ATV

Blog

  • Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, arrestohet burri në Vushtrri

    Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, arrestohet burri në Vushtrri

    Policia ka informuar sot se një burrë në Vushtrri është arrestuar për dhunë në familje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare (bashkëshortes së tij).”, është bërë e ditur në raportin policor.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • Civilë të vrarë në Luhansk, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje

    Civilë të vrarë në Luhansk, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje

    Forcat ruse kanë përdorur avionë për të kryer sulme të reja ndaj pozicioneve ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase më 18 prill. Ky njoftim pasoi raportimet për bombardime në rajonin e Luhanskut, ku janë vrarë disa civilë dhe ka pasur dëme të mëdha në infrastrukturë, kanë thënë zyrtarët rajonalë.

    Forcat ruse kanë përdorur aviacionin operacional-taktik dhe sulmues në përpjekje për të përparuar në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

    Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ukrainase ka zmbrapsur mbi 70 sulme të armikut në Bahmut dhe Marjinka, që vazhdojnë të jenë epiqendra të armiqësive, tha ushtria ukrainase.

    Beteja disamujore për Bahmutin është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet se kanë pësuar humbje të mëdha.

    Në rajonin fqinj të Luhanskut, granatimet ruse kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur një tjetër në fshatin Novojehorivka, tha më 18 prill kreu i administratës ushtarake rajonale, Artem Lysohor.

    Lysohor tha se në ditët e fundit, forcat ruse vazhdimisht kanë përdorur avionët për të bombarduar vendbanimet e çliruara në këtë zonë.

    Edhe në rajonet jugore të Ukrainës, ditëve të fundit është vërejtur përdorim më i madh i avionëve nga Rusia, tha Natalya Humenyuk, kryetare e qendrës koordinuese mediale të Forcave Mbrojtëse Jugore të Ukrainës.

    Humenyuk tha për televizionin ukrainas se dronët rusë dhe avionët kanë kryer sulme thellë në territorin ukrainas, përtej vijës së frontit në rajonin e Hersonit.

    Ndërkaq, Kremlini tha përmes një deklarate më 18 prill se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar selitë ushtarake në rajonet e Hersonit dhe Luhanskut, që janë pjesërisht nën kontrollin rus.

    “Komandanti suprem i forcave ushtarake të Federatës Ruse ka vizituar selitë e grupimeve ushtarake të Dnjepërit” në rajonin e Hersonit, u tha në deklaratë, pa specifikuar se kur ka ndodhur kjo vizitë.

    Kremlini, po ashtu, ka publikuar pamje, që supozohet se shfaqin Putinin duke pranuar raportime nga komandantët ushtarakë në pjesët e kontrolluara nga Rusia në Herson, para se të udhëtonte me helikopterë në selitë e Gardës Kombëtare ruse në rajonin e Luhanskut.

    Në shtatorin e vitit të kaluar, Rusia njoftoi për aneksimin e rajoneve ukrainase të Hersonit, Luhanskut, Donjeckut dhe Zaporizhjës, që Moska i ka pjesërisht nën kontroll, vendim që është refuzuar nga shumica e botës dhe është cilësuar joligjor.

    Pamjet e publikuara nga Kremlini nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

    Më 17 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina po përgatitet të takohet më vonë gjatë javës me Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

    Zelensky tha se ka zhvilluar “bisedime përgatitore” para takimit të 21 prillit të grupit që përbëhet prej dhjetëra shteteve që i kanë ofruar armë Kievit.

    Ai tha se Ukraina pret “që të merren vendime të forta që duhet të jenë në përputhje me prospektet në fushëbetejë” gjatë takimit me mbështetësit e Ukrainës.

    Një prej pikave kyçe të këtij takimi pritet të jetë çështja e furnizimit të Ukrainës me municion./REL/

  • Eurodeputeti Waitz: Sot është një ditë gëzimi për Kosovën

    Eurodeputeti Waitz: Sot është një ditë gëzimi për Kosovën

    Eurodeputeti dhe bashkëkryetari i Partisë së Gjelbër Evropiane, Thomas Waitz thotë se sot është një ditë e rëndësishme dhe gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi që Parlamenti Evropian sot më në fund do të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

    “Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas disa vitesh bllokadë në Këshillë, Parlamenti Evropian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për më të rinjtë e Evropës. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar. Të Gjelbërit kanë vite që e mbrojnë atë dhe do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së”, deklaron Waitz.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshillë.Votimi për Liberalizimin e vizave nga Paralemnti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

  • Kurti viziton Agjencinë Kadastrale: Për dy vjet investuam 16 milionë euro

    Kurti viziton Agjencinë Kadastrale: Për dy vjet investuam 16 milionë euro

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK), raporton Ekonomia Online.

    Në takim e ka pritur  Zv.drejtori i Përgjithshëm i AKK-së Avni Ahmeti. Kurti tha se Qeveri e tij gjatë dy viteve në AKK është duke i investuar 16 milionë euro.

    Ai tha se objekti i ri që do të ndërtohet është mbi 4 mijë metra katror dhe do të kushtoj mbi 2 milionë euro, përderisa tha se për 20 vjet ishin investuar veç 20 milionë euro.

    “Parimet dhe objektivat e një agjencie shtetërore gjithmonë duhet të kenë në cak shërbenim transparent dhe shërbime të shpejta ndaj qytetarëve ndaj qytetarëve. Përkrahje e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë. Ndryshimet tranfsormuse po bëhen në gjitha institucionet e administratave. 20 milionë euro janë investuar gjatë 20  viteve në AKK, tash gjatë qeverisjes tonë 2 vjeçare janë duke u investuar 16 milionë euro”.

    “Digjitalizimi ka përshpejtuar punën, pritet që në digjitalizim të ri të kemi një aerofotografi të rë të territorit të Kosovës. Kadastra për një shtet është pasqyra që e shohim vetën. Shpronësimet shpesh herë janë keqpërdorur, me lejoni ta përgëzoj ministrin Aliu që arritëm që 75 milionë euro nga borxhi i gjithmbarshëm i shpronësimit. Krijimi i kushteve të punës për Agjencinë është i nevojshëm. Objekti i ri i AKK-së 4 mijë metra katror dhe kushton 2.1 milionë euro”.

    Ministri Liburn Aliu, tha se objekti i ri do ta lehtësoj më shumë punën e kadastrës, duke shtuar se po punohet edhe në digjitalizim.

    “Uroj që objektin të cilin do ta vendosim sot te na krijoj kushte me të lehta në fushën e kadastrës. Ndërtimi i tij nuk është punë e lehtë, do të punojmë që të kemi një kadastër me punë sa më të lehtë. Në gjitha komuna e vërejmë që ka probleme me kadastër, digjitalizimi është një pjesë që e lehtëson këtë punë. Projekti i radhës që është aerfotografimi me një cilësi të larët do të mundësoj projekte të reja. Si ministri i kemi bërë disa harta”, tha ai.

    Pas takimit kryeministri Kurti së bashku me ministrin e MMPHI-së Liburn Aliu dhe Zv. Drejtorin e përgjithshëm të AKK-së Avni Ahmeti, do të vendosin  gurthemelin për objektin e ri të AKK-së, në rrugën “Nekibe Kelmendi”, te Pallati i Drejtësisë.

  • Aksident trafiku në Mitrovicën e Veriut, lëndohen 3 zyrtarë policorë

    Aksident trafiku në Mitrovicën e Veriut, lëndohen 3 zyrtarë policorë

    Tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Mitrovicën e Veriut.

    Lëndime trupore ka pësuar edhe shoferi i automjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.

    Pas marrjes së trajtimit mjekësor, të lënduarit janë liruar.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    AKSIDENT TRAFIKU/Mitrovicë Veri 17.04.2023-20:50. I dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar automjetin me të arritur në udhëkryq, duke mos respektuar shenjën ‘Kryqëzim me rrugën me përparësi kalimi’ dhe shenjën ‘stop’, ka goditur veturën zyrtare të Policisë. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar i dyshuari dhe tre zyrtarë policorë, të cilët pas marrjes së tretmanit mjekësor janë liruar. Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente.

  • Hoti kritikon Qeverinë për Ligjin e tatimit: Do t’i bëjë lëmsh komunat

    Hoti kritikon Qeverinë për Ligjin e tatimit: Do t’i bëjë lëmsh komunat

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë pasi siç tha ai, me Ligjin e ri të Tatimit në Pronë do ti bëjë lëmsh komunat.

    Sipas Hotit, ky Ligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave.

    “Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë.Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka shkruar ai.

    Tutje ai theksoi se kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje.

    Madje Hoti tha se,” qeveritarët sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”.

    “Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë. Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”, tha ai.

  • Një person në Lipjan raporton se babai i tij është zhdukur

    Një person në Lipjan raporton se babai i tij është zhdukur

    Policia e Kosovës njoftoi se një person ka raportuar se babai i tij është zhdukur.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se ankuesi mashkull kosovar ka informuar se babai i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e tij.

    “Lipjan 16.04.2023-09:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se babai i tij viktima mashkull kosovar është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë./atvlive.tv/

  • Liga e Kampionëve, sot mësohen dy gjysmëfinalistët e parë

    Liga e Kampionëve, sot mësohen dy gjysmëfinalistët e parë

    Liga e Kampionëve i rikthehet aksionit sot me dy përballje tejet interesante, të vlefshme këto për ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të turneut.

    Të dy ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 21:00, ku e gjithë vëmendja do të jetë në stadiumin “Diego Armando Maradona” mes Napolit dhe Milanit, raporton KosovaPress.

    Në ndeshjen e parë që u zhvillua në stadiumin “San Siro”, Milani e mposhti Napolin me rezultat minimal 1:0, prandaj sot pritet që të jetë një duel i zjarrtë për të përcaktuar skuadrën që kalon tutje në gjysmëfinale.

    Krahas këtij takimi do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër interesante mes kampionit aktual evropian, Real Madridit dhe skuadrës së Chelseat.

    Takimi i parë në “Santiago Bernabeu” përfundoi me rezultat solid 2:0, ndërsa Reali do të synojë edhe sot fitoren që të sigurojë biletën për në gjysmëfinale.

    21:00 Chelsea – Real Madrid (Stadiumi Stamford Bridge)

    21:00 Napoli – Milan (Stadiumi Diego Armando Maradona)

  • Atiq: Do ta demokratizoj Komunën, ka pasur diskriminim ndaj komuniteteve të caktuara

    Atiq: Do ta demokratizoj Komunën, ka pasur diskriminim ndaj komuniteteve të caktuara

    Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në një intervistë për KosovaPress, ka premtuar se do të demokratizojë komunën të cilën synon ta udhëheqë.

    Ai konsideron se diskriminimi i hapur ndaj komuniteteve të caktuara është problemi më i madh që ka kjo komunë, me të cilin do të ballafaqohet menjëherë pas ardhjes në pushtet.

    Atiq, duke folur edhe për kundër kandidatët nga subjektet e tjera politike që garojnë për udhëheqjen e kësaj komune, thotë për vete se është kandidati më i aftë për t’u përballur me sfidat e kësaj komune, siç e quan ai, problematike.

    ‘Mendoj se jam kandidati më i aftë për t’i përballuar sfidat e kësaj komune problematike, dhe mendoj se programi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i imi si kandidat për kryetar komune ofron program më të gjerë dhe më të mirë për qytetarët e komunës Veriore të Mitrovicës… Problemet (me të cilat do të merrem menjëherë) janë në të gjitha sferat, për shkak se institucioni i Komunës së Mitrovicës Veriore ka pasur mosfunksionalitet goxha të thellë, kështu që kjo ka me qenë një sfidë e vështirë… Menjëherë (do të ndërhyj) të demokratizoj institucionin e Komunës për shkak se ka pasur një diskriminim të hapur ndaj komuniteteve të caktuara, kështu që mendoj se kjo lyp një zgjidhje imediate menjëherë pas shpalljes së rezultatit, krijimit të organizmave qëllimi dhe hapi i parë që kam me ndërmarrë si kryetar i komunës’, ka thënë Atiq.

    Sipas tij, ka kushte të plota për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill dhe sa i përket situatës së sigurisë në veri ka ndryshime të mëdha që nuk ka pasur asnjëherë deri më tash, prej pas lufte.

    Atiq nuk pret të ndodhë ndonjë incident në veri ditët në vijim dhe as ditën e zgjedhjeve, ndërsa thekson se institucionet e Republikës së Kosovës më në fund po e shtrijnë autoritetin e tyre edhe në këto katër komuna veriore të vendit.

    ‘Ka ndryshime të mëdha në terren në aspektin e sigurisë, pothuajse çdo dy-tre ditë ka intervenime, arrestime nga ana e policisë dhe është duke u luftuar krimi si asnjëherë më parë gjatë këtyre 23 viteve pas luftës… Po ndryshojnë rrethanat në terren, mirëpo ka një optimizëm se më në fund edhe institucionet e Republikës së Kosovës po shtrihen në këto katër komunat të veriut të Kosovës… Jo aspak (nuk pres incidente). Me informatat që i kemi, të gjitha institucionet janë duke i kryer obligimet dhe punët e tyre në terren, deri tash përveç incidenteve me vetura, incidente tjera nuk ka pasur, dhe me gjasë edhe kjo natyrë e problemeve shumë shpejtë ka me u ndalë… Ka kushte (për mbajtjen e zgjedhjeve). KQZ-ja i ka bërë përgatitjet e duhura dhe përveç vendvotimeve statike kanë caktuar edhe vendvotime në kontejnerë që kanë me ua lehtësuar qasjen qytetarëve me pas më afër dhe më lehtë vendvotimin”, vijoi Atiq.

    Atiq iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh për të votuar, ndërsa ka garantuar se do të qëndrojë prapa të gjitha premtimeve të dhëna ndaj tyre.

    “Mesazhi im për qytetarët është me dalë sa më shumë të votojnë, me përkrahë cilindo kandidat që ata mendojnë se meriton me udhëheqë komunën për këto dy vite e gjysmë. Me dalë sa më shumë pra, mos të hezitojnë, ndërsa unë si kandidat do të qëndroj prapa premtimeve dhe brengave të cilat i kanë ata’, u shpreh Atiq për KosovaPress.

    Përpos kandidatit të LVV-së, për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore garojnë edhe Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 18,118 qytetarë.

  • “Skënderbeu me këmbë në tokë”, shtatorja madhështore e heroit kombëtar që pritet të vendoset në Zvicër

    “Skënderbeu me këmbë në tokë”, shtatorja madhështore e heroit kombëtar që pritet të vendoset në Zvicër

    Skulptori kosovar Gëzim Muriqi, i ftuar në emisionin e mëngjesit ”Alarm”, ka folur rreth shtatores së Gjergj Kastriot-Skënderbeut, të cilën ai e krijoji dhe pritet që së shpejti të vendoset në Zvicër.

    Muriqi thotë se kjo vepër është realizuar pas kërkesës së bashkatdhetarëve tanë që jetojnë prej vitesh në Zvicër, transmeton atvlive.tv.

    “Realisht kjo skulpturë është krijuar si rezultat i kërkesës së disa bashkatdhetarëve tanë në mërgatë, respektivisht në Zvicër. Vetë figura e Skënderbeut është e veçantë sepse kemi të bëjmë me atë që ne si popull identifikohemi. Është duke u punuar në atë drejtim se në cilin qytet të Zvicrës do të vendoset”, tha Muriqi.

    Ai shtoi se për krijimin e kësaj shtatoreje ai ka menduar diçka më ndryshe se imazhet e përhershme të Skënderbeut, e diçka që e veçon këtë skulpturë është se Skënderbeu është “i zbritur nga kali”, me një fytyrë serioze, sy seriozë dhe vështrim ngulitës./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: