ATV

Blog

  • Bruno Fernandes barazon Ronaldon dhe i afrohet rekordit historik te Manchester United

    Bruno Fernandes barazon Ronaldon dhe i afrohet rekordit historik te Manchester United

    Bruno Fernandes vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Manchester United, duke hyrë gjithnjë e më thellë në historinë e klubit legjendar nga “Old Trafford”.

    Mesfushori portugez ishte vendimtar edhe në javën e 34-të të Premier League, ku kontribuoi me një asistim në fitoren 2-1 ndaj Brentford. Ky ishte asistimi i tij i 19-të në kampionat këtë sezon, duke e afruar shumë pranë një rekordi historik të ligës për një edicion të vetëm.

    Por arritja e tij nuk ndalet këtu. Me këtë performancë, Fernandes ka barazuar një tjetër shifër mbresëlënëse brenda klubit, duke arritur në total 140 përfshirje në gola në Premier League, 70 gola dhe 70 asistime. Kjo është e njëjta shifër që kishte regjistruar legjenda Cristiano Ronaldo gjatë periudhës së tij te Manchester United, 103 gola dhe 37 asistime.

    Me edhe katër ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, gjithçka tregon se kapiteni aktual i “Djajve të Kuq” jo vetëm që do ta kalojë këtë rekord, por edhe do të vulosë emrin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të epokës moderne të klubit.

  • Xhiroja 31 “ndez” Superligën, luftë për titull, Evropë dhe mbijetesë në çdo fushë

    Xhiroja 31 “ndez” Superligën, luftë për titull, Evropë dhe mbijetesë në çdo fushë

    Superliga e Kosovës hyn në një fazë vendimtare të sezonit, me xhiron e 31-të që zhvillohet në mesjavë dhe që pritet të japë sinjale të qarta si për titullin kampion, ashtu edhe për garën për Evropë dhe mbijetesë.

    Të mërkurën zhvillohen tri përballje shumë të rëndësishme. Vëmendja kryesore është te “klasikja” e futbollit kosovar, ku Drita e pret Prishtinën në Gjilan. Ky duel mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titull dhe për pozitat që dërgojnë në garat evropiane, pasi të dy skuadrat janë ende në lojë për objektivat madhore të sezonit.

    Një tjetër ndeshje me peshë është ajo mes Malishevës dhe Gjilanit, që zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”. Të dy ekipet synojnë zonën evropiane dhe çdo pikë në këtë fazë është jetike, me diferenca shumë të vogla në tabelë.

    Ndërkohë, në Podujevë zhvillohet një “finale” e vërtetë për mbijetesë, ku Llapi përballet me Prishtinën e Re. Të dy skuadrat janë të përfshira në luftën për t’i shpëtuar rënies nga liga, dhe një fitore këtu mund të bëjë diferencën mes qëndrimit dhe rënies.

    Xhiroja mbyllet të enjten me dy përballje të tjera. Drenica pret Ballkanin në një sfidë ku mysafirët synojnë të qëndrojnë në garën për titull, ndërsa vendasit kërkojnë pikë të çmuara për mbijetesë. Në anën tjetër, Ferizaj përballet me Dukagjinin, një tjetër duel i drejtpërdrejtë mes skuadrave që luftojnë për të siguruar qëndrimin në elitë.

    Sipas formës aktuale dhe renditjes së fundit, gara për titull mbetet e hapur, me disa ekipe që ndahen nga një diferencë e vogël pikësh. Çdo gabim në këto xhiro mund të kushtojë shumë. Po ashtu, beteja për Evropë është po aq e fortë, me disa skuadra që kanë ende shanse reale për të siguruar një vend në garat ndërkombëtare.

    Në fund të tabelës, situata është edhe më dramatike. Disa ekipe janë të ndara nga vetëm pak pikë, duke e bërë luftën për mbijetesë një nga më të fortat në vitet e fundit në Superligën e Kosovës. Çdo ndeshje deri në fund të sezonit tashmë ka karakter “finaleje”.

  • Lladrovci: Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

    Lladrovci: Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

    Lidhur me zhvillimet politike në vend, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Lladrovci ka theksuar se “komfori si fazë finale e arritjeve të çaushëve të rinj në kohën kur rrezikohet shteti, është mjerim”.

    “Partitë politike me taban atdhetar domosdo i vërejnë dredhitë politike, prandaj punojnë që ta zvogëlojnë ndikimin e keqbërësve politikë dhe degradimin institucional”, shkruan mes tjerash ai.

    Reagimi i tij i plotë:

    Partitë politike me taban atdhetar domosdo i vërejnë dredhitë politike, prandaj punojnë që ta zvogëlojnë ndikimin e keqbërësve politikë dhe degradimin institucional.

    Partitë e kanë obligim të veprojnë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe kundër dredhive që e dëmtojnë shtetin, ndryshe, nuk e arsyetojnë ekzistencën. Komfori si fazë finale e arritjeve të çaushëve të rinj në kohën kur rrezikohet shteti, është mjerim.

    Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

  • Zgjedhjet e ardhshme, KQZ paralajmëron rinumërim të 10% të vendvotimeve pasi t’i pranojë materialet

    Zgjedhjet e ardhshme, KQZ paralajmëron rinumërim të 10% të vendvotimeve pasi t’i pranojë materialet

    Në zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të vendosë për rinumërim të votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

    Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

    Ky i fundit ka theksuar se, KQZ ka ndërmarr masa të tilla si mënyrë për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    “Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, tha Elezi për Express.

  • Kristian Prenga “trondit” botën e boksit: Joshua bëri gabim të rëndë që më zgjodhi mua si kundërshtar

    Kristian Prenga “trondit” botën e boksit: Joshua bëri gabim të rëndë që më zgjodhi mua si kundërshtar

    Boksieri Kristian Prenga ka ndezur entuziazmin e sportdashësve shqiptarë, pasi njoftoi përmes rrjeteve sociale një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e sportit shqiptar.

    Më 25 korrik, në Riad të Arabisë Saudite, Prenga do të ngjitet në ring për t’u përballur me ish-kampionin e botës, Anthony Joshua, në një duel që pritet të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës së boksit.

    Kjo sfidë konsiderohet një moment historik jo vetëm për karrierën e Kristian Prengës, por edhe për sportin shqiptar. Vetë boksieri shqiptar është shprehur i bindur se kjo do të jetë nata që do të ndryshojë gjithçka.

    “Anthony Joshua është një boksier i shkëlqyer, por bëri një gabim të rëndë duke më zgjedhur mua si kundërshtar. Ky është ndeshja që ndryshon gjithçka për mua dhe për të”, ka thënë fillimisht Prenga.

    Pavarësisht emrit të madh me të cilin përballet, Prenga thekson se nuk ndihet aspak i nënvlerësuar. Përkundrazi, ai e sheh këtë situatë si një avantazh.

    “E di që kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje, e di që po më anashkalojnë dhe kjo më pëlqen. Do t’ua prish planet dhe do ta tronditë botën në korrik në Arabinë Saudite”, përfundoi boksieri shqiptar.

    Kristian Prenga hyn në këtë duel me një rekord mbresëlënës prej 20 fitoresh dhe vetëm 1 humbjeje, ndërsa të gjitha fitoret e tij janë arritur me nokaut, një statistikë që e vendos atë ndër sulmuesit më të frikshëm të peshave të rënda.

    Përballja me Joshuan do të jetë prova më e madhe e karrierës së boksierit shqiptar, por edhe një mundësi e artë për të hyrë në historinë e sporteve botërore. Nëse arrin ta befasojë britanikun, Prenga jo vetëm që do ta realizojë ëndrrën e tij, por do të shkruajë një kapitull të ri për sportin shqiptar.

    Sytë e tifozëve shqiptarë dhe botës së boksit janë përqendruar tani te 25 korriku në Riad, ku Kristian Prenga synon të bëjë atë që pak kush e pret: të nokautojë Anthony Joshuan dhe të “tronditë” botën e boksit.

  • Haradinaj kërkon që Feride Rushiti e pakicat të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës: Do t’i mbulojë turpi

    Haradinaj kërkon që Feride Rushiti e pakicat të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës: Do t’i mbulojë turpi

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kandidatet e propozuara për presidente dhe deputetët e partive të pakicave s’duhet të bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës.

    Haradinaj ka thënë se do t’i mbulojë turpi kushdo që bëhet pjesë e një shkeljeje të tillë, pavarësisht se çfarë figure e çfarë pune ka bërë deri sot.

    “Njëkohësisht zonjat që janë kandidate për presidente dhe deputetët e partive joshumicë, dhe të gjithë ata që kanë logjikë, të ndalen të mos vazhdojnë të jenë pjesë e këtij turpi. Kushdo që bëhet pjesë e cenimit të rendit kushtetues, do t’i mbulojë turpi. S’ka lidhje kush janë e çka kanë bo deri në në këtë moment”, ka thënë Haradinaj.

  • Kurti pret në takim delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, u flet për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri”

    Kurti pret në takim delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, u flet për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri”

    Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Europian, Gjenerali Sean Clancy.

    Zyra e Kryeministrit tha se gjatë takimit, Kurti “shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit”.

    “Kryeministri Kurti theksoi se, për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion. Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Kurti u foli mysafirëve edhe për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend”.

    “Pasi foli për rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri, në kontekst rajonal kryeministri përmendi synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetur nga Rusia. Kryeministri Kurti, po ashtu, theksoi bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n”, thuhet në njoftim.

  • Maqedonci në takim me zyrtarë të NATO-s, thekson synimin për anëtarësim në BE

    Maqedonci në takim me zyrtarë të NATO-s, thekson synimin për anëtarësim në BE

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s, të kryesuar nga Admirali Giuseppe Cavo Dragone, si dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian (CEUMC), Gjeneral Sean Clancy.

    Ministri ka bërë të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale të sigurisë, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e Kosovës në funksion të sigurisë regjionale dhe globale, transmeton Klankosova.tv.

    Ndër të tjera, Maqedonci thotë se Komitetit Ushtarak të NATO-s, ia theksoi synimin strategjik që Republika e Kosovës ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke nënvizuar rëndësinë që kanë këto procese, jo vetëm për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit por edhe për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

    “Për më tepër, delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO e informova rreth objektivat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme, të cilat janë fokusuara në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së, zbatimin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vetëqëndrueshmërinë”, thotë Maqedonci në postimin e tij në Facebook.

    Ministri shtoi se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike përbën një hap të natyrshëm dhe të domosdoshëm, që kontribuon për paqe të qëndrueshme, bashkëpunim të thelluar ndërkombëtar dhe arkitekturë më të fortë té sigurisë në Evropë.

    “Republika e Kosovës mbetet e vendosur të ecë përpara si një partner i besueshëm, duke kontribuar aktivisht në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë”.

  • Haradinaj i bën thirrje VV-së: Ndaluni, po shkoni në drejtim të rrezikshëm

    Haradinaj i bën thirrje VV-së: Ndaluni, po shkoni në drejtim të rrezikshëm

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas ndërprerjes së seancës për presidentin, deklaroi se situata politike në vend është e rrezikshme, duke akuzuar për shkelje kushtetuese VV-në me seancën e mbrëmshme.

    Ai theksoi se veprime të tilla po e pamundësojnë funksionimin sipas Kushtetutës dhe paralajmëroi për pasoja nëse vazhdohet në këtë drejtim.

    Haradinaj bëri thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të Kushtetutës, duke përmendur se veprimet mund të përfshijnë edhe protesta.

    “Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kemi parë në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksione shtetërore, dje kanë bërë shkelje kushtetutese. Është ngjarje shumë e rrezikshme, një drejtim i rrezikshëm. Ju bëj thirrje të ndalen mos të vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën. Nëse shkojmë kësaj rruge të rrezikshme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës. Nuk po na lëjnë rrugë tjetër veçse t’i drejtohemi sovranit, që të mobilizohemi të gjithë që të mbrojmë Kushtetutën. Besoj që sovrani e bën këtë, e ka bërë në çdo etapë, kuptohet me veprime që sovrani vet i identifikon, që mund të jenë edhe protesta. Edhe njëherë i thërras ndërgjegjës së gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutëtës, edhe këtij turpi. Kushdo që bëhet pjesë e veprimeve që me u shkel Kushtetuta në këtë mënyrë i mbulon turpi, do t’i mbulojë turpi për jetë”, tha Haradinaj para gazetarëve.

  • ‘‘Karate’’ president, Nagavci distancohet nga Bardiqi: Qasja e tillë është gabim, s’është e duhura

    ‘‘Karate’’ president, Nagavci distancohet nga Bardiqi: Qasja e tillë është gabim, s’është e duhura

    Mesazhet e bëra publike tregonin se Naim Bardiqi kishte shkruar që presidenti të zgjidhet “në mënyrën karate”, duke shtuar se më pas duhet pritur vendimi i Gjykata Kushtetuese, i ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të VV’së Arbërie Nagavci,

    Nga ky mesazh u distancua Nagavci ku u shpreh se VV’ja ka qëndrime të përbashkëta duke e quajtur “gabim” qasjen e Bardiqit.

    “Është gabim një qasje e tillë. Ne si grup parlamentar kemi qëndrime publike dhe i marrim si grup parlamentar. Qasja e tillë nuk është e duhura.”, u shpreh Nagavci.

    Bardiqi u justifikua se komunikimi i tij privat është interpretuar gabimisht dhe është nxjerrë jashtë kontekstit.

    Në paraqitjen e tij në RTV Dukagjini, Bardiqi deklaroi se publikimi i mesazheve përbën cenim të privatësisë./gazetametro