ATV

Blog

  • ​Lavrov përmend Kosovën në OKB, ambasadori i Shqipërisë: Ju është bërë obsesion

    ​Lavrov përmend Kosovën në OKB, ambasadori i Shqipërisë: Ju është bërë obsesion

    Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, sërish ka zënë në gojë Kosovën gjatë diskutimeve për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Mirëpo i njëjti ka marrë përgjigje nga ambasadori i Shqipërisë në këtë institucion, Ferit Hoxha, që i ka thënë zyrtarit rus se Kosova i është bërë obsesion.

    Gjatë fjalës së tij në OKB, Lavrov tha ndër të tjera se institucionet në Prishtinë, duke nënkuptuar për autoritetet e Republikës, nuk mund të përfaqësojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë, njëjtë si Kievi nuk mund të përfaqësojë rusët në Donbas e Krime.

    “Prishtina nuk mund të pretendojë se përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës të cilëve iu premtua autonomia nga Bashkimi Evropian, ashtu si Berlini dhe Parisi premtuan status të veçantë për Donbasin, rezultatet e këtyre premtimeve janë të njohura, këtë e deklaroi me elokuencë Sekretari ynë i Përgjithshëm gjatë samitit të dytë për demokracinë më 29 mars”, deklaroi Lavrov.

    Mirëpo, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, u shpreh se Rusia nuk mund të përmend Kosovën, shtet që njihet më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, për të justifikuar veprimet e tyre.

    Sipas Hoxhës, drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo çështje është e mbyllur.

    “Në veçanti, është bërë një obsesion rus t’i referohet Republikës së Kosovës, një vend i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, për të justifikuar veprimet e saj të paligjshme në Gjeorgji në vitin 2008, në Ukrainë që nga viti 2014, gjë që siç e dimë të gjithë po vazhdon deri në këto momente. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e njëjta GJND ka kërkuar që Rusia të ndalojë luftën e saj, prandaj nuk ka asgjë që tingëllon më e zbrazët sesa përpjekja e dëshpëruar për të justifikuar të pajustifikueshmen, dhe përpjekja e saj për t’u fshehur pas të papranueshmes”, deklaroi Hoxha.

    Hoxha shtoi se Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj, të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

    “Siç e dimë, ‘dielli nuk mund të fshihet me gisht’ dhe sot edhe një herë, nuk dëgjuam asgjë për çështjen kyçe sipas cilit nen të Kartës së OKB-së Rusia ka sulmuar fqinjin e saj dhe ka aneksuar me forcë pjesë të territorit të saj. Nëse duam ta mbajmë OKB-në si gurthemeli të botës shumëpalëshe, duhet të tregojmë respekt për njëri-tjetrin, jo përbuzje, duhet të tregojmë solidaritet, jo kërcënime, duhet të zgjedhim diplomacinë dhe të nxisim dialogun, jo të bëjmë luftë, ne duhet të punojmë së bashku, t’u përmbahemi angazhimeve tona dhe kemi nevojë për drejtësi përmes përgjegjësisë për krimet e kryera, dhe që autorët të mbahen përgjegjës”, deklaroi Hoxha./kp

  • Bordi i KEK-ut e pezullon Nagip Krasniqin, Përparim Kabashi emërohet ushtrues detyre

    Bordi i KEK-ut e pezullon Nagip Krasniqin, Përparim Kabashi emërohet ushtrues detyre

    Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka njoftuar të martën se e ka pezulluar nga puna kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua javën e kaluar nga Policia e Kosovës.

    Krasniqi u arrestua pas një urdhri nga Prokuroria Speciale. Ai dyshohet për përfshirje në korrupsion dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

    Në vend të tij si ushtrues detyre është vendosur Përparim Kabashi, transmeton Paparaci.

    “Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve (BD) të KEK-ut, të mbajtur me dt. 25.04.2023, janë marr vendimet si në vijim: BD ka marre vendim për pezullimin nga detyra e punës së Kryeshefit Ekzekutiv z. Nagip Krasniqi me efekt të menjëhershëm. Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Paparaci raportoi të hënën për një kontratë në vlerë 1.6 milion euro e KEK-ut me një kompani greke dyshohet se është lidhur përmes ushtrimit të ndikimit të Nagip Krasniqit, kryeshefit të arrestuar të korporatës. Kriteret e dosjes së tenderit janë ndryshuar për t’iu përshtatur një kompanie.

    Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dy vepra të tjera penale.

    Prokuroria Speciale dyshon se Krasniqi ka lidhur kontrata të dëmshme të prokurimit publik.

    Një nga kontrata e dyshuara të dëmshme, është edhe ajo për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin Sa”, me çmim rreth 3.5 milionë, duke ndryshuar kushtet e kontratës.

    Kjo, sipas Prokurorisë, ishte bërë me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik, ani se komisioni kishte rekomanduar anulimin e tij, me arsyetimin se operatori ekonomik “Litwin SA” nuk u është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues, i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta.

    Të enjten, në një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi masë të sigurisë prej një muaji paraburgim ndaj kryeshefit të KEK-ut.

    Në seancë, Krasniqi i ka mohuar dyshimet që rëndojnë mbi të.

  • Rreth gjysmë milion njerëz pa rrymë në Kanada pas goditjes së prodhimit të hidrocentraleve

    Rreth gjysmë milion njerëz pa rrymë në Kanada pas goditjes së prodhimit të hidrocentraleve

    Rreth 490 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike të martën në Quebec të Kanadasë pasi hidrocentrali i dytë më i madh i këtij vendi ka pësuar humbje të prodhimit, raportoi Reuters.

    Ndërmarrja Hydro-Quebec ka njoftuar se humbja e prodhimit në disa grupe gjeneratorësh turbinash në një hidrocentral, ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë për rreth 11 për qind të 4.5 milionë klientëve në të gjithë Quebec.

    Hydro-Quebec ka shtuar se po hetonte shkakun e ndërprerjes në fabrikë dhe po përpiqet të rivendosë shërbimin për klientët, duke i furnizuar ata përmes linjave të tjera të transmetimit.

    “Ekipet tona po hetojnë shkakun e kësaj humbjeje të prodhimit”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes në Twitter.

  • Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare janë duke u përballur me mungesën e barnave esenciale

    Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare janë duke u përballur me mungesën e barnave esenciale

    Gani Kosumi, në shumicën e rasteve që i drejtohet Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për të marrë një shërbim mjekësor detyrohet të blejë terapinë ampulare dhe barnat esenciale, të cilat i nevojiten për shëndetin e tij.

    Kështu po vepron tash e disa muaj.

    “Mendoj se shteti i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duhet me ndërmarrë më shumë hapa për njerëzit që kanë nevojë të ju sigurojnë barna elementare”, tha Kusumi.

    Të njëjtin hall e ka edhe Robert Bujaku nga Podujeva.

    “M’ka ra më herët kogja shpesh për t’i blerë se tash problem e kemi se pacientat me mjek mes vete kemi njefarë lloj armiqësie”, tha Bujaku.

    Komuna e Prishtinës thotë se kjo mungesë ka ardhur si pasojë e mosfurnizimit nga ana e MSH-së me barnat e Listës Esenciale.

    “Realisht, sipas ligjit, MSh-ja obligohet që 100% të na furnizojë me listën e esenciale të barnave. Por kjo nuk po ndodh, në vitin e kaluar vetëm 32% në Prishtinë kemi pasë furnizim nga Ministria e Shëndetësisë..”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

    Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka një sqarim.

    “Situata është pak më mikse, një nga arsyet është se ka pasur kërkesa të cilat nuk kanë korresponduar me kërkesat që i duhen në kujdesin parësor shëndetësor. Tani jemi në procedura të prokurimit për shumicën nga lista për kujdesin parësor shëndetësor, dhe mendoj se brenda 2-3 muaj, furnizimi me barna dhe material shpenzues në kujdesin parësor do të kalojë mbi 90%”, tha Vitia.

    Ndryshe, javë më parë, ATV-ja ka raportuar se me mungesë të barnave dhe terapisë ampulare po përballen QKMF-ja e Gjakovës, ajo e Kamenicës dhe disa qendra të tjera të mjekësisë familjare në vend. /atvlive.tv

  • Arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut/ Rrustemi: Prokuroria ka një lloj padurushmërie me qeverisjen tonë

    Arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut/ Rrustemi: Prokuroria ka një lloj padurushmërie me qeverisjen tonë

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për arrestimin e Nagip Krasniqit, tha se Prokuroria e Shtetit ka një lloj padurushmërie me qeverisjen aktuale.

    “E kemi thënë publikisht që përkundër se kemi dërguar qindra dosje të krimit dhe korrupsionit në Prokurori gjatë këtyre tre viteve dhe nuk ka pasur pothuajse asnjë veprim nga Prokuroria e Shtetit, është e dukshme dhe është e qartë një lloj pa durueshmërie sidomos e Prokurorisë Speciale me qeverisjen tonë. Në njërën anë nuk trajton dosje të cilat ia kemi dërguar për korrupsion të ish zyrtarëve, të ish qeverive dhe papritmas arreston, bastis e vendosë para gjykatës një kryeshef ekzekutiv të vendosur ose të emëruar në kohën e vetëvendosjes”, tha Rrustemi, duke shtuar se ai vet nuk i amniston veprimet e asnjë individi. /atvlive.tv

  • Rrustemi: Dikur ka qenë përjashtim me e gjet një zyrtar të ndershëm, sot është përjashtim me e gjet një zyrtar të pandershëm

    Rrustemi: Dikur ka qenë përjashtim me e gjet një zyrtar të ndershëm, sot është përjashtim me e gjet një zyrtar të pandershëm

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se botëkuptimi i Qeverisë së tashme është për mos me e keqpërdor detyrën zyrtare, ndërsa sipas tij, në qeveritë e kaluara ishte e kundërta.

    “Unë e mbroj botëkuptimin që qeverisja e jonë është e pa korruptuar dhe në kuptimin e vlerave dhe sjelljes edhe e pa korruptueshme. Është rregulli i qeverisjes tonë për mos me e keqpërdor detyrën zyrtare e paranë publike, ndërkohë që e kundërta ka qenë, rregulli i qeverisë së kaluar me e shfrytëzua pozitën për përfitime personale e të rrethit tuaj.

    Ai tha se në të shkuarën, ka qenë përjashtim me dalë një zyrtar i ndershëm, por sot sipas tij, rregulli është me qenë të gjithë të ndershëm, ndërsa përjashtim mund të jetë një. /atvlive.tv

  • Banorët e fshatit Lisicë të Mitrovicës së Veriut, rrezikohen nga rrjedha e lumit Ibër

    Banorët e fshatit Lisicë të Mitrovicës së Veriut, rrezikohen nga rrjedha e lumit Ibër

    Vendi ku me financim nga Qeveria e Serbisë kishte nisur të ndërtohet Stadium në Mitrovicë të Veriut, tashmë është kthyer në deponi ilegale mbeturinash.

    Por mbetjet inerte e shumëçka tjetër çka është gjuajtur aty, fare pranë rrjedhës së Ibrit, po u bëjnë goxha problem banorëve që jetojnë matanë lumit.

    Banorët e fshatit Lisicë të Mitrovicës së Veriut, ankohen se mbeturinat po hidhen qëllimshëm në lum.

    Kështu sipas tyre shtrati i lumit Ibër është ngushtuar, saqë sa herë që ka vërshime, uji u futet nëpër shtëpi.

    “Janë t’u gju pa ndalë dhe krejt qita çimento t’u e gju në shtrat të Ibrit, e kanë shty Ibrin na e kanë pru nëpër shpija, që 100 vjet çka kemi bo pasuri është t’u na e çu poshtë”, thotë Mehmet Latifi, banor.

    Për këtë problem, thotë se nuk ka lënë institucion pa u ankuar në jug e veri, e deri edhe tek institucionet qendrore. Por me ta s’ishte marrë kush.

    “Ose le të ndërmerr qeveria diçka ose ka me pas pasoja si në fshat si në veri, nuk lejojmë më se s’kemi ku shkojmë, e din kryeministri, e din policia e dinë krejt”, thotë Latifi

    Vërshimet e fundit, përveç dëmeve të mëdha nëpër shtëpi, Latifit ia mbytën edhe mbi 20 koshere bletë. /atvlive.tv

  • Garazhi i Pallatit të Drejtësisë mbushet me lojëra të fatit

    Garazhi i Pallatit të Drejtësisë mbushet me lojëra të fatit

    Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka mundur të futej direkt në gjykatore.
    Edhe sulmuesit e gazetarit Valon Syla, gjithashtu.

    Megjithatë, ata duarlidhur, u sollën në hyrjen kryesore, pasi hyrja përmes garazhit të këtij pallati është e bllokuar.

    Garazhi nëntokësor i cili ka për qëllim bartjen e të paraburgosurve në sallën e gjykimit, tani po shfrytëzohet si depo për pajisjet e lojërave të fatit.

    Askush nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk e di se kush dha urdhër për vendosjen e këtyre pajisjeve nga kampi Belvedere në Mitrovicë në Pallatin e Drejtësisë.

    “Menaxhmenti i GJTH Prishtinë, Kryetarja e Gjykatës dhe Administratori asnjëherë nuk janë njoftuar nga askush se me urdhër të kujt janë sjellë ato aparate aty, përveç njoftimit që kemi pranuar se ato aparate do të vendosen në atë pjesë të objektit. Menaxhmenti i kësaj gjykate në vazhdimësi e ka kundërshtuar këtë vendim, duke u thirrur në atë se, po me këtë veprim do të pamundësohet përdorimi i pjesës së gjykatës për sjellje të personave të privuar nga liria dhe se nuk ka asnjë qasje tjetër për këta persona, përpos hyrjes kryesore dhe kjo do të mundësojë ekspozimin para mediave, palëve, por njëkohësisht paraqet edhe rrezik për sigurinë e tyre, por edhe të personave të tjerë, pra paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Kështu, të gjithë të paraburgosurit, pavarësisht shkallës së rrezikshmërisë duhet të përdorin hyrjen e njëjtë me palët e tjera dhe stafin e gjykatës.

    “E para për me mbrojt privatësinë e të burgosurve ose personave të privuar përkohësisht nga liria, për shkak se ekziston prezumimi i pafajësisë dhe askush nuk duhet të linçohet ose të gjykohet publikisht, t’i nënshtrohet një gjykimi të publikut përderisa një gjykatë nuk vendos me aktgjykim të plotfuqishëm për fajësinë ose pafajësinë. E dyta garazhet nëntokësore mundësojnë edhe sigurinë më të madhe për të paraburgosurit ose të burgosurit, duke qenë se moskontakti me njerëz ose moskontakti me rrethana dhe faktorë të tjerë jep mundësi më të madhe për ta ruajtur sigurinë”, tha Arbër Jashari, avokat.

    ATV-ja nuk është lejuar të filmojë hapësirën se ku mbahen këto pajisje, ndërsa ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës lidhur me vendosjen e tyre në garazhin e Pallatit. Por, në këtë institucion nuk kanë dhënë përgjigje.

    Kjo hyrje alternative edhe para vendosjes së lojërave të fatit ishte jofunksionale për shkak të defekteve në ashensor.

    Megjithatë, sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme, ashensorët e Pallatit të Drejtësisë janë funksionalizuar.

    “Ju njoftojmë se dyert e hyrjes së garazhit në nivelin -3, në ndërtesën D Pallati Drejtësisë, tashmë janë rregulluar. Ndërsa, sa i përket ashensorit, në pjesën ku janë qelitë është rregulluar në nivelin -3, objekti D Pallati Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së. /atvlive.tv

  • KQZ-ja i shpall rezultatet përfundimtare për veriun

    KQZ-ja i shpall rezultatet përfundimtare për veriun

    As edhe një ankesë për zgjedhjet e së dielës në komunat në veri të Kosovës nuk u dorëzua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Andaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare, të cilat nuk dalluan edhe aq nga ato preliminare.

    Lëvizja Vetëvendosje e fitoi komunën e Leposaviqit me 73,5 për qind të votave dhe atë të Mitrovicës së Veriut me 66,9 për qind.

    Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës fitoi komunën e Zveçanit me 59 për qind të votave, si dhe atë të Zubin Potokut me 17 vota më shumë se partia tjetër garuese, apo 52,2 për qind të votave.

    Meqë, fitoi mbi 70 për qind të votave, Vetëvendosjes i takojnë edhe 15 ulëse në kuvendin komunal të Leposaviqit, ndërkaq 2 ulëse dhe Partisë së Serbëve të Kosovës.

    Ndërkaq, në Kuvendin komunal të Zveçanit, Partia Demokratike e Kosovës, si fituese do t’i ketë 11 ulëse karshi partisë garuese Vetëvendosje me 8 ulëse të fituara.

    Përkundër daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e së dielës, në katër komunat veriore, asnjë votë nuk u erdhi nga diaspora.

    Sidoqoftë, për rezultatet përfundimtare, KQZ-ja do të pranojë ankesa deri të mërkurën në orën 14:00. /atvlive.tv

  • Qytetarët nuk presin shumë nga kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

    Qytetarët nuk presin shumë nga kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

    Këta kontejnerë në Kodrën e Trimave, janë shkolla e vetme shqipe në Mitrovicë të Veriut. Për 17 nxënësit e Shkollës fillore “Aziz Sylejmani”, me kryetarin e ri, siç duket ka shpresë.

    “Për shembull, shkolla që është në Kodër të Minatorëve e cila nuk punon në kushte adekuate. Pastaj janë disa projekte infrastrukturore. Janë disa rrugë që nuk janë asfaltuar. Edhe këtu në Lagjen e Boshnjakëve është një rrugë, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nedzad Ugljanin.

    Problem tjetër që pritet të ketë zgjidhje është edhe kompensimi për dëmet që shkaktuan vërshimet.

    “Ne e kemi prurë edhe një vendim për 300 mijë euro për dëmet e vërshimeve, edhe janë 65 shtëpi dhe biznese dhe jemi në pritje”, tha Ugljanin.

    Megjithatë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut nuk kanë njohuri për kryetarin e ri që vjen nga radhët e Vetëvendosjes dhe nuk presin ndryshime të mëdha.

    “S’besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të ri. Uroj që të jetë më mirë, por nuk besoj. Nuk e di, madje as kush është kryetari i ri dhe gjasat që situata të përmirësohet janë të vogla”, tha një qytetar.

    “Unë nuk e di kush ka qenë kryetar i komunës, por nëse unë jam punëtori, burri i fjalës dhe i punës, nuk ka lidhje kush është udhëheqësi, e rëndësishme është që të punojmë së bashku”, tha një tjetër qytetar.

    Mitrovica e Veriut në dy vjetet e ardhshëm do të udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili fitoi 553 vota ose 66.09%.

    Ndërkohë, kryetari paraprak, Milan Radojevic, dha dorëheqje me 6 nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv