ATV

Blog

  • Aktakuzë ndaj një personi në Pejë për kontrabandim me migrantë, tentoi t’i çojë në Mal të Zi disa sudanezë

    Aktakuzë ndaj një personi në Pejë për kontrabandim me migrantë, tentoi t’i çojë në Mal të Zi disa sudanezë

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri M.N., më datë 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tentuar të kontrabandojë migrantë drejt kufirit me Malin e Zi.

    “I njëjti, fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj të nacionalitetit sudanez në Stacionin e Autobusëve në Pejë, ku me kërkesën e tyre kishin arritur marrëveshje që t’i transportojë deri në afërsi të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast ishte dakorduar që për këtë shërbim të kompensohej financiarisht pasi të arrinin në destinacionin e caktuar”.

    Megjithatë, Prokuroria tha se gjatë realizimit të kësaj veprimtarie, automjeti i të pandehurit është vërejtur nga Policia Kufitare në lokacionin e lartcekur.

    Me rastin e kontrollit, shtetasit e huaj janë identifikuar dhe i pandehuri është arrestuar, kurse vetura me të cilën dyshohet të jetë përdorur të kryhet vepra penale është sekuestruar.

    Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

  • Dalja me biçikletë, një mënyrë e shëndetshme dhe e këndshme jetese

    Dalja me biçikletë, një mënyrë e shëndetshme dhe e këndshme jetese

    Dalja me biçikletë është një aktivitet që ndërthur kënaqësinë, shëndetin dhe lidhjen me natyrën. Në një kohë kur jeta moderne është bërë gjithnjë e më e shpejtë dhe shpesh e mbushur me stres, biçikleta paraqitet si një alternativë e thjeshtë, ekonomike dhe shumë e dobishme për trupin dhe mendjen. Ajo nuk është vetëm një mjet transporti, por edhe një mënyrë jetese që promovon mirëqenie fizike dhe emocionale.

    Së pari, dalja me biçikletë ka përfitime të mëdha për shëndetin. Ajo është një formë e shkëlqyer e aktivitetit fizik që ndihmon në përmirësimin e sistemit kardiovaskular, forcimin e muskujve dhe rritjen e qëndrueshmërisë fizike. Pedalimi i rregullt ndihmon në djegien e kalorive dhe në mbajtjen e një peshe të shëndetshme trupore. Për më tepër, ky aktivitet ndikon pozitivisht edhe në shëndetin mendor, duke reduktuar stresin dhe ankthin. Kur një person del për një xhiro me biçikletë në ajër të pastër, ai ndjen një qetësi dhe relaksim që është i vështirë të arrihet në mënyra të tjera.

    Një tjetër aspekt i rëndësishëm i daljes me biçikletë është lidhja që krijon me natyrën. Ndryshe nga automjetet, biçikleta lejon një kontakt të drejtpërdrejtë me ambientin përreth. Çiklistët mund të shijojnë peizazhe të bukura, të dëgjojnë tingujt e natyrës dhe të ndjejnë freskinë e ajrit.

    Kjo përvojë e bën udhëtimin më të këndshëm dhe më domethënës. Në qytete, biçikleta ofron një mënyrë për të shmangur trafikun dhe zhurmën, ndërsa në zona rurale ajo bëhet një mjet për eksplorim dhe aventurë.
    Përveç përfitimeve personale, dalja me biçikletë ka edhe ndikim pozitiv në mjedis. Ajo është një mjet transporti ekologjik që nuk ndot ajrin dhe nuk kontribuon në ndryshimet klimatike. Në një kohë kur ndotja e ajrit dhe problemet mjedisore janë shqetësime globale, përdorimi i biçikletës është një hap i vogël, por i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të pastër. Shumë qytete në botë po investojnë në infrastrukturë për biçikleta, duke ndërtuar korsi të veçanta dhe duke inkurajuar qytetarët të përdorin këtë mjet transporti.

    Dalja me biçikletë gjithashtu nxit ndërveprimin social. Shumë njerëz zgjedhin të pedalojnë në grup me miqtë ose familjen, duke e kthyer këtë aktivitet në një përvojë të përbashkët dhe argëtuese. Aktivitetet e organizuara, si garat apo xhirot në grup, krijojnë mundësi për të njohur njerëz të rinj dhe për të ndarë interesa të përbashkëta. Kjo e bën biçikletën jo vetëm një aktivitet fizik, por edhe një mënyrë për të ndërtuar lidhje shoqërore.

    Megjithatë, dalja me biçikletë kërkon edhe kujdes dhe përgjegjësi. Është e rëndësishme që çiklistët të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përdorin pajisje mbrojtëse, si helmetat, për të shmangur aksidentet. Siguria duhet të jetë gjithmonë prioritet, sidomos në rrugët e ngarkuara. Gjithashtu, mirëmbajtja e rregullt e biçikletës është e nevojshme për të siguruar një përvojë të sigurt dhe të këndshme.

    Një tjetër përfitim i daljes me biçikletë është fakti që ajo është e përshtatshme për të gjitha moshat. Fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit mund ta praktikojnë këtë aktivitet sipas mundësive dhe ritmit të tyre. Kjo e bën biçikletën një nga aktivitetet më gjithëpërfshirëse dhe të arritshme për shumicën e njerëzve. Për shumë persona, biçikleta është gjithashtu një mënyrë për të krijuar zakone të shëndetshme që zgjasin gjatë gjithë jetës.

  • KRU “Prishtina” fillon aksion ndaj borxhlinjve

    KRU “Prishtina” fillon aksion ndaj borxhlinjve

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka nisur aksione intensive ndaj konsumatorëve me borxhe.

    Përmes një njoftimi në Facebook, ujëjsellësi i kryeqytetit thotë se për konsumatorët që nuk i kryejnë obligimet financiare do të ketë masa ndëshkuese.

    “Të gjithë konsumatorët që kanë borxhe të papaguara për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit janë të obliguar që t’i shlyejnë ato në afat sa më të shkurtër.Për konsumatorët që nuk i kryejnë obligimet financiare, do të aplikohen masa ndëshkuese, përfshirë:Shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit, procedura përmbarimore.

    Shkyçja mund të aplikohet për ata që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara”, thotë kjo kompani.

  • Babai i 8-vjeçarit që u plagos në aksidentin tragjik në Durrës: Po i kërkon shokët, mendon se janë gjallë

    Babai i 8-vjeçarit që u plagos në aksidentin tragjik në Durrës: Po i kërkon shokët, mendon se janë gjallë

    Babai i 8-vjeçarit që i shpëtoi aksidentit tragjik të dy ditëve më parë në zonën e ish Kënetës në Durrës ka treguar gjendjen e të birit, i cili ndodhet në spital në Tiranë.

    Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ai tregoi se i biri ka pësuar dëmtime në pjesën e legenit, në këmbë si edhe në pjesën e mushkërive.

    I ati theksoi se 8-vjeçari kërkon shokët dhe se mendon që ata janë gjallë. Për momentin e aksidentit, ai shtoi se i biri ka treguar se nuk mban mend asgjë por vetëm shoferin që lëvizte me shpejtësi të lartë.

    “Kam marrë çunin dhe jam nisur për Tiranë sepse spitali i Durrësit më nisi për në Tiranë. Djali komunikonte, por kërkonte shokët…ndërsa fëmija i katërt nuk ishte prekur nga makina ka shpëtuar , ishte në anë të biçikletës.. djalin e nxorën nga reanimacioni dhe e kanë shtruar në dhomë më vetë…Është shumë i rënduar. Pyeste vetëm për kushëririn, a është vrarë si mua…

    Unë i nxora një foto që kishin arrestuar personin , e mbante mend. Vetëm atë mbante mend. Ka marrë dëmtim në pjesën e legenit që ka një thyerje, dhe tek këmba. Po ashtu i kanë vendosur një shtizë, ka edhe dëmtim te pjesa e mushkërive…Nuk mbante mend asgjë, vetëm thotë që ishte shumë shpejt makina…Pranë djalit tani është motra e zotërisë”, u shpreh ai.

    Sa i përket autorit, babai i 8-vjeçarit tha se ka qenë gjithmonë problematik si me shpejtësinë, po ashtu edhe me alkoolin.

    “Ai ka qenë gjithmonë problematik, gjithmonë kemi bërë raportime në polici. Ka qenë gjithmonë problematik me shpejtësinë, por edhe me alkoolin.”, theksoi babai i 8-vjeçarit.

    Gjithashtu ai u ndal edhe te ndjesa publike që kanë bërë familjarë të autorit të aksidentit tragjik, duke u shprehur: “Nuk më duhet ndjesa”.

  • “U pranua pa shenja jete”, spitali del me njoftim për vrasjen në Gjakovë

    “U pranua pa shenja jete”, spitali del me njoftim për vrasjen në Gjakovë

    Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ka dalë me një njoftim rreth vrasjes së të riut, Rexhë Brahimaj.

    Përmes njoftimit zyrtar, thuhet se viktima kishte mbërritur në spital rreth orës 02:35, por pa shenja jete.

    “Menjëherë janë ndërmarrë masat reanimatore nga ekipi mjekësor në Emergjencë, por pa rezultat. Vdekja është konstatuar nga mjeku kujdestar në orën 03:10. Rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se i dyshuari është vetëdorëzuar në polici mëngjesin e së martës, ndërsa është ndaluar për 48 orë.

  • Ish-deputeti Guri: Ka diskutime të fshehta për koalicion LVV-PDK pas 7 qershorit

    Ish-deputeti Guri: Ka diskutime të fshehta për koalicion LVV-PDK pas 7 qershorit

    Pa përfshirjen e saj, Partia Demokratike e Kosovës është vendosur sërish në qendër të përplasjes politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.LDK ka lëshuar akuza ndaj LVV-së për bashkëpunim të fshehtë me PDK-në.

    Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri tha sot se Vetëvendosje, e cila sipas tij, nuk donte të zgjidhte presidentin “pa aminin e Sami Lushtakut”, tani ka hyrë në diskutime të fshehta me PDK-në për koalicion pas zgjedhjeve nacionale.

    “Partia e cila nuk guxonte me zgjedhe President pa aminin e Sami Lushtakut sepse nuk donte assesi ta bente kete pa PDK-ne e ankohej pse Vjosa nuk eshte e pranueshme per PDK-ne, sot paska dale me qendrim qe kinse LDK, Lumiri e Vjosa jane bashke me PDK”, tha Guri në një postim në Facebook të martën.

    “Mosni o te mjerë se krejt Kosova e din që ju publikisht e lutët PDK-ne për koalicion ne nivel qendror e mos te flasim për diskutimet e fshehta që po i bëni për koalicione pas 7 qershorit. Jeni nje brum qe sado qe tenton me nda, ai prap ngjitet”.

  • Behrami: Nga 12 m² të qelisë, Thaçi frymëzoi më shumë shqiptarë sesa liderët politikë në Kosovën e lirë

    Behrami: Nga 12 m² të qelisë, Thaçi frymëzoi më shumë shqiptarë sesa liderët politikë në Kosovën e lirë

    Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi, përgjatë pesë vjetëve të fundit, sipas tij, ka frymëzuar shqiptarët nga 12 metra/katrorë të qelisë së tij.

    Ai shton se ish-kreu i UÇK-së ka frymëzuar më shumë shqiptarë nga qelia e Hagës, sesa shumë liderë politikë me 11 mijë km² të Kosovës së lirë.

    “Hashim Thaçi, në këto pesë vjet, më shumë ka frymëzuar shqiptarët nga 12 m² të qelisë së tij, sesa shumë liderë politikë me 11 mijë km² të Kosovës së lirë!”, ka shkruar ai.

  • Shmanget shtrenjtimi i rrymës

    Shmanget shtrenjtimi i rrymës

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka miratuar pjesërisht kërkesat për të hyrat e operatorëve të kësaj fushe, duke shmangur j shtrejntimin e energjisë elektrike.

    Kësisoj, të hyrat e lejuara maksimale të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT) nga sot do të jenë 76 milionë euro. Të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) 185 milionë euro dhe për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) 442 milionë euro.

    Këto ndryshime të të hyrave maksimale u morën në mbledhjen e ZRRE-së, me arsyetimin që të mos rrezikohet siguria e furnizimit apo mos prodhimit nga gjeneratorët vendor.

    Muharrem Gashi nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, u arsyetua se me rritjen e importit duhet ndryshuar të hyrat maksimale.

    Kërkesa nga KOSTT ka qenë rreth 99 milionë euro, 23 përqind më e lartë sesa vlera e vendosur nga ZRRE-ja.

    “Gjatë 2025 për shkak rritjes së kërkesës për prodhim vendor, i cili ka qenë më i ulët, është rritur nevoja për import. Procesi i konsultimit ka kaluar në të gjitha fazat e parapara të rregullatorit, duke filluar nga pranimi i aplikacioneve, publikimi i raporteve muajin prill 2026. Gjatë këtij procesi kemi pranuar komente nga 5 kompani KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe organizata e shoqërisë civile INDEP… Kërkesa në aplikacionin për të hyrat e lejuara maksimale të operatorit të sistemit të transmetimit KOSTT, ka qenë rreth 99 milionë, ndërsa propozimi përfundimtarë i ZRRE është rreth 76 milionë që nënkupton rreth 23 për qind më e ulët sesa vlera e paraqitur në aplikacionin e KOSTT-it. Përfshinë shpenzimet operative, zhvlerësimin e kthimit e lejuar që lidhen me investimet kapitale, janë trajtuar kostot e humbjeve, ndihmëse dhe faktorët e përshtatjes e korrigjimit”, tha Gashi.

    Ndërsa për operatorin e sistemit të shpërndarjes -KEDS, nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, Adelina Lokaj përmendi kërkesën prej 235 milionë euro.

    Po ashtu nga ZRRE, është marrë në konsideratë faktori i përshtatjes së të hyrave i aplikuar për të adresuar devijimet e viteve paraprake, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.

    Lokaj tha se pas komenteve të pranuara nga OSSH-ja, ZRRE ka përditësuar blerjet e humbjeve me të dhënat e realizuara për muajin mars 2026 si dhe ka përditësuar çmimin e supozuar të importit për muajt e mbetur të vitit prill dhjetor 2026 me 2.65 €/MWh.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit: PSD kërkon nënshkrimet nga qytetarët për të garuar

    Zgjedhjet e 7 qershorit: PSD kërkon nënshkrimet nga qytetarët për të garuar

    Partia Socialdemokrate ka nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet nga qytetarët.

    Përfaqësuesit e PSD-së kanë ngritur një stendë në sheshin e Prishtinës, për të kërkuar pjesëmarrjen e këtij subjekti në zgjedhjet e parakohshme.

    Tashmë nënshkrimet e para janë hedhur.

  • Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

    Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

    Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin vjetor për Malin e Zi, në të cilin vendi cilësohet si shteti më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Raporti bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë, si dhe për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar.

    Aty theksohet edhe nevoja për uljen e numrit të lëndëve të mbetura gjyqësore dhe për harmonizimin e plotë të politikës së vizave me atë të Bashkimit Evropian.

    Autori i raportit, eurodeputeti Marjan Sharec, paralajmëroi se Mali i Zi përballet me një vit shumë sfidues.

    “Koha është e kufizuar, ndërsa punë ka ende. Ky raport duhet të shërbejë si njohje e progresit të deritanishëm dhe si inkurajim për periudhën në vazhdim. Para së gjithash, duhet të kuptohet si një thirrje për të gjitha palët e interesuara që të tregojnë urtësi dhe përgjegjësi, në mënyrë që mosmarrëveshjet e vogla të mos e errësojnë – apo devijojnë – përparimin drejt objektivave më të gjera strategjike”, tha Sharec pas votimit.

    Raporti u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që dallimet politike të mos e vonojnë miratimin dhe zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian.

    Theksohet se anëtarësimi në BE duhet të mbetet prioritet i përbashkët kombëtar, mbi interesat partiake, ndërsa Parlamentit dhe Qeverisë së Malit të Zi u kërkohet që çështjet e identitetit të mos e largojnë vëmendjen nga procesi evropian.

    Në dokument thuhet se, megjithëse Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e integrimit dhe afër mbylljes së kapitujve negociues, përparimi nuk varet vetëm nga reformat teknike, por edhe nga zhvillimet e përditshme politike dhe tensionet e brendshme, të cilat shpesh e ngadalësojnë procesin e përafrimit me standardet e BE-së.

    Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 14 nga 33 kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në BE.

    Synim i vendit është që t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti, me qëllim që të hapet rruga për anëtarësim të mundshëm deri në fund të vitit 2028.

    Për përmbylljen me sukses të negociatave, thuhet në raport, është thelbësore ruajtja e konsensusit politik për rrugën evropiane dhe sigurimi i bashkëpunimit konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës.

    Rezultatet e qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave janë përcaktuar si kushte kryesore për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

    Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian mori vendim për krijimin e një grupi punues që do të punojë në hartimin e projekttekstit të Marrëveshjes së Anëtarësimit me Malin e Zi.

    Nga Mali i Zi pritet emërimi më i shpejtë dhe më transparent i bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

    Po ashtu, theksohet nevoja për përafrim të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e BE-së, në lidhje me pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, si dhe për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura gjyqësore – veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Në raport shprehet shqetësim edhe për ndërhyrjet e huaja, dezinformimin dhe kërcënimet hibride, ndërsa Malit të Zi i bëhet thirrje që të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të tij.

    Dokumenti vlerëson përputhjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi me atë të Bashkimit Evropian.

    Pas votimit në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ky raport pritet të votohet në seancën plenare gjatë muajit qershor, kur edhe do të marrë formën e një rezolute të këtij institucioni. /REL