ATV

Blog

  • Macroni thotë se BE-ja s’duhet të rreshtohet as me SHBA-në e as me Kinën sa i përket Tajvanit

    Macroni thotë se BE-ja s’duhet të rreshtohet as me SHBA-në e as me Kinën sa i përket Tajvanit

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se BE-ja duhet të mbajë një politikë të jashtme të pavarur , në një intervistë për të përditshmen franceze të biznesit Les Echo.

    “Ne nuk duam të futemi në një bllok kundër logjikës së bllokut”, tha ai, duke argumentuar se Evropa “nuk duhet të kapet nga një çrregullim i botës dhe kriza që nuk janë tonat”.

    Komentet pasojnë një vizitë në Kinë nga Macroni dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, e cila përfshinte një takim me presidentin kinez Xi Jinping. Ndër të tjera, udhëheqësit diskutuan tensionet rreth Tajvanit dhe pushtimin rus të Ukrainës.

    Macron theksoi se një përshkallëzim në Tajvan nuk ishte në interes të BE-së.

    “Pyetja që na bëhet ne evropianëve është kjo: a është në interesin tonë që të ketë përshpejtim në temën e Tajvanit? Jo. Gjëja më e keqe që ne evropianët mund të bënim do të ishte të ishim ndjekës në këtë temë dhe të përshtateshim me ritmin amerikan dhe një reagim të tepruar kinez. Pse duhet të shkojmë në një ritëm të zgjedhur nga dikush tjetër?”, pyeti ai.

    Kreu i shtetit francez theksoi atë që ai e konsideronte nevojën që BE të zhvillojë “autonomi strategjike”, një term i përdorur për t’iu referuar bllokut që mban një linjë të pavarur të politikës së jashtme.

    Macron tha se vendet anëtare të BE-së duhet të shmangin të bëhen “vasalë” dhe se blloku mund të funksionojë si një “pol i tretë” në gjeopolitikë së bashku me SHBA-në dhe Kinën. Ai paralajmëroi kundër ndjekjes së politikës së jashtme amerikane si një “refleks paniku”.

    Presidenti i Francës bëri thirrje gjithashtu për rritjen e shpenzimeve ushtarake, duke thënë: “Historia po përshpejtohet, ekonomia evropiane e luftës duhet të përshpejtohet paralelisht”.

    “Industria e mbrojtjes e Evropës nuk i plotëson të gjitha nevojat tona dhe mbetet shumë e fragmentuar,” tha ai, duke argumentuar se kjo bën që BE të mbështetet te furnizuesit amerikanë dhe aziatikë.

    Macron tha se ishte e rëndësishme që Brukseli të “kuptojë” arsyetimin e Kinës kur bëhet fjalë për Tajvanin.

    “Si evropianë, shqetësimi ynë është uniteti ynë”, tha ai. “Kinezët janë gjithashtu të shqetësuar për unitetin e tyre dhe Tajvani është një komponent [i këtij uniteti] nga këndvështrimi i tyre”.

    Tensionet mbi Tajvanin janë rritur gjatë disa muajve të fundit. Kina aktualisht po kryen një seri stërvitjesh ushtarake rreth ishullit, shkruan DW, transmeton Klankosova.tv.

    Të premten, Macron – së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe zyrtarë të tjerë – u takua me presidentin kinez Xi Jinping.

    Udhëheqësit e BE-së shpresojnë të bindin Pekinin që të marrë një rol më të madh në përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

  • Lajçak: Me kryenegociatorët u dakorduam për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes

    Lajçak: Me kryenegociatorët u dakorduam për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se java që po e lëmë pas ka qenë e ngarkuar me takimin i cili u zhvillua në kuadër të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë Serbi.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pala kosovare dhe ajo serbe në kuadër të takimit diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe çështjet urgjente aktuale.

    Ai ka thënë se lidhur me takimin e ka informuar edhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

    “U takova gjithashtu me Këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Ishte mirë të flitej për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Unë gjithashtu e informova atë për takimin e dialogut dhe të kryenegociatorëve. Ne ramë dakord për nevojën e zbatimit të menjëhershëm në mirëbesim. Unë jam shumë mirënjohës për partneritetin dhe koordinimin e fortë me Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për Dialogun”, ka thënë ai.

  • Presidenca reagon pasi Vuçiq tha se s’do të zbatojë krejt marrëveshjet: Të pasojnë sanksionet

    Presidenca reagon pasi Vuçiq tha se s’do të zbatojë krejt marrëveshjet: Të pasojnë sanksionet

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

    Vuçiq i tha televizionit publik serbe se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë.

    Ndaj deklaratës të tij ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.

    Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.

    “Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.

  • Analistët serbë: Vuçiç nuk mund dhe as nuk do të shkëputet kurrë prej Putinit

    Analistët serbë: Vuçiç nuk mund dhe as nuk do të shkëputet kurrë prej Putinit

    Presidenti serb Aleksandër Vuçiç për vite të tëra u përpoq të përfitonte politikisht nga lidhjet e tij të ngushta me Moskën, gjë që e ndihmoi atë të ruante pushtetin.

    Megjithatë, thashethemet për prishje të marrëdhënieve u shfaqën në fillim të luftës në Ukrainë, kur kjo “miqësi” pushon së qeni e dëshirueshme. Të paktën publikisht.

    Pas kësaj vjen një kthesë e lehtë në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës. Mirëpo, lind pyetja nëse marrëdhënia mes Vuçiçit dhe presidentit rus Vladimir Putin mund të prishet kaq lehtë, apo është e gjitha një shfaqje ndryshe për publikun?

    Sreçko Gjukiç, diplomat dhe ish-ambasador në një prononcim për mediet serbe thekson se është i bindur se ka komunikim mes Beogradit dhe Moskës dhe se kjo shihet nga disa lëvizje të Vuçiçt që kanë të bëjnë me Kosovën.

    “Jam i bindur se mes Beogradit dhe Moskës ka komunikim. Natyrisht, sot mund ta kemi të vështirë ta vërtetojmë këtë, por nuk është diçka që nuk mund të ‘kapet’ dhe të vërtetohet se ekziston”– thotë Gjukiç.

    Sipas diplomatit, ekziston një komunikim mes dy liderëve, nuk ka rëndësi nëse ai është i drejtpërdrejtë apo kalon nëpër kanale të veçanta.

    “Sidoqoftë, nga veprimet e caktuara të Vuçiçit shohim se kjo është rezultat i mbështetjes së Moskës. Për shembull, kur bëhet fjalë konkretisht për çështjen e Kosovës, edhe pse Moska është e thellë e zhytur në probleme, pyetja e vërtetë është se kujt mund t’i ndihmojë”, shton ai.

    I pyetur nëse mendon se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga ai “përqafim”, Gjukiç përgjigjet se rrënjët e kësaj gjenden në politikën radikale të partisë së Vuçiçit.

    “Mendoj se është një përqafim ideologjiko-politik. Duke marrë parasysh rrënjët e partisë që ai drejton, ato rrënjë gjenden në politikën radikale dhe politika radikale në Serbi ka qenë gjithmonë e lidhur me nënën Rusi me një kordon kërthizor. Unë absolutisht mendoj se Vuçiç nuk mund të shkëputet prej Putinit dhe as që do të largohet ndonjëherë prej tij. Pavarësisht nëse është Kosova apo diçka tjetër. Nëse nuk është Kosova, do të ketë diçka tjetër”, thotë Gjukiç.

    Vuçiç: Gjithmonë konsultohem me Putinin

    Vetë Vuçiç ka folur në disa raste për faktin se ai konsultohet rregullisht me presidentin e Rusisë.

    “Unë gjithmonë konsultohem me presidentin Putin dhe kërkoj këshillën e tij. Unë e njoh atë dhe nuk gënjej, po e them të vërtetën. Edhe pse jo gjithmonë i pëlqen gjithçka. Mendoj se kjo është një nga gjërat që Putini e respekton shumë”, është shprehur ai më herët për mediet ruse.

    Është gjithashtu interesante të kujtojmë deklaratën e fundit të gazetarit austriak Kristijan Versiç, se në dhjetor të 2021-së, ai mësoi nga Vuçiç se Rusia do të sulmonte Ukrainën.

    “Jo sepse presidenti Putin më tha gjë, kuptova se çfarë do të ndodhte në Ukrainë. Ai gjithmonë ndante 45 minuta për të folur për Ukrainën dhe më pas nuk foli as për tre minuta. Kjo më mjaftoi. Kur çdo herë ai ka nevojë për të shpjeguar dhe atëherë nevoja nuk ekziston më, do të thotë se vendimi është marrë. Nuk mund të flisja kaq hapur, por thashë pa mëdyshje se pres të ndodhin ndryshime të mëdha”, ka thënë Vuçiç.

    Takime sekrete

    Kur filloi lufta në Ukrainë, këto kontakte u ndërprenë përkohësisht. Të paktën zyrtarisht. Deri në maj 2022, kur Vuçiç dhe Putin folën në telefon dhe u pajtuan për nënshkrimin e një kontratë të re për furnizim me gaz. Ndërkohë, dolën informacione për disa “takime sekrete” me njerëz të afërt me udhëheqjen ruse.

    Pasi dështoi ideja që ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të vizitonte Beogradin, në një kohë kur ai tashmë ishte nën sanksionet e BE-së, Vuçiç u takua me të në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky takim ishte tentuar të fshihej nga sytë e publikut serb.

    Po ashtu, medie serbe Nova ka zbuluar se Vuçiç është takuar fshehurazi me zëvendësin e Lavrovit, Aleksandar Grushka.

    “Çfarë do të doja të fshihja? Ndoshta për të shpëtuar Serbinë. Le të themi se ata ia dolën mirë. Pra, pse më denoncove? Pse e denoncuat presidentin e vendit tuaj? Çfarë jeni ju, informatorë profesionistë? Të dashur miq në Perëndim, ky [Vuçiç] donte t’ju fshehë diçka”, tha Vuçiç pasi ishte publikuar ky informacion.

    Jo shumë kohë pas kësaj, Vuçiç u takua edhe me këshilltarin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, Turk Daudov. Për këtë takim, opinioni serb kishte mësuar nga vetë Daudovi, i cili u mburr me dhuratën që i bëri nikoqirit të tij në Beograd.

    Në faqen zyrtare të Presidencës serbe nuk kishte asnjë lajm për takimin dhe as një deklaratë për medie.

    Urdhër arresti për Putinin nga Haga

    Urdhër arresti për Putinin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë është një tjetër moment i cili u pasua nga një deklaratë e Vuçiçit që thoshte se u bë shumë keq kur mori lajmin.

    “Për pak e humba vetëdijen kur më treguan lajmin. Një gomar kaq i madh, që peshon gati 120 kilogramë, sepse e di se çfarë do të thotë për vendin tonë”-tha ai në një fjalim para qytetarëve në Mitrovicë të Sremit, deklaratë kjo e cila bazuar nga raportet nuk duhet të bëjë çudi.

    Ai tha gjithashtu se ky vendim tregon se Perëndimi është i gatshëm të shkojë deri në fund për të gjithë ata që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, si dhe se ata që flirtojnë me Putinin do të kenë pasoja të rënda.

    “Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm për situatën me të cilën do të përballemi”, ka shtuar ai.

    Duke folur për këtë, profesori në pension i Fakultetit Filozofik, Zharko Koraç, ka thënë për mediet serbe se kjo është për shkak se Vuçiç e sheh Putinin si një politikan të madh dhe të rëndësishëm.

    “Ky qëndrim ndaj tij vazhdon që nga koha kur ai ishte në Partinë Radikale. Nacionalistët serbë historikisht u mbështetën në Rusi, megjithëse Serbia kishte edhe nacionalistë pro-perëndimorë. Vuçiç u trondit kur zbuloi me vonesë se Putini është thjesht një politikan, ylli i të cilit në skenën ndërkombëtare është zbehur përgjithmonë për shkak të luftës në Ukrainë. Romakët e lashtë do të thoshin: kështu kalon lavdia e botës”, shpjegon Koraç.

    “Është një goditje e re ndaj politikës së Serbisë, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, përfundon ish-zëvendëskryeministri serb.

  • Merret vendim, të mërkurën bojkotohen ligjëratat në UP

    Merret vendim, të mërkurën bojkotohen ligjëratat në UP

    Me kërkesë që të përjashtohet profesori Bekim Bejta, Këshilli Studentor ka marrë vendim që të mërkurën (12 prill) të bojkotohen të gjitha ligjëratat.

    Këshilli njoftoi të dielën mbrëma se ky vendim është marrë në mbledhjen e Këshillit Studentor të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, derisa u përmend edhe bojkotimi i ligjëratave në tërësi.

    “Sot pas mbledhjes së mbajtur nga Këshilli Studentor i Filologjisë, u vendos nga shumica absolute të bojkotohen të gjitha ligjëratat ditën e mërkurë, nga anëtarët e Këshillit Studentor. Në rast se të mërkurën nuk ka një vendim të prerë, atëherë do fillojë bojkotimi i ligjëratave edhe nga shumica e këshillave të tjera studentore dhe jo për shumë kohë do bëhet thirrja e përgjithshme për bojkotim të plotë të ligjëratave nga të gjithë studentët e UP-së, deri në përjashtimin e Bekim Bejtës nga Fakulteti i Filologjisë”, thuhet në reagim.

    Profesori në Departamentin e gjuhës angleze, Bekim Bejta, po akuzohet nga studentët për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve të UP-së. Kundër tij është paralajmëruar edhe protestë më 12 prill.

  • Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Në Kosovë për pesë ditët e javës së ardhshme do të mbajë mot i vranët, intervale me diell, dhe riga e reshje shiu.

    Në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës thuhet se vikendin e javës së ardhshme parashihet mot i vranët dhe reshje shiu.

    Më poshtë e keni motin për të pesë ditët, nga e hëna deri të premten:

    E hënë – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat kohë pas kohe parashihen të shoqërohen me reshje shiu. Temperaturat do të jenë pozitive në të dy vlerat ekstreme.

    E martë – Mot i vranët dhe vende-vende me reshje të dobëta shiu. Gjatë ditës do të ketë intervale me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta në vlerat e maksimaleve, kryesisht në mesditë.

    E mërkurë – Mot me vranësira të shpërndara dhe me diell .Temperaturat do mbesin konstante me të ditës së marte.

    E enjte – Mot kryesisht stabil, me pak vranësira dhe intervale me diell. Kjo ditë parashihet të jetë dita më e nxehtë e javës,për shkak të prezence së masave të ajrit me origjinë nga jugperëndimi.

    E premte – Mot kryesisht i vranët dhe me kushte për reshje. Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta në vlerat e maksimaleve.

    Gjatë kësaj periudhe kohore do të ketë erëra të lehta deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit dhe jugperëndimit, ndërsa presioni atmosferik do të shënoj vlera të rritura mbi normalen.

  • Si të shmangen problemet me lukthin gjatë agjërimit

    Si të shmangen problemet me lukthin gjatë agjërimit

    Pos të mirave shëndetësore, agjërimi mund të shkaktojë probleme të përkohshme shëndetësore në organizmin e njeriut. Kjo për shumë faktorë, por më e shpeshta është dhimbja e stomakut.

    Nutricistët thonë se dhimbjet në lukth ndodhin edhe për shkak të anashkalimit të vaktit para agimit, i njohur si syfyr.

    Ngrënia e syfyrit do ta ndihmonte organizmin në përballimin e ditës dhe orëve të gjata pa ngrënie. Ngrënia gjithashtu do të krijonte stabilitet në lukth, duke shmangur dhimbjet gjatë ditës. Nutricionistët propozojnë që në kohët e lejuara të konsumohet sa më tepër ujë, në mënyrë që organizmi të jetë i hidruar sa duhet.

    Propozohet edhe shmangia e ushqimeve me shumë kripë, kafeja dhe pijet e gazuara. Në syfyr rekomandohet konsumimi i proteinave, vajrave, karbohidrateve dhe i lëngjeve të freskëta.

    Pemët dhe perimet janë të domosdoshme për shmangie të probleme me lukth.

  • Pite e mbushur me spinaq dhe djathë: E thjeshtë, e shëndetshme dhe e shijshme

    Pite e mbushur me spinaq dhe djathë: E thjeshtë, e shëndetshme dhe e shijshme

    Këtë specialitetet të shijshëm ju duhen vetëm pak minuta për ta përgatitur dhe gjysmë ore për ta pjekur!

    Përbërësit e nevojshëm:

    ▪ 3-4 vezë
    ▪ Tre lugë salcë kosi
    ▪ Një lugë çaji kripë
    ▪ gjysmë pluhur pjekjeje
    ▪ pesë lugë miell gruri
    ▪ pesë lugë miell misri
    ▪ 100 ml vaj
    ▪ 300-400 gram djathë i ri
    ▪ një filxhan spinaq të grirë hollë
    ▪ pak gjalpë

    Gatimi:

    Ndizeni furrën në 190 gradë Celsius dhe futeni një tepsi të zbrazët që të ngrohet.

    Në një enë përzieni 3 – 4 vezë me tri lugë ajkë dhe një lugë të vogël kripë. Shtoni gjysmë qese pluhur për pjekje, pesë lugë miell gruri dhe pesë lugë miell misri. Gradualisht shtoni 100 ml vaj.

    Në fund në tretje përzieni 300 – 500 gram djathë të butë, apo ndonjë djathë tjetër – sipas dëshirës edhe spinaq.

    Me dorezë nxirrni tepsinë e nxehur nga furra. Vendosni një kube gjalpë që të shkrihet dhe me kujdes lyeni fundin dhe anët e tepsisë. Në të derdhni brumin. Kthejeni në furrë dhe piqeni rreth 30 minuta. /Telegrafi

  • Ligj i ri në Francë, prindërve mund t’u ndalohet shpërndarja e fotografive të fëmijëve në internet

    Ligj i ri në Francë, prindërve mund t’u ndalohet shpërndarja e fotografive të fëmijëve në internet

    Autoritetet e Francë kanë miratuar një ligj që mund t’ua ndalojë prindërve publikimin e fotografive të fëmijëve të tyre në rrjetet sociale.

    Mediat franceze thanë se prindërit do të jenë përgjegjës për imazhet e fëmijëve të tyre, por kjo mund t’ua ndalohet nga autoritetet. Ky ndryshim i ligjit po bëhet me qëllim që fëmijët të mësohen se prindërit e tyre s’kanë kontroll të plotë mbi imazhet e tyre, shkroi “Businesstoday”.

    Deputeti francez, Bruno Studer, tha se një 13-vjeçar i ka mesatarisht 1.300 fotografi që qarkullojnë nëpër internet. Këto imazhe, sipas tij, mund të përdorën për pornografi ose bullizëm.

    Ligji thotë se sipas moshës dhe nivelit të pjekurisë, fëmijët francezë do të mund të vendosin nëse duan që prindërit t’ua publikojnë fotografitë në mediat sociale.

  • Rexha: Referimi në Ligën e Parë është totalisht skandaloz

    Rexha: Referimi në Ligën e Parë është totalisht skandaloz

    Ish-futbollisti, tani ndihmës trajner te FC 2 Korriku, Kastriot Rexha thotë se referimi në Ligën e Parë është totalisht skandaloz.

    “Sot kemi pasur një ndeshje kundër Kikës. Çfarë më ka pëlqyer në Ligën e Parë të Kosovës është mikpritje, por referimi është totalisht skandaloz”, tha Rexha në Ekipi A.

    Për më shumë mund të ndiqni emisionin e plotë: