ATV

Blog

  • Klinasit nuk heqin dorë, protestojnë para Qeverisë

    Klinasit nuk heqin dorë, protestojnë para Qeverisë

    Fadil Morina e ka lënë në gjysmë riparimin e biçikletave për t’iu bashkuar protestës së bashkëfshatarëve sot në kryeqytet, në kundërshtim të devijimit të autostradës Prishtinë-Pejë.

    “Ne mbesim pa punë për këtë arsye kam dalur. Për djalin kam paguar gjashtë mijë euro në të zezën e kam qit jashtë, nëse vie puna duhet të dalë edhe vet nuk kam zgjidhje tjetër”, tha Fadil Morina, banor.

    Ashtu si Fadili, banorët e ndërmarrësit e fshatrave Gllarevë të Klinës dhe tre fshatrave të tjerë përreth, po frikohen se bizneset e tyre do të shuhen me ndryshimin e trasesë së autostradës.

    “Nuk do ndalemi së protestuari nëse devijon rruga un do i dorëzoj qelsat e biznesit tek qeveria dhe do iki në perëndim…protestat tjera do jenë më të dhunshme, do i bllokojmë rrugët”, tha Zahir Salihaj, biznesmen.

    “Ne që i kemi bizneset aty nuk dijmë si t’ja bëjmë pos t’i marrim familjarët e ta lëshojmë vendin. Ai që e ka bërë këtë projekt është kriminel”, tha Zenel Balaj, biznesmen.

    Pas insistimeve të shumta, përfaqësuesit e protestuesve arritën të takoheshin me sekretarin e kryeministrit, mirëpo ky takim nuk rezultoi me ndonjë sukses.
    “Biseduam me sekretarin e kryeministrit, Arben Krasniqi, mirëpo një çudi e madhe është se sekretari nuk kishte informacione për këtë projekt të rrugës”, tha përfaqësuesi i protestuesve, Sheremet Pantina.

    Andaj, nga Qeveria ata u nisën drejt Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ku u takuan me zëvendësministrin e këtij dikasteri, Hysen Durmishi.

    Nga aty dolën me shpresë.

    “Na është dhënë një premtim që projekti momentalisht është i ndalur dhe do takohet personalisht me qytetarët që në vendin e ngjarjes dhe do bisedoj edhe me bizneset. Kjo është një shpresë dhe si do vijojnë ngjarjet mbetet të shihet në të ardhmen”, tha Pantina.

    Ndërkaq, kjo është hera e katërt që banorët e ndërmarrësit e fshatrave të komunës së Klinës, nga do të kalojë autostrada Prishtinë – Pejë, protestojnë në kundërshtim të devijimit të projektit. /atvlive.tv

  • Ulet çmimi i miellit në vend, kërkohet të ulet edhe çmimi i bukës

    Ulet çmimi i miellit në vend, kërkohet të ulet edhe çmimi i bukës

    Nga 550 euro sa ishte, çmimi për një ton miell ka rënë në 420 euro.

    Por, ani pse çmimi i miellit është ulur për 30 për qind, kjo nuk ka ndikuar tek çmimi i bukës.

    Andaj nga shoqata e mullisëve kërkojnë reflektim duke thënë se çmimi i bukës duhet të ulet.

    “Nuk mendoj që do rritet, përkundrazi presim një rënie te çmimit të bukës duke pasur parasysh çmimin e miellit i cili ka pësuar rënie prej afro 30%, ky çmim duhet te reflektojë edhe në rënie të çmimit të bukës”, tha Bashkim Zejnullahu nga shoqata e Mullisëve.

    E ata që ndikohen më së shumti nga çmimet e larta kërkojnë uljen e çmimit të bukës. /atvlive.tv

  • Abazoviq në Prishtinë: Kënaqësi e madhe që jam këtu

    Abazoviq në Prishtinë: Kënaqësi e madhe që jam këtu

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka arritur në Prishtinë.

    Këtë vizitë, Abazoviq e zhvillon me ftesë të ftesë të kryetarit të Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), Agim Shahini.

    Gazetari Venhar Isufi ka publikuar një video të Abazoviqit nga momentet e tij të para në Prishtinë.

    Ai është pyetur se si po ndjehet në Kosovë.

    “Gëzohem shumë. Kënaqësi e madhe. Faleminderit të gjithëve”, ka thënë Abazoviq në ambientet e njërit prej hoteleve në kryeqytet.

  • Rama publikon ndryshimin për disa sektorë: Paga mesatare në Shqipëri thuajse është dyfishuar

    Rama publikon ndryshimin për disa sektorë: Paga mesatare në Shqipëri thuajse është dyfishuar

    Në vazhdën e fushatës zgjedhore në Shqipëri, kryeministri i vendit, Edi Rama ka publikuar ndryshimin e pagave ndër vite për disa sektorë të ndryshëm.

    Duke pasur parasysh që në publikimin e këtyre pagave përfshihet gjithmonë pozicioni, niveli i arsimit, vjetërsia e kualifikimet varion edhe shifra e pagës.

    Sipas kryeministrit Rama, falë pagave të reja, paga mesatare në Shqipëri thuajse është dyfishuar duke arritur majën historike të 900 eurove në vitin 2024.

    Renato Rexha, një mësues i Arsimit të Mesëm të Ulët në muajin maj të vitit 2023 kishte një pagë prej 39.624 lekë, duke arritur pagën prej 80.581 lekë në vitin 2024.

    Gjithashtu, sipas Ramës ndryshim të pagës pati edhe Iljas Çerpja, drejtor i një shkolle të Arsimit të Mesëm të Ulët.

  • Avokati i Valdrin Sahitit demanton lajmin për arrestimin e tij në Turqi: Ai është i lirë, aktualisht ndodhet në Dubai

    Avokati i Valdrin Sahitit demanton lajmin për arrestimin e tij në Turqi: Ai është i lirë, aktualisht ndodhet në Dubai

    Valdrin Sahiti, u bë kryefjalë në mediat shqiptare, të cilat pretendonin se ai është arrestuar në shtetin e Turqisë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

    Mirëpo kjo është demantuar nga avokati i Sahitit, Besnik Berisha, i cili tha për Sinjalin se klienti i tij ka vijuar rrugën normalisht dhe ka pasur vetëm një keqkuptim me çantën të cilën e kishte harruar në aeroplan.

    “Nuk është e vërtetë që ai është arrestuar e aq më pak që është paraburgosur. Përkundrazi ai ka vijuar rrugën normalisht dhe keqkuptimi lidhur me çantën e tij që e kishte harruar në aeroplan është sqaruar me autoritetet turke dhe nuk ka asnjë çështje të ngritur kundër tij në shtetin e Turqisë dhe aq më pak për posedim të paautorizuar të substancave narkotike siç është raportuar”, tha Berisha.

    Tutje ai njoftoi se Sahiti ndodhet në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij biznesore.

    “Ai aktualisht është në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij biznesore. Falënderojmë të gjithë për shqetësimin e shprehur, por e vërteta është më ndryshe nga ajo cfarë është raportuar”, përfundoi Berisha.

    Ndryshe edhe vetë disenjatori Sahiti sot ka publikuar pamje nga ballkoni i hotelit ku po qëndron në Dubai.

  • Radev: Bullgaria kthen çështjen e integrimit Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së

    Radev: Bullgaria kthen çështjen e integrimit Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së

    Bullgaria ka rikthyer në fokus të agjendës së BE-së çështjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Bullgarisë për pranimin në BE dhe zbatimin e reformave të nevojshme, tha të mërkurën presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në një takim me Ministrin e Jashtëm boshnjak, Elmedin Konakoviç, i cili është në vizitë zyrtare në Sofje.

    Radev e përgëzoi Bosnjën dhe Hercegovinën për statusin e kandidatit në BE që iu dha dhjetorin e kaluar, si dhe për politikën e jashtme konstruktive dhe aktive që ka ndjekur.

    Kreu i shtetit shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për thellimin e partneritetit në sektorin e sigurisë dhe mundësinë e trajnimit dhe edukimit ushtarak në kuadër të integrimit euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkëpunimit me NATO-n. Ministri Konakovic vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

    Ai e informoi presidentin Radev për ecurinë e vendit, hapat dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit evropian.

    Rumen Radev dhe ministri Konakovic theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në arritjen e prosperitetit dhe sigurisë në sfondin e krizave globale dhe evropiane, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan.

    “Sa më shumë të ndërtojmë lidhjen tonë në çdo aspekt, aq më të përgatitura do të jenë vendet tona për sfidat me të cilat përballemi”, tha Radev.

    Në këtë drejtim, presidenti theksoi politikën aktive të Bullgarisë në sektorin e energjisë për zhvillimin e ndërlidhjes me vendet fqinje dhe rritjen e pavarësisë energjetike të rajonit.

    Në takim u diskutua edhe për perspektivat për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, në sektorin e investimeve, turizmit, arsimit. Ministri Konakoviq ftoi presidentin Rumen Radev që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën./BTA

  • ​Çekia për herë të parë po punon në emërimin e një ambasadori në Kosovë

    ​Çekia për herë të parë po punon në emërimin e një ambasadori në Kosovë

    Republika e Çekisë e ka një ambasadë në Prishtinë por asnjëherë më parë, në 15 vitet e Pavarësisë së Kosovës, zyra nuk është drejtuar nga një diplomat çek me titull të plotë.

    Për herë të parë Praga zyrtare do të dërgojë një ambasador me të drejta të plota në Kosovë, shkruan mediumi çek Seznam Zprávy.

    “Presidenti është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap”, u përgjigj Eva Hromádková nga ekipi i komunikimit mediatik i presidentit, kur u pyet nëse Pavel do të emëronte një ambasador për Kosovën.

    Sipas informacioneve të mediumit çek, të mërkurën qeveria ka diskutuar emrin e ri të diplomatit që pritet të jetë ambasadori i parë në Prishtinë.

  • “As nuk ja bi punën”, “A je i sigurt?” – “Përplasja” e Alisës dhe Urimit në studio për xhelozinë

    “As nuk ja bi punën”, “A je i sigurt?” – “Përplasja” e Alisës dhe Urimit në studio për xhelozinë

    Çifti i njohur i Instagramit, Alisa dhe Urimi, të cilët ishin edhe pjesë e Big Brother VIP Kosova, ishin të ftuar në emisionin STUDIO A në ATV.

    Ata, në këtë emision kanë ndarë për fansat shumë gjëra nga jeta e tyre private, por edhe për aktivitetet që bëjnë në rrjetet e tyre sociale.

    Duke folur për xhelozinë mes çiftit, Urimi ka thënë se Alisa është më xheloze se sa ai.

    “Kjo xhelozon më shumë. Për sende të vogla, se ma shumë nuk ia bi punën”, tha Urimi.

    Alisa e pranoi se është më xheloze se i dashuri i saj, dhe tha për këtë i kërkon falje. /atvlive.tv

  • Klasikja e basketbollit kosovar zhvillohet sonte, Prishtina e pret Trepçën

    Klasikja e basketbollit kosovar zhvillohet sonte, Prishtina e pret Trepçën

    Sonte në Palltinë e Rinisë dhe sporteve në Prishtinë zhvillohet ndeshja tjetër gjysmëfinale Superligës së Kosovës në basketboll.

    Prishtina pret rivalin e përbetuar Trepçën. Takim ky që fillon në orën 20:30.

    Kur jemi te këto skuadra të dyja deri me tani e kanë fituar nga një trofe,’ bardhë kaltrit’ e kanë fituar Superkupën, ndërsa xehetarët fituan Kupën, është interesante që të dyja kanë mposhtur njëra tjetrën në finale.

    Përndryshe në sezonin e rregullt Prishtina, përfundoi në pozitën e parë me 22 fitore dhe gjashtë humbje. Ndërsa skuadra nga Mitrovica mbylli sezonin e rregullt me 17 fitore dhe 11 humbje.

    Në pesë ballafaqimet e fundit në mes të këtyre dy gjiganteve të basketbollit Kosovar, Prishtina ka arritur 4 fitore ndërsa Trepça ka triumfuar vetëm njëherë.

    Kujtojmë që ndeshjet gjysmëfinale zhvillohen me sistemin vajtje ardhje, cila ekip i arrin e para tre fitore kualifikohet në finalen e madhe. /atvlive.tv

  • Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në Kosovë do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja do të jetë në Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Ndërsa, dita e nesërme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut, temperatura minimale do të jetë në Pejë me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja në Gjilan me 15 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: