Një shqiptar rreth moshës 30 vjeçare është gjetur i vdekur këtë të diel në dyert e urgjencës së spitalit të qytetit të Girona në Spanjë me plagë me thikë në bark.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të së dielës, kur një automjet ka ndaluar në derën e emergjencës së qendrës.
Një infermiere dhe një mjek ndihmuan për të nxjerrë nga makina shqiptarin. Më pas makina që e solli u largua shpejt.
Për 45 minuta mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë 30-vjeçarin shqiptar por nuk ia dolën.
Pronari i mjetit që la shqiptarin në derën e spitalit ishte një tjetër shtetas me origjinë shqiptare me banim midis rajonit Maresme dhe La Selva.
Mëngjesin e kësaj të hëne, atij iu mor një deklaratë në stacionin e policisë Vista Alegre në Girona.
Falë kësaj deklarate, agjentët kanë zbuluar se edhe viktima, ashtu si drejtuesi i mjetit, ishte me origjinë shqiptare dhe rreth 30 vjeç.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar se kush e vrau.
Në tremujorin e parë të këtij vit ështët rritur numri i përfituesve nga skemat e pensioneve për veteranët e luftës. Në muajin mars të këtij viti përfituan pensione 36 mijë e 826 veteranë të UÇK-së ose 59 më shumë se në janar të këtij viti.
Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se në janar kishin përfituar 36 mijë e 767 veteranë, dhe në shkurt 36 mijë e 821.
Sipas skemës së pensioneve për veteranët e luftës nëpër komuna të Kosovës, numri më i madh është nga Deçani me 4.051, pastaj Peja me 3.675, Gjakova me 3.360, Prishtina me 2.731, Skenderaj me 2.616, Prizreni me 2.074 dhe Podujeva me 1.984.
Nga buxheti i shtetit, çdo muaj paguhen rreth 6 milionë 260 mijë euro për këtë kategori të skemës pensionale, shkruan KosovaPress.
Ndërkohë, krahasuar me dy vitet e kaluara, ka një rënie të numrit të përfituesve nga kjo kategori, ku kishte arrit numri mbi 38 mijë.
Sipas raportit të fundit të ASK-së, sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit mars 2023: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 948 familje me gjithsej 86 945 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 88 familje.
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë sot shprehën përkushtimin për të përmirësuar kushtet dhe mundësitë që personat që janë të privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet.
Këtë angazhim si ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehën në tryezën e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, me ç’rast u dhanë edhe rekomandimet që kanë dalur nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shprehu përkushtimin për kujdes të vazhdueshëm për personat që janë të privuar nga liria.
Ai tha se me qëllim të përmirësimit të trajtimit të këtyre personave kanë ndërmarrë edhe politika konkrete.
“MSh është e përkushtuar që në vazhdimësi të përkujdeset personat me nevoja shëndetësore në vend veçmas për ata të privuar nga liria qoftë në institucionet e kujdesit shëndetësor, ku këta persona mbahen pa vullnetin e tyre qoftë në institucionet speciale apo edhe në burgje. Politikat e MSh lidhur me përmirësimin e trajtimit për personat e privuar nga liria janë dëshmuar edhe me vendime strategjike të ndërmarra deri më tani siç janë bartja e shërbimeve shëndetësore të burgjeve nga MD në MSh bazuar në rekomandimet e OBSH dhe Këshillit të Evropës me qëllim të trajtimit të të burgosurve në mënyrë ekuivalente me qytetarët tjerë. Themelimi i Institutit të Psikiatrisë Ligjore si një institucion i veçantë dhe unik në regjion, në të cilin mbahen personat që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë çrregullime mendore. Sa i përket institucionit special në Shtime, qeveria ka marrë vendim që këtë institucion ta transferoj në kuadër të MSh me qëllim të ofrimit të kujdesit sa më profesional”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovë është sipas standardeve ndërkombëtare, por ajo theksoi se nuk do të ndalen në adresimin e të gjitha sfidave.
Haxhiu theksoi se janë angazhuar në krijimin e kushteve ligjore që këta persona të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre me qëllim që të trajtohen me dinjitet dhe respekt.
“Kosova qëndron shumë mirë krahasuar me vendet në Ballkan, megjithatë ne nuk duhet të vetëkënaqemi, por do të vazhdojmë përpjekjet për adresimin e çdo sfide mes nesh. Kemi punuar dhe po vazhdojmë në krijimin e kushteve ligjore që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt, por edhe me dinjitet si dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj, por edhe me konventat tjera ndërkombëtare. Veç kësaj ne kemi ndërmarrë edhe hapa konkret në krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore për këtë qëllim tash rreth dy muaj… ka themeluar institucionin shëndetësor për trajtimin e personave me nevoja të veçanta që mbulon shërbimet shëndetësore për nevoja të veçanta përbrenda burgut të Dubravës “, u shpreh ajo.
Rekomandimet e dala nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria” thonë se qasjet aktuale të rehabilitimit për kujdesin forenzik të shëndetit mendor lënë shumë hapësirë për përmirësim. Ky raport thotë se trajtimet psiko-sociale duhet të zhvillohen më tej si elemente kyçe për shërimin, reduktimin e rrezikut dhe rehabilitimin e pacientëve psikiatrike forenzike./KP
Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka njoftuar se do të kërkojë rizgjedhjen për president në vitin 2024, me zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Tani 80-vjeçar dhe tashmë presidenti më i vjetër në historinë e ShBA-së, Biden kishte sinjalizuar prej kohësh se do të kandidonte për një mandat tjetër katërvjeçar, shkruan BBC.
Në një video ku bëri të ditura përpjekjet e tij për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë, ai cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një luftë për demokracinë dhe lirinë personale, duke thënë: “Ta përfundojmë punën”.
Ish-presidenti Donald Trump ka nisur tashmë fushatën e tij, që do të thotë se dyshja mund të përballet për një rimeç zgjedhor në nëntor të vitit të ardhshëm.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka përmendur me radhë shtetet që e kanë zhgënjyer Serbinë, duke votuar pro ose duke abstenuar dje në Këshillin e Evropës, ku u miratua aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë instancë.
Fillimisht, Kryediplomati serb Ivica Daçiq thotë se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk do të ketë përmbushje të pikave të tjera të marrëveshjes së Ohrit.
“Nuk është që Marrëveshja e Ohrit nuk është më e vlefshme, por këtu po flasim për faktin se gjëja e parë në Marrëveshjen e Ohrit është Asociacioni. Nëse nuk ka Asociacion, pastaj nuk ka as pjesë të tjera të marrëveshjes”, tha Daçiq.
Ai ka folur për votimin për nisjen e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Daçiqit, Serbia do t’i hakmerret Malit të Zi, që votoi pro Kosovës në KiE.
“Mali i Zi do të mund që, së paku, të abstenonte. Neve na duhet të veprojmë në mënyrë reciproke. Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës. Atyre gjithashtu do t’u duhet vota jonë ndonjëherë, në të cilët, ata sigurisht se nuk mund të llogarisin”, ka thënë Kryediplomati serb.
Daciqi shtoi se ka qenë i surprizuar për të keq nga zëri i Ukrainës, sepse Serbia e ka dënuar cenimin e integritetit territorial të këtij shteti në të gjitha rezolutat e botës, por Kyivi abstenoi.
“Për aq kohë sa Bosnja dhe Hercegovina është e shqetësuar, a ka pasur ndonjëherë ndonjë rast që ne nuk e kemi përmendur integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tani kur dikush të na pyet, ne do të abstenojmë. Pse të jemi ne për integritetin territorial të Bosnjës e ata të abstenojnë?”, tha Daçiq.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.
“Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.
Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.
Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.
“Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.
“Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.
Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.
Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.
Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.
Një person u intervistua sot nga Policia në Hajvali për dy vepra penale, ndërsa u konfiskuan dy armë zjarri.
Ndaj të dyshuarit K.G, 33 vjeçar u iniciua rasti për veprat “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës”.
“Sot rreth orës 00:10, është raportuar për një rast gjuajtje me armë zjarri. Rasti ka ndodhë Hajvali, ku një person i dyshuar, në një ageng ka shtënë me armë zjarri. Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin. Ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit ka identifikuar të dyshuarin; -K.G , mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe ka sekuestruar dy armë zjarri për të cilat ka poseduar leje.”, informoi Policia.
Në mungesë të kourumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kur pritej të shqyrtohej raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022.
Në komision të pranishëm ishin vetëm pesë deputetë, ani pse mbledhja është paraparë të filloi në orën 11:00.
Kjo bëri që kryetari i komisionit Ferat Shala së bashku me deputetin tjetër opozitarë, Pal Lekaj të lëshojnë sallën.
Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e një ditë më vonë u nënshkrua edhe akti ligjor që e vendos Kosovën në listën e shteteve që mund të lëvizin pa vizë në zonën Schengen.
Duke qenë se Kosova vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të papunësisë, për të diskutuar se a do të ndikojë liberalizimi i vizave akoma më shumë në këtë aspekt, të hënën në “LIBERO” ishin të ftuar: Lulzim Rafuna – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Jusuf Azemi – Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat dhe Besim Gollopeni – Sociolog.
Azemi për sa i takon ndikimit të liberalizimit në aspektin e punës, u shpreh se do të bëhet një dëm shumë i madh, duke qenë se punëtorët e kualifikuar veçse po ikin.
“…Edhe pa liberalizim vërehet mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Do të kemi një treg të shpërfillur, e gjithë kjo po vjen sepse nuk kemi ditur t’i trajtojmë punëtorët si duhet…”, theksoi ai.
Ndërkohë, Gallopeni gjithashtu tha se në aspektin social dhe ekonomik, ndërmarrjet do të kenë gjithnjë e më shumë probleme me fuqinë punëtore.
“…Të rinjtë gjithnjë kërkojnë një jetë më të mirë, shërbime më të mira, kërkojnë kushte më të mira për banim, për shkollim, për shëndetësi, për mirëqenie më të mirë për veten dhe fëmijët, prandaj edhe ikin…”, deklaroi sociologu.
Ndërsa, për ta parandaluar këtë ndikim të liberalizimit në aspektin e punës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, alarmoi duke thënë se duhet një strategji urgjente.
“…Ekzekutivi duhet të ketë strategji. Ne ende nuk e kemi të lidhur shkollimin me kërkesat e tregut. Na nevojitet me urgjencë një strategji se si t’i parandalojmë dhe t’i kthejmë ata që kanë migruar sepse ne asetin më të mirë që e kemi pasur deri më sot është rinia…”, deklaroi Rafuna.
Vlen të theksohet se mundësimi i udhëtimeve pa viza vlen vetëm deri në 90 ditë brenda 6 muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, megjithëse kjo marrëveshje nuk përfshin leje pune apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet.
Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:
Tashmë në Kosovë është dëshmuar se gratë janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore, kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Këto komente ai i bëri me rastin e ditëve të Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale, do të organizojë ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”.
Shefi i ekzekutivit u zotua se do t’u krijohen mundësi të barabarta grave në çdo fushë.
“Sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi e shërbime. Ato edhe më parë kanë gjetur mundësi, kanë shpikur forma të burimit financiare. Qeben e thurën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, i gjeten vetë tregjet e i siguruan vetë mjetet financiare”.
“Përtej këtyre shembujve nga e kaluara jonë jo shumë e largët e deri tek ato që eksportojnë nëpër botë, janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e në zhvillim të projekteve. Andaj ne obligohemi që t’i përkrahim që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirë e vullnet”.
“Ne duhet të sigurohemi për një fillim të barabartë sepse edhe rrugëtimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë, shumica e tyre kanë pasur shumë sfida gjatë jetës e ne si Qeveri jemi të vëtëdjshëm dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundur”, tha Kurti.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, ka premtuar përkrahje për gratë që merren me shkencë e inxhinieri, raporton EO.
Ajo ka sqaruar se me 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshja për treg të përbashkët.
“Më vjen mirë që gratë e Kosovës po zgjedhin të studiojnë drejtime në shkencë e inxhinieri. Duhet të themi se këtë armate punëtore, qeveria e Kosovës e ka mbështet dhe po vazhdon ta mbështes me politika të shëndosha. Teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme si faktor për zhvillimin e ekonomisë dhe lidhjeve të transportit dhe inovacionit është vendimtare që të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitet për inovacionin. Në këtë drejtim, pronësia intelektuale është e rëndësishme”.
“Si ministri sektorin privat me komunat po punojmë ngushtë për të avancuar me politika për pronën intelektuale e inovacion qe kanë synim të zhvillojnë inovacionin edhe për sektorin privat. Kemi filluar negociata dhe është përmbyllur marrëveshja për treg të përbashkët me rajonin dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, tha ajo.