Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër dy mjekëve – të pandehurve H.B. dhe L.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’, nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 Prill 2023, rreth orës 19:45 minuta, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, të pandehurit H.B. dhe L.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, si persona zyrtar, kanë përfituar për vete, në atë mënyrë që i pandehuri H.B. – anesteziolog, me rastin e operimit të pacientes, M.S., në repartin e kirurgjisë, ka kërkuar dhe marrë para nga familjarët e saj.
Gjithashtu, edhe i pandehuri L.M. – mjek kirurg, me rastin e operimit të pacientes së lartshënuar ka pranuar para nga familjarët e të njëjtës.
Të pandehurit janë arrestuar nga ana e zyrtarëve policor pas kryerjes së masës së simulimit dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Flamujt kombëtarë dhe ata të Kosovës, të cilët prej vitesh valojnë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, janë zëvendësuar me të rinj, raporton KoSSev.
Flamujt e rinj u vendosën vetëm pak ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, ku Erden Atiq, kandidati i Vetëvendosjes, u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut.
Vetëm njëqind metra në veri fillon rreshti i flamujve të Serbisë, të cilët përveç në zonat e banuara në veri të Kosovës, shfaqen edhe përgjatë rrugëve kryesore në atë pjesë.
Çështja e flamujve në veri të Kosovës u ngrit edhe njëherë pas zgjedhjeve lokale, në të cilat për shkak të bojkotit të serbëve fituan përfaqësuesit e partive shqiptare PDK dhe Vetëvendosje.
Vetëm një ditë më vonë, kryetarët e sapozgjedhur të komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut njoftuan se do t’i heqin flamujt serb nga institucionet dhe do t’i zëvendësojnë me flamujt e Kosovës, kur edhe zyrtarisht t’i marrin mandatet e tyre.
Flamujt e Kosovës janë vendosur menjëherë pas zgjedhjeve lokale edhe në stacione të caktuara të Policisë së Kosovës.
Siç raporton mediumi serb në Kosovë, flamuri i Kosovës valon edhe te stacioni i Policisë në veris. U raportua se flamuri i Kosovës është vendosur dje edhe në Leposaviq.
Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, kryeministri, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule tek Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.
Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.
“Sot kujtojmë 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri, sipas komunikatës zyrtare.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në 24 vjetorin e rënies së Ilaz Kodrës ka vizituar familjen e komandantit në kullën në Prekaz.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi tha se Ilaz Kodra ishte ndër të parët, që bashkë me komandantin Adem Jashari e shokët e tyre të idealit, i dhanë jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ilaz Kodra, bashkë me mijëra djem e vajza të UÇK-së, që u flijuan për liri, janë themeli mbi të cilin qëndron liria jonë dhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Familja Kodra, Prekazi, Kosova, shqiptarët gjithandej nëpër botë – do të jenë përjetësisht krenarë me komandant Ilaz Kodrën”, tha kreu i PDK-së, transmeton kp.
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt organizuan homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodrës, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.
Dy persona kanë pësuar lëndime trupore, me ç’rast iu është ofruar edhe trajtim mjekësor, si pasojë e një rrahje mes disa personave që ka ndodhur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Ekonomia Online ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë shoqëruar për në Stacionin Policor shtatë persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrahje.
“Sot kemi pranuar informatën për një rrahje në APN, ku kanë qenë të përfshirë disa persona, prej të cilëve dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtëve u është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor. Lidhur me këtë rast nga njësitet policore të Lipjanit në stacion janë shoqëruar shtatë persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rrahje”, ka thënë Ahmeti.
Ambasadori amerikan Christopher Hill shprehu pritjen se më 2 maj në Bruksel do të ketë diskutime intensive për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, por që mendon se fundi i kësaj çështjeje është afër.
Ai tha se edhe pse ka tensione në ajër, edhe ai ndjen se çështja është e rëndësishme dhe se do të shohim diçka të rëndësishme.
I pyetur se me çfarë do të ishte i kënaqur Uashingtoni në bisedime, Hill tha se do të ishin të kënaqur me formimin e Asociacionit, datat që po caktoheshin, se ai e di se nuk do të ndodhë më 2 maj, por se beson se do të ketë mirëkuptim në atë që duhet bërë.
“Sapo çështja e Asociacionit të përfundojë, ne do të shohim përparim në aspekte të tjera të normalizimit”, tha Hill, për Pink TV duke shtuar se të gjithë duhet të jenë të qetë.
I pyetur për faktin se Serbia e sheh si shpërblim liberalizimin e vizave për Kosovën, Hill tha se liberalizimi i vizave është proces i veçantë, sikurse edhe kandidatura për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por e kupton pse serbët ndihen kështu.
Ai tha se Serbia do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
“Parakusht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është zbatimi i Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke folur në televizionin “Pink”. Takimin e Nivelit të Lartë më 2 maj, Daçiq e quajti “takim të rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Shtocjës së Zbatimit”.
Daçiq, duke thënë të njëjtën gjë si në Këshill të Sigurimit, tha se pa themelimin e Asociacionit nuk do të ketë nisje të zbatimit nga pala serbe, e cila edhe e shkeli marrëveshjen kur iu kundërvë aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, saktësisht Nenin 4 të Marrëveshjes Bazë.
Në dritën e takimit të ardhshëm ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri serb i jashtëm beson se pala kosovare “do të provojnë ta zbehin atë për nga autoriteti dhe pushtetet”.
“Është kohë përgatitjesh të mëdha”, tha ai për takimin e 2 majit, ndërsa për agjendën e takimit tha se do të përmbajë edhe miratimin formal të Deklaratës për Personat e Pagjetur krahas paraqitjes së një draft-Statuti fillestar për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues, ekip ky i cili nuk i është i përgjigjur ende (së paku kështu është thënë) askujt në qeverinë kosovare.
Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.
E pranishme në këtë përurim ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Çitaku në një fjalë rasti tha se në Drenas e Drenicë flasin veprat e atyre që sakrifikuan jetën për liri.
“Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i ka quajtur figura historike gjithë dëshmorët e martirët që dhanë çdogjë nga vetja për lirinë që sot e gëzon vendi.
Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.
Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se kjo përmendore shërben për ta kujtuar luftën e drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Hajdari ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo është një padrejtësi tjetër që i është bërë vendit.
Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha se kontributi që kanë dhënë për ndërtimin e këtij monumenti është një shenjë shumë e vogël dhe simbolike për ata që kanë dhënë jetën e tyre për liri.
Administratori në këtë fshat, Murat Elshani derisa falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për këtë monument, u shpreh se UÇK ishte dhe mbeti gjithmonë e lavdishme.
Driton Krasniqi, familjar i të rënëve ka falënderuar të gjithë për kontributin e kësaj pllake dhe për pjesëmarrjen.
Kujtojmë se më datën 30 prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /kp
Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, ky qytet është Shkodra. Prandaj, nëse flasim për historinë e biçikletave të para në vendin tonë, kjo histori duhet të nisë nga qyteti në veriperëndim, që shtrihet në ultësirë, e ndoshta, kjo shtrirje gjeografike ka ndikuar edhe më shumë që biçikleta, pasi hyri për herë të parë, të gjejë shtëpinë e saj në Shkodër.
Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë më parë. Ky burrë ishte konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi , u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.
Me kaq, kurioziteti u shua, po s’u shua lakmia për ta pasur. Kush ishte më i pasur dhe që kishte mundësi të dilte jashtë shtetit, e solli një të tillë. Biçikletat që nisën të hynn në Shkodër ishin të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.
Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësi vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta nisnin një të tillë.
Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkruar rrugët me biçikleta.
Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.
Duke pasur parasysh se shtëpitë shkodrane ishin një dhe dykatëshe dhe se shumica prej tyre kishin oborre për t’i mbajtur, duke pasur parasysh edhe faktin se Skodra është një qytet që pozicionohet në ultësirë dhe të jep mundësi pedalimi të mirë, nga viti në vit numri i biçikletave erdhi duke u shtuar.
Pas çilirimit të vendit, zhvillimi i Shkodrës, krijimi i një zone industriale jashtë vijës së verdhë të qytetit, e bëri biçikletën një mjet pune të domosdoshëm, jo vetëm për burrat, por edhe për vajzat e për gratë. Biçikleta qe zgjidhja e vetme për të përshkruar në mungesë të makinës, 12 km gjatësi dhe 6 km gjërësi qytet, për të shkuar në punë, për të bërë shëtitje buzë liqenit, për të shkuar në periferi, për të dalë në Pjacë, apo për të takuar miq. Kërkesa për biçkleta po rritej dhe nuk po përballohej dot. Çdo shtëpi kishte dy ose tre të tilla. Kërkesat në rritje shtuan importin e tyre, fillimisht nga vendet e Lindjes e më pas nga Kina. Me biçikleta dilnin në punë mjekët e mësuesit, mjeshtrit e çirakët, inxhinierët e artistët, nëpunësit e ushtarakët, etj.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.
Shkodra ka disa rekorda sa i takon biçikletës, psh biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre.
Pas ndryshimeve të vitit 1991, me mbylljen e shumë ndërmarrjeve dhe hyrjen e makinave private, duket sikur ra edhe numri i madh i përdorimit të biçikletave. E nëse deri dje qyteti ecte plotësisht mbi dy rrota, sot ai ndoshta në të njëjtat raporte ecën mbi katër rrota, mbi makina të markave të ndryshme, por prapseprap askush nuk ka mundur t’ia heqë nga koka kurorën e kampiones së biçikletave. Pasi përditë me mijëra të tilla qarkullojnë rrugëve të qytetit. /atvlive.tv