ATV

Blog

  • Dhjetëra minatorë bllokohen në “Trepçë”, Januzi tregon për gjendjen e tyre

    Dhjetëra minatorë bllokohen në “Trepçë”, Januzi tregon për gjendjen e tyre

    Në orët e para të mëngjesit, dyshohet se rreth 40 minatorë të minierës së Trepçës është raportuar se kanë mbetur të bllokuar.

    Bllokimi i minatorëve ka ndodhur për shkak të prishjes së një elevatori i cili ua mundëson atyre hyrje-daljet nga thellësia e minierës.

    Kryetari i sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar për ATV-në se deri tash nëpërmjet shkallëve alternative kanë dalë 8 minatorë, ndërsa brenda kanë mbetur të tjerët, për të cilët ka thënë se brenda një ore pritet të dalin edhe ata./ATVLIVE.TV/

  • Kërkohet ndryshimi urgjent në kalendarin e festave zyrtare

    Kërkohet ndryshimi urgjent në kalendarin e festave zyrtare

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

    DhTIK njofton për media se praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.

    “DhTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi. Gjithashtu DhTIK kërkon që të festohen, por të mos jenë ditë pushimi, datat: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Evropës”, thuhet në njoftim.

    DhTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

    “DhTIK, mbetët me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në njoftim.

  • Për 24 orë mbi 60 aksidente trafiku, Pacolli: Rrugët në gjendje katastrofale, qeveria të veprojë për t’i parandaluar vdekjet

    Për 24 orë mbi 60 aksidente trafiku, Pacolli: Rrugët në gjendje katastrofale, qeveria të veprojë për t’i parandaluar vdekjet

    Kreu i AKR-së dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka ngritur shqetësim se nëpër rrugët e Kosovës po ndodhin shumë incidente të trafikut.

    Ai ka nxjerrë disa statistika të këtyre aksidenteve në 24 orët e fundit nëpër rrugët e vendit tonë.

    Gjithashtu ka treguar edhe shkakun që çon në këto aksidente.

    “Vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur mbi 62 incidente trafiku nëpër rrugët tona. Shkaku kryesor i këtyre incidenteve janë rrugët, të cilat për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, janë në gjendje katastrofale. Që nga viti 2020, faktikisht, në Kosovë nuk ka mirëmbajtje të rrugëve dhe gjendja e tyre është shkaku kryesor i incidenteve që po kushtojnë jetët e njerëzve. Bëj thirrje te qeveria që të veprojnë për të parandaluar vdekjen e njerëzve”, ka thënë ai.

  • ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend nuk është ulur, por ka mbetur i njëjtë. Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e invazionit rus në Ukrainë.

    Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.

    Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve, dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomik që të reflektojnë në uljen e çmimeve.

    Udhëtari nga Juniku, Florent Kuqi, thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.

    “Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.

    Xhevdet Spahia, thotë se biletat më shumë nga 5 euro, janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.

    “Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto… Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.

    Sheref Tepeku, gjersa ankohet për çmimin e lartë të biletave, konsideron se puna e çmimeve nga linjat e autobusëve ngjason me biznes.

    “Kanë thënë që pasi është ngritur çmimi i naftës, janë ngritur dhe biletat dhe tashmë meqë është zvogëluar çmimi i naftës duhet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave”, tha ai.

    Mendim të njëjtë nuk ka edhe Bajram Seferi, nga linja e autobusëve Pejë-Prishtinë. Ai thotë se ulja e çmimit të biletave për udhëtarë, nuk është në favorin e tyre, gjersa shton se përveç naftës ata detyrohen të paguajnë edhe shpenzimet e tjera që i posedon autobusi.

    “Jo assesi. Më së paku na konvenon neve si transportues t’i ulim çmimet e biletave, në përjashtim edhe kur ngritën çmimet e derivateve, neve transportuesit e linjave Pejë-Prishtinë, nuk është në pyetje vetëm çmimi i biletave. Ne edhe para shtrenjtimit të naftës e kemi pasur çmimin prej 4 euro për studentë dhe 5 euro për udhëtarë, andaj edhe sot janë çmimet e njëjta. Edhe pse çmimi i derivateve ka pak zbritje, çmimet e tjera janë zakonisht të larta, si p.sh çmimi për mëditjen e shoferit, mëditjen e kondukterit, çmimi për pjesët amortizuese të autobusit në fjalë, atëherë tek ne më së paku ka llogari për ta ulur çmimin e biletave… Sipas nesh çmimi nuk është i papërballueshëm. Ne i bëjmë 100 kilometra në një drejtim, dhe 100 kilometra 4 euro, nuk është një çmim aq i madh sa të mos munden ta përballojnë”, potencoi ai.

    I të njëjti mendim ishte edhe Qerim Xhaferi, nga linja e autobusëve Ferizaj-Prishtinë. Meqenëse bileta e kësaj linje është 1 euro, sipas tij nuk është e nevojshme të ulet çmimi.

    “Çmimi i biletave nuk na konvenon të ulet sepse uljen e kemi mjaftueshëm, çmimi i biletës është një euro, nuk ka çfarë të zbritet më shumë. Ne e kemi biletën më të lirë, Ferizaj-Prishtinë”, u shpreh ai.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, thotë se brenda afatit kohorë ka rënie të derivateve për 0,65 centë dhe thekson se pas uljes së çmimit të derivateve duhet të ulet edhe çmimi i biletave të autobusëve.

    “Aktualisht çmimi i naftës është 1.29, ndërsa i benzinës, 1.30. Brenda afatit kohor kemi rënie të derivateve në Kosovë për 0,65 cent…Çmimet e derivateve për qytetarët tanë, janë të larta në krahasim me çfarë standardi kanë. Të gjithë duhet të reflektojnë në uljen e çmimeve, ngase të gjitha produktet dhe biletat janë rritur si pasojë e rritjes së derivateve. Tashmë çmimi i derivateve ka rënë, janë ulur çmimet, andaj biletat dhe të gjitha produktet ushqimore duhet të ulën, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë më të mirë dhe më të lirë”, theksoi ai.

    Kujtojmë se para 6 muajsh, një litër naftë shkonte rreth 1.90 euro-cent. Ndërkaq, çmimet e derivateve janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

  • Pse të pasurit po largohen nga Norvegjia?

    Pse të pasurit po largohen nga Norvegjia?

    Një numër rekord i pasurve në Norvegji po largohen nga Oslo për në vendet me taksa të ulëta pasi qeveria e qendrës së majtë rriti taksat e pronës në 1.1%. Më shumë se 30 miliarderë dhe multimilionerë norvegjezë do të largohen nga Norvegjia në vitin 2022, sipas një sondazhi të gazetës Dagens Naeringsliv.

    Shumë prej tyre janë shpërngulur në Zvicër, ku taksat janë shumë më të ulëta. Ato përfshijnë miliarderin Kjell Inge Røkke, i cili u zhvendos në Lugano. Røkke, 64 vjeç, është norvegjezi i katërt më i pasur, me një pasuri të vlerësuar prej rreth 1.7 miliardë euro.

    “Kam zgjedhur Luganon si rezidencën time të re, nuk është as më e lira dhe as taksat më të ulëta por në këmbim, është një vend i mrekullueshëm me një vendndodhje të mirë në Europë,” tha ai.

    Ole Gjems-Onstad, profesor emeritus në Shkollën Norvegjeze të Biznesit, tha se ata që ishin larguar nga vendi kishin një pasuri totale prej të paktën 600 miliardë NOK.

    Tord Ueland Kolstad, një investitor i pronave të paluajtshme dhe kultivimit të salmonit me një pasuri prej rreth 1.5 miliardë NOK, është zhvendosur nga Bodø në Lucern, Zvicër.

    Kolstad tha se rritja e taksës së pronës nënkuptonte se ai do të paguante pak më shumë se 6 milionë krona.

    “Për fat të keq, ky është realiteti i politikës së sotme tatimore. Është e pajustifikuar t’i imponosh kompanisë kosto të tilla kur dëshiron të hapësh vende të reja pune”, tha ai.

    Kolstad i tha gazetës norvegjeze Aftenposten se kur mbërriti për herë të parë në Zvicër nuk kishte miq atje. Erlend Grimstad, nënsekretar në ministrinë e financave, tha për The Guardian se shpresonte që norvegjezët e pasur do të ktheheshin sërish. /abcnews.al

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në veturën e tij në Gjakovë, mjeku konstaton vdekjen

    Gjendet pa shenja jete një burrë në veturën e tij në Gjakovë, mjeku konstaton vdekjen

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën “Gasper Karaqi në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në veturën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

    Mësohet se viktima është i moshuar dhe akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka humbur jetën.

    Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenja vitale e ka konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.

    Ndërkohë kanë intervenuar edhe njësitet policore që kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa trupi i pajetë shumë shpejt pritet të tërhiqet për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia, me ç’rast është bërë e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet.

  • Bie ashensori në një ndërtesë në lagjen “Emshir”, lëndohen tre persona

    Bie ashensori në një ndërtesë në lagjen “Emshir”, lëndohen tre persona

    Tre persona janë lënduar nga rënia e ashensorit në një ndërtesë në rrugën “Hysni Gashi” në lagjen “Emshir” të Prishtinës, gjatë ditës së djeshme.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

    Ajo tha se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, dhe se në ashensor ishin nëntë persona.

    “Dje rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën për një incident (rënie e ashensorit) në lagjen “Emshir” në Prishtinë, saktësisht në një ndërtesë në rrugën “Hysni Gashi” ku janë lënduar 3 nga 9-të personat të cilët ishin në një ashensor”, ka bërë të ditur Ahmeti./BetimipërDrejtësi

  • Autoritetet ukrainase: Gati 700 trupa ruse u vranë të dielën e Pashkëve

    Autoritetet ukrainase: Gati 700 trupa ruse u vranë të dielën e Pashkëve

    Ukraina ka dhënë përditësimin e saj të përditshëm mbi humbjet e vlerësuara ruse që nga fillimi i luftës.

    Autoritetet ukrainase pretendojnë se janë vrarë rreth 179 mijë trupa ushtarake të Rusisë.

    Nga 178,820 që raportohet se kanë vdekur që nga shkurti i vitit 2022, rreth 670 mendohet se janë vrarë vetëm në 24 orët e fundit.

    Gjithashtu janë shkatërruar 3637 tanke, 18 anije dhe 292 helikopterë dhe shumë pajisje të tjera ushtarake.

    Theksojmë se vlerësimet e Ukrainës kanë qenë vazhdimisht më të larta se ato të ofruara prej burimeve zyrtare ndërkombëtare.

    Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima në radhët e civilëve dhe dëme të mëdha në infrastrukturë.

  • Kjo është komuna më e varfër në Kosovë

    Kjo është komuna më e varfër në Kosovë

    Numri i përgjithshëm familjeve nën asistencë sociale në vend është 22 mijë e 376, kurse numri i përgjithshëm i anëtarëve të këtyre familjeve është 88 mijë e 453.

    Komuna e Mitrovicës ka më së shumti familje me asistencë sociale. Kjo komunë ka 2 mijë e 131 familje përfituese nga skema sociale apo 8 mijë e 672 qytetarë.

    Komuna e dytë me më së shumti familje nën asistencë sociale radhitet ajo e Vushtrrisë me 1 mijë e 291 familje ose 5 mijë e 609 qytetarë.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Lipjani është Komuna e tretë me numër më të madh të familjeve nën asistencë sociale, me 1 mijë e 163 familje apo 4 mijë e 979 qytetarë.

    Pas kësaj komune radhitet Prishtina me 1 mijë e 152 familje ose 4 mijë e 370 qytetarë.

    Gjakova ka nën asistencë sociale 1 mijë e 94 familje apo 4 mijë e 392 qytetarë.

    “Numri i përgjithshëm i familjeve nën asistencë sociale është 22 mijë e 376, kurse numri i përgjithshëm I qytetarëve 88 mijë e 453”, thuhet në raportin e ASK-së për muajin shkurt të këtij viti.

  • Xhamia e re në Egjipt, thyen tri rekorde botërore

    Xhamia e re në Egjipt, thyen tri rekorde botërore

    Në Kairo të Egjiptit janë hapur dyert e njërës prej xhamive më luksoze në vend.

    Ndërtimi i saj ka kushtuar gjithsej 800 milion paund egjiptian apo thënë ndryshe 20.7 milion euro.

    Sipas mediumeve vendore, Egjipti me ndërtimin e kësaj xhamie ka arritur të thyej rekorde botërore.

    Rekordi i parë është thyer për foltoren më të lartë në botë, gjithsej 16.6 metra të gjatë.

    Rekordi i dytë dhe ai i tret ishin për llambadarin kryesor të xhamisë, i cili është më i rëndi në botë me 24 mijë e 300 kg , dhe më e madhja, me një diametër prej 22 m përfshin katër nivele.

    Një pjesë e publikut nuk e kanë pritur mirë ndërtimin e këtij objekti fetarë me një kosto aq të lartë.