ATV

Blog

  • Ambasada Britanike përgënjeshtron Feride Rushitin, mohon se e ka përkrahur për Presidente

    Ambasada Britanike përgënjeshtron Feride Rushitin, mohon se e ka përkrahur për Presidente

    Ambasada Britanike në Kosovë ka mohuar se ka përkrahur kandidaten e VV-së për president. Ambasada thotë se nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë.

    “Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë.”

    Kështu është deklaruar Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar pas pretendimit të shpalosur mbrëmë nga kandidatja e Vetëvendosjes për presidente të vendit, Feride Rushiti, se ishte ambasada britanike që e mbështeti kandidaturën e saj për presidente të vendit.

    “Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt. Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë” – thuhet në përgjigjen e ambasadës për gazetën Nacionale.

    Kandidatja e VV-së, Feride Rushiti, dje nga foltorja për media e Presidencës së Kosovës dhe në praninë e kryeministrit tash në detyrë, Albin Kurti, tha se përkrahjen dhe mbështetjen për të marrë postin e parë të shtetit, e kishte marrë “nga partnerët ndërkombëtarë” duke iu referuar në veçanti “ambasadës angleze.”

    Pyetur nga gazetarët se “kush janë këta partnerë ndërkombëtarë?” që e çuan para të kandidohet për presidente, ajo tha britanik “që më mbështesin qe disa vite.”

    “Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuruar për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.

  • Haradinaj: Mbrëmë fitoi Kushtetuta e u përmbys autokrati Kurti, AAK bashkëpunoi ndershëm, tjerët u dehën pas pushtetit

    Haradinaj: Mbrëmë fitoi Kushtetuta e u përmbys autokrati Kurti, AAK bashkëpunoi ndershëm, tjerët u dehën pas pushtetit

    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dje, duke thënë se ‘’mbrëmë ka fituar Kushtetua dhe ligji përballë populistit Albin Kurti’’.

    Haradinaj, më tej, ka thënë edhe se, mbrëmë është përmbysur ‘’koncepti i partisë-shtet’’, dhe ‘’autokrati’’ Kurti.

    ‘’ Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin’’, ka shkruar Haradinaj mes tjerash.

    Postimi:

    Të dashur qytetarë të Kosovës,

    Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti.

    Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.

    Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.

    Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin.

    Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti.

    Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë.

    Vendimmarrja i është kthyer atij.

    Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin.

    Për Kosovën deri në frymën e fundit!

    Me respekt,

    Ramush Haradinaj

  • Rama fton amerikanët të investojnë në Prishtinë, përmend 1 miliard euro investime

    Rama fton amerikanët të investojnë në Prishtinë, përmend 1 miliard euro investime

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në hapjen e konferencës “American Investor Conference – Prishtina 2026” tha se nga kryeqyteti po prezantohen nëntë projekte strategjike të gatshme për investim, me një potencial që tejkalon 1 miliard euro.

    “Përtej projekteve, ofrojmë një forcë punëtore të motivuar dhe të re me aftësi të njohjes së shumë gjuhëve dhe gjithashtu ofrojmë kosto operative të ulëta, me 10% taksë korporative dhe pa taksë në dividenda. Gjithashtu një lokacion strategjik në qendër të Evropës Juglindore me 20 milionë… zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik me 5% rritje të GDP-së, si dhe zotim ndaj transparencës dhe lehtësi në të bërit biznes. Mirëpo, sentimenti më i mrekullueshëm, më i madh i Prishtinës është që nuk mund të shpjegohet dhe shprehet me numra. Është shpirti, fryma e qëndrueshmërisë, kreativitetit, historisë që shtyn sipërmarrësit tanë të rinj dhe të qenit hapur ndaj partneriteteve, që u uron mirëseardhjen investitorëve amerikanë si bashkëpunëtorë të vërtetë”, tha ai.

    Rama tha se organizimi i kësaj konference po bëhet në një moment kyç meqë Prishtina po përgatitet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke investuar në turizëm, infrastrukturë sportive dhe zgjidhje të qyteteve “smart”.

    Ai tha se po fokusohen në sektorë që prëcaktojnë të ardhmen e Prishtinës, duke përfshirë zhvillimin urban, hapësirat vibrante, infrastruktura e gjelbër dhe sisteme të qëndrueshme moderne.

    “Më duhet të shtoj që investitorët amerikanë janë të mirëpritur dhe të mirëseardhur, dhe gjithashtu investitorët ndërkombëtarë e lokalë-vendosë janë gjithashtu të mirëpritur. Në ditët e ardhshme ju inkurajoj që të angazhoheni, që të merrni pjesë në diskutime paneli dhe të bëni takime B2B dhe për ta eksploruar portfolion tonë në hollësi”, ka thënë i pari i kryeqytetit.

  • Zbulohet kontrabandë me produkte dentare në Aeroportin e Prishtinës

    Zbulohet kontrabandë me produkte dentare në Aeroportin e Prishtinës

    Dogana e Kosovës ka zbuluar produkte dentare të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës.

    Sipas njoftimit, një udhëtar i selektuar për kontroll pas kalimit në kanalin e gjelbër iu nënshtrua verifikimit të detajuar nga zyrtarët doganorë të aeroportit në bashkëpunim me Njësinë Antikontrabandë.

    Gjatë kontrollit të valixhes u gjetën produkte dentare të pa deklaruara dhe pa licencë për import.

    “Sipas Kodit Doganor Nr. 08/L‑247, importi i mallrave pa dokumentacionin dhe licencimin e nevojshëm përbën kundërvajtje dhe mund të pasohet me masa administrative, përfshirë konfiskimin e mallrave dhe gjoba, si dhe procedura të mëtejshme ligjore sipas përcaktimeve në fuqi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Gjoshi: Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ cenon legjitimitetin e zgjedhjeve

    Gjoshi: Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ cenon legjitimitetin e zgjedhjeve

    Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar lidhur me përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke kërkuar që ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës të nënshkruajë dekretin për emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

    Në një postim në Facebook, Gjoshi ka thënë se Kosova po hyn në zgjedhje dhe se, përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve, duhet të bëhet edhe emërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në institucionin që administron procesin zgjedhor.

    “Mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

    Sipas Gjoshit, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mbajtur për Kuvendin e Kosovës dhe jo për KQZ-në, duke theksuar se pas zgjedhjeve në kuvend kanë hyrë katër grupe parlamentare.

    Ai ka argumentuar se, në mungesë të gjashtë grupeve parlamentare shqiptare, anëtarët shtesë në KQZ duhet të emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që sipas tij janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

    “Në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare”, ka deklaruar Gjoshi.

    Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për “zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët”, duke paralajmëruar se legjitimiteti i procesit mund të vihet në pikëpyetje nëse KQZ-ja përdoret për qëllime politike.

    “Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues”, ka shtuar ai.

  • Ramadani: Shteti jonë duhet të jetë funksional, ndryshimi është i domosdoshëm

    Ramadani: Shteti jonë duhet të jetë funksional, ndryshimi është i domosdoshëm

    Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se shteti ynë duhet të jetë funksional dhe stabil.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ramadani ka shkruar aktivizimi i secilës e i secilit do të sjellë ndryshim dhe kjo jo vetëm në emra e mbiemra, por edhe në kulturën politike.

    Postimi i tij i plotë:

    Koha është tash.

    Shteti ynë duhet të jetë funksional dhe stabil. Aktivizimi i secilës e secilit do të sjellë ndryshim. Jo vetëm në emra e mbiemra, por në kulturën politike.

    Ky ndryshim është i domosdoshëm. Nuk bëhet fjalë për individë më, por për shtetin tonë të përbashkët!

  • KQZ në pritje të vendimit për datën e zgjedhjeve, Elezi: Organizimi bëhet me afate të shkurtra

    KQZ në pritje të vendimit për datën e zgjedhjeve, Elezi: Organizimi bëhet me afate të shkurtra

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës.Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

    Elezi deklaroi se meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtëra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës dhe në pajtim me rrathanat.

    “Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se me planin e aktiviteteve, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit.

    “Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore”, shtoi zëdhënësi i KQZ-së.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shtoi se po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta.

    “Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”.

  • Pejë: Një person humb jetën në vendin e punës

    Pejë: Një person humb jetën në vendin e punës

    Një person ka humbur jetën në vendin e tij të punës në Pejë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Është dërguar në emergjencë të Spitalit të Pejës, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen”, tha Gashi.

  • Greenwood në qendër të merkatos, Juventus gati të rikthejë interesin për sulmuesin e Olympique Marseille

    Greenwood në qendër të merkatos, Juventus gati të rikthejë interesin për sulmuesin e Olympique Marseille

    Sulmuesi i Olympique Marseille, Mason Greenwood, po hyn në qendër të merkatos verore, teksa interesimi i gjigantëve italianë Juventus është bërë gjithnjë e më serioz.

    24-vjeçari po zhvillon një sezon shumë të mirë në Francë, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të skuadrës. Në 38 ndeshje në të gjitha garat, ai ka realizuar 25 gola dhe ka shtuar edhe 8 asistime, duke konfirmuar formën e tij të lartë dhe ndikimin vendimtar në sulm.

    Këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, por Juventusi shihet aktualisht si destinacioni më i mundshëm për një transferim të mundshëm.

    Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, e ardhmja e Greenwood mund të varet edhe nga situata sportive e Marseille. Nëse klubi francez nuk arrin kualifikimin në UEFA Champions League, atëherë mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarit për arsye financiare. Aktualisht, Marseille ndodhet në vendin e tretë në Ligue 1, por gara për zonën e Champions League është shumë e ngushtë, me disa ekipe vetëm pak pikë prapa.

    Nga ana financiare, klubi francez pritet të kërkojë të paktën 45 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Një pjesë e kësaj shume do të përfitohet edhe nga Manchester United, për shkak të një klauzole të përfshirë në marrëveshjen e transferimit të tij në vitin 2024.

    Interesimi i Juventusit për Greenwood nuk është i ri, pasi klubi italian kishte tentuar ta siguronte dy vite më parë, por atëherë lojtari kishte zgjedhur projektin e Marseille. Tani, me formën e tij në rritje, një rikthim i kësaj piste duket më i mundshëm se kurrë.

  • NATO-ja thotë se s’ka plane për reduktim të trupave në Kosovë

    NATO-ja thotë se s’ka plane për reduktim të trupave në Kosovë

    Admirali Giuseppe Cavo Dragone, një nga figurat e larta ushtarake të NATO-s dhe Kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, ka deklaruar se nuk ka plane për reduktimin e trupave të NATO-s në Kosovë.

    Sipas tij, misioni i NATO-s në Kosovë mbetet shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë rajonit.

    “Misioni në Kosovë është sigurisht shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës, për përkushtimin që NATO-ja ka për sigurimin e një ambienti të sigurt e të rregullt për gjithë Kosovën. Kam ardhur këtu me gjithë Komitetin Ushtarak, pra 32 gjeneralë dhe admiralë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s, që ata të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin në terren. Tani ata i dinë gjërat për vendin tuaj, atë që ndodh këtu, kjo sigurisht do të jetë shumë e dobishme kur ne takohemi dhe marrim vendimet tona”, ka thënë ai për televizionin publik.

    Duke folur për kapacitetet ushtarake, Dragone ka përmendur edhe angazhimin e shtuar të personelit në zona të caktuara operimi, si dhe përforcimin e trupave gjatë incidentit në veri në vitin 2023.

    “NATO-ja bën rishikimin e misioneve çdo vit për të vlerësuar se si funksionojnë, si angazhohet personeli në zona të caktuara operimi, e këtë e bëjmë në baza periodike, pra nuk ka ndonjë befasi. Për t’ju dhënë një shembull, në anën tjetër, në vitin 2023, në fund të vitit, kur ndodhi ai incidenti në pjesën veriore, NATO-ja vendosi që të zgjerojë, të rrisë misionin me 1000 trupa shtesë. Kjo do të thotë që jemi fleksibilë në këtë kuptim, por sinqerisht, për aq sa kuptoj unë deri më sot, nuk ka ndonjë plan reduktimi të trupave”, është shprehur ai.