ATV

Blog

  • Hoti akuzon Qeverinë, ia përmend katër vërejtje për ditën e 1 majit

    Hoti akuzon Qeverinë, ia përmend katër vërejtje për ditën e 1 majit

    Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Ditën Ndërkombëtare të punëtorëve ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk bëri asgjë për punëtorët duke i përmendur këtu katër pika.

    Sipas Hotit Qeveria nuk rriti paga pavarësisht inflacionit në vend, ligji për pagat sipas tij vetëm krijoi probleme, ligji për pagën minimale u ‘harrua’.

    Reagimi i plotë:

    1. Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak.
    2. Ligji i pagave në sektorin publik më shumë krijoi probleme se që zgjidhi. Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyer miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për tu buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese.
    3. Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet.
    4. Në anën tjetër, pa asnjë konsideratë për gjendjen ekonomike, (i) u dyfishua tatimi në pronë për shumë qytetarë dhe biznese, si dhe (ii) dy herë u shtrenjtua energjia elektrike. Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia.
  • ​Hagë, gjykatësja kërkon nga dëshmitari i pestë që të përgjigjet në pyetjet që i bëhen

    ​Hagë, gjykatësja kërkon nga dëshmitari i pestë që të përgjigjet në pyetjet që i bëhen

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës përmes video-lidhjes. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka transmetuar prova materiale, të cilat nuk janë shfaqur për publikun. Dëshmitari me numër 10 në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është pyetur për vendin ku ka bërë roje, në shtabin e logjistikës në Kukës dhe për një shtëpi, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje.

    Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar nga dëshmitari i pestë që të jap përgjigje konkrete në pyetjet e prokurorisë.

    “A e kupton përkthimin mirë? Po ta bëjë këtë pyetje sepse ndonjëherë thua, në përgjigjet e pyetjes që ju bëhet, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që ju lutem, mundohuni që të jepni përgjigje pyetjes që ju bëhet. Për shembull në qoftë se ju kërkohet që të bëni një përshkrim të një vendi të caktuar, nuk e kuptoj që pse ti nuk bën përshkrime, por thua diçka ka të bëjë me detyrat e ushtarëve. Kështu që ju lutem dëgjoni me kujdes pyetjet dhe jepni përgjigje pyetjes”, ka thënë gjykatësja Veldt Foglia.

    Në paraqitjen e një skice të pamjes së shtabit të logjistikës në Kukës, dëshmitari i pestë është pyetur se çfarë pamje ka pasur hyrja e godinës në Kukës.

    Prokurorja: A e njeh atë çfarë të jepet në fotografi, e ke parë më përpara këtë vend? Çfarë njeh, çfarë ke parë?

    Dëshmitari: Kjo është hyrja e shtabit të logjistikës.

    Prokurorja: Pra kjo është hyrja në shtabin e logjistikës që diskutuam më përpara?

    Dëshmitari: Po”, është përgjigjur ai në pyetjet e prokurores.

    Dëshmitari i mbrojtur ka folur për vendin ku kishte bërë roje dhe ku flinin ata dhe oficerët. Po ashtu, janë bërë pyetje për zyrën e Sali Saramatit brenda godinës.

    Prokurorja: A mund të na japësh pak më shumë informacion për mënyrën se si ishte e organizuar nga brenda kjo godinë, kjo ndërtesa? Për shembull ku flinit ju, ku ishin zyrat, si ishte e organizuar brenda për brenda ndërtesa?

    Dëshmitari: Ne ishim në katin e dytë, oficerët ishin në katin e parë, këto dritaret që po shihen, kjo ka qenë zyra e Sali Saramatit …Pak më brenda, 10 metra flinin oficerët.

    Prokurorja: Thatë që ju flinit në katin e dytë, sa veta ishit ju që flinit në katin e dytë?

    Dëshmitari: 30, 25 se bënin transport ushtria. Nën 20, 30 nuk kemi qenë kurrë.

    Prokurorja: Po dhomat ku flinit si ishin ato? Ju të gjithë flinit në një dhomë të vetme>

    Dëshmitari: Në një dhomë.

    Prokurorja: Po oficerët ku flinin?

    Dëshmitari: Oficerët poshtë.

    Prokurorja: Edhe oficerët flinin të gjithë në një dhomë të vetme, apo kishin dhoma të veçanta?

    Dëshmitari: Ka pasur edhe të veçanta se na ku flinim ka pasur ambulanta, ka pasur mjekë që na këqyrshin”, ka thënë dëshmitari me numrin 10.

    Dëshmitari i mbrojtur ka folur edhe për një shtëpi dy-dhomëshe, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje. Sipas tij, kjo shtëpi ishte 20 metra larg nga shtabi i logjistikës në Kukës dhe si e kishte parë vet këto dhoma, dyshemeja e të cilave ishte me dërrasa dhe nuk kishte shtretër.

    Prokurorja: Zotëri dëshmitar tek kjo ndërtesa me numër 1, aty njerëzit flinin?

    Dëshmitari: Jo, jo. Merreshin në pyetje nga dy-tri orë edhe i mbajshin aty edhe i lëshonin.

    Prokurorja: Çfarë do të thuash kur thua i mbanin aty.

    Dëshmitari: Po se ka pasur që i ka dërguar Serbia për informata.

    Prokurorja: Si trajtoheshin këta njerëz nga UÇK?

    Dëshmitari: I merrnin në pyetje edhe i lëshonin.

    Prokurorja: Ju thatë që mbaheshin aty, por a kishin të drejtë të iknin nga ajo ndërtesë vet?

    Dëshmitari: Jo jo, nuk ka shans me ikë”, është përgjigjur dëshmitari përmes video-lidhjes.

    Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /KP

  • Mes kritikave, Zvicra merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

    Mes kritikave, Zvicra merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

    Zvicra mori për herë të parë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të hënën, më 1 maj.

    Në këtë rol, Zvicra dëshiron ta realizojë reputacionin e saj si ndërmjetëse dhe ndërtuese urash, tha ambasadori i OKB-së, Pascale Baeriswyl.

    Megjithatë, reputacioni i Zvicrës tradicionalisht neutrale është dëmtuar që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

    “Në qarqet politiko-diplomatike, politika e jashtme zvicerane e 18 muajve të fundit të jep arsye për ta tundur kokën”, tha eksperti politik, Christoph Frei, nga Universiteti zviceran i St Gallen, për agjencinë e lajmeve, DPA.

    Sipas tij, arsyet përfshijnë hezitimin në fillim për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimin e vazhdueshëm për t’i ndaluar aleatët të transportojnë municione zvicerane në Ukrainë, pavarësisht politikave neutrale të Zvicrës.

    Vendi ka refuzuar gjithashtu një ftesë nga shtetet më të industrializuara (G7) për t’u bashkuar në një grup pune për t’i gjurmuar fondet e mbështetësve të presidentit rus, Vladimir Putin .

    “Ne jemi në rrugën drejt humbjes së miqve” tha Frei.

    Raportimet kritike ndaj Zvicrës janë shtuar, sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës. Por, sipas ministrisë, nuk ka asnjë indikacion deri më tani “për një përkeqësim të konsiderueshëm në perceptimin e përgjithshëm për neve që do të kishte pasoja negative të qëndrueshme”.

    Për shkak të kritikave ndaj vendit të tij, Frei thotë se ai ka marrë mesazhe armiqësore. Ai thotë se gjatë javëve të fundit ka marrë letra me përmbajtje si “Ti je tradhtar i vendit, luftënxitës, gomar”.

    Presidenca e Këshillit të Sigurimit ndërron sipas një radhe të paracaktuar çdo muaj. Para Zvicrës, presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte Rusia, gjë që gjithashtu kishte nxitur kritika të shumta./REL/

  • Francë, 650.000 protestues në ditën e 1 Majit kundër reformës së pensioneve

    Francë, 650.000 protestues në ditën e 1 Majit kundër reformës së pensioneve

    Sindikatat në Francë do të përdorin 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, për të mobilizuar më shumë protesta kundër reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, e cila tashmë është miratuar.

    Autoritetet presin sot një total prej rreth 650.000 pjesëmarrës, në një total prej më shumë se 300 mitingje në të gjithë vendin.

    Qeveria e Macron e sheh reformën e pensioneve, e cila e shtyn moshën e pensionit në 64 nga 62 vjeç, si një punë të përfunduar.

    Megjithatë, sindikatat dhe disa anëtarë të opozitës nuk kanë hequr dorë nga lufta dhe duan të pengojnë zbatimin e projektligjit më 1 shtator.

    Grevat tashmë kanë vazhduar gjatë fundjavës së gjatë dhe madje kanë ndërprerë trafikun ajror në Francë.

    Vetëm në Paris, sot priten rreth 100.000 demonstrues, ndërsa policia përgatitet për trazira.

    Dronët pritet të përdoren për herë të parë në Paris dhe qytete të tjera të mëdha për të monitoruar protestat.

    Protestat e fundit mbarëkombëtare kundër reformës së pensioneve u zhvilluan dy javë më parë, pasi Macron miratoi zyrtarisht projektligjin.

  • Gjykimi ndaj Shalës: Dëshmitari sqaron objektet e shtabit të logjistikës së UÇK-së në Kukës

    Gjykimi ndaj Shalës: Dëshmitari sqaron objektet e shtabit të logjistikës së UÇK-së në Kukës

    Duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari i pestë me radhë në rastin e Pjetër Shalës sqaroi dhe dha përshkrime për objektet e shtabit të logjistikës së UÇK-së në Kukës, përmes fotografive dhe skicës që ai kishte bërë gjatë intervistimit nga ZPS në 2019-ën.

    Paraprakisht, dëshmitari tregoi se ishte kyçur në UÇK dhe nga dy ushtarë ishte dërguar në shtabin e Kukësit që ai e quante shtabi i logjistikës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se në atë vend kishte qenë ushtarë i thjeshtë dhe kishte kryer detyrat e rojës, ku tha se këtë e kishin bërë me ndërrime me ushtarë të tjerë.

    Ai sqaroi se kanë pasur vendin e caktuar për roje dhe tha se ky shtab kishte pasur tri ndërtesa.

    Tutje, përmes skicës i cila nuk është paraqitur për publikun dhe fotografike po ashtu jo publike, dëshmitari identifikoi hyrjen (me numrin 5), nga ana e majtë identifikoi vendin ku bënin roje (me numrin 6), dhomën ku flinin ushtarët e thjeshtë dhe oficerët (me numër 4).

    Lidhur me dhomat e fjetjes, ai tregoi se ushtarët flinin në katin e dytë, të gjithë në një dhomë, rreth 25-30 persona, kurse në katin e parë oficerët të cilët sipas tij, kishin dhoma të ndara të vogla.

    Ai përmes fotografisë identifikoi edhe dritaret e zyrës së Sali Saramantit si dhe më pas magazinën apo deponë (me numrin 2) si dhe ndërtesën ku sipas dëshmitarit mbaheshin njerëzit për 2-3 orë për tu marr në pyetje (me numrin 1).

    Për këtë, dëshmitari tha se ishin persona që dyshoheshin se i ka dërguar Serbia për informacione, të cilët tha se UÇK i merrnin në pyetje dhe i lëshonin.

    Ndërkaq, në pyetjen se a kishin të drejtë këta persona me ik nga ajo ndërtesë vet, dëshmitari u përgjigj me ‘‘jo, jo s’ka shanca me ik’’.

    Ai edhe përmes fotografisë identifikuar të ashtuquajturën ‘‘dhoma hetuese” ku sipas tij, njerëzit mbaheshin për tu marr në pyetje’.

    Dëshmitari tha se kjo dhomë nga vendi ku ka bërë roje ka qenë rreth 15-20 metra larg dhe aty kishte shkuar dy herë dhe ajo s’mund të kishte qenë më e madhe se ‘‘5 me 4’’.

    Sipas tij, kushtet nuk kanë qenë edhe në gjendje të keqe dhe se dyshemeja ka qenë me dërrasa.

  • Në Ditën e Punëtorëve krijohen dy shoqata sindikale

    Në Ditën e Punëtorëve krijohen dy shoqata sindikale

    24 vjet pas luftës në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Kosovë të hënën janë themeluar dy Shoqata Sindikale ajo e Gastronomisë dhe Hotelerisë.

    Qëllimi i themelimit të këtyre dy organizatave sindikale është përmirësimi i të drejtave të punëtorëve në këta dy sektorë.

    Drejtoresha e Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha krijimin e këtyre dy shoqatave e ka konsideruar historik dhe synim për të krijuar perspektiva që punëtorët e gastronomisë dhe hotelerisë mos të ikin nga vendi.

    Ajo tha se këta dy sektor ballafaqohen me informalitet të madh, prandaj synojnë edhe luftimin e kësaj dukurie.

    “Lajmi i mirë dhe historik që pas 23 vjetëve që ndoshta edhe në gjithë Ballkanin mungon, në Kosovë sot po themelohen dy shoqata sindikale të sektorit të gastronomisë dhe turizmit. Po shpresojmë që ky do të jetë vetëm hapi i parë dhe pastaj do të shtohemi shumë dhe do të jemi një fuqi reale e përfaqësimit të punëtorëve të cilët do të mund të dialogojnë edhe me qeverinë edhe me bizneset për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve të cilat siç e dimë në këtë sektor gastronomi dhe hoteleri kryesisht nuk janë shumë të mira, është shumë prezent informaliteti dhe dëshirojmë me potencua se një ndër qëllimet tona më të mëdha edhe parandalimi i migrimit masiv që është duke ndodhur në Kosovë. Ne besojmë që me formalizim, ofrim të kontratave të punës me trajtim të dinjitetshëm në punë të rinjtë kosovar do të qëndrojnë në Kosovë”, tha ajo.

    Njëri ndër themeluesit e këtyre dy shoqatave, Visar Demolli u shpreh se përmes themelimit të sindikatave të punëtorëve në gastronomi dhe hoteleri synojnë të kthejnë dinjitetin tek këta punëtorë.

    Demolli theksoi se po synojnë që përmes trajnimeve të avancohen punëtorët e këtyre sektorëve.

    “Është një sektor me mbi 26 mijë punëtorë dhe tash duke pas parasysh kushtet që janë në sektorin privat….Si iniciativë është shumë e mirë si ide e kemi përkrahjen të shumë bizneseve nuk është vetëm e punëtorëve por edhe bizneseve sepse janë disa kushte se jemi pak prapa si pushimi javor, pushimi vjetor, pushimi mjekësor, pagat që i kemi në evazion realisht shumica e bizneseve mos të themi shumicë por mbi 40% është kesh që ofrojmë ne. Janë qëllime që duam t’i luftojmë bashkërisht me gjithë punëtorët e sektori privat që ta bëjmë më të dinjitetshme këtë punë“, theksoi Demolli.

    Mbështetje dy organizatave të sapo-themeluara iu ofroi edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

    Nënkryetari i BSPK-së, Selatin Sadiku tha se këto shoqata do të jenë zëri i punëtorëve në sektorin privat.

    “1 Maji manifestohet në forma të ndryshme. Unë sot jam shumë i lumtur që jam prezent në themelimin e dy shoqatave sindikale, shoqata këto që do ta mbrojnë zërin e punëtorit në sektorin privat…..punëtori në Kosovë është llogaritë si vegël e jo si aset, pagat janë të mjerueshme, pagat janë minimale, punëtorëve duhet tu paguhet djersa ta kenë një pagë të dinjtetshme që ta mbajnë familjen dhe vetën….Siguria në punë duhet të punohet në vazhdimësi që punëtorëve përmes inspektorëve të punës t’u krijohen kushte sa më të mira për punë“, u shpreh Sadiku.

    1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës, ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

    E kjo festë në Kosovë po shënohet me protesta të ndryshme të punëtorëve kryesisht të sektorit privat që po kërkojnë respektim të të drejtave të tyre.

  • Pas “America’s got talent”, akrobatët shqiptarë çojnë në këmbë Spanjën!

    Pas “America’s got talent”, akrobatët shqiptarë çojnë në këmbë Spanjën!

    Dy vëllezërit Arnold dhe Artan Balla, pas pjesëmarrjes “America’s Got Talent”, ku lanë jurinë ‘gojëhapur’ me talentin e tyre, këtë herë ata kanë qenë të ftuar special në Spanjë, ku kanë ngritur publikun në këmbë.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt me Skype, në emisionin e mëngjesit ALARN në ATV, ata folën për pasionin që kanë për akrobacinë.

    Prej vitesh, vëllezërit shqiptar i janë përkushtur këtij pasioni, ndërsa tregojnë dhe vështirësitë me të cilat janë përballur për të arritur të realizojnë dëshirën e tyre.

    “Pjesëmarrja në “America’s Got Talent” ka qenë një nga ndryshimet më të mëdha në jetën tonë, sepse pas atij audicioni të suksesshëm dhe që juria e priti shumë ngrohtë, po ashtu edhe publiku, jeta e jonë mori një kthesë komplet ndryshe, sepse u shkëputëm nga Amerika dhe tani po bëjmë turin në gjithë botën, por që Amerikën e kemi primare për shfaqje edhe eventet për të cilat ne punojmë”, tha Arnold Balla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të vëllezërve Arnold dhe Artan Balla e gjeni në videon më poshtë.

  • Për 1 Maj protestojnë edhe feministët, kërkojnë të drejtat të barabarta për gratë në punë

    Për 1 Maj protestojnë edhe feministët, kërkojnë të drejtat të barabarta për gratë në punë

    Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist është duke mbajtur protestë në Prishtinë për 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, përmes të cilës po kërkojnë të drejtat të barabarta në punë, raporton atvlive.tv.

    Në videot e siguruara nga ATV, shihet se gjatë këtij marshimi, protestuesit kanë hedhur edhe tym të kuq.

    Sot në Prishtinë është u mbajtur edhe një protestë, e organizuar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat (SPSPK), përmes të cilës u kërkua ngritja e pagave për sektorin privat.

    Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, tha se sot është dashur të jetë ditë feste edhe për sektorin privat, por që nuk po i lënë ta bëjnë një gjë të tillë Qeveria dhe kompanitë. /atvlive.tv

  • 13-vjeçari shqiptar që po korrë suksese të jashtëzakonshme në karting në Zvicër, së shpejti do të garojë për Kosovën

    13-vjeçari shqiptar që po korrë suksese të jashtëzakonshme në karting në Zvicër, së shpejti do të garojë për Kosovën

    Tiziano Kuzhnini, vetëm 13 vjeçar nga qyteti i Prizrenit, i cili jeton në Zvicër po vazhdon po vazhdon të korrë suksese të mëdha. Ai është garues profesionist që nga mosha 8 vjeçare në karting, sport nga i cili synon të hyjë në formula 1.

    Në kategorinë super mini, Tiziano ka arritur të shpallet kampion në kampionatin zviceran, dhe gjithashtu ka treguar shumë suksese në garat evropiane IAM Euro Series, duke arritur të fitojë vendin e dytë në këtë kategori në të cilën marrim pjesë garuesit më të mira nga Evropa.

    Menaxheri i tij, Ardi Malota, në një intervistë për emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se kartingu është një sport jo vetëm i vështirë, por edhe i kushtueshëm, dhe se falë sponsorëve, Tiziano ka arritur këtë sukses të jashtëzakonshëm,

    “Suksesi i Tizianit është një sukses për të gjithë shqiptarët, pasi që na ka bërë krenar jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarët. Tiziano është në sportin karting profesionist që nga mosha 8 vjeçare. Është sport i vështirë, i kushtueshëm, por me mbështetjen edhe të sponsorëve është duke arritur suksese të jashtëzakonshme”, tregon Malota.

    Ai tregon se për këtë është kontaktuar edhe nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës, ku këta të fundit i kanë dhënë gjithë mbështetjen që i nevojitet Tizianos.

    “Kam pasur kontakte me Federatën e Auto Sporteve të Kosovës, me Valton Tytynxhiun, këna pasur përkrahje të jashtëzakonshme nga ai. Na ka dhënë gjithçka që ka qenë e nevojshme për Tizianon. Besoj që vitin tjetër do të garojmë me pasaportë të Kosovës”, tha Malota. /atvlive.tv

  • PSD me aksion para Qeverisë për 1 Maj: Jemi 365 ditë në pushim

    PSD me aksion para Qeverisë për 1 Maj: Jemi 365 ditë në pushim

    Partia Social Demokrate ka zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës për 1 Majin, ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, raporton atvlive.tv.

    Aktivistët e PSD-së kanë vendosur para Qeverisë një çadër me shtrat për pushim një pije dhe një pankartë me mbishkrimin “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”.

    Sot në Prishtinë është duke u mbajtur edhe një protestë, e organizuar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat (SPSPK), përmes të cilës po kërkohet ngritja e pagave për sektorin privat.

    Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, tha se sot është dashur të jetë ditë feste edhe për sektorin privat, por që nuk po i lënë ta bëjnë një gjë të tillë Qeveria dhe kompanitë. /atvlive.tv

    LEXO EDHE:

    Nis protesta e sektorit privat, Azemi: Edhe ne duam të festojmë, por nuk po na lë Qeveria dhe kompanitë