ATV

Blog

  • Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Një person raportohet të jetë plagosur me thikë në qytetin e Sarandës.

    Sipas informacioneve të policisë, plagosja ka ardhur si shkak i një konflikti për motive të dobëta midis një 37-vjeçari dhe një 26-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, transmeton Klankosova.tv.

    “Specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka goditur me thikë, shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta. 26-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e 37-vjeçarit dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

  • PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin dënues dhe aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në rastin ndaj të pandehurit S.R., i akuzuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

    Sllobodan Radenkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmin e 2023-ës ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan.

    Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, vendimi i gjykatës përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe adresimit të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

    Prokuroria theksoi se aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë dëshmon funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të rasteve penale.

    Në reagim, institucioni vlerësoi se ky aktgjykim njëkohësisht përforcon sundimin e ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë se veprat penale ndaj personave zyrtarë dhe rendit publik nuk do të tolerohen.

  • Fund i një epoke në Itali, Paulo Dybala drejt rikthimit në Argjentinë me Boca Juniors

    Fund i një epoke në Itali, Paulo Dybala drejt rikthimit në Argjentinë me Boca Juniors

    Pas 14 vitesh në futbollin italian, duket se aventura e Paulo Dybala në Serie A po i afrohet fundit.

    Sulmuesi argjentinas, i cili aktualisht mbron ngjyrat e AS Roma prej katër sezonesh, ka lënë gjurmë të rëndësishme edhe më herët te Palermo dhe veçanërisht te Juventus, ku përjetoi kulmin e karrierës së tij në Itali.

    Kontrata e 32-vjeçarit me Romën skadon në fund të sezonit dhe, sipas raportimeve, palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.

    Sipas ESPN, e ardhmja e Dybalas tashmë është larg Evropës, pasi ai ka vendosur të rikthehet në Argjentinë. Madje, thuhet se lojtari ka arritur marrëveshje me Boca Juniors, një nga klubet më të mëdha të vendlindjes së tij.

    Zyrtarizimi i transferimit pritet të vijë në muajin qershor, ku Dybala do të firmosë një kontratë trevjeçare, duke mbyllur një kapitull të gjatë dhe të suksesshëm në Itali dhe duke nisur një sfidë të re në Amerikën e Jugut.

  • Zgjedhjet e parakohshme, Haxhiu pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Zgjedhjet e parakohshme, Haxhiu pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin, ku po diskutohet për zgjedhjet e parakohshme raporton Ekonomia Online.

    Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Ndryshe, Kosova dështoi ta zgjedhë presidentin e ri, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e që ishte data e djeshme, 28 prilli.

    Partia e Albin Kurtit nuk arriti të bëjë marrëveshje me opozitën për këtë çështje dhe si rezultat i kësaj vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • OKB: 21 persona janë ekzekutuar dhe 4 mijë janë arrestuar në Iran që nga fillimi i luftës

    OKB: 21 persona janë ekzekutuar dhe 4 mijë janë arrestuar në Iran që nga fillimi i luftës

    Të paktën 21 persona janë ekzekutuar në Iran dhe 4,000 të tjerë janë arrestuar që nga fillimi i luftës së tij me SHBA-në dhe Izraelin, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, UNHCR.

    Ekzekutimet u kryen në mes të shtypjes së Iranit ndaj disidentëve, veçanërisht përmes “akuzave që lidhen me sigurinë kombëtare”, tha sot Shefi i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Volker Turk.

    Të paktën nëntë persona u ekzekutuan në lidhje me protestat e janarit 2026, dhjetë për anëtarësim të dyshuar në grupe opozitare dhe dy për akuza spiunazhi, tha agjencia.

    Ai vazhdoi duke thënë se, që nga 28 shkurti, “vlerësohet se më shumë se 4.000 individë janë arrestuar për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare në Iran”.

    Shumë prej të arrestuarve janë zhdukur me forcë, janë torturuar ose i janë nënshtruar “trajtimit mizor, çnjerëzor dhe degradues”, thuhet në deklaratë, shkruan Euronews.al.

    “Jam i tmerruar që, përveç ndikimeve tashmë të rënda të konfliktit, të drejtat e popullit iranian vazhdojnë t’i privohen nga autoritetet, në mënyra të ashpra dhe brutale”, tha Turk.

  • U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    U.d i Kryeprokurorit të Mitrovicës: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ka deklaruar se mungesa e prokurorëve po ndikon drejtpërdrejt në përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

    Rexha ka theksuar se gjatë vitit 2025 Prokuroria nuk ka qenë në situatë të favorshme në raport me gjykatën, për shkak të dallimit në numër mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    “Vitin 2025 nuk kemi qenë në situatë mirë në raport me gjykatën se numri i gjyqtarëve është më i madh në krahasim me numrin e prokurorëve. Kështu që në këtë aspekt edhe ne nganjëherë ju kemi bë pengesë për me mund me i zhvillu seancat gjyqësore”, ka thënë Rexha.

    Ai ka bërë të ditur se në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatë funksionojnë katër deri në pesë gjyqtarë, ndërsa në Prokurori janë vetëm tre prokurorë.

    “Në Departamentin e Krimeve të Rënda i kemi veç tre prokurorë. Mirëpo ,është për t’u theksu se para disa ditësh kam pranuar një e-mail nga kryetari i Gjykatës, me të cilën më informon se nga data 1 për 2026 do t’i ketë tre gjyqtarë në Deepartamentin e Krimeve të Rënda, që nënkupton se numri i përgjithshëm i tyre duhet me qenë shtatë apo tetë në raport me numrin e tre prokurorëve”, ka deklaruar ai.

    Sipas Rexhës, me këtë numër aktual të prokurorëve është e pamundur të përballohet përfaqësimi i lëndëve brenda një kohe të arsyeshme.

    “Tash me këtë numër sa ne e kemi në Departament të Krimeve të Rënda është e pamundur që të mund t’ju dalim në kohë të arsyeshme në përfaqësim të tyre në seancat gjyqësore. Mirëpo ne do të bëjmë përpjekje për aq sa kemi mundësi. Po kjo është e pamundur që me tre prokurorë t’i përmbyllin shqyrtimet gjyqësore për aq sa paraqitet nevoja prej gjykatës”, ka theksuar ai.

    Rexha ka pranuar gjithashtu se shpesh ndodh që një prokuror të ftohet në disa seanca në të njëjtën kohë.

    “Është e vërtetë ajo. Ne kemi këtu raste të shpeshta, mirëpo unë ashtu ju kam thënë prokurorëve të mi se mjafton që të marrim procesverbalin, të kemi një arsye dhe të arsyetohemi para gjyqtarit, sepse nuk mundem me u paraqit në një seancë gjyqësore për faktin se jemi zënë në një tjetër”, ka thënë ai./“Betimi për Drejtësi”.

  • SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të lëshojë pasaporta me imazhin e Trumpit për 250-vjetorin e Pavarësisë

    SHBA do të fillojë së shpejti të lëshojë pasaporta që përmbajnë imazh të Presidentit Donald Trump brenda, tha të martën një zyrtar i Departamentit të Shtetit, raporton CNN.

    Zyrtari tha se kjo pasaportë “do të jetë pasaporta standarde që lëshohet nga Agjencia e Pasaportave në Washington kur të jetë e disponueshme” për ata që rinovojnë pasaportat e tyre personalisht në atë vend.

    “Opsionet online ose vendndodhjet e tjera do të vazhdojnë të përdorin dizajnin ekzistues të pasaportës” shtoi zyrtari.

    Prania e imazhit të Trump në pasaportat e SHBA-së është rasti më i fundit – dhe më i rëndësishmi – i përdorimit të figurës së tij për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së. Ndryshe nga një monedhë përkujtimore apo një leje për park kombëtar, një pasaportë amerikane është një formë identifikimi e njohur ndërkombëtarisht dhe zakonisht është e vlefshme për 10 vjet.

    Sipas një modeli demonstrues të pasaportës, fytyra e Trump dhe nënshkrimi i tij me ngjyrë ari do të shfaqen në pjesën e brendshme të kopertinës.

    “Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e Amerikës në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të nxjerrë një numër të kufizuar pasaportash amerikane të dizajnuara posaçërisht për të përkujtuar këtë rast historik” tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

    “Këto pasaporta do të përfshijnë vepra arti të personalizuara dhe imazhe të përmirësuara, duke ruajtur njëkohësisht të njëjtat veçori sigurie që e bëjnë pasaportën amerikane një nga dokumentet më të sigurta në botë” shtoi ai.

    Departamenti i Shtetit do të fillojë të lëshojë këto pasaporta këtë verë. Nuk është e qartë se sa prej tyre do të lëshohen.

    Sipas modelit demonstrues të pasaportës, kopertina e pasme do të shfaqë një imazh nga piktura “Deklarata e Pavarësisë” nga John Trumbull.

  • “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    “Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet e politikanëve”, Pacolli shkruan pas zhvillimeve të fundit

    Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit, dhe shkuarjes me automatizëm në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dështimit për të zgjedhur shefin e shtetit.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka ndarë një mendim të një mendimtari të pjekur nga Kosova, i cili thotë se vendit dëmin më të madh, sipas tij, po ia bën vetë politika vendore.

    “Sikur në qendrat më armiqësore ndaj Republikës së Kosovës të hartohej një strategji për ta dëmtuar vendin, vështirë se do të dilte diçka më e dëmshme sesa ajo që po prodhon sot vetë politika vendore”, ka shkruar Pacolli.

    Pos tjerash, Pacolli shtoi se mendimtari tha po ashtu se në disa raste, sipas tij, duket sikur Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm, mjaftojnë gabimet dhe qasja e politikanëve të saj.

    “Këtë mendim ma shprehu një mendimtar i pjekur nga Kosova, dhe besoj se në thelb qëndron i vërtetë”.

  • Musliu e bindur: PDK do të dalë e para në zgjedhje

    Musliu e bindur: PDK do të dalë e para në zgjedhje

    Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu është shprehur e bindur se kjo parti do të dalë e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen së shpejti pas shpërndarjes së Kuvendit.

    Ajo tha se ky subjekt politik meriton kthimin në pushtet jo për partinë, por për ta çuar Kosovën në drejtimin e duhur, tha në Klankosova.

    “PDK kësaj radhe do të dalë e para, aktiviteti i PDK-së është i dëshmuar. PDK meriton kthimin në pushtet jo për të qenë PDK por për ta drejtuar Kosovën në drejtimin e duhur, sepse fatkeqësisht prejse ne nuk jemi në pushtet Kosova nuk ka parë më ditë të bardha, ka mbetur aty ku e kemi lënë”, deklaroi Musliu.

  • Konfiskohen mbi 122 mijë euro te Dheu i Bardhë

    Konfiskohen mbi 122 mijë euro te Dheu i Bardhë

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar mbi 122 mijë euro dhe valutë e huaj te pikëkalimi kufitar Dheu i Bardhë.

    Sipas njoftimit në bhyrje të pikës kufitare është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë.

    “Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim.

    Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32,500 euro.

    Pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person””, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    ë ë ë ë ë
    Dheu i Bardhë, 29 prill 2026 Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
    Rreth orës 09:15, në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë.
    Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim.
    Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32,500 euro.
    Pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”.
    Bazuar në dyshimet e ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).
    Në total, janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej:
    • 122,600 euro
    • 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro)
    Rasti është përcjellur për hetime të mëtejme, derisa Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato.
    Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore.