Kush e mori këtë vendim? Pse nuk u angazhua niveli më i lartë i mundshëm?”, ka deklaruar ai.

     

    Në fund, ai kërkoi reagim konkret nga Federata e Hendbollit të Kosovës, duke theksuar se heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi.

    Kujtojmë që Besa Famgas humbi në finale të Kupës së Kosovës në hendboll ndaj Kastriotit 28:27,ku pati një numër të madh të shikuesve në palestrëm “Bill Clinton”në Ferizaj