ATV

Blog

  • Gjoba për ata që s’e paguajnë këstin e parë të tatimit në pronë deri në fund të prillit

    Gjoba për ata që s’e paguajnë këstin e parë të tatimit në pronë deri në fund të prillit

    Nëse deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës nuk e bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023, ata do të gjobiten.

    Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

    Qytetarët që paguajnë, ndërkaq, do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

    Ky projektligj parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023. Pra, nëse ai e paguan faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

    Vendimi për faljen e tatimit në pronë, sipas projektligjit në fjalë, merret nga Kuvendi Komunal i çdo komune, më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    Projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

    Por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

    Si bëhet pagesa e tatimit në pronë?

    Pagesa e tatimit në pronë në Kosovë mund të bëhet në dy këste.

    Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.

    Faturat u rritën deri në 100%

    Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi në Kosovë, muajve të fundit, pasi faturat për vitin 2023 janë rritur.

    Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.

    Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

    Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, në muajin shkurt, duke kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak.

    Rezoluta është përkrahur nga partitë tjera opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, si e tillë, ajo nuk ka kaluar në Kuvend, sepse nuk është votuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.

    Pezullimin e vendimit të rivlerësimit të pronave e ka kërkuar edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Kërkesa është bërë për shkak të, siç është thënë, “rrethanave të vështira ekonomike për qytetarin, siç janë: rritja e çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera”.

    Cilat janë përfitimet e shtetit?

    Nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

    Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

    Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

    Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

    Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

  • Kosova pranohet në federaten europiane të futbollit të amputuarëve

    Kosova pranohet në federaten europiane të futbollit të amputuarëve

    Federata evropiane e futbollit të amputuarëve, ka njoftuar se Kosova me ekipin e tyre është pranuar në këtë organizatë.

    Ekipi i Kosovës, ditë më parë ka zhvilluar stërvitjen e parë historike dhe në vazhdim pritet që të krijohen edhe ekipe të tjera si dhe është bërë e ditur se së shpejti do të organizohet edhe një ligë e veçantë për këtë sport.

    Në të ardhmen e afërt synohet edhe përfaqësimi në garat ndërkombëtare.

  • Gjendet në Shqipëri Kurani më i vogël në botë, mediat botërore jehonë lajmit

    Gjendet në Shqipëri Kurani më i vogël në botë, mediat botërore jehonë lajmit

    Një nga kopjet e librit të shenjtë të Kuranit, me përmasat e vogla të barabarta me ato të një pulle poste, ndodhet në Shqipëri. Libri është në pronësi të familjes Prushi, që e ka trashëguar këtë pasuri të çmuar brez pas brezi.

    45-vjeçari shqiptar zotëron librin e shenjtë me përmasat e një pulle poste.

    Rituali është gjithmonë njësoj. Mario Prushi lan me kujdes duart dhe fytyrën përpara se të puthë dhe të vendosë në ballin e tij një nga Kuranët më të vegjël në botë.

    Për breza me radhë, libri me përmasat e një pulle poste është trashëguar në familjen e tij, duke u mbijetuar luftrave dhe regjimit fanatik komunist që nuk lejonte fetë.

    Ekspertët thonë se është një nga Kuranët më të vegjël në qarkullim, me librin e vogël që mbahet brenda një kutie argjendi, e nxirë me kalimin e viteve.

    “E kemi trashëguar nga brezi në brez me një përkushtim absolut”, tregon 45-vjeçari Prushi për agjencinë e lajmeve “AFP”, nga shtëpia e tij në Tiranë.

    Vetëm 2 centimetër i gjerë dhe 1 centimetër i hollë, libri thuajse zhduket në pëllëmbën e pronarit të tij dhe mund të lexohet vetëm me një xham zmadhues.

    Është e vështirë të përcaktosh se kur daton ky Kuran, në mungesë të analizave shkencore, por sipas studiuesit Elton Karaj, libri me 900 faqe ka nisur të qarkullojë që prej shekullit të 19-të.

    “Ky Kuran është printuar në një format shumë të vogël, është ndër më të vegjlit në botë. Në pamje të parë mund të them se publikimi i tij daton nga fundi i shekullit të 19-të”, thotë Karaj.

    Për ekspertin bëhet fjalë për një vepër të jashtëzakonshme dhe me shumë vlerë. “Jemi me fat që kjo kopje është në Shqipëri”, thotë ai.

  • Momente nga lufta e Sadikut me boksieren japoneze Ayava Taguchi

    Momente nga lufta e Sadikut me boksieren japoneze Ayava Taguchi

    Boksierja Kosovare Donjeta Sadiku ka kaluar në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar të boksit në kategorinë seniore “Çesme”, që po mbahet në Turqi.

    Sadiku në çerekfinale korri fitore bindëse 5 me 0 kundër boksieres nga Japonia Ayava Taguchi dhe u kualifikua për në gjysmëfinale ku siguroi medaljen e bronztë, raporton KosovaPress.

    Nesër, më 27 prill në gjysmëfinale Donjeta Sadiku takohet me boksieren nga Turqia Gizem Ozer.

  • ​Sadiku kalon në gjysmëfinale të turneut të boksit “Çesme”

    ​Sadiku kalon në gjysmëfinale të turneut të boksit “Çesme”

    Boksierja Kosovare Donjeta Sadiku ka kaluar në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar të boksit në kategorinë seniore “Çesme”, që po mbahet në Turqi.

    Sadiku në çerekfinale korri fitore bindëse 5 me 0 kundër boksieres nga Japonia Ayava Taguchi dhe u kualifikua për në gjysmëfinale ku siguroi medaljen e bronztë, raporton KosovaPress.

    Nesër, më 27 prill në gjysmëfinale Donjeta Sadiku takohet me boksieren nga Turqia Gizem Ozer.

  • Ngacmoi seksualisht një nxënëse, arrestohet punëtori teknik i një shkolle në Istog

    Ngacmoi seksualisht një nxënëse, arrestohet punëtori teknik i një shkolle në Istog

    Një punëtor teknik i Shkollës së Mesme të Ulët “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut është arrestuar sot pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar nga stafi i drejtorisë së shkollës.

    “Rreth 13:00 stacioni policor është informuar se nga stafi i drejtorisë se një nxënëse e asaj shkolle është shqetësuar seksualisht nga nga një punëtor i stafit teknik. Policia ka ndal në vendin e ngjarjes dhe është arrrestuar i dyshuari.”, ka thënë ai.

  • ​Muja u reagon deputetëve të PDK-së për “picën në burg”

    ​Muja u reagon deputetëve të PDK-së për “picën në burg”

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja reagoi pas akuzave se atij i ka dërguar një picë në burg, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në periudhën sa ka qenë arrestuar nga Policia e Kosovës për rastin e akreditimit në arsimin e lartë.

    Ai në Kuvend tha se deputetin Ferat Shala dhe Bekim Haxhiu nuk i ka njohur asnjëherë, veç në Kuvend. Ndërkohë, Muja se sistemi i drejtësisë ka dëshmuar për pafajësinë e tij në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në procesin e akreditimit në arsimin e lartë.

    “Që ta kupton popullsia unë nuk e njoh Ferat Shalën dhe as Bekim Haxhiun, përveç këtu në Kuvend. E dyta, po unë jam akuzuar, çështje kjo që nuk mund të kontrollojmë dot, ne kontrollojmë veprimet tona, të dokumentojmë se performanca jonë ka qenë e ndershme. Çfarë mund të bëjmë është t’ia lëmë procesit të drejtësisë, në 12 pika procesi i drejtësisë ka pasur shpallje të pafajshëm”, tha ai, transmeton KP.

    Por, atij i reagoi deputeti Haxhiu, i cili akuzoi deputetin Muja se është bukëpërmbysës.

    “Zotëri Muja as më shumë as më pak, ajo çka ka qenë e kam thënë. Mundeni ju me qenë bukëpërmbysë ajo është çështje jotja”, tha ai.

    Seanca e Kuvendit shkoi në pauzë deri në orën 16:30.

  • ​Policia në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të gjetur një person

    ​Policia në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të gjetur një person

    Policia e Kosovës në Pejë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për gjetur personin e zhdukur, Samir Puza.

    Qytetarët të cilët kanë informacion lidhur me këtë person, ftohen të lajmërohen në stacionin më të afërt të Policisë, ose të kontaktojnë numrat e vënë në dispozicion.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, e-mail adresa: [email protected]”, thuhet në kërkesën e Policisë.

    Policia e Kosovës bën kërkesë për bashkëpunim me qytetarët bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

  • Incidenti kundër KH Trepçës, KH Vushtrria kërkon falje

    Incidenti kundër KH Trepçës, KH Vushtrria kërkon falje

    Klubi i hendbollit Vushtrria përmes një komunikate në faqen zyrtare i ka kërkuar falje publikisht KH Trepçës, për incidentin që ndodhi në ndeshjen mes dy klubeve.

    Portieri i KH Vushtrrisë e më pas edhe tifozët vendas sulmuan me grushte hendbollistët e Vushtrrisë, gjë që rezultoi edhe me ndalim të menjëhershëm të ndeshjes, raporton KosovaPress.

    Tani, KH Vushtrria ka marrë përgjegjësinë për këtë incident, por që tha se tifozët mysafirë bënë provokime gjatë ndeshjes, gjë të cilën e ka vërejtur edhe vëzhguesi i ndeshjes.

    “Në emër të kryesisë së klubit dhe ekipit kërkojmë falje për situatën e ndodhur në ndeshjen e fundit kundër KH Trepçës. Situata e krijuar atë ditë ka qenë një imazh i padëshirueshëm si për klubin si për të gjithë qytetin e Vushtrrisë, veprime që nuk duhen të ndodhin as nga lojtarët e as nga tifozët e çdo klubi jo vetëm tonit, por që ndodhin në sport sidomos kur provokohen nga lojtarët në fushë siç ishte rasti në këtë ndeshje”, shkruante në komunikatën e KH Vushtrrisë.

    Po ashtu, KH Vushtrria bëri apel ndaj FHK t’i rishikon disa vendime të marra ndaj klubit, por jo edhe dënimet ndaj disa lojtarëve, dënime këto që ata i kanë merituar plotësisht.

    “I apelojmë FHK ti rishikon disa vendime drastike ndaj klubit tonë (jo denimet e disa lojtarëve të cilat edhe i kanë merituar) por ndaj klubit i cili po bënë çmos te jetë skuadër cilësore dhe ka ngritë nivelin e ligës por edhe të shikueshmërisë”, shkruante KH Vushtrria në “Facebook”.

    Komunikatën e plotë të KH Vushtrrisë e gjeni më poshtë.

  • ​Osmani pritet nga Xhaferi: Të intensifikohet bashkëpunimi mes parlamenteve

    ​Osmani pritet nga Xhaferi: Të intensifikohet bashkëpunimi mes parlamenteve

    Presidentja Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut është pritur në takim nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

    Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

    Më tej në takim me kryeparlamentarin Xhaferi, presidentja Osmani foli për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive.

    Në këtë drejtim u vlerësua roli dhe kontributi i grupeve të miqësisë në parlamentet e të dyja shteteve, duke inkurajuar qasje gjithnjë e më proaktive.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtendërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve. Ajo tha se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.