ATV

Blog

  • Punëtorët e shtetit pushojnë sot e nesër, sepse dje e pardje ishte festë

    Punëtorët e shtetit pushojnë sot e nesër, sepse dje e pardje ishte festë

    Sot e nesër, punëtorët e shtetit do ta kenë pushim. Kjo pasi që ata do të përfitojnë nga dy data të festave zyrtare të cilat ranë në vikend, mirëpo sipas Ligjit të Festave zyrtare, për to pushohet në një ditë pune.

    Kësisoj, sot, punëtorët e sektorit publik pushojnë për shkak se të shtunën ishte Dita e Kushtetutës.

    Teksa, nesër, të njëjtit nuk dalin në punë pasi që dje ishin pashkët katolike.

  • ​Gërvalla mohon problemet me Kurtin, thotë se ka përpjekje për t’i përçarë

    ​Gërvalla mohon problemet me Kurtin, thotë se ka përpjekje për t’i përçarë

    Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, derisa thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive.

    Kryediplomatja kosovare thotë për KosovaPress se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë.

    Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme.

    “Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, thotë Gërvalla.

    Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Albin Kurti po e shpërfillë vazhdimisht ministren Gërvalla.

    Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi pa se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa i përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vet kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme”, deklaron ajo.

    Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.

    Kjo ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.

    Partia Guxo, bashkëkryesohet prej Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, i cili është edhe ministër i Bujqëisë në kabinetin qeveritar të kryeministrit Albin Kurti.

    Lista Guxo më parë është udhëheur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pas marrjes së postit të parës së shtetit, ka dhënë dorëheqje nga obligimet partiake

    Në zgjedhjet e vitit 2021, Guxo ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje./kp

  • E rrahën një të mitur, arrestohen dy persona

    E rrahën një të mitur, arrestohen dy persona

    Dy persona janë arrestuar dje në Pejë, pasi kanë bërë për spital një të mitur.

    Policia ka informuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovarë, pasi që dyshohet se kanë rrahur viktimën mashkull kosovar i mitur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.”, ka informuar Policia.

  • Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar dje në Prizren pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj babait të tij.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar 0.9 gramë marihuanë.

    “Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë ndaj tij. Gjatë kontrollit në trup të dyshuarit i është gjetur dhe konfiskuar 0.9 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.”, ka informuar Policia.

  • Harrohet Projektligji për Pagën Minimale, prej se u votua më nuk u përmend

    Harrohet Projektligji për Pagën Minimale, prej se u votua më nuk u përmend

    Kanë kaluar dhjetë muaj që kur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, por shqyrtimi i tij në lexim të dytë ende nuk ka ndodhur.

    Ani pse do të duhej të procedohej brenda tre muajsh, Ligji për Pagën Minimale po qëndron në sirtarët e Kuvendit.

    As Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka diskutuar e as pranuar këtë Projektligj.

    Lidhur me vonesat, kanë folur anëtarë të këtij komisioni.

    Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica vonesat me këtë Projektligj po i bënë Qeveria.

    Madje për këtë çështje, deputeti që vjen nga partia në pushtet, ka thënë se përgjigje duhet të jep vet ekzekutivi.

    “Ky Projektligj është shumë i rëndësishëm, sepse ndryshon skajshmërish pagën minimale që është në fuqi. Arsyeshmërinë pse nuk ka ardhur ende në Kuvend duhet të kërkohet tek Qeveria, në momentin e parë që na vjen në lexim të dytë, ne kemi me e procedu në Kuvend për me u votu. Varet prej Qeverisë, në momentin e parë që neve na vjen në Komision, atëherë ne e procedojmë tutje, nuk varet prej nesh”, u shpreh ai

    Tutje ai shton se sa më shpejt që vjen ligji për pagën minimale, është aq më mirë.

    “Sa më shpejt që të vie, aq më mirë”, thotë për Front Online, deputeti Korenica.

    Lekaj: Ligji për Pagën Minimale i ka kaluar të gjitha afatet kohore, e paprecedent

    Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, vonesën e Projektligjit për Pagën Minimale e ka quajtur të paprecedent.

    Ai tha se kjo tregon për papërgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti.

    “Fatkeqësisht Projektligji nuk ka ardhur në Komision për shqyrtim të dytë, dhe i ka kaluar të gjitha afatet kohore të mundshme. Është ndër rastet e paprecedent që ka ndodhur kjo. Dhe qytetarët le ta dinë që ende në Kosovë rroga minimale është 170 euro. Kjo tregon pa përgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti, që po e bënë ndaj 100 mijë qytetarëve të Kosovës në lidhje me pagën minimale. Këtu më së shumti po e pësojnë qytetarët që punojnë në sektorin privat”, tha ai

    Lekaj thotë se kjo zvarritje po ndikon tek qytetarët, i cili po ashtu kërkoi që paga minimale të jetë 370 euro.

    “Qeveria dhe shumica parlamentare po i frikësohen kësaj dhe janë duke kalkuluar politikisht me këtë zvarritje. Qeveria duhet ta dijë që ky mos veprim i tyre për rritjen e pagës minimale po ndikon për keq në mirëqenien e qytetarëve të vendit. Ne e lusim shumicën parlamentare dhe Qeverinë që ti lëvizin gurët lidhur me këtë projektligj, dhe që paga minimale të mos jetë 250euro neto, por 370 euro neto ashtu siç kemi propozuar që nga fillimi”, u shpreh ai.

    Deputetja Balje për Ligjin për Pagën Minimale: Prej se e kemi votuar, më se kemi parë

    Informacione se kur ky Projektligj do të vie në Komision e më pas në Kuvend, nuk ka as deputetja Duda Balje.

    Ajo thotë se që nga hera e parë që e kanë votuar, nuk e kanë prek më atë ligj.

    “Asnjë informatë për Projektligjin për Pagën Minimale nuk e kam. Kemi votuar herën e parë dhe mandej më nuk kemi parë. Pas leximit të parë në Kuvend, Projektligji duhet me shku në Komision për Buxhet, unë jam anëtare në atë komision, por ne nuk e kemi prekur hiq atë ligj”, tha ajo

    Front Online ka kërkuar përgjigje edhe nga Kuvendi i Kosovës por deri në momentin e publikimit të shkrimit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

    Në interesimin e portalit nuk është përgjigjur as kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, anipse dha fjalë se do të përgjigjet.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht sillet prej 130 deri në 170 euro.

    Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.

  • Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Dy trupa u gjetën pas një shpërthimi që rrafshoi një ndërtesë katërkatëshe të dielën në qytetin jugor francez të Marsejës.

    Autoritetet lokale thanë se gjashtë persona mbetën të pagjetur dhe se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.

    Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine.

    Pesë persona nga ndërtesat fqinje pësuan lëndime të lehta në shpërthim dhe rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Dy blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë pa shkaktuar lëndime shtesë.

    Shkaku mbetet i paqartë, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhjeje gazi.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në Twitter se ai “po mendonte për të prekurit dhe të dashurit e tyre” dhe falënderoi punonjësit e urgjencës për përpjekjet e tyre, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan tha se ekipet e shpëtimit mbetën “të vendosur” për të gjetur njerëz të gjallë. “Shpresa duhet të na mbajë”, tha ai.

    Ndërtesa besohet të ketë pasur nga një apartament në çdo kat, dhe zyrtarët e qytetit thanë më herët se njerëzit e zhdukur përfshinin një çift të ri.

  • Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Policia ka informuar dje se dy persona janë shoqëruar në stacione policore, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë në rajonin e Prishtinës.

    Siç ka informuar Policia, sekuestrimi i armëve është kryer në dy raste dhe lokacione të ndryshme.

    Njëri rast ka ndodhur në lagjen “Sofalia”, ndërsa tjetri në rrugën “Ilir Konushevci”.

    “Në rastin e parë në lagjen Sofalia, në Prishtinë, pas raportimit për të shtëna me armë, menjëherë kanë reaguar njësi të stacionit Qendra, të cilët kanë shoqëruar një person dhe sekuestruar, një armë zjarri. I dyshuari, mashkull, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje, dhe përdorim të armës. Ndërsa rasti i dytë i sekuestrimit të një arme zjarri dhe një thike, është realizuar nga njësite të stacionot Veriu, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku për veprën sulm dhe armëmbajtje pa leje është shoqëruar i dyshuari: F.C, mashkull, 25 vjeç, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, ka bërë të ditur PK.

  • Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në përditësimin e fundit lidhur me COVID-19, ka njoftuar se kanë realizuar 41 testime, prej të cilave katër raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

    Sipas institutit, nuk janë konfirmuar raste të vdekjes, derisa janë shëruar 12 persona.

    20 persona janë të hospitalizuar. Kurse, gjithsej rastet aktive në vendin tonë janë 84.

  • Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Sot do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoninë e Veriut.

    Për ta shënuar këtë ditë, sot në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit, duke nisur nga ora 10.00, do të mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur nga Trojet e Veta do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

    Gjithashtu në Bllacë, fotografi Asllan Krasniqit do të nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh, dhe do të hapë ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”.

    Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

    Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që ka marrë përmasa biblike, në Kukës përkujtohet e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

    Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

    Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

    Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.

  • Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Është raportuar se më 20 prill do të ketë takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Por drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë gjatë një interviste për Blicin serb se ende nuk ështa caktuar datë për takimin e radhës në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai thotë se Bashkimi Evropian është mikpritësi dhe ata i përgjigjen ftesave të tyre.

    “Tani gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, ata janë mikpritësit e të gjitha atyre takimeve në Bruksel. Ata dërgojnë një ftesë zyrtare, ne i përgjigjemi. Natyrisht, është e nevojshme të bien dakord për të gjitha kushtet e Lajçakut dhe Borrellit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin e lartë. Nga ana tjetër, Vuçiq dhe Kurti. Kur të arrihet gjithçka, pres që në periudhën e ardhshme të vijë një ftesë e re për një takim të nivelit të lartë. Ne do t’ju njoftojmë si gjithmonë, kur kjo të ndodhë”, ka thënë Petkoviq, të dielën.

    Javën e kaluar ishte zhvilluar një takim i nivelit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ka pasur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk është nënshkruar.

    Tani bashkësia ndërkombëtare po kërkon që marrëveshja të zbatohet dhe për këtë janë paralajmëruar takime të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atij teknik.