ATV

Blog

  • Kështu do të duket shkolla e re e cila nisi së ndërtuari sot në Veternik

    Kështu do të duket shkolla e re e cila nisi së ndërtuari sot në Veternik

    Në lagjen Veternik në kryeqytet kanë filluar punimet për ndërtimin e shkollës nëntëvjeçare me modalitetin publiko-privat me sipërfaqe prej 6.726 m².

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, pas vendosjes së gurthemelit, tha se me ndërtimin e kësaj do të rritet cilësia në arsim, do ta lehtësojë dukshëm barrën aktuale të mësimdhënësve në klasat e stërmbushura me nxënës, si dhe do ta reduktojë trafikun e ngarkuar prej lëvizjeve drejt qendrës së qytetit.

    Ai ka njoftuar se ndërtimi i kësaj shkolle do të akomodojë mbi 1 080 nxënës të kësaj zone, në më shumë se 30 klasë dhe hapësira tjera rekreative, duke përfshirë parashkollorët e deri tek nxënësit e klasave të 9-ta.

    Ndërsa drejtori për Investime Kapaitale, Krenar Xhaferi ka publikuar edhe disa foto se si do të duket shkolla.

    Edhe një shkollë e re në Prishtinën e re. Investimet e tilla japin vlerë. Krahas punimeve që do të bëhen me standardet më të larta do të kemi edhe kushte më të mira për nxënësit. Deri tani nga Veterniku nxënësit janë transportuar në Prishtinë e kolonat brenda sajë po janë të stërngarkuara. Identiteti i kësaj shkolle do të mbetet i veçantë. Nga projekti, në projekt”, ka shkruar Xhaferi.

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e shkollës në Veternik, Rama: Do të rritet cilësia në arsim

    Fillojnë punimet për ndërtimin e shkollës në Veternik, Rama: Do të rritet cilësia në arsim

    Në lagjen Veternik në kryeqytet kanë filluar punimet për ndërtimin e shkollës nëntëvjeçare me modalitetin publiko-privat me sipërfaqe prej 6.726 m², raporton EO.

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, pas vendosjes së gurthemelit, tha se me ndërtimin e kësaj do të rritet cilësia në arsim, do ta lehtësojë dukshëm barrën aktuale të mësimdhënësve në klasat e stërmbushura me nxënës, si dhe do ta reduktojë trafikun e ngarkuar prej lëvizjeve drejt qendrës së qytetit.

    Ai ka njoftuar se ndërtimi i kësaj shkolle do të akomodojë mbi 1 080 nxënës të kësaj zone, në më shumë se 30 klasë dhe hapësira tjera rekreative, duke përfshirë parashkollorët e deri tek nxënësit e klasave të 9-ta.

    “Jemi këtu në lagjen ‘Qendresa’ ku edhe po e përurojmë fillimin e punimeve të ndërtimit të shkollës së re. Kjo është një ndër tri shkollat me partneritet publiko-privat të cilat po i fillojmë. Është një projekt madhor për kryeqytetin, për arsye se kjo shkollë është mbi 6 mijë m² për mbi 1080 nxënës”.

    “Me planin dinamik, përfundimi i kësaj shkolle është në shtator të vitit 2024. Është bashkëfinancim me IFC Bank pjesë e Bankës Qendrore që e ka mundësuar këtë projekt. I kemi tri shkolla me partneritet publiko-privat dhe kostoja e tri shkolla është 15.4 milionë”, tha Rama.

    I pari i kryeqytetit është shprehur i bindur se me ndërtimin e kësaj shkolle, trafiku në qytet do të shkarkohet dukshëm.

    Fatos Bajraktari drejtor menaxhues i kompanisë “Bao Schools”, tha se projekti do të realizohet sipas planit, raporton EO.

    “Sot filluam projektin me partneritet me Komunën e Prishtinës, është projekt model që besoj e kemi një presion një angazhim që të rezultojë me pozitivisht dhe të jep një hap përpara për projektet e ardhshme”, tha ai.

  • Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Prishtinë, plagoset një person

    Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Prishtinë, plagoset një person

    Një person është plagosur sot në Prishtinë nga arma e zjarrit, në një lokal në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

    Rastin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.

    Ahmeti tha se personi i dyshuar aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

    Tutje, ajo theksoi se lidhur me rastin po zhvillohen hetimet dhe po punohet për arrestimin e të dyshuarit.

  • Haxhiu: Me nënshkrimin e deklaratës, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera në Kosovë

    Haxhiu: Me nënshkrimin e deklaratës, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera në Kosovë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konsideron se me nënshkrimin e deklaratës për të pagjeturit në Bruksel, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet dhe seriozisht nga qeveria e republikës së Kosovës. Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë”, tha ajo.

    Haxhiu, në Kuvend, tha se me nënshkrimin e kësaj deklarate Serbia po ashtu obligohet që të japë informacione për varreza masive.

    “Për herë të parë përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon për krimin e bërë dhe obligohet të jap informacione për varreza masive që po i mbanë qytetarët tanë. Po ashtu obligohet të mos pengoj gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi – me atë deklaratë pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës dhe qytetarët tanë”.“Për mua është e papranueshme që një deputet i kuvendit, zonja hoxha thotë që Serbinë nuk e obligon ky dokument, e pranueshme pasi kjo është ajo që Serbia dëshiron të dëgjojë që të mos obligohet nga një deklaratë që e ka nënshkruar presidenti i Serbisë”, u shpreh Haxhiu.

  • Selmanaj: Me dakordimin për personat e zhdukur, Kosova ia mundëson Serbisë të heq përgjegjësinë penale e juridike-shtetërore

    Selmanaj: Me dakordimin për personat e zhdukur, Kosova ia mundëson Serbisë të heq përgjegjësinë penale e juridike-shtetërore

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kritikuar kryeministrin e Kosovës për deklaratën rreth personave të zhdukur për të cilën Kurti u dakordua me Vuçiqin në Bruksel.

    Sipas Selmanajt, përmes pajtimit për një deklaratë të tillë, Kosova ia mundëson Serbisë që të heq përgjegjësinë penale juridiko-shtetërore për zhdukjet e dhunshme.

     “Me dakordimin e deklaratës për të zhdukurit, Kosova i mundëson Serbisë që të heq përgjegjësinë penale juridiko-shtetërore për zhdukjet e dhunshme sipas Nenit 2 të Konventës së OKB-së”, ka thënë Selmanaj.

    Deputeti i LDK-së thotë se heqja e fjalisë “të zhdukur me dhunë” tregon se Kurti ka për qëllim tejkalimin dhe jo adresimin e krimeve.

    “Po ua citoj nenin 2. Zhdukje me dhunë konsiderohet çdo arrestim ndalim nga agjentë të shtetit apo grupe personash nën autorizimin e shtetit. Heqja e fjalisë të zhdukur me dhunë rrezikon brutalisht që përmes devijimit të terminologjisë ta konfirmoj që se ka për qëllim adresimin por tejkalimin”, ka shtuar tutej Selmanaj.

  • 26 aktakuza kundër 31 personave, për vepra të ndryshme penale

    26 aktakuza kundër 31 personave, për vepra të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se gjatë 24 orëve të fundit, janë ngritur njëzet e
    gjashtë (26) aktakuza kundër tridhjetë e një (31) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dymbëdhjetë (12) persona të dyshuar, janë paraqitur katër (4) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj gjashtë (6) personave të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale, janë bërë dy (2) kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre (3) personave, si dhe është parashtruar një (1) kërkesë për sekuestrim të përkohshëm të sendeve.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy (2) persona, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave, dy (2) kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre (3) personave, si dhe ka ngritur njëzet (20) aktakuza kundër njëzetetre (23) personave për vepra të ndryshme penale.
    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, pranë gjykatës kompetente ka parashtruar një (1) kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj një (1) personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore e Pejës gjatë 24 orëve të fundi, ka ndaluar katër (4) persona të dyshuar dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër tre (3) personave. Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit, në dy raste të ndara ka ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për kryerjen veprës penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar. Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar dhe ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) personave.

  • ​Certifikohet rezultati për Kuvendin Komunal në Leposaviq, 3 ulëse mbesin të zbrazëta

    ​Certifikohet rezultati për Kuvendin Komunal në Leposaviq, 3 ulëse mbesin të zbrazëta

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq. Megjithatë, Kuvendi nuk është i plotë, pasi është miratuar rezultati vetëm për 16 asamblistë ndërsa ka gjithsej 19 ulëse. Kjo në mungesë të votave për kandidatët që kanë garuar për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Sipas rezultatit, Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë 15 ulëse por vetëm 12 kandidatë të saj kanë marrë vota e rrjedhimisht KQZ ka vendosur që LVV te ketë vetëm 12 këshilltarë komunalë.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia “Kosovskih Srba” kanë marrë nga dy ulëse të tjera secila.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ka ardhur rekomandimi nga ekretariati që rezultati të certifikohet pasi vetëm kështu i hapet rrugë krijimit të institucioneve lokale në Leposaviq.

    “Lëvizja Vetëvendosje 76.1%, 15 ulëse të fituara. Partia Demokratike e Kosovës me 19.2%, 2 ulëse të fituara si dhe Partia Kosokvih Srba me 4.6% me 2 ulëse të fituara. Ndërsa në listën e kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje i ka 12 kandidatë të cilët kanë marrë vota. Partia Demokratike i ka dy kandidatë që kanë marrë vota dhe Partia ‘Kosovskih Srba’ me dy kandidatë që kanë marrë vota”, deklaroi Radoniqi.

    Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje nga KQZ, Sami Kurteshi, deklaroi se interpretimi i sekretariatit është i kundërligjshëm.

    “Diskutimin e kemi shterur si mendojmë ne, secili kemi mbetur vetëm me marr një vendim, vendimi është i domosdoshëm për hapje të rrugës, mendoj se interpretimi që ka dhënë sekretariati është jo i drejtë, i kundërligjshëm, prandaj do të votoj kundër, edhe kolegu im nga Vetëvendosje do të votojë kundër sepse mendojmë se nuk është interpretim i drejtë”, tha Kurteshi.

    Pas hedhjes në votim, 8 anëtarë të KQZ-së votuan pro, dy anëtarët që përfaqësojnë LVV-në votuan kundër, ndërsa përfaqësuesja e Listës Serbe abstenoi me votën e saj. Me këtë rast, është certifikuar edhe rezultati për këto zgjedhje.

  • Haradinaj kërkon nga qeveria që ta bëjë rishikimin e buxhetit: Të rriten pagat

    Haradinaj kërkon nga qeveria që ta bëjë rishikimin e buxhetit: Të rriten pagat

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha që tani të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2023.

    “Kemi kohë për zgjidhje të duhura dhe tema që janë në interes të të gjithëve. Vitin e kaluar është implementuar 17 për qind e buxhetit. Edhe këtë ka dinamikë të njëjtë”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë në seancë se në këtë periudhë është rritur “vetëm luksi qeveritar”.

    “Qeveria duhet t’i përmbushë detyrat e veta ndaj të punësuarve në sektorin publik. Policia ka kohë që u është hequr rrezikshmëria, por kur duhet të shkojnë në veri ata shkojnë. Logjika që policët të mos përfshihen është e pakuptimtë. Prandaj qeveria duhet të bëjë plan që buxhetin për paga ta rrisë. E ka mundësinë që këtë ta bëjë përmes rishikimit”, shtoi ai.

  • Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve

    Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë sot se kryeministri Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve. Ajo është shprehur se në takimin e 2 majit në Bruksel, rrëfimi dhe dhimbja e tyre është përmbysur.

    Në seancë plenare, Hoxha në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka deklaruar se Serbia nuk ka asnjë obligim juridik për reparacione ndaj të pagjeturve.

    “Me 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, është baraz-vlerësuar. Kryeministri i Kosovës ka shpikuar një term të ri, i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konventën për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me dhunë, e që nuk njihet as si kategori juridike. Që i bie, për ta thjeshtësuar, asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka në kuptimin e reparacionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me kategorinë e të pagjeturve në Kosovë”, ka thënë ajo, transmeton kp.

    Hoxha është zotuar se do të vazhdojë të jetë zëri i familjarëve të të pagjeturve, e cila edhe ka transmetuar audion e këngës së saj për të pagjeturit.

    “Por, edhe sot duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit, i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ka qenë në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkim-falje herën e parë kur ulet në takim me Vuçiqin dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot besoj që ai do të duhej të ishte këtu dhe të kërkojë falje, ai personalisht ndaj nënave dhe familjarëve të të pagjeturve”, ka shtuar ajo.

  • Hapen konkurse në gjashtë ndërmarrje publike, Rizvanolli u bënë thirrje qytetarëve që të aplikojnë

    Hapen konkurse në gjashtë ndërmarrje publike, Rizvanolli u bënë thirrje qytetarëve që të aplikojnë

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë hapur konkurset për punësim në gjashtë ndërmarrje publike.

    ”Ndërmarrjet tona publike kanë nevojë për profesionistë të aftë për t’i zhvilluar ato edhe më tej“, ka shkruar ajo në Twitter.

    Bëhët fjalë për ndërmarrjet si KRU Gjakova, KRU Mitrovica, KRU Drini i Bardhë, KEK, Trainkos, Trepça.

    ”Ju ftojmë të aplikoni”, ka bërë thirrje Rizvanolli.