ATV

Blog

  • Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale

    Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale

    Afro 8 mijë gra afariste kosovare kanë marrë 643 milionë euro kredi në bankat komerciale.

    Në krahasim me burrat kredimarrës, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo përfshin 25 për qind të totalit të kredive në vend.

    Me qëllim të rritjes së përkrahjes për gratë, në 7-vjetorin e themelimit të Fondin Kosovar për garanci Kreditore u lansuan edhe dy skema të reja garantuese,
    “Gratë në biznes” dhe “Startup”.

    “Një rol të rëndësishëm në plotësimin e kësaj hapësire e ka pikërisht Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili përmes mekanizmit të tij garantues, do të mundësojë rritjen e kreditimit dhe lehtësimin e kushteve të qasjes në kredi. Më lejoni t’i ndaj disa të dhëna nga sektori bankar me juve, numri i llogarive të bizneseve me pronar gra në sektorin bankar është 21 mijë e 247, krahasuar me 104 mijë e 461 me pronar burra, apo 17% e gjithsej llogarive, domethënë të bizneseve”, tha ushtruesi i detyres së guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

    Skemave të reja kreditore iu është gëzuar edhe Ministrja e Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

    “Gëzohem për dritaren dedikuar grave në biznes, sepse në Kosovë sikur se edhe në shumë vende të tjera të botës, gratë marrin kredi më pak se burrat. Gratë e kanë dëshmuar që janë po aq të zonjat, po aq menaxhere të mira e po aq vizionare në biznese e zhvillim, sa edhe burrat ose edhe më shumë”, tha Hajdari.

    Ndërsa, Arta Hoxha, ushtruese detyre e kryesueses së bordit në këtë Fond, tha se përmes këtyre skemave u lehtësohet qasja në financa bizneseve.

    “Qeveria e Kosovës përmes MINT-it dhe kredisë nga Banka Botërore, ka shtuar kapitalin prej mbi 24 milionë euro, si dhe Banka Gjermane për Zhvillim ka kontribuar me një kapital prej mbi 24 milionë eurove, brenda këtyre shtatë viteve. Fondi sot operon me një kapital prej afër 55 milionë eurove”, tha Hoxha.

    Sipas të dhënave të BQK-së, vlera e kredive deri në muajin shkurt ka arritur në 4.33 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 15,1 për qind. /atvlive.tv

  • Kisha “Shën Nikolla” në Shtërpcë ishte shënjestër e hajnave

    Kisha “Shën Nikolla” në Shtërpcë ishte shënjestër e hajnave

    Zyra ndihmëse e kishës lokale të Shtërpcës, ditën e djeshme ishte shënjestër e hajnave.

    “Me datë 25.04.2023, në orën 09:45, prifti lokal S.M. nga Shtërpca, ka raportuar në stacionin policor të Shtërpcës për një rast të vjedhjes, ku persona të panjohur kanë hyrë në zyrën e Kishës ”Shën Nikolla”, e cila gjendet në objektin ndihmës të Kishës. Policët hetues kanë mësuar se nga kjo zyrë dyshohet se janë vjedhur para të monedhave dinarë dhe euro, vlera e përgjithshme rreth 800-1000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Për këtë grabitje, ATV-ja provoi të flasë edhe me priftin e kësaj kishe, mirëpo ai nuk pranoi të prononcohet.

    Sipas Policisë, hajnat nuk e arritën qëllimin e tyre përfundimtar, për shkak se ata nuk arritën ta thyenin kasafortën e metaltë që ndodhej aty.

    “Nga kjo zyrë personat e panjohur kanë tentuar të hapin me forcë një kasafortë metalike, por veç dëmit të shkaktuar nuk kanë arritur ta hapin atë”, thotë Policia.

    Ndërkaq, Policia bën të ditur se janë duke u mbledhur faktet me qëllim të zbardhjes së këtij rasti. /atvlive.tv

  • Kompanitë importuese ankohen për procedura të vështira të importit

    Kompanitë importuese ankohen për procedura të vështira të importit

    Avokati Asdren Bytyqi në emër të disa kompanive importuese, pritet t’i drejtohet me një kërkesë Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.

    Ai po kërkon ndryshim të menjëhershëm të kodit doganor.

    Krejt kjo pasi disa procedura aktuale të parapara me këtë kod po ua vështirësojnë punën kompanive importuese e eksportuese.

    “Ju shkaktohen dëme më të mëdha. Është periudha e pritjes e mallit për verifikim, e cila është 14 ditë dhe po ju shkakton dëme sidomos kompanive vendore.. dhe pika tjetër kyçe është mungesa e magazinave doganore, e cila në bazë të ligjit për dogana është e obligueshme. Nuk i kanë ndërtuar depot në mënyrë që malli që ndalohet apo dyshohet për mundësi të falsifikimit”, tha Bytyqi.

    Ndryshimi i projekt-kodit doganor dhe akcizave, në bazë të planit legjislativ ishte paraparë të trajtohej në Kuvend në muajin shkurt. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Por, për telashet e bizneseve janë në dijeni edhe deputetët.

    “Paralizohen importuesit, qoftë edhe prodhuesit, sepse paguajnë ditë qëndrimi për kamion, edhe në terminal paguajnë 40 euro, sa është dita për një maunë, dhe në këtë drejtim besoj kur të vijë draft i ri, në të do të parashihen edhe këto procedura në mënyrë që u lehtësohet barra importuesve dhe prodhuesve”, tha deputeti i LV-së, Visar Korenica.

    Korenica tregon se janë duke e përgatitur edhe një draft për projekt-kodin doganor. /atvlive.tv

  • Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

    Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

    U prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu maqedonas, Stevo Pendarovski. Presidentja Vjosa Osmani vizitën në Maqedoni të Veriut e filloi duke falënderuar shtetin fqinj për votën pro për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Rrjedhimisht kërkoi që Serbisë t’i bëhet presion t’i respektojë marrëveshjet e Brukselit.

    “Shpresoj shumë që miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë, në mënyrë që edhe ajo t’i respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces, i cili mendoj që ka qenë një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dy palë të barabarta sa u përket raporteve ndërshtetërore ku të dyja palët e njohin sovranitetin, në këtë rast Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

    Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Pendarovski nuk e fshehu dëshirën që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

    “Zgjidhjet e Marrëveshjes së Ohrit mund të reflektohen në një marrëveshje të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, pra këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet, dhe midis shteteve, të cilat mund të shfrytëzohen. Por vendimin final çka do të pranojnë në atë dialog, kuptohet e kanë organet legjitime në Beograd dhe në Prishtinë. Ne këtu jemi vetëm fqinjë të mirë, të cilët duan që sa më parë të shohin fundin e këtij kontesti të gjatë që objektivisht e ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm në strukturat euroatlantike”, tha Pendarovski.

    Derisa ky ishte takimi i katërt mes Osmanit dhe Pendarovskit gjatë dy vjetëve, ata diskutuan pak edhe rreth pozitës së komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast presidentja kërkoi më shumë investime në komunat shqiptare.

    “Të prirë nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve dhe në vendbanime ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më shumë i njësive të vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa, shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit”, theksoi Osmani.

    Agjenda e presidentes Osmani në ditën e parë të qëndrimit në Shkup ishte shumë e ngjeshur. Përpos presidentit Pendarkovski, ajo takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, e pastaj iu drejtua me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    Përpos takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ajo merr pjesë edhe në përurimin e një rruge të emërtuar “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit.
    Të enjte, Osmani do ta vizitojë Tetovën. /atvlive.tv

  • KRU “Prishtina” nis shkyçjet në objektet që kanë borxhe

    KRU “Prishtina” nis shkyçjet në objektet që kanë borxhe

    Për më shumë se pesë vjet banorët në lagjen “Bledi”, në rrugën “Sami Frashëri” në Prishtinë, janë furnizuar me ujë në mënyrë ilegale.

    Sikur kjo të mos mjaftonte, dikush kishte vendosur edhe një çezmë në oborrin e ndërtesës.

    Por nga sot atyre iu ndërpre furnizimi me ujë deri në përmbushjen e obligimeve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

    Disa prej banorëve, përmes intervenimeve, u munduan t’i bindnin punonjësit që të mos i shkyçin ata nga rrjeti i ujësjellësit.

    Por nuk ia dolën. Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” ishin të vendosur që ndërtesën ta shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit dhe ashtu u bë.

    Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, tha se ky aksion do të shërbejë si mësim për konsumatorët se detyrimet ndaj KRU-së duhet kryer.

    “Me këtë aksion, kemi bërë shkyçjet më të mëdha deri më tani. Kemi bërë shkyçje të dy objekteve banesore që e kanë shfrytëzua ujin e kompanisë në mënyrë ilegale, për më shumë se 5 vjet”, tha Mjeku.

    Njësoj vepruan edhe në një ndërtesë tjetër në rrugën “C”, ku banorët po furnizoheshin me ujë në mënyrë ilegale.

    “Na ju kemi dhënë afate mjaftueshëm. Janë edhe njoftimet ma herët. Deri në momentin që nuk kemi pasë mundësi ma me iu dhënë afate, po këta nuk i kanë plotësuar asnjë kusht të paraparë dhe për këtë duhet të shkyçen”, tha ushtruesi i detyrës për kontrolle dhe shkyçje, Gazmend Behluli.

    Nga kompania rajonale e ujësjellësit thonë se ky aksion do të vazhdojë gjatë tërë vitit. /atvlive.tv

  • Pengesat për ndalimin e parkimit të automjeteve në trotuare, shkaktojnë vështirësi në disa rrugë

    Pengesat për ndalimin e parkimit të automjeteve në trotuare, shkaktojnë vështirësi në disa rrugë

    Kthimin në gjysmërreth po e kanë shumë të vështirë.

    Manovrime të tilla problematike, janë kthyer në përditshmëri të vozitësve, qëkur këto pengesa për ndalim të parkimit janë vendosur në trotuare.

    “Normal që është vështirë se është pak ngushtë, edhe e pengon pjesën e veturave. Me thënë të drejtën, duhet të ketë hapësirë më të madhe apo më të zgjeruar”, thotë Fehmi Haxhiu, qytetar.

    “Shumë vështirë edhe Përparim Rama e ka bërë shumë ‘llugë’ më këtë punë, duhet të largohen dhe të rriten shiritat pakëz më shumë”, thotë Hamdi Rafuna, qytetar.

    Drejtori për Shërbime Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, thotë se pengesat janë vendosur në mënyrë që t’u lehtësohet lëvizja këmbësorëve.

    “Pjesa e ecjes apo qasjes, lëvizja e lirë për këmbësorët kanë qenë problematike. Këto kanë qenë pra dy pjesë të mobilitetit të cilat janë trajtuar me prioritet”, tha Musliu.

    Mirëpo, sipas tij, do të trajtohen edhe problemet me të cilat përballen qytetarët që lëvizin me mjete motorike.

    “Ndërsa tani jemi në fazën finale ku parasheh riorganizimin e kyçjeve, hyrje-daljeve e gjysmërrathëve në rrugën “Agim Ramadani”, ku ka të bëjë me vetura pra me pjesën motorike dhe me këtë rast mendojmë ta përmbyllim këtë projekt”, tha Musliu.

    Ndërkaq, tenderi për vendosjen e këtyre pengesave i kushtoi komunës së Prishtinës 400 mijë euro. /atvlive.tv

  • Puna e gjyqtarëve do të vlerësohet edhe në bazë të poentimit që e përcakton rregullorja e re

    Puna e gjyqtarëve do të vlerësohet edhe në bazë të poentimit që e përcakton rregullorja e re

    100 pikë do të duhet të arrijë një gjyqtar brenda një muaji për të plotësuar normën e punës mujore.

    Kështu e përcakton rregullorja e re e Këshillit Gjyqësor, sipas së cilës norma do të llogaritet duke u bazuar në sistemin e vlerësimit me pikë për secilën lëndë, përfshirë natyrën e lëndëve.

    Vlerësimi me poentim ka nisur nga muaji prill, e për gjyqtarët që nuk e plotësojnë normën do të ndërmerren masa.

    Kjo sipas monitoruesve e juristëve do të mundë të ndikojë në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve, sidomos në ato për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Gjykatat Themelore kanë në punë gjatë këtij viti mbi dyqind mijë lëndë aktive.

    “Megjithatë, vlerësojmë se ndoshta duhet të poentohej më shumë vendosja sipas propozimeve për përsëritjen e procedurës, nga shkalla e dytë dhomës së posaçme dhe supreme, për shkak të vendosjes sipas mjeteve juridike të jashtëzakonshme”, tha Florim Shefqeti, avokat.

    Zbatimin e normës së punës së gjyqtarëve do ta monitorojnë kryetarët e gjykatave, të cilët janë të obliguar sipas rregullores të raportojnë në KGJK çdo tre muaj. /atvlive.tv

  • Rashiq për zgjedhjet në veri thotë se janë një zgjidhje e përkohshme

    Rashiq për zgjedhjet në veri thotë se janë një zgjidhje e përkohshme

    Qeveria ndau 3 milionë euro për mbështetjen e punësimit për komunitetet joshumicë, përmes shtimit të një mase të re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

    Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhep dhe ministri për Komunitete, Nenad Rashiq, thanë se kjo pako përbën ngritje të nivelit të mbështetjes për komunitetet, nga ndihmat elementare dhe strehimi në mundësi për zhvillim.

    “Tani një pako të tërë të masave ekonomike mbështetëse për progres dhe prosperitet të të gjitha komuniteteve pakicë në shoqërinë tonë”, tha zëvendëskryeministrja Emilia Rexhep.

    “Them se kemi shkuar një hap përpara dhe qëllimi ynë është që fondet për stabilizim të jenë më të vogla, por fondet për zhvillim të jenë sa më të mëdha”, tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

    Teksa zgjedhjet e së dielës i vlerësoi zgjidhje të përkohshme, ministri Rashiq shprehu vullnet bashkëpunimi me kryetarët e rinj dhe komunitetet në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    “Nuk preferohet që dy, tre apo katër për qind që të votojnë në një proces demokratik. E dini edhe ju vetë se nuk ka ndodhur vetëm kështu, por është një planifikim apo vazhdimësi e keqpërdorimit të serbëve në Kosovë, nga ana e një regjimi autokrat, i cili i përdor serbët si mjet për arritjen e qëllimeve të veta”, tha Rashiq.

    Me gjithë vonesat e deritanishme, zëvendëskryeministrja Rexhepi shpreson në përmbyllje të shpejtë të procesit vendimmarrës nga Bosnjë e Hercegovina për tri marrëveshjet për lëvizje të lirë.

    “Pozitive është drejtpërsëdrejti drejtimi i Dodikut, që nuk do të stagnojë procesi i ratifikimit dhe shpresojmë që të përfundojë së shpejti, kjo pasi që jemi të lidhur edhe me afatet kur mund ta bëjmë. Shpresoj që do të bëhet muajin tjetër”, tha Rexhepi.

    Marrëveshja për lëvizjen e lirë ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e profesioneve dhe diplomave, ishte nënshkruar më 3 Nëntor në Berlin. /atvlive.tv

  • Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Stokholm të Suedisë. Gjatë kësaj vizite, Bislimi do të ketë takime me ministren për Evropë Jessika Rosëall, sekretarin e shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson dhe sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, Jan Knutsson.

    Siç bëhet e ditur, Bislimi do të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

    Nga zyra e Bislimit thonë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

    Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    ”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. […] Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

    Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

  • ​UEFA organizon në Kosovë punëtorinë kundër manipulimit të ndeshjeve

    ​UEFA organizon në Kosovë punëtorinë kundër manipulimit të ndeshjeve

    Për dy ditë me radhë në Kosovë do të mbahet punëtoria e UEFA-s kundër manipulimit të ndeshjeve, një problematikë kjo që po e përcjellë futbollin gjithandej nëpër botë.

    Në këtë punëtori do të marrin pjesë ekspertë të UEFA-s, përfaqësueseve të Interpolit, të Këshillit të Evropës, të agjencisë Sportradar, si dhe prokurorëve dhe zyrtarëve të integritetit të garave nga shtete si; Austria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.

    Kryetari i Federatës së Futbollit të osovës, Agim Ademi, ka thënë se organizimi i një ngjarjeje të tillë në Kosovë është një nder që UEFA ia ka bërë Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe tregues i angazhimit dhe përkushtimit për të ndërmarrë veprime konkrete në luftën kundër dukurive negative në futboll.

    Ai ka shtuar se shpreson që ky ëorkshop do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve dhe promovimit të lojës së pastër të futbollit.