Trajneri, Sami Sermaxhaj thekson se barazimi i sotëm më shumë do i konvenon Llapit se Prishtinës.
“Batatina kishte marr masa të nevojshme që ta parandalonte Prishtinën, sidomos ndalimi i Endrit Krasniqit. Mirëpo, unë mendoj që rezultati i sotëm më shumë i konvenon Llapit se Prishtinës për dalje në Evropë”, tha Sermaxhaj në Ekipi A
Një pjesë e 20 milionë eurove në formë huaje nga Qeveria do të shkojnë për ndërtimin e flotacionit të ri në kombinatin metalurgjik Trepça.
Drejtori i kësaj ndërmarrje në Stan Tërg, Bexhet Virnaci thotë se me realizimin e këtij projekti do të përfitoj ndërmarrja e rrjedhimisht edhe shteti.
“Me instalimin e kësaj fabrike të flotime dukshëm do shkurtohen humbjet, do rriten efiqienncat në energji, në kualitetin e mineraleve dhe në humbje më të vogla. Delegacioni nga Finlanda ka marrë përsipër këtë detyrë”, tha drejtori i njësisë biznesore në Stantërg, Bexhet Vinarci.
Edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu e mirëpret ndërtimin e flotacionit të ri.
Mirëpo, duke përmendur faktin se çmimet e metaleve në berza ndërkombëtare janë të larta, sipas tij do të ishte pozitive nëse do t’i shtohej edhe shkritorja.
“Besoj se është koha kur duhet ta kemi një flotacion, ku duhet ta ndërprejë avazin e eksportit të xehes në formë koncentrati, duhet ta kemi një përpunim të paktën të shiten si gjysmë produkte sepse vlera e metalave të ndara do jetë shumë më e madhe se sa të shiten si koncentrat”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.
Ndërkaq, referuar raportit vjetor të ndërmarrjes, pa përfshirë njësinë biznesore Kopaonik-Leposaviq, “Trepça” gjatë vitit 2022 ka pasur të hyra prej mbi 23 milion eurosh nga shitja e koncentratit të plumbit dhe të zinkut.
Ndërsa, raporti i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit tregon se nga viti 2019 deri në atë 2021 ndërmarrja operoi me mesatarisht 600 mijë euro në muaj. /atvlive.tv
Analisti i futbollit, Arsim Prepolli thekson se nëse Llapi mposht Dritën do të kenë gjasa reale për të kapur kualifikimin në Evropë.
“Në qoftëse Llapi mposht Dritën, atëherë ata do të kenë gjasa reale për kualifikim në garat evropiane. Por në rast se humb atëherë gjasat do të zvogëlohen. Por rol të rëndësishëm do të ketë edhe Kupa e Kosovës”, tha Prepolli në Ekipi A.
Cili trajner nuk po e lë Tahir Batatinën të zhvillojë lojën e tij me Llapin. Ai hedh kritika të ashpra mbi trajnerët e rinj në Superligën e Kosovës
“E kam vrejtur që secili trajner që ka ardhur në Kosovë ka ndryshuar konceptin e lojës. Me këtë deklaratë kam dashur të tregojë se me dasht me marrë rezultate pozitive, në tërë kampionatin i bëjë vetëm dy humbje. Befasohem me disa trajnerë të ri, ata duhen të mendojnë më ndryshe. Duhet ta mendojnë një futboll më bashkëkohorë”.
Jo fort larg urës kryesore që ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, qytetarët e të dyja pjesëve mund të lëvizin pa asnjë pengesë.
Në të dyja anët e sajë, ka ura alternative, në të cilat kalojnë edhe automjetet.
Andaj edhe krejt kjo rezistencë e palës serbe që ura kryesore të mos hapet, thuhet të jetë për arsye të tjera.
Kësisoj, sipas profesorit Nexhmedin Spahiu, kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut, do të duhej të ndryshonte renditjen e vendimeve, e prioritet të ishte ndërtimi i Xhamisë, pasi kështu serbët do ishin humbës.
Por sidoqoftë, me vendimin fillestar të komunës, dakord janë edhe nga niveli qendror.
“Liria e lëvizjes është ndër liritë themelore të rregulluara e garantuara me kushtetutën e Kosovës, si dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. Paragrafi i parë i nenit 35 garanton lëvizjen e lirshme të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim. Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, ekzekutivi kosovar duket se në këtë rrugë është vetëm.
Krahas kushdërshtimeve verbale të serbëve, kundër vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër pa marrëveshje politike kanë dal edhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe misionin paqeruajtës KFOR. /atvlive.tv
Udhëheqës të komunës së Drenasit dhe Skenderajt u bënë bashkë për t’i kujtuar në 24 vjetorin e rënies heroin e kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorët dhe mbi 280 martirët e dy komunave.
Më këtë rast zbuluan edhe pllakën përkujtimore në fshatin Gllobar, e cila sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka simbolikë të veçantë.
“Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.
“Ky fshat u bë strehë për qindra të ikur nga fshatra përreth edhe pse duke qenë në afërsi të Drenasit rreziku ishte i përhershëm. Humanizmi juaj, dëshira për të qëndruar në tokat e shtëpitë e juaja i tregoi armikut se Kosova nuk është e tyre por e juaja. Por, si në çdo fshat në këtë rajon dhe më gjerë, në tërë Kosovën, liria erdhi me luftën, mundin, vuajtjet, gjakun e sakrificën e bijve më të mira, pllakën në nderim të cilën po e përurojmë sot. Ne çdoherë kujtojmë dëshmorët dhe martirët me dhimbje e respekt dhe kjo pllakë përkujtimore është dëshmi për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm se lufta ishte e drejtë”, tha Shala.
Njëjtë thotë edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari.
“Është mirë që po e vendosim këtë shenjë, edhe pse me vonesë dhe simbolike por të paktën ta kujtojmë luftën dhe të themi që këtu ka qenë një luftë e drejtë e UÇK-së dhe është bërë një masakër ndaj këtij populli të pafajshëm. Është dhimbje t’i kujtojmë pas 24-viteve, sepse ta hupësh një anëtar të familjes është punë e madhe por në anën tjetër është krenari, sepse pa luftën e UÇK-së, dëshmorët, martirët, pa veteranët e luftës në krye me komandantin legjendar, nuk do ta gëzonim sot këtë liri edhe pse nuk e kemi as lirinë të plotë, sepse synimi ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare”, tha Hajdari.
Më 30 prill kujtohen dëshmorët dhe martirët e rënë në këtë datë në vitin 1999 në fshatrat Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /atvlive.tv
Prezenca e këtij objekti po i shqetëson banorët e fshatit Cërmjan të Gjakovës.
Për Hysni Hoxhën, ky objekt, i cili ishte stacion i policisë serbe i sjellë ankth.
Ai i kujton maltretimet që policët serbë i shkaktuan atij dhe banorëve të tjerë të fshatit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Objekti mbrapa meje është me qindra vjet, ka shërby për xhandarmërrinë serbe dhe për m’i kry detyrat e Serbisë kundër popullit shqiptar. N’luftën e fundit neve këtu na kanë maltretu në këtë objekt, me qindra njerëz i kanë marr, i kanë rreh, i kanë maltretu, i kan myt edhe me çekiç”, tha Hysni Hoxha, banor i fshatit Cërmjan.
Hoxha si anëtar i kryesisë së këtij fshati, me pëlqimin e banorëve tha se këtë objekt duan ta shndërrojnë në një objekt për zjarrfikës.
“Jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Na po dojm me bo në objekt për zjarrfiksa, mas mirti osht kon Ministria me naj bo objekt për zjarrëfikësit, me një objekt të bukur me u zbukuru fshati, se me këtë pamje edhe fëmija po frikësohen, sepse në këtë objekt kanë vdek shumë njerzë”, tha Hoxha.
Kryetari i Këshillit lokal në këtë fshat, Shpend Shala tha se kanë bërë kërkesë në Ministri për rregullimin e objektit, por ata nuk kanë dhënë ende dritën jeshile.
“Osht një pamje me të vërtetë e shëmtume. Kemi bërë kërkesë që me shndërru në objekt të zjarrëfikësve, në mënyrë që t’i rregullohet pamja fshatit”, tha kryetari i Këshillit Lokal në Cërmjan, Shpend Shala.
Lidhur me këtë çështje, ATV-ja ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët përgjegjës në Ministri të Punëve të Brendshme, por askush në këtë institucion nuk është përgjigjur. /atvlive.tv
Ekrem Shabani, banor në këtë lagje të fshatit Shkabaj, thotë se nuk është hera e parë që dheu rrëshqet në këtë pjesë.
“E rrezikshme shumë. Unë kam ardhë që dy-tri ditë këtu. Po kalojnë shumë makina, po i rrezikojnë edhe fëmijët edhe krejt. Kjo nuk është hera e parë që shembet, sa herë që vij kështu është”, tha Shabani.
Madje, ai tregon se si para pak ditësh një veturë u pengua të qarkullojë lirshëm pikërisht për shkak të dheut.
“Parmbrëmë një veturë e kom dëgju fishkëllim të madhe që ka frenua. Erdhi vëllai tregoi që hypi mbi dhe. Se shpejtësia e madhe, nuk po e respektojnë limitin që është këtu”, tha ai.
Muaj më parë ata ishin organizuar dhe e kishin larguar dheun në mënyrë vullnetare, sepse, sipas tyre, as komuna e as ministria nuk iu kishte bërë zgjidhje.
ATV-ja ka mësuar se kjo rrugë, e cila është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk është e përfshirë në asnjë kontratë për mirëmbajtje.
Megjithatë, askush nga ky institucion nuk është përgjigjur gjatë ditës lidhur me këtë. /atvlive.tv
Të arrestuar mësohet se janë kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha.
Ndërkohë, familjarja e pacientes, e cila e raportoi rastin në polici, ka treguar në kushte anonimiteti për ATV-në përmes telefonit, se si mjekët ia kërkuan parat.
“Lidhur me kirurgun që na ka shit rrjetën dhe na ka lyp 330 euro me doktorin tjetër kirurgu i njëjta i ka lyp parët për doktorin tjetër domethënë bashkërisht edhe gjatë kohës që motra ishte në operacion vendosa me bashkëpunua me Policinë e Kosovës dhe ata m’tregun hapat se qysh duhet me vepru. Boll na ka kushtu, kërkush s’munet me hangër njersën e babit tem. Babi i ka 63 vjet e punon 12 oër n’kom e kur t’vjen në shpi s’mundet as me pushu prej dhimbjeve që i ka, i kisha ba thirrje qytetarëve që janë në një gjendje tillë lajmëronu se unë kom pas bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Policinë e Kosovës. Prej këtij rasti e kam një besim shumë të madh për ata”, tha motra e pacientes.
Sipas saj, kishte edhe pacientë të tjerë që ankoheshin për ta.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka bërë të ditur, se të dy mjekët janë arrestuar gjatë kohës sa ishin kujdestar natën e mbrëmshme.
“Mbrëmë jam njoftuar zyrtarisht nga zyrtari policor i krimeve ekonomike për arrestimin e dy mjekëve, një kirurg dhe një anesteziolog, pasi që dyshohet për mitmarrje. Mjekët e arrestuar kanë qenë kujdestar prandaj dhe me këtë rast jam njoftuar nga zyrtari policor për organzimin e punës në mungesë të mjekëve pasi që ata janë marrë në intervistim”, tha Drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
Për dyshuarit sipas policisë janë siguruar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se i kanë marrë paratë për ta kryer intervenimin.
Ata janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje 48 orë.
ATV merr vesh se kirurgu Luan Mustafa edhe në vitin 2013 ishte dyshuar për marrje ryshfeti. /atvlive.tv
Statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritet të jetë tema kyçe e takimit të 2 majit, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit Serb Aleksandër Vuqiq.
Andaj kreut të qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të ketë kujdes e të mos bojë gabime.
Madje sipas opozitës, draft-statuti i asociacionit, fillimisht duhet të marrë vlerësimin e kushtetueses para se të aprovohet nga qeveria.
“Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese…Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha deputet i LDK-së, Driton Selmanaj.
Por nga partia në pushtet, ua heqin dronë opozitës.
“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian…Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari Lila.
Sidoqoftë, për njohësit e procesit të dialogut, asociacioni nuk duhet renditur ndër gjërat e para për të cilat duhet diskutuar, pasi ka shumë tema tjera më me interes.
“Do të diskutohet për Asociacionin, por besoj se do të ketë diskutime më të mëdha për vet implementimin e marrëveshjes sepse ende ka çështje të hapura. Senkuencimi i pikave të marrëveshjes, qëllimi është që të ketë një zbatim të njëkohshëm të saj, në mënyrë që mos të ngutet Kosova në zbatimin e disa pikave dhe të kemi një situatë që Serbia nuk e implementon marrëveshjen, ndërsa Kosova e zbaton atë”, tha njohësi i procesit të dialogut, Seb Bytyqi.
Takimi i 2 majit mes kryeministrit Kurti e presidentit Serb Aleksandër Vuqiq, vjen pas takimit të 18 marsit në Ohër, kur edhe u dakordun për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel me 27 shkurt. /atvlive.tv