ATV

Blog

  • Real Madridi raportohet të ketë kontaktuar Lionel Scalonin për postin e trajnerit

    Real Madridi raportohet të ketë kontaktuar Lionel Scalonin për postin e trajnerit

    Real Madridi raportohet se ka kontaktuar përzgjedhësin e Argjentinës, Lionel Scaloni, ndërsa klubi vazhdon të vlerësojë opsionet për drejtimin e ardhshëm të stolit.

    Sipas raportimeve të emisionit radiofonik spanjoll “El Partidazo de COPE”, klubi madrilen ka shprehur interes për Scaloni-n, i cili aktualisht është trajner i përfaqësueses së Argjentinës dhe ka arritur sukses të madh duke e udhëhequr ekipin drejt fitimit të Kupës së Botës.

    Real Madridi po kalon një periudhë ku po shqyrton kandidatë të ndryshëm për të ardhmen, ndërsa në listë janë përmendur edhe emra të tjerë si Cesc Fàbregas, Jürgen Klopp dhe Didier Deschamps.

    Megjithatë, një lëvizje e mundshme e Scaloni-t nuk pritet të ndodhë menjëherë, pasi ai raportohet se do të vazhdojë të drejtojë Argjentinën të paktën deri pas Botërorit 2026.

    Presidenti i klubit, Florentino Pérez, thuhet se po e analizon me kujdes situatën, ndërsa Real Madridi synon të përcaktojë drejtimin afatgjatë të skuadrës.

    Nga ana tjetër, Scaloni raportohet se është i hapur për një sfidë të re në të ardhmen, por fokusi i tij aktual mbetet te kombëtarja e Argjentinës dhe objektivat ndërkombëtare.

  • Luis Enrique para Bayern-it-“PSG-ja pak më lart si ekip”

    Luis Enrique para Bayern-it-“PSG-ja pak më lart si ekip”

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur në konferencën për shtyp para përballjes së rëndësishme ndaj Bayern Munich në Champions League, duke vlerësuar kundërshtarin dhe trajnerin e tij, Vincent Kompany.

    Enrique e cilësoi Kompany-n si një trajner të nivelit të lartë, duke theksuar se këtë e ka dëshmuar edhe gjatë punës së tij në Angli. Ai shtoi se Bayern Munich është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur, sidomos për shkak të stilit të saj ofensiv.

    “Më pëlqejnë trajnerët që luajnë futboll sulmues. Bayern është një ekip që gjithmonë kërkon të shënojë dhe është kënaqësi ta shohësh,” u shpreh ai.

    Megjithatë, tekniku spanjoll nuk u pajtua me vlerësimet se kjo ndeshje është përballja mes dy skuadrave më të mira të kompeticionit. Sipas tij, nuk është vetëm sulmi ai që përcakton forcën e një ekipi, duke përmendur edhe Arsenal-in si një skuadër që ka bërë paraqitje të mira këtë sezon.

    Duke folur për Bayern-in, Enrique theksoi se gjermanët kanë treguar qëndrueshmëri të madhe, duke humbur vetëm dy ndeshje gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, ai shtoi se, duke u bazuar në paraqitjet e përgjithshme, PSG-ja qëndron pak më lart si ekip.

  • Anthony Joshua drejt rikthimit në ring – Raportohet duel me Kristian Prengën në Arabinë Saudite

    Anthony Joshua drejt rikthimit në ring – Raportohet duel me Kristian Prengën në Arabinë Saudite

    Sipas disa raportimeve jozyrtare, boksieri britanik Anthony Joshua pritet të rikthehet në ring pas një periudhe të vështirë emocionale, gjatë së cilës thuhet se ka marrë kohë për reflektim dhe përgatitje.

    Në këto raportime përmendet edhe një përballje e mundshme me boksierin shqiptar Kristian Prenga, i cili ka një rekord të fortë profesional prej 20 fitoreve dhe 1 humbjeje, shumica e fitoreve të tij të arritura me nokaut.

    Sipas këtyre burimeve të pakonfirmuara, meçi do të zhvillohej në Arabinë Saudite, në qytetin e Riadit, më 25 dhjetor. Megjithatë, datat dhe detajet e ngjarjes nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga asnjë organizator apo promotori i njohur i boksit.

    Në të njëjtën kohë, përmendet se një fitore e mundshme e Joshua-s në këtë meç do të mund të hapte rrugën për një superpërballje të shumëpritur me britanikun Tyson Fury, megjithëse edhe ky duel mbetet ende në nivel spekulimi.

    Deri tani, nuk ka njoftime zyrtare që e konfirmojnë këtë event apo kundërshtarët e përmendur.

  • Sveçla pas dënimit të Gjukanoviqit: Institucionet do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër spiunazhit

    Sveçla pas dënimit të Gjukanoviqit: Institucionet do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër spiunazhit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka dënuar me 6 vjet burgim ish-zyrtaren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, për veprën penale të spiunazhit.

    Në reagimin e tij, Sveçla tha se institucionet e sigurisë së Kosovës janë angazhuar fuqishëm në zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit që, sipas tij, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.

    Ai theksoi se Gjukanoviq ka nxjerrë dhe shpërndarë dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve të Kosovës te akterë të ndryshëm në Serbi.

    Sveçla shtoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, duke kërkuar njëkohësisht më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat që, sipas tij, këto vepra kanë për shtetin.

    “Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohet”, u shpreh Sveçla.

  • Kadrijaj: Seanca për presidentin “shpikje” e LVV-së

    Kadrijaj: Seanca për presidentin “shpikje” e LVV-së

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka kritikuar thirrjen e seancës për presidentin.

    Ajo ka thënë se kjo është një shpikje e LVV-së.

    “Asnjëherë s’ka ndodh me u thirr një seancë me diskutua për presidentin. Si është e mundur të thirret një seancë në orën 17:00 dhe të diskutohet për presidentin. Jo, kryetare, nuk diskutohet në parlament për presidentin, sillen emrat të cilët ju jeni dakorduar dhe aty votohet. Por që të diskutohet e keni shpikur një praktikë të re, këtë po e zbulon LVV”, ka thënë ajo gjatë seancës së Kuvendit.

    Në reagim e saj, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka thënë se Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohet duke shprehur besimin se deri në orën 17:00 do të ketë emra të propozuar për presidentin.

  • BFI: Këtë vit për në Haxh do të udhëtojnë mbi dy mijë besimtarë

    BFI: Këtë vit për në Haxh do të udhëtojnë mbi dy mijë besimtarë

    Këtë vit në Haxh dhe për vizitë në vendet e shenjta myslimane, nga vendi ynë, do të shkojnë mbi dy mijë besimtarë, që është numër identik me vitin e kaluar, deklaroi për AIM-n, Irsal Jakupi, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame.

    “Numri është plotësuar sipas kuotës të cilën e caktoi Ministria e Haxhit në Arabinë Saudite dhe këtë vit do të ketë 2.020 besimtarë nga vendi, të cilët do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta, edhe pse ishin paraqitur më shumë. Numri është identik si edhe vitin e kaluar. Besimtarët do të udhëtojnë prej 14 deri më 21 maj, me fluturime çarter me aeroplan”, shtoi Jakupi.

    Sa i përket moshës, sipas tij, këtë vit ata që udhëtojnë në haxh i takojnë gjeneratës më të re, ndërsa më i moshuari është një 75-vjeçar. Çmimi për aranzhim për Haxh është 6.700 euro, që është më i lartë për 250 euro në krahasim me vitin e kaluar.

    Festa e madhe e Bajramit të Kurbanit, këtë vit bie më 27 maj. Haxhi shërben për t’u kujtuar myslimanëve se të gjithë janë të barabartë në sytë e Zotit – Allahut. Kjo është shtylla e pestë e Islamit dhe rikujton udhëtimin e profetit Muhamed në vitin 632. Synon t’i afrojë myslimanët e të gjitha kombësive, duke i pastruar ata nga mëkatet dhe duke i afruar ata me Zotin.

  • Ekipi i QKMF-së në Obiliq aksidentohet gjatë transportit emergjent, katër të lënduar

    Ekipi i QKMF-së në Obiliq aksidentohet gjatë transportit emergjent, katër të lënduar

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq ka njoftuar se gjatë ditës së sotme një ekip mjekësor është përfshirë në një aksident komunikacioni, derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare për transport emergjent të një pacienti.

    Sipas njoftimit të QKMF-së, si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dy punëtorë shëndetësorë, si dhe dy persona nga pala tjetër e përfshirë në aksident. Nga QKMF-ja është bërë e ditur se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

    Ngjarja ka ndikuar edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, pasi, siç thuhet në njoftim, për shkak të aksidentit janë shkaktuar vonesa të përkohshme në realizimin e disa shërbimeve.

    QKMF Obiliq u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke theksuar se pavarësisht situatës, shërbimet shëndetësore janë duke vazhduar normalisht.

  • Kuvendi i Kosovës miraton tri protokolle shtesë për tregtinë e lirë

    Kuvendi i Kosovës miraton tri protokolle shtesë për tregtinë e lirë

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe tri pika, të cilat u shtuan si pika të rendit të ditës në fillim të seancës plenare.

    Është miratuar projektligji për ratifikimin e Protokollit Shtesë 5 të marrëveshjes për aderimin dhe amendamentin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Me 80 vota për është votuar Projektligji nr. 10/L-038 për ratifikimin e Protokollit Shtesë 6 për tregtinë në shërbime, për Marrëveshjen mbi ndryshimin dhe pranimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Me 91 vota për është votuar ratifikimi i Protokollit Shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, i marrëveshjes për amendamentin dhe aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore.

  • Kuvendi thërret seancë të jashtëzakonshme në ora 17:00 për presidentin

    Kuvendi thërret seancë të jashtëzakonshme në ora 17:00 për presidentin

    Kuvendi do të mbajë sot në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Presidentit.

    Sipas ftesës që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ua ka bërë deputetëve, thuhet se në rend dite do të jetë vetëm një pikë: “Diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

    Kryeministri Albin Kurti sot në dy raste nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjen e Presidentit.

    LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti në fundjavë Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit dhe i kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.

    Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në fund të afatit për zgjedhjen e Presidentit.

    Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

  • Certifikohen 44 zyrtarë policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë

    Certifikohen 44 zyrtarë policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë

    Sot në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, janë certifikuar 44 zyrtarë policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pas përfundimit me sukses të trajnimit dyjavor në fushën e “Ballafaqimit me turma”.

    Trajnimi është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (DNJSO), përmes Divizionit të Trajnimeve në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore, me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e situatave me turma dhe tubime publike.
    Ky aktivitet përbën pjesë të një cikli të planifikuar trajnimesh, i cili do të vazhdojë me përfshirjen e NJRSH-së në të gjitha tetë (8)rajonet policore, në përputhje me konceptin nacional për menaxhimin e trazirave qytetare.