ATV

Blog

  • Si dukej sot festa e 1 Majit në parkun e Gërmisë?

    Si dukej sot festa e 1 Majit në parkun e Gërmisë?

    Më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë të shumtë në Kosovë dolën në rrugë për të kërkuar ngritje të pagave. Pavarësisht protestave, pati edhe qytetarë që këtë ditë kishin vendosur ta festonin.

    Ekipi i ATV-së vizitoi Parkun Nacional të Gërmisë për të vëzhguar nga afër se si po festohej 1 Maji nga qytetarë të shumtë, të cilët tashmë tradicionalisht e shënojnë këtë ditë në këtë park.

    Në videon e më poshtme mund ta shikoni se si ishte atmosfera në parkun e Gërmisë në 1 Majin e sivjetmë.

  • Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Gani Berisha, i cili jeton në Bardhosh, thotë se përveç festave edhe në vikende ballafaqohen me këtë gjendje.

    “As festave nuk punohet, por është shumë e nevojshme, pasi edhe laboratori na vyen për analiza. Për analiza tash më duhet me shku në fshatin Besi për t’i kryer. Probleme kemi edhe në ndërrimin e natës, meqë numri i banorëve është i madh, festave dhe vikendeve gjithqysh duhet me punu”, tha Gani Berisha, banor i fshatit Bardhosh të Prishtinë.

    Situatë e njëjtë ishte edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sakip Thaçi nga Rahoveci, i cili tash e disa ditë është i hospitalizuar në Emergjencë, thotë se është shqetësuese që në festa punon një numër i vogël punëtorëve shëndetësorë.

    “Duhet me punu, se i smuti nuk vet kur ka festë. I kanë lonë qaty do mjekë t’ri sot, që kurrëgjo s’po dinë”, tha Sakip Thaçi, pacient.

    Se duhet të punohet edhe për 1 Maj e thonë edhe familjarët e pacientëve.

    “Stafi mjekësor duhet me punu nonstop, pavarësisht nëse është 1 maj, se pacientët nuk e dinë kur sëmuren. Sëmundja nuk e di kur ka festë. Të ëmën që dy ditë e kam pru, hala asnjë fotografim nuk ia kanë bërë, megjithëse ka pasur sulm në zemër. Duhet me punu se vetë janë betu para hipokratit që kanë me punu nonstop”, tha Vlora Veseli, familjare.

    Derisa thotë se 1 Maji duhet të shihet si një ditë sensibilizimi, deputeti nga radhët e Partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli, e sheh të nevojshëm rishikimin e ligjit për festat zyrtare.

    “1 maji, si festë e punëtorëve duhet të shikohet si një ditë e sensibilizimit të opinionit, punëdhënësve, punëmarrësve, për shkeljet që i bëhen punëtorëve në të drejtat e tyre. Në Kosovë kemi një ligj jo të duhur për festimin e festave, duhet t’i reduktojmë pushimet”, tha deputeti i partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli.

    Sipas ligjit për shëndetësi, qasja në kujdes shëndetësor sigurohet gjatë 24 orëve pa ndërprerje, nëpërmjet punës në orar të rregullt, punës në ndërrime, kujdestarisë, si dhe punës në kuadër të shërbimit të urgjencës, në pajtim me orarin e përcaktuar nga institucioni shëndetësor. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • 1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    Sakibe Hoti ka ardhur nga Gjakova për t’i shprehur pakënaqësitë me kushtet e punës, bashkë me qindra të punësuar të tjerë.

    Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve këta punëtorë të sektorit privat kanë zgjedhur të protestojnë.

    “Shumë vështirë, pagat janë minimale, sot kemi ardhur ekstra vetëm për t’i kërkuar të drejtat tona”, tha Sakibe Hoti, qytetare nga gjakova.

    “Faturat po vijnë, pagat shumë të vogla. Të drejtat e punëtorit nuk po respektohen aspak në asnjë aspekt”, tha Sadete Idrizi, qytetare.

    Përfaqësuesit e punëtorëve thonë se në Kosovë ka ende shumë qytetarë që për punën që bëjnë paguhen më pak se 200 euro. Me të ardhurat e ulëta, sipas sindikalistëve, vështirë të zhvillohet jeta.

    “Ju drejtohem me çështje urgjente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të pagës minimale në Kosovë. Ky projektligj ka ngecur që nga qershori i vitit 2022, që nënkupton se ka tejkaluar afatin procedural ku duhej të hidhej në votimin e dytë”, tha kryetarja e një sindikate të punëtorëve, Hafije Statovci.

    Kryetari i sindikatës së pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi, fajëson udhëheqësit e qeverisë, të cilët, sipas tij, kanë hedhur poshtë të gjitha premtimet e bëra për punëtorët e sektorit privat.

    “Fatkeqësisht Kosova është e para në rajon me vdekjen e punëtorëve të sektorit privat dhe ne si sindikatë shpeshherë kemi telashe edhe ta kryejmë ceremoninë e varrimit, përderisa kemi kërkuar nga shteti ta kemi një fond, po nuk e bën. Nuk do t’ju lusim më, qeveri për të mirat që ju kemi dhënë juve sipas të gjitha gjasave tani do t’i fitojë dikush tjetër. Momenti i fundit që keni humbë ju edhe ne, shpëtoni atë që mundet, ndryshe realiteti është realitet, vitin 2021/22 na kanë ikur nga Kosova mbi 100 mijë kësi punëtore që kemi përballë… 21:22 Qeveri, punën që e ke bërë gjatë periudhës që ke ardhur, në raport me punëtorët e sektorit privat është e barabartë me zero, kthjelluni sa nuk është bërë vonë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

    Ai bashkë me punëtorët e tjerë kërkuan që paga minimale të jetë 450 euro, të nënshkruhet kontrata kolektive dhe të ketë trajtim të barabartë të punëtorëve të sektorit privat me ata në sektorin publik.

    Përveç kësaj, Azemi ka kërkuar të krijohet një fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Derisa qytetarët ankohen se nuk ka punë, punëdhënësit ankohen se nuk ka punëtorë.

    Mekanizmat ndërmjetësues që bëjnë lidhjen mes punëkërkuesve dhe tregut të punës nuk funksionojnë si duhet, sipas njohësve të çështjeve socio-ekonomike.
    Sipas tyre, çështja e punës nuk ka qenë kurrë temë politike në vend.

    “Pa u bërë çështja e punës temë politike nuk ka demokratizim domethënës të shoqërisë së Kosovës. Ikja masive drejt perëndimit e ka origjinën pikërisht te çështja e demokracisë në vendin e punës, të ardhurat shumë të ulëta, pabarazia shumë e lartë, sistemi i mbrojtjes sociale i cili është tepër primitiv”, tha Artan Mustafa, socio-ekonomist.

    Megjithatë, për ta rregulluar raportin punëtor – punëdhënës, Ministria e Financave ka bërë gati një Koncept-Dokument.

    Ky ka për qëllim shkrirjen e 3 ligjeve, përfshirë atë për ofrimin e shërbimeve për të papunët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit, Ligjin për Agjencinë e Punësimit dhe atë për Aftësimin, Riaftësimin Profesional, në një ligj të vetëm; atë për politikat e tregut të punës.

    Një nismë e tillë, vlerësohet se mund të ketë sukses në uljen e papunësisë në vend.

    “Rritja e efiçiencës së administratës, do t’i kontribuojë implementimit më të suksesshëm të këtyre politikave. Nuk është me rëndësi çfarë rezultati kanë sot këto politika, sot për sot është me rëndësi fillimi i ndryshimit të paradigmës dhe nuk do të ketë maksimizim të shkallës së punësimit, nuk do të arrijmë shkallën e punësimit 60 për qind e më lart, pa një formë gjithëpërfshirëse”, tha Mustafa.

    Një plan i tillë parashihet të kontribuojë në punësim më të lartë dhe gjithëpërfshirës, si dhe të zvogëlojë barrën administrative të bizneseve që ofrojnë shërbime të punësimit, për rreth 12 mijë euro.

    Për t’u bërë i plotfuqishëm, sipas Ministrisë së Financave, këtij ligji do t’i duhen plot 2 vjet kohë. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Asnjë nga pesë ish-drejtorët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk janë të angazhuar në pozita të larta në institucionet shtetërore të sigurisë e as pjesë e kabineteve të presidentes apo kryeministrit.

    Vite më parë, disa prej tyre, punuan si këshilltarë për siguri në Presidencë, por një praktikë e tillë nuk u vazhdua – pasi legjislacioni aktual nuk krijon obligime ndaj institucioneve për angazhimin e tyre pas përfundimit të mandatit në Agjenci.

    Ekspertë të sigurisë e vlerësojnë moskujdes institucional në dëm të sigurisë kombëtare, mos-angazhimin e personave që kanë ushtruar ndonjërën nga tri pozitat kyçe në AKI: drejtor, zëvendës-drejtor dhe kryeinspektor.

    “Kjo është një neglizhencë nga niveli politik që nuk e ka paraparë fare mundësinë e inkorporimit të tyre për një periudhë afatgjate, për arsye se këta persona, të cilët kanë bartur funksione të larta në këtë institucion kanë klasifikuar informacione që e atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Duke përmendur ndjeshmërinë e informacioneve dhe përvojën e tyre, ekspertët vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime në legjislacion – për të mundësuar sistemimin në pozita të përhershme këshillëdhënëse.

    “Këta të mbesin në rrugë, në mëshirën e grupeve të tjera të interesit. Mendoj se në këtë aspekt duhet që sa më parë të jetë e mundur që këta persona të ri-inkorporohen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku mund të japin mendime, sugjerime në aspektin profesional, duke pasur parasysh përvojën e tyre. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet fillimisht të ndryshojë ligji, në rend të parë, por njëkohësisht t’u jepet mundësia që të gjithë akterët, edhe ish-drejtorët e Policisë të inkorporohen në këtë mekanizëm”, tha Shala.

    “Do të duhej që kjo çështje të rregullohej me Ligjin për AKI-në, të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, në mënyrë që këto tri figura kryesore udhëheqëse në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë të angazhohen dhe të japin kontribut në ato vende ku japin kontribut për sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha Avni Islami, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Angazhimi si ligjërues në Akademinë për Siguri Publike përmendet si opsion tjetër.

    Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi ish-zëvendësdrejtoren e AKI-së, Vlora Hyseni, për ta udhëhequr inteligjencën shqiptare. Tri javë më parë ajo mori detyrën në krye të shërbimeve sekrete shqiptare, pas dekretimit nga ana e Presidentit, Bajram Begaj.

    Bashkim Smakaj, Agron Selimaj, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi janë pesë ish-drejtorët e AKI-së në periudhën 2009-2020. Nga vitit 2021, në këtë pozitë është Petrit Ajeti. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Zbrazet Gërmia për 1 maj, shitësit nuk lejohen të shesin ushqime në parkun e gërmisë

    Zbrazet Gërmia për 1 maj, shitësit nuk lejohen të shesin ushqime në parkun e gërmisë

    Ëmbëlsirat i mori me shpresë që do t’i shesë, por bashkë me to mbeti në rrugë.

    Veton Zejnullahu, bashkë me shumë shitës të tjerë u ndaluan nga policia në hyrje të Parkut të Gërmisë, në të cilin çdo 1 maj kanë shitur produkte të ndryshme për vizitorët.

    “Sot është dita e 1 majit, nuk janë duke na lejuar, as leje nuk na japin, as në dorë nuk lejojnë, nuk e di tash, as nuk të lojnë me punu, as punë nuk ka kurrkund. Kërkesë nuk kemi bërë, por as leje nuk na kanë dhënë, secilën herë 1 Maji ka ra, qysh është bërë më herët. Nëse nuk mundemi në një vend, të paktën të na lejojnë në dorë me i mbajtë e m’i shitë”, tha Zejnullahu.

    Por edhe sikur t’i lejonte policia të futeshin me produktet e tyre brenda parkut, të paktë ishin blerësit e mundshëm.

    “Qe 44 vjet jam në Prishtinë, rregullisht kam dalë për 1 maj në Gërmi, por kjo është hera e parë që nuk ka qytetarë dhe nuk i di arsyet pse nuk ka”, thotë Ahmet Ahmeti, qytetar.

    Sipas tyre, kriza ekonomike ka ndikuar që të mos ketë numër të lartë të qytetarëve.

    “Kur të del njeri me bo pushim duhet me pasë pare, duhet me pasë me hangër me pi, sot nuk ka asgjë. Me 100 euro, me 300 euro nuk mundesh me mbijetu, të gjithë kanë qef me dalë, por nuk kanë mundësi, përpara nuk kemi pasë, por prapë më mirë se sot kemi qenë”, tha Tafë Duraku, qytetar.

    Megjithatë, Komuna e Prishtinës për këtë ditë ishte përgatitur. Një ditë më parë ka marrë vendim që për Ditën e Punëtorëve të ndalojë qarkullimin e automjeteve që kalojnë në Parkun e Gërmisë, me qëllim që të evitohet tollovia në komunikacion për 1 maj. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti niset për Bruksel pa e parë draft statutin e Asociacionit

    Kurti niset për Bruksel pa e parë draft statutin e Asociacionit

    Kryeministri Albin Kurti është shprehur i lumtur që, në takimin 2 Majit në Bruksel, do të shohë përmbajtjen e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i përgatitur nga Ekipi Menaxhues.

    Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”, kryeministri, megjithatë, tha se do të ishte më i lumtur po ta shihte draftin në Prishtinë, paraprakisht.

    “Do të sigurohem që të përmbushet ajo që është dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por, ajo që nuk do të lejojmë është territorializimi dhe krijimi i çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor, me thelb shkatërrues, që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, tha Kurti.

    Në një reagim, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Kurtit nuk i takon të lejojë ose jo formimin e Asociacionit.

    “Marrëveshja e parë e Brukselit, plani i zbatimit i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, fusha e punës dhe mandati i Ekipit Menaxhues, si dhe parimet e përgjithshme për formimin e Asociacionit janë marrëveshje shumë të qarta, të cilat saktësojnë të gjitha obligimet me të cilat përballet Prishtina”, tha Petkoviç.

    Në një reagim në rrjetet sociale, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, e vlerësoi shumë të rëndësishëm takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    Miratimi i deklaratës për të zhdukurit gjatë luftës dhe prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit, janë dy pikat e para në rend dite në takimin që pritet të nisë rreth orës 18, të martën. /atvlive.tv

    Edicionin e plotë të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Ministri bullgar i Drejtësisë: Abuzuesit duhet të trajtohen, jo thjesht të mbyllen

    ​Ministri bullgar i Drejtësisë: Abuzuesit duhet të trajtohen, jo thjesht të mbyllen

    Duke komentuar Projektligjin për dhunën në familje, ministri në detyrë i Drejtësisë në Bullgari, Krum Zarkov, tha të hënën se nuk mjafton thjesht të mbyllësh abuzuesit dhe kriminelët. Zarkov saktësoi se persona të tillë kërkojnë trajtim.

    Ai tha se kriminelët duhet të trajtohen në mënyrë të tillë që të rehabilitohen.

    “Nëse ata përballen me vështirësi mendore ose të tjera, ata duhet të trajtohen në mënyrë që të mos lëndojnë më të tjerët. Kjo është një nga çështjet e mëdha që unë do të përpiqem të trajtojë si ministër i drejtësisë,” tha ai.

    Zarkov deklaroi se recidivizmi është një kërcënim për publikun. Ai shtoi se “për shkak se këta njerëz shkojnë në burg, dënohen, pastaj dalin dhe përsërisin krimet e tyre, dhe të tjerët vuajnë pasojat. Nuk bëhet fjalë vetëm për vrasje. Një numër shumë i madh i grave dhe fëmijëve i nënshtrohen abuzimeve të llojeve të ndryshme ose mbahen në varësi, qoftë psikologjike apo financiare”.

    Ai nuk ka dashur të nënvizojë ndonjë rast konkret, ai ka thënë se për një kohë të gjatë ky debat ka dështuar të zhvillohet në mënyrë normale, gjë që fatkeqësisht ka rezultuar me viktima njerëzore.

    Duke komentuar kërkesën e Këshillit të Lartë Gjyqësor në Bullgari për rritje të pagave prej 20% në vitin 2023, Zarkov tha se debati për buxhetin është i hapur.

    “Disa nga [kërkesat] janë legjitime dhe të tjerat duhet të shqyrtohen. Tani kjo është në dorën e deputetëve, të cilët duhet të vendosin. Ajo që ka bërë qeveria e përkohshme është të tregojë planet e shtetit me politikat që janë në rrezik. Ato janë subjekt i ndryshimit, por jo nga një qeveri e përkohshme”, tha ai./BTA

  • ​Falimenton edhe një tjetër bankë e madhe amerikane

    ​Falimenton edhe një tjetër bankë e madhe amerikane

    Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) e konfirmoi të hënën, më 1 maj, se banka e madhe amerikane, First Republic, ka falimentuar. Gjiganti bankar i investimeve, JP Morgan Chase, do ta marrë përsipër tani këtë bankë.

    Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga rregullatorët, JP Morgan Chase do t’i marrë përsipër të gjitha depozitat dhe shumicën e aksioneve të bankës First Republic.

    First Republic është banka e tretë amerikane që ka falimentuar gjatë muajve të fundit, gjë që ka nxitur shqetësimet për një krize më të gjerë bankare.

    Aksionet e bankës me seli në San Francisko ranë për më shumë se 75 për qind javën e kaluar pasi ajo pranoi se klientët kishin tërhequr 100 miliardë dollarë gjatë muajit mars.

    Falimentimi i First Republic vjen pas kolapsit të Silicon Valley Bank (SVB) në mars dhe rënies së një huadhënësi tjetër amerikan, Signature Bank.

    Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JP Morgan Chase tha se qeveria e kishte “ftuar” gjigantin bankar, së bashku me të tjerë, ta merrnin situatën në duar “dhe ne e bëmë”.

    Ai shtoi se blerja do të sillte “përfitime modeste” për firmën dhe do të ishte pjesë “plotësuese” e firmës aktuale.

    Si pjesë e marrëveshjes, FDIC do të ndajë humbjet nga huatë me JP Morgan. 84 zyrat e bankës së dështuar në tetë shtete të ndryshme do të rihapen si degë të JP Morgan Chase Bank nga 1 maji, pasi rregullatorët morën kontrollin e saj dhe ia shitën menjëherë institucionit të Wall Street.

    Tërheqja e depozitave nga disa huadhënës gjatë muajve të fundit e ka detyruar Rezervën Federale, bankën qendrore të SHBA-së, të ndërhyjë me masa urgjente për t’i stabilizuar tregjet financiare.

    Në mars, një grup i bankave më të mëdha të Amerikës i grumbulluan së bashku 30 miliardë dollarë për First Republic në një përpjekje për ta stabilizuar atë, por përpjekjet rezultuan të kota.

    E themeluar në vitin 1985, First Republic është një huadhënëse amerikan e madhësisë së mesme, e ngjashme me Silicon Valley Bank. Për vite me radhë, ajo u ka shërbyer klientëve të pasur – paratë e të cilëve ishin në rrezik përpara se marrëveshja të shpallej pas një fundjave negociatash, shkruan REL.

    Kur Silicon Valley Bank dhe Signature falimentuan, FDIC tha se do të garantonte të gjitha depozitat për ta parandaluar një situatë ku njerëzit do të nxitonin t’i tërhiqnin paratë e tyre.

    E përderisa bankat qendrore në mbarë botën kanë ngritur dukshëm normat e interesit për ta ulur inflacionin, disa huadhënës janë vënë nën presion.

    Por, situata aktuale nuk duket të jetë një përsëritje e krizës financiare së vitit 2008, që kishte çuar në pako të shumta ndihme nga qeveritë dhe një recesion ekonomik global.

  • Mediumi britanik raporton për protestën e 1 Majit në Kosovë

    Mediumi britanik raporton për protestën e 1 Majit në Kosovë

    Tabloidi britanik ‘Daily Mail’ në një artikull ku raporton për protestat për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorve, më 1 maj, ka përdorur edhe fotografinë e protestës së mbajtur të hënën në Prishtinë.

    “Një protestues mban pankartë gjatë një proteste për të shënuar ditën ndërkombëtare të punëtorëve, në Prishtinë, Kosovë më 1 maj 2023”, thuhet në përshkrimin e fotografisë.

    Në Francë, sindikatat planifikuan demonstrata masive për të protestuar kundër vendimit të diskutueshëm të presidentit francez, Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64. Vendi është në trazira civile që nga vendimi i reformave të skemës pensionale, në janar të këtij viti.

    Në prag të zgjedhjeve presidenciale turke më vonë këtë muaj, protestuesit e goditur rëndë nga kriza e kostos së jetesës u përleshën gjithashtu me policinë turke në Stamboll.

    Ndërkaq, në protestën e 1 majit në Kosovë, u kërkua përmirësim i kushteve nga sektori privat.