ATV

Blog

  • Tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Syla dalin para gjykatës

    Tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Syla dalin para gjykatës

    Tre të dyshuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla do të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, L.D., K.H dhe O.H.

    Tre të dyshuarit u arrestuan më 12 prill, ndërsa Prokuroria Speciale më pas njoftoi se të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H., dhe se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar duke thënë se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes, shkelin parimet thelbësore demokratike.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi nga institucionet që rastin ta trajtojnë me seriozitet. Njëjtë kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri dhe se kësaj dhune po i paraprinë fillimisht një linçim publik medial. KMDLNj e ka cilësuar sulmin ndaj Sylës si sulm ndaj lirisë së shprehjes.

    Kurse, në raportin 24 orësh të Policisë, të mërkurën, u tha se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë.

    Lidhur me rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente.

    Gazetari Syla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është mirë dhe tregoi se cili mendon të jetë shkaku i sulmit.

    “Sulmi me çdo gjase ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, qe duket se nuk ju ka pelqyer fare dhe keshtu ka nxitur ketë komunitet te militanteve islamik të organizojne sulm fizik të paramenduar”, ka shkruar ndër të tjera ai. /BetimipërDrejtësi

  • Çfarë të mira ju sjell noti dhe pse duhet ta praktikoni

    Çfarë të mira ju sjell noti dhe pse duhet ta praktikoni

    Noti është një mënyrë e shkëlqyer për të punuar me të gjithë trupin dhe sistemin kardiovaskular.

    Një orë not djeg pothuajse aq kalori sa vrapimi, pa asnjë ndikim në kockat dhe kyçet tuaja.

    Notimi është një nga 4 sportet më të dëshiruara në të gjithë botën, transmeton atvlive.tv.

    Një nga përfitimet më të mëdha të notit është se aktivizon gjithë trupin tuaj, nga koka te këmbët dukë bërë që të rrisë rrahjet e zemrës pa e stresuar trupin tuaj, tonifikon muskujt dhe ndërton forcë e qëndrueshmëri.

    Stërvitjet e notit përfshijnë një llojllojshmëri stilet duke përdorur muskujt e gjoksit, shpinës, goditje anësore, stil flutur e po ashtu stil i lirë.

    Pavarësisht se çfarë goditjeje notoni, ju po përdorni shumicën e grupeve tuaja të muskujve për të lëvizur trupin tuaj nëpër ujë.

    Por noti është i mirë edhe për brendësinë tonë. Ndërsa muskujt po bëjnë një stërvitje të mirë, sistemi kardiovaskular po ashtu.

    Noti e bën zemrën dhe mushkëritë më të forta, duke bërë që të ul edhe rrezikun drejt vdekjes së parakohshme.

    Krahasuar me njerëzit joaktivë, notarët kanë rreth gjysmën e rrezikut të vdekjes, ku disa studime të tjera kanë treguar se noti mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut dhe kontrollin e sheqerit në gjak.

    Noti është i përshtatshëm për njerëzit me lëndime por për këtë është e rëndësishme të keni miratimin e mjekut tuaj përpara se të filloni ose rifilloni ndonjë program ushtrimesh.

    Noti madje mund të ndihmojë në zvogëlimin e disa dhimbjeve tuaja ose në përmirësimin e rikuperimit nga një dëmtim.

    Një studim tregoi se njerëzit me osteoartrit raportuan ulje të ndjeshme të dhimbjes dhe ngurtësimit të kyçeve dhe përjetuan më pak kufizime fizike pas përfshirjes në aktivitete si noti dhe çiklizmi.

    Noti po ashtu është një opsion i mirë për njerëzit me astmë.

    Mjedisi i lagësht i pishinave të brendshme e bën notin një aktivitet të shkëlqyeshëm për njerëzit me astmë.

    Jo vetëm kaq, por ushtrimet e frymëmarrjes që lidhen me këtë sport, si mbajtja e frymës, mund t’ju ndihmojnë të zgjeroni kapacitetin e mushkërive dhe të fitoni kontroll mbi frymëmarrjen tuaj.

    Por duhet pasur kujdes se noti mundtë jetë problematik për astmën nga kimikatet që përdoren për trajtimin e pishinave.

    Noti është një mënyrë efikase për të djegur kalori. Një person 72 kile djeg afërsisht 423 kalori në orë, nëse bën not me një ritëm të ulët ose mesatar.

    I njëjti person mund të djegë deri në 715 kalori në orë duke notuar me një ritëm më të fuqishëm.

    Një person 90kg që bën të njëjtat aktivitete do të digjte midis 528 dhe 892 kalori në orë.

    Një person me peshë 108kg mund të djeg midis 632 dhe 1068 kalori.

    Noti mund të ketë fuqinë t’ju ndihmojë të flini më mirë gjatë natës.

    Noti po ashtu është i rëndësishëm për rritjen e disponimit tuaj.

    Studiuesit thonë një grup të vogël njerëzish pas një studimi panë një përmirësim në humor pas pjesëmarrjes në një program 12-javor të ujit.

    Noti është i sigurt edhe gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre gjithashtu mund të marrin disa benefite të mrekullueshme nga noti.

    Noti nuk përjashtohet as për fëmijët kanë nevojë për të paktën 60 minuta ushtrime aerobike çdo ditë.

    Noti është një aktivitet argëtues dhe nuk ndihet domosdoshmërisht si një stërvitje formale.

    Fëmija juaj mund të bëjë ose mësime të strukturuara noti ose të jetë pjesë e një ekipi noti.

    Koha e pastrukturuar e notit është një tjetër mundësi e fortë për t’i bërë fëmijët të lëvizin.

    Kështu që ne ju themi vetëm not të mbarë dhe shijoni të gjitha përfitimet që vijnë nga të gjitha anët./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rama ia dhuron Abazoviqit “Çelësin e Prishtinës“

    Rama ia dhuron Abazoviqit “Çelësin e Prishtinës“

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur mëngjesin e së premtes në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, bashkë me delegacionin e tij.

    Me këtë rast kryetari Rama e nderoi me “Çelësin e Prishtinës” kryeministrin malazez.

    Shefi i qeverisë malazeze, Dritan Abazoviq tha se me këtë nderim po ndihet si në shtëpinë e tij.

    “Gëzohem personalisht që në një mënyrë simbolike bëhem qytetar i Prishtinës. Me të vërtetë e ndiej veten si në shtëpinë time dhe jam më se i bindur se me kryetarin dhe të tjerët do të punojmë si gjithë rajoni ta ndiejnë veten çdo kush vetën si në shtëpinë e tyre”, tha ai.

    Abazoviq po qëndron në Kosovë që nga dje dhe sot pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast do të nënshkruhet Marrëveshja për Shërbime Ajrore ndërmjet dy vendeve.

  • ​Gjakovë, arrestohen dy persona dhe sekuestrohen dy armë

    ​Gjakovë, arrestohen dy persona dhe sekuestrohen dy armë

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë, në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar dy armë.

    Në rastin e parë, patrulla policore gjatë kryerjes së detyrave rutinë në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, ka ndalur një veturë të cilën e ngiste i dyshuari B. S., i lindur në vitin 1990, shtetas i Republikës së Kosovës, në posedim të të cilit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit TT dhe tetë copë fishekë.

    Në rastin e dytë, pasi që në një aheng familjar në fshatin Rashkoc të Gjakovës ishte raportuar për të shtëna me armë zjarri, është arrestuar i dyshuari H. R., i lindur në vitin 1986, shtetas i Republikës së Kosovës i cili zyrtarëve policorë iu kishte dorëzuar një pushkë gjysmë automatike me një karikator të cilën e kishte në posedim të paautorizuar.

    Policia thotë se lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori kompetent me vendimin e të cilit armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

  • ​Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri

    ​Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri

    Në Shqipëri nis sot (e premte) zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj. Rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

    Pavarësisht përcaktimeve kohore, sipas vlerësimit të Institut të Studimeve Politika, fushata de facto ka nisur prej kohësh dhe partitë kanë zhvilluar aktivitete promovuese të kandidatëve në bashki të ndryshme prej muajsh.

    Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkeljd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.

    Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

    Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

    Prezenca e OSBE-së në Tiranë bëri thirrje për fushatë zgjedhore paqësore dhe të hapur, ku konkurrimi politik të jetë sa më konstruktiv.

    OSBE apeloi që fushata zgjedhore të bëhet në zbatim të legjislacionit shqiptar, standardeve ndërkombëtare dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit.

    Begaj potencoi se organizimi i zgjedhjeve lokale, të drejta, të lira dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve, janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane.

    Këta janë kandidatët për kryetarë në 61 bashkitë e Shqipërisë:

    Bashkia Tiranë

    1. Arlind Qori – Partia “Lëvizja Bashkë”;

    2. Marko Dajti – Partia “Fronit i Majtë”;

    3. Lajla Pernaska – Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet”;

    4. Erion Veliaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    5. Belind Këlliçi – “Bashkë Fitojmë”

    6. Roland Bejko – “Partia Demokratike”

    Bashkia Belsh

    1. Arif Tafani – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Bedri Qypi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    Bashkia Berat

    1. Zija Ismaili – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Ervin Demo – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Bulqizë

    1. Defrim Fiku – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Festime Mjeshtri – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Cërrik

    1. Servet Duzha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Andis Salla – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Delvinë

    1. Ilir Mehmeti – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Besmir Veli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Devoll

    1. Eduard Duro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Elvis Hajdërlli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    3. Çlirim Hoxha – kandidat i pavarur

    Bashkia Dibër

    1. Ismail Uka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Naim Gazidede – “Partia Demokratike”

    3. Rahim Spahiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Dimal

    1. Gentian Meçi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Dritan Sula – “Partia Demokratike”

    3. Juliana Memaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Divjakë

    1. Josif Gorrea – Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Aurel Malko – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Dropull

    1. Thanas Maneka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Dhimitraq Toli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Durrës

    1. Igli Cara – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Emiriana Sako – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Elbasan

    1. Gledian Llatja – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Luçiano Boçi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Fier

    1. Evdar Kodheli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Eriselda Çelaj – “Partia Demokratike”;

    3. Armando Subashi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Finiq

    1. Leonidha Papa – “Partia Demokratike”;

    2. Leonidha Hristo – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    3. Romeo Çakuli – Partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”;

    Bashkia Fushë Arrëz

    1. Fran Tuci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Hil Curri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Gjirokastër

    1. Dorjan Lani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Flamur Golemi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Gramsh

    1. Hasim Çekrezi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Besion Ajazi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Has

    1. Miftar Dauti – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Beqir Mulaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Himarë

    1. Jorgo Goro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Dhionisios Alfred Beleri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Kamëz

    1. Rakip Suli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Bilbil Bajraktari – “Partia Demokratike”;

    3. Arjan Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    Bashkia Kavajë

    1. Fisnik Qosja – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Redjan Krali – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Këlcyrë

    1. Klement Ndoni – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Adriatik Spahiu – “Partia Demokratike”;

    3. Arjan Kasaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Klos

    1. Valbona Kola – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Bedri Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Kolonjë

    1. Erion Isai – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Et’hem Lumani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Konispol

    1. Ergest Dule – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Fatmir Shero – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Korçë

    1. Ledina Alolli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Sotiraq Filo – “Partia Socialiste e Shqipërisë”

    Bashkia Krujë

    1. Agron Loka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

    2. Artur Bushi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Kuçovë

    1. Kreshnik Hajdari – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Lefter Maliqi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    3. Ilirjan Koxhaj – “Partia Demokratike”;

    Bashkia Kukës

    1. Abedin Oruçi – “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”;

    2. Admir Sinamati – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    3. Safet Gjici – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Kurbin

    1. Behar Haxhiu – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Majlinda Cara – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Lezhë

    1. Pjerin Ndreu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Pashk Gjoni – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Libohovë

    1. Leonard Hide – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Adil Xhelili – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Librazhd

    1. Mariglen Disha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Shefki Çota – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Lushnjë

    1. Erisleda Sefa – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Eduart Sharka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Malësi e Madhe

    1. Isa Ramaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Tonin Marinaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Maliq

    1. Alfred Gega – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Gëzim Topçiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Mallakastër

    1. Agron Kapllanaj – “Partia Demokratike”;

    2. Qerim Ismailaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    3. Resmi Shanaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Mat

    1. Skënder Gjuci – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Agron Malaj – Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Memaliaj

    1. Gjolek Guci – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Albert Malaj – “Partia Socialiste e Shipërisë”;

    Bashkia Mirditë

    1. Ndrec Dedaj “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Albert Mëlyshi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Patos

    1. Fation Duro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Pranvera Rizaj – Partia Demokratike”;

    3. Safije Alushaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Peqin

    1. Mustafa Pashja – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Bukurosh Maçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Përmet

    1. Edmond Komino – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Alma Hoxha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Pogradec

    1. Zini Tolozhina – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Ilir Xhakolli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    3. Rezart Laraku – “Lëvizja e Re”;

    Bashkia Poliçan

    1. Florian Qama – “Partia Demokratike”;

    2. Behar Xhaferraj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    3. Adriatik Zotkaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Prrenjas

    1. Nuri Bleba – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Suzana Topi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Pukë

    1. Rrok Dodaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Gjon Gjonaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Pustec

    1. Pandi Jani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Pali Kolefski – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Roskovec

    1. Erdit Hazizaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Majlinda Bufi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Rrogozhinë

    1. Edison Memolla – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Shkëlqim Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Sarandë

    1. Skënder Muço – “Partia Demokratike”;

    2. Ardit Çikuli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    3. Oltion Çaçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    4. Gjergj Mërkuri – kandidat i pavarur

    Bashkia Selenicë

    1. Nertil Bellaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Leonard Rakipaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Shijak

    1. Elton Arbana – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Rezeart Tusha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Shkodër

    1. Benet Beci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Bardh Spahia – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Skrapar

    1. Euglen Mustafallari – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Adriatik Mema – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Tepelenë

    1. Sokol Guga – “Partia Demokratike”;

    2. Tërmet Peçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    3. Baftjar Imeri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Tropojë

    1. Besnik Duzhaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Rexhe Byberi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Vau i Dejës

    1. Klomentina Drini – “Partia Demokratike”;

    2. Kristjan Shkreli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    3. Zef Hila – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    Bashkia Vlorë

    1. Hysni Sharra – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

    2. Ermal Dredha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    Bashkia Vorë

    1. Blerim Shera – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

    2. Indrit Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

  • KQZ-ja mban mbledhje, pritet miratimi i qendrave të votimit për zgjedhjet në veri

    KQZ-ja mban mbledhje, pritet miratimi i qendrave të votimit për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot (e premte) do të mbajë mbledhjen radhës në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i qendrave të votimit në katër komunat e veriut të Kosovës, për zgjedhjet e 23 prillit.

    Për mbledhjen e sotme e cila pritet të fillojë nga ora 13:30, është planifikuar që anëtarët e KQZ-së të shqyrtojnë dhe miratojnë edhe disa çështje të tjera në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.

    Në rend dite është miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet për kryetar të komunave në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvende komunale në Zveqan dhe Leposaviq.

    Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e 23 prillit.

  • Kosova shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale

    Kosova shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale

    Kosova shënon për herë të parë 14 Prillin – Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në shenjë solidarizimi me rreth 20.000 persona të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale pra 24 vjetësh.

    Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës ditë më parë e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

    14 prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi Goodman, në atë kohë 16 vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

    Shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, është vlerësuar si moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

    Presidentja Osmani deklaroi se shënimi i 14 Prillit do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

    “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës që 14 Prilli të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale.

    Në shënimin e kësaj dite, QKRMT dhe organizatat anëtare të platformës “Bëhu zëri im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot (e premte) do të organizojë marshin: Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instilacioni “14 Prilli”.

  • Raketa e re e Koresë Veriore sfidon fqinjët dhe SHBA-në

    Raketa e re e Koresë Veriore sfidon fqinjët dhe SHBA-në

    Koreja e Veriut zakonisht teston raketa drejt ujërave ndërkombëtare midis Gadishullit Korean dhe Japonisë, duke përdorur trajektore të ngritura për të shmangur vendet fqinje. Koreja e Jugut dhe Japonia zakonisht nuk lëshojnë urdhra evakuimi nëse nuk përcaktojnë se arma e Koresë së Veriut po fluturon në drejtim të tyre.

    Koreja e Veriut kreu të enjten lëshimin e saj të parë të raketës balistike ndërkontinentale në një muaj, me sa duket për të bërë testimin e një rakete të re më mobile, më të vështirë për t’u zbuluar për herë të parë, thanë fqinjët e saj, ndërsa zgjeroi provokimin e saj me testimin e armëve.

    Raketa u lansua afër Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut, dhe ra në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë pas një fluturimi prej 1 mijë kilometrash, tha në një deklaratë shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut.

    Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së e quajti raketë me rreze të gjatë dhe Qeveria japoneze tha se ka të ngjarë të kishte një rreze veprimi ndërkontinental.

    Ushtria e Koresë së Jugut beson se Koreja e Veriut lëshoi një lloj të ri rakete balistike, ndoshta duke përdorur lëndë djegëse të ngurtë, tha një zyrtar i mbrojtjes në kushte anonimiteti për shkak të rregullave të zyrës.

    Nëse lansimi përfshinte një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) me lëndë djegëse të ngurtë, kjo do të ishte prova e parë e Veriut e një arme të tillë.

    Një ICBM me lëndë djegëse të ngurtë është një nga armët kryesore të teknologjisë së lartë që udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar ta ndërtojë për të përballuar më mirë ato që i quan kërcënime ushtarake të SHBA-së. Ai gjithashtu dëshiron një raketë me shumë koka, një nëndetëse me energji bërthamore, një raketë hipersonike dhe një satelit spiun.

    Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson, tha se lansimi i fundit “ngre në mënyrë të panevojshme tensionet dhe rrezikon të destabilizojë situatën e sigurisë në rajon”. Watson tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e atdheut amerikan dhe aleatëve të Koresë së Jugut dhe japonezëve.

    Gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Seulit, zyrtarët theksuan nevojën për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë me Uashingtonin dhe Tokion.

    Përfaqësuesit për armët bërthamore të Seulit, Uashingtonit dhe Tokios zhvilluan një bisedë telefonike ku bënë thirrje për një “përgjigje vendimtare dhe të bashkuar ndërkombëtare” ndaj provokimeve të Koresë së Veriut dhe përpjekjeve më të forta për të frenuar financimin e paligjshëm të Koresë së Veriut për programin e saj të armëve.

    Koreja e Veriut zakonisht teston raketa drejt ujërave ndërkombëtare midis Gadishullit Korean dhe Japonisë, duke përdorur trajektore të ngritura për të shmangur vendet fqinje. Koreja e Jugut dhe Japonia zakonisht nuk lëshojnë urdhra evakuimi nëse nuk përcaktojnë se arma e Koresë së Veriut po fluturon në drejtim të tyre.

    Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, u tha gazetarëve se raketa e Koresë së Veriut e lëshuar të enjten nuk arriti në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë. Por autoritetet japoneze u kërkuan njerëzve në ishullin më verior të Hokkaidos që të kërkonin strehim dhe pezulluan përkohësisht shërbimet e trenave, autobusëve dhe metrosë atje. Komunitetet lokale aktivizuan gjithashtu sirenat e alarmit përmes folësve të komunitetit, duke u bërë thirrje njerëzve të evakuohen.

    Qeveria më pas tërhoqi alarmin e saj raketor, duke thënë se nuk kishte mundësi që raketa të zbarkonte pranë Hokkaidos. Sekretari kryesor i kabinetit, Hirokazu Matsuno, u tha gazetarëve se alarmi bazohej në vlerësimin e hershëm të Ministrisë japoneze të Mbrojtjes për trajektoren e raketës dhe ishte një hap “i duhur” për t’i dhënë përparësi sigurisë së njerëzve.

  • Kurti i shtron iftar Tërnavës

    Kurti i shtron iftar Tërnavës

    Kryeministri Albin Kurti ka shtruar iftar të enjten për myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, dhe bashkëpunëtorë të tij, ka bërë të ditur Qeveria në një njoftim për media.

    I shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryeministri ka uruar agjërim më të lehtë ditëve të mbetura të muajit të shenjtë për besimtarët myslimanë.

    “Muaji Ramazanit është muaj i devotshmërisë, mirësjelljes me njerëzit përreth dhe ndihmës për atë në nevojë. Në iftare të përbashkëta si sonte përcjellim mesazhin e tolerancës, solidaritetit dhe mirësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

  • Veriu ende pa qendra të votimit

    Veriu ende pa qendra të votimit

    Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

    Kjo pritet me ndodhë në një takim të KQZ-së, të caktuar për 14 prill.

    Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.

    Moscaktimi i qendrave të votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet, thonë ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli.

    Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

    Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

    Gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga autoritetet që të shtyjnë zgjedhjet në veri, pasi tha se gjendja atje nuk është e mirë. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill mund “të thellojë pasojat” për Kosovën.

    Qeveria, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk i janë përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë, nëse është duke u shqyrtuar mundësia për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve.

    Adnan Merovci e vlerëson të vështirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, nëse merret parasysh situata politike.

    Gjendja politike në atë pjesë të shtetit është e brishtë dhe kjo sipas tij ka pamundësuar që institucionet përgjegjëse të përfundojnë me kohë procedurat teknike për organizimin e zgjedhjeve.

    “Nëse gjendja në veri është e tillë, që ende vendvotimet nuk janë caktuar, ende aspekti teknik nuk është marrë në duart e atyre që quhen komisionerë, udhëheqës të vendvotimeve, unë jam skeptik …”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, thotë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja shumë shpejt duhet të publikojë lokacionin e qendrave të votimit, në mënyrë që të informohen votuesit se ku mund të votojnë.

    Ky proces, ky sipas tij, është dashur të përfundojë 45 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    “Më e rëndësishmja është publikimi i qendrave të votimit. Ende nuk dihet se cilat do përdoren për qëllim të zhvillimit të procesit të votimit. Janë përmendur modalitete të shumta, si qendra alternative apo votim në stacione policore, e të tjera”, thotë ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se gjatë “mbledhjes së radhës”, do të ketë një pasqyrë të qartë të qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Një tentim për votimin e listës së qendrave të votimit këtë javë dështoi.

    Deri më tani, për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, institucionet arsimore zakonisht janë shfrytëzuar si qendra votimi. Por, kjo praktikë mund të ndryshojë për faktin se shkollat në mjediset serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe drejtorët mund të mos lejojnë shfrytëzimin e shkollave për votime.

    Subjekti më i madh politik në katër komunat në veri të Kosovës është Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, dhe që njëherësh ka udhëhequr me katër komunat në veri, duke mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara.

    Kjo parti është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk ka aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 23 prillit.

    Mungesa e kandidatëve nga Lista Serbe në këtë garë zgjedhore do ndikojë në pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve, thotë kandidati për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Pavarësisht kësaj, ai shprehet se zgjedhjet duhet të mbahen dhe KQZ-ja duhet të gjejë qendra alternative të votimeve në zonat ku është e pamundur të shfrytëzohen shkollat.

    “Ne jemi në proces dhe në nivel të organizimit zgjedhor. Ne jemi të fokusuar të dalim në zgjedhje”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

    Kryetarët e rinj “vështirë se do kenë qasje në objektet komunale”
    Mosaplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje do ndikojë në legjitimitetin që do kenë institucionet e reja, përkatësisht kryetarët e katër komunave si dhe dy kuvendet komunale, thotë Cakolli nga DnV.

    “Efektivisht do ta kenë të pamundur ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Madje për të thjeshtësuar maksimalisht, besoj se do kenë vështirësi të kenë qasje në objekte komunale, e lërë më të arrijnë të ofrojnë shërbime, të miratojnë buxhete apo diçka tjetër të kësaj natyre”, shprehet Cakolli.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë nuk parasheh ndonjë prag të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, thotë Merovci, duke shtuar se pjesëmarrja është vullnetare, por rezultati i zgjedhjeve nuk mund të jetë efektiv.

    “Ne po flasim për legjitimitetin ‘popullor’, kur nuk marrin pjesë ata që banojnë aty, atëherë politikisht si zgjedhje nuk tingëllojnë mirë si aktivitet”, shprehet ai.

    Megjithatë, Cakolli shprehet se organizimi i këtyre zgjedhjeve nuk do të prodhojë ndonjë situatë të re.

    “Unë madje besoj se mbajtja e këtyre zgjedhjeve do nxisë proces të ri zgjedhor për shkak të dështimit eventual për të miratuar buxhetet e këtyre komunave, të cilat duhet të propozohen nga ekzekutivi”, thekson ai.

    Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në veri dhe që janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet dhe se qeverisja e formuar pas zgjedhjeve nuk do të ketë legjitimitet.

    Ai madje ka kritikuar shtetet perëndimore për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë.

    Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.