ATV

Blog

  • BE-ja “në dijeni të votës së Serbisë kundër Kosovës”, nuk konstaton shkelje

    BE-ja “në dijeni të votës së Serbisë kundër Kosovës”, nuk konstaton shkelje

    Bashkimi Evropian është në dijeni të votës së Serbisë kundër Kosovës në nisje të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por zëdhënësit e saj nuk ishin në gjendje të konstatojnë nëse ajo përbën shkelje të marrëveshjes.

    I pyetur për votën kundër, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, u kujdes të sqarojë se Këshilli i Evropës nuk është institucion i BE-së.

    “Këshilli i Evropës është organizatë krejt tjetër nga Bashkimi Evropian ose nga Këshilli Evropian. Kjo vetëm për t’u siguruar që kuptohet drejt në rajon. Pra, Këshilli i Evropës është organizatë e pavarur që luan rol qendror në promovimin vlerave dhe standardeve fondamentale evropiane, përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Lidhur me votën, ne jemi në dijeni të asaj vote”, tha Stano.

    Zëdhënësi i BE-së nuk pati përgjigje të qartë, përkundër përsëritjes së pyetjes.

    “Ky ishte testi i parë, relativisht i lehtë, për këtë marrëveshje – nëse është ende gjallë dhe në lëvizje. Citoj nenin 4, nëse është korrekt: Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Serbia sapo e bëri këtë, kështu që a dënoni këtë apo vetëm keni marrë shënim? A është marrëveshja ende aty?”, tha Stephan Israel, gazetar.

    Këmbëngulja e gazetarëve për të marrë përgjigje po ose jo, për atë se a përbën shkelje të marrëveshjes vota kundër – nuk u pëlqeu zyrtarëve të BE-së.

    “Ne tashmë patëm këtë pyetje dhe Peter u përgjigj. Kështu që do ta mbyllë këtë, nëse nuk keni pyetje tjetër”, tha zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

    Përgjigje të qartë, në formë kërkese, zëdhënësit e BE-së patën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Themelimi i Asociacionit ose Bashkësisë është nevojë urgjente. Ky është zotim i marrë nga pala kosovare në marrëveshjet e kaluara. Të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Qëndrimi ynë është shumë i qartë, duhet të bëhet. Ne jemi të lumtur të vazhdojmë punën si lehtësues në rrugën për ta themeluar atë. Nuk kemi nevojë të përfshihemi në shkëmbime publike për modalitetet çka duhet të bëhet dhe si, por duhet të bëhet. Mënyra se si do të bëhet mund të diskutohet dhe ne jemi këtu për të ndihmuar”, tha Stano.

    Presidentja Vjosa Osmani akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjes me votën dhe lobimin kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, të dielën.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, do të takohen më 2 Maj, në Bruksel, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. /atvlive.tv

  • Nesër në ora 11:00 seancë e jashtëzakonshme për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Nesër në ora 11:00 seancë e jashtëzakonshme për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Nesër në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.

    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

    Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.

    Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.

  • Fifi bëhet nënë, ky është emri që i ka vënë djalit

    Fifi bëhet nënë, ky është emri që i ka vënë djalit

    Këngëtarja e njohur Fifi, është bërë nënë për herë të parë.

    Ajo ka sjellë në jetë djalin e saj, teksa procesin e lindjes e kreu në Amerikë, atje ku po qëndron tash e një muaj.

    Këtë e ka bërë të ditur vet Fifi, përmes llogarisë së saj në Instagram, ndërsa zbulon se djalin e ka pagëzuar me emrin Theo.

  • Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vet draft-statutin për Asociacionin, s’më lanë

    Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vet draft-statutin për Asociacionin, s’më lanë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit.

    Por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.

    “Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”.

    “Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak”, tha Kurti.

    “Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”.

    “I përket ekipit menaxhues që të shfaqet por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre por që nuk kanë pranuar”, tha tutje Kurti.

    Shefi i ekzekutivit foli edhe për zgjedhjet në veri, raporton EO.

    “Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime e fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetar të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, tha Kurti.

  • Rusia dëbon një diplomat moldav

    Rusia dëbon një diplomat moldav

    Moska ka njoftuar se do të dëbojë një diplomat moldav dhe do t’ua ndalojë hyrjen disa zyrtarëve moldavë, si shenjë hakmarrjeje pasi Kishinau e shpalli një punëtor të Ambasadës ruse persona non-grata.

    Ministria e Jashtme ruse tha më 25 prill se i ka dorëzuar notë proteste ambasadores moldave, Lilian Darii, “për hapat e vazhdueshëm armiqësor të Moldavisë ndaj Rusisë dhe deklaratat e rregullta anti-ruse”, si dhe për rreshtimin krah Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë.

    Javën e kaluar, Moldavia dëboi një punonjës të ambasadës ruse.

    Marrëdhëniet midis Kishinaut dhe Moskës janë përkeqësuar që nga nisja e luftës në Ukrainë, e cila ka ngritur frikën se shteti i vogël i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.

    Emrat e diplomatit të dëbuar dhe zyrtarëve moldavë të cilëve u është ndaluar hyrja në Rusi nuk janë publikuar.

    Por, gazeta ruse Kommersant raportoi se Moska dëboi konsullin e Moldavisë dhe ua ndaloi hyrjen e ministres së Brendshme, Ana Revenco, dhe tre ligjvënësve të partisë në pushtet: Oazu Nantoi, Olesea Stamate dhe Lilian Carp.

    Shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Kievit më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë./REL/

  • Komisioni i Granteve: Buxheti komunal për vitin 2024 kap vlerën 742 milionë euro

    Komisioni i Granteve: Buxheti komunal për vitin 2024 kap vlerën 742 milionë euro

    Nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur sot takimi i Komisionit të Granteve, ku u diskutua dhe u aprovua financimi komunal për vitin 2024-2026.

    Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për financimin komunal për periudhën 2024-2026 është i bazuar në legjislacionin për financat publike dhe aprovimi i këtij drafti do t’u mundësojë komunave dhe nivelit qendror zhvillimin e rregullt të procesit buxhetor.

    Në total, buxheti komunal për vitin 2024 në nivelin komunal kap vlerën prej 742.02 milionë euro, e që paraqet një rritje prej 82.51 milionë euro krahasuar me buxhetin komunal të vitit 2023.

    Granti i Përgjithshëm për vitin 2024 kap shumën prej 284.68 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekord e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.

    Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro.

    Komisioni i Granteve ka miratuar buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetin me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80% apo 720 mijë euro.

    Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar në qëllimin e saj për ngritjen e mirëqenies sociale, dhe e vlerëson lartë bashkëpunimin me nivelin komunal që t’u gjendemi sa më afër qytetarëve.

  • Suedia i dëbon pesë diplomatë rusë

    Suedia i dëbon pesë diplomatë rusë

    Suedia do t’i dëbojë pesë diplomatë rusë të cilët dyshohet se kanë shkelur rregullat për marrëdhëniet diplomatike.

    Sipas transmetuesit kombëtar suedez SVT, ministri i Jashtëm, Tobias Billstrom, tha se punonjësve të ambasadës ruse në Suedi u është kërkuar të largohen “si rezultat i aktiviteteve që nuk janë në pajtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike”.

    Konventa e Vjenës e OKB-së është një marrëveshje ndërkombëtare e prezantuar në vitin 1961 me rregullore për të ndihmuar vendet e pavarura t’i mbajnë relacionet më njëra-tjetrën, shkruan AlJaazera.

  • A do të ndalohet Tik-Tok në Kosovë?

    A do të ndalohet Tik-Tok në Kosovë?

    Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2022.

    Komisionerja Sogojeva-Dermaku, tha se gjatë viti 2022 kanë qenë 421 ankesa. Nga gjobat të shqiptuara, sipas saj kanë arritur vlerën totale prej 169 mijë euro.“Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të fushëveprimit të saj, duke u mbështetur në objektivat kryesore të parapara me Planin e Performancës për vitin 2022, si dhe mbi bazën e parimeve demokratike për transparencë, llogaridhënie, dhe parimeve të mbrojtjes së privatësisë, ka realizuar aktivitetet konkrete për të siguruar respektimin e së drejtës për qasje në dokumente publike dhe së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, si dy të drejta themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventa ndërkombëtare”, tha ajo.“Në kuadër të zbatimit të ligjit për mbrojtje të të dhënave, gjatë viti 2022 janë realizuar 213 inspektime. AIP gjatë periudhës raportuese ka pranuar 421 ankesa nga qytetarët, shoqëria civile dhe mediat. 207 ankesa kanë qenë nga qytetarët, 138 nga OJQ-të dhe 76 nga mediat. Ndaj institucioneve publike ka pasur gjithsej 32 ankesa, ndërsa ndaj institucioneve private 113. Gjobat kundërvajtëse të shqiptuara kanë arritur vlerën totale prej 169 mije euro. Katër nga këto gjoba janë shqiptuar ndaj institucioneve publike dhe katër ndaj institucioneve private. Buxheti finali i agjencisë gjatë viti 2022 ka qenë 420 mijë euro”, tha ajo.

    Deputeti i VV-së Dimal Basha, ka pyetur komisioneren në lidhje me aplikacionin e TikTok-ut. Sipas tij, shumë shtete janë duke e ndaluar, pasi Kina është duke mbledhur të dhëna shtetërore përmes këtij aplikacioni.

    Ai tha se a ka një propozim Agjencia në lidhje më këtë.“Amerika është duke e trajtuar në Kongres çështjen e TikTok-ut, sepse Kina grumbullon informata nga ky aplikacion. Kina nuk është miqësore me në. Të gjitha të dhënat i transferohen Kinës, a keni ndërmarr diçka dhe si duhet ti adresohemi këtij problemi. Ku mbahen të dhënat e qytetarëve. A keni një propozim. Na mundemi me ndalu dhe mos ta përdorim fare”, tha ai.

    Sogojeva, tha se kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe nuk është vetëm përgjegjësi e Agjencisë, por se do të diskutojnë me institucionet e tjera.“Ky duhet të jetë vendim zyrat i shtetit. Për këto dy vjet operim në vazhdimësi jemi duke bërë fushat me ndërgjegjësu si qytetarët si dhe institucionet. Kjo është çështje e mbrojtje kombëtare. Nuk kemi kontakt me ta, as Facebook nuk është duke kthyer përgjigje. Ta autorizosh dike që të vijë këtu është problem. Të dhënat i mban atje ku e ka domenin. Për TikTok-un nuk është vetëm agjencia, do të ulemi bashkë dhe do të diskutojmë më institucionet e tjera, do t’i propozojmë Kuvendit. Ne nuk e kemi marr formatin, Policia çdo ditë merret më këto çështje”, tha ajo.

    Kryesuesi i këtij Komisioni Bekë Berisha, ka pyetur komisioneren në lidhje me dënimin ndaj Partisë Socialdemokrate.“Kohët e fundit a është e vërtet që e keni dënuar një parti politike, pse e keni dënuar kjo vetëm sa për opinion publik. A ka qenë ankesë a vetë iniciativë e juaja”, pyeti ai.

    Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se ky Agjencion deri më tani për të njëjtën shkelje ka dënuar pesë institucione publike.

    Ajo tha se publikimi i atyre listave nga PSD-ja ka qenë shkelja më e madhe që është bërë në Kosovë dhe se dënimi që i’u është shqiptuar ka qenë dënim minimal.“Fillimisht Agejncia për të njëjta shkelje i ka dënuar pesë institucione publike. Publikimi i të dhënave private është edhe shkelja me e madhe e publikuar në Kosovë. Prandaj në rastin konkret Agjencia është njoftuar për atë shkelje përmes mediave dhe ka dal në vend ngjarje. Është marrë vesh se ato lista do të hudhen në mbeturina. Ne kemi ndërmarr hapa dhe i kemi siguruara. Policia i ka shkatërruar ato lista. Agjencia k dale gjoba minimale për këtë shkelej është 20 mijë euro. Arsyeja që përveç që janë bërë publike informacione private, kjo parti nuk ka ekzistuar në kohën kur janë bërë këto lista që do të thotë ata nuk kanë pasur të drejt që t’i mbajnë ato lista. Kjo parti është dënuar sipas ligjit në fuqi”.Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka pyetur komisioneren se a do të dënojnë PSD-në edhe për shkelje tjetër që i kanë mbajtur ato lista më të dhëna të qytetarëve duke mos pasur të drejt.“A është proceduar për shkeljen e dytë që nuk ka pasur të drejtë t’i mbaj ato të dhëna sepse ajo parti nuk ka ekzistuar”, tha ajo.

    Sogujeva tha se ai dënim i ka përfshirë të dy shkeljet, raporton EO.“Të dyja parimet kanë qenë në atë gjobë dhe është mbyllur kjo çështje. Ata kanë shkelur ligjin dhe janë dënuar. Nuk do të ketë vendim tjetër prej anës se agjencisë. Partia e ka dërguar vendimin në gjykatë, nuk është hera e para herë që vendimi është dërguar më gjykatë, në së fundi kemi fituar në gjykatë nga najë ankesë”, tha ajo.Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se dënimet ndaj shkelësve duhet që të jenë më të mëdha dhe jo minimale.“Dua për qasjen në dokumente zyrtare, Realish është shumë brengosëse si për nivelin qendror dhe lokal. Duhet që të ketë kampanja më shumë. Besoni që gjendja është me keq se sa është paraqitur në raport. Sa i përket çështjes së gjobave mos shkoni me gjoba minimale, po shkoni ne bazë të ligjit. Sepse nuk është zgjidhje kur të veprohet në kundërshtim me ligjin”, tha ai.

    Në Komision u diskutua edhe çështja e publikimit të listave të veteranëve, ku u kërkuar që ata që kanë publikuar ato lista të dënohen.

  • Serbi, policia rrah emigrantët

    Serbi, policia rrah emigrantët

    Organizata “Medical Volunteers International Serbia” ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram një video të policisë serbe duke rrahur emigrantët në Sombor.

    Siç shprehen ata, kjo është një video e dëbimit të dhunshëm të ndodhur në Qendrën Transitore të Somborit, shkruajnë mediat serbe.

    “Në video shihen emigrantët që ikin nga policia serbe. Një qendër zyrtare tranziti e financuar nga qeveria duhet të jetë një vend i sigurt për njerëzit në lëvizje”, tha organizata.

    Por, siç shtuan ata, kjo video tregon të kundërtën.

    “Kjo është dëshmi e qartë se policia serbe ka rrahur ilegalisht individë. Djali në këtë video është i mitur. Njerëzit raportuan se ata të kapur nga policia u dërguan në jug në Preshevë. Fatkeqësisht, kjo po bëhet sistematike. Qeveria e Serbisë jo vetëm që i injoron emigrantët, por shkel plotësisht të drejtat e tyre”, kanë thënë ata.

  • Agjenica e Statistikave: Për dy muaj 278 shkurorëzime, prin ky qytet

    Agjenica e Statistikave: Për dy muaj 278 shkurorëzime, prin ky qytet

    Agjencioni i Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat të cilat tregojnë se vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023 janë shkurorëzuar 278 çifte.

    Sipas statistikave, në muajin janar janë bërë 156 shkurorëzime, ndërkaq në muajin shkurt gjithsej 122.

    Komuna e cila ka numrin më të madh të çifteve të ndarë del të jetë Prizreni me 14 shkurorëzime, kurse pas tij vjen Skenderaj me 11 të divorcuar.

    Në vendin e tretë radhitet Podujeva në të cilën kanë ndodhur 8 shkurorëzime.