ATV

Blog

  • Bahrim Shabani zgjidhet nënkryetar i kuvendit

    Bahrim Shabani zgjidhet nënkryetar i kuvendit

    Bahrim Shabani është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë.

    Ai ka marrë të gjitha 73 votat e deputetëve të kuvendit që kanë marrë pjesë në votim.

    Grupi parlamentar i subjekteve pakicë ka propozuar që Shabani ta mbajë këtë pozitë deri më 22 prill 2024 dhe më pastaj të propozohet emir tjetër.

  • Ajay Banga, president i ri i Bankës Botërore

    Ajay Banga, president i ri i Bankës Botërore

    Drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore kanë përzgjedhur Ajay Banga për president të ri të këtij institucioni.

    Banga do të ketë mandat pesëvjeçarë, që do të nisë nga 2 qershori 2023, njofton KlanKosova.tv.

    Ai ka shërbyer më së gjati në pozitën e zëvendëskryetarit të General Atlantic. Paraprakisht ka qenë president dhe drejtor ekzekutiv në Mastercard, organizatë botërore me afërsisht 24 mijë punëtorë.

    Banga po ashtu ka qenë kryetar nderi i Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, ku ka shërbyer në vitet 2020-2022.

    Ai ka lindur në Indi dhe ka bartur edhe pozita të tjera përgjatë karrierës së tij.

  • Vuçiq: BE-ja kërkoi djegien e mandateve të kryetarëve të zgjedhur në veri

    Vuçiq: BE-ja kërkoi djegien e mandateve të kryetarëve të zgjedhur në veri

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “një krizë e madhe pritet në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në veri të vendit. Kjo pasi siç ka thënë ai, në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosovës iu kërkua që të djegë mandatet e kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan.

    “Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës”, tha ai.

    Në një konferencë para gazetarëve, mbrëmjen e së mërkurës Vuçiq vazhdoi propagandën e tij në dëm të Kosovës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti mendon të qeverisë me 3.4 përqind, dhe gjoja “në dëm të serbëve”.

    Ai as këtë herë nuk la pa përmendur dhe akuzuar edhe ndërkombëtarët, për të cilët tha se “po e mbështesin kryeministrin e Kosovës në përpjekje për të thyer rezistencën serbe”.

    “Kur e kuptuan se kjo nuk mund të kalonte dhe se isha mjaft i vendosur që diçka e tillë ishte thjesht e pamundur, u përpoqën t’i zgjidhnin gjërat në veri në mënyrë racionale, sepse një krizë e madhe po na pret. Domethënë, Kurti me të vërtetë mendon të qeverisë me 3.4% dhe disa prej QUINT-i e përkrahin sepse mendojnë se duhet të përpiqen të thyejnë njëherë e përgjithmonë rezistencën e serbëve duke gjetur mjaft shërbëtorë të tyre, ata që u shërbejnë atyre në sistemin e tyre, pa marrë parasysh se dolën 13 serbë, për të konstatuar, sot të mos flas shumë për politikë, tashmë e dini se cilët i kanë gjetur për Prishtinën, t’i gjejnë të ngjashëm edhe për veriun, dhe kështu sundojnë dhe qeverisin”, tha ai.

    Sa i përket takimit të 2 majit në Bruksel, Vuçiq pretendoi se ndërkombëtarët kanë tentuar ta fusin në “kurth”, duke e bërë që ta njohë shtetin e Kosovës.

    “Sa i përket Kosovës, siç ju kam thënë pafundësisht, gjithçka ishte një truk dhe synimi ishte që Serbia ta njihte Kosovën de facto ose de jure, prandaj dje në fillim u tentua të krijohej një lloj plani i ri i zbatimit në të cilin si pikë 1 duhet të ishte dëgjimi, përkatësisht prezantimi i projekt statutit të Asociacionit të komunave serbe nga ekipi menaxhues, si pika 2 që ne ti lemë në organizata ndërkombëtare, si pika 3 përmbushja e tyre e Asociacionit të komunave serbe… Sigurisht që e refuzova këtë sepse është e kundërta e gjithçkaje që kemi folur dhe thashë që diçka e tillë nuk është shkruar kundër as ku është e mundur dhe gjithçka është e kundërta në raport me atë që ju ke folur”, ka thënë ai.

  • Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

    Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me rastin e pjesëmarrjes në ekspozitën dhe konferencën e ASDA (Adriatic Sea Defense & Aerospace), takoi homologun e tij kroat, Mario Banožić, me të cilin nënshkroi Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

    Siç informoi sot Ministria e Mbrojtjes, Mehaj dhe Banožić diskutuan për shumë çështje relevante me situatën aktuale gjeopolitike, duke përfshirë ndikimin rus në Ballkan, domosdoshmërinë e unitetit përballë tendencës për destabilizim dhe cenim të vlerave demokratike, investimin e përbashkët në fusha strategjike sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, me qëllim garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

    “Gjithashtu, Ministri Mehaj i ka theksuar Ministrit Banožić faktin se Kosova është falënderuese për mbështetjen e deritanishme nga ana e shtetit kroat dhe se përkushtimi do të jetë i fuqishëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm, ofrim të trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit si dhe të deminimit.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Ndërsa, ministri kroat i Mbrojtjes, shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga ana e Kosovës për zhvillimin e ushtrisë, e po ashtu faktin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake përmes blerjeve direkte, shtet më shtet, në përputhje me standardet e NATO-s.

    Ndër tjera, Ministri Banozic garantoi mbështetje të pakursyer nga ana e Kroacisë për Kosovën dhe të ardhmen tonë evropiane.

  • ​Deklarata për Personat e Zhdukur, zyrtarë qeveritarë përplasen me deputetë opozitarë

    ​Deklarata për Personat e Zhdukur, zyrtarë qeveritarë përplasen me deputetë opozitarë

    Nënshkrimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur më 2 maj në Bruksel është bërë temë debati në seancën e sotme (e enjte) të Kuvendit të Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se përmes kësaj deklarate, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, mirëpo deputetët opozitarë kritikuan kryeministrin Kurti se ka gabuar ku ka pranuar të largohet termi “persona të zhdukur me dhunë”, i cili sipas tyre njihet edhe në konventat ndërkombëtare.

    Por, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociator i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi tha se ka dokumente të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut që i referohen termit “persona të zhdukur me forcë”, siç figuron në deklaratën e nënshkruar.

    Madje, Bislimi paraqiti një dokument që sipas tij është dakorduar në vitin 2020 nga Qeveria Hoti, që sipas tij, ka zero brengë për personat e zhdukur.

    Përkitazi me këtë, ai tha se s’ka asnjë barazim në krime në Deklaratën për Personat e Zhdukur.

    Të kundërtën e kësaj e tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili theksoi se nënshkrimi i deklaratës ku hiqet termi “persona të zhdukur me dhunë” është gabim historik dhe kombëtar i Kosovës.

    Ndërkaq, shtoi se Qeveria Hoti e ka pasur top prioritet çështjen e personave të zhdukur.

    Në debat u përfshi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se përmes nënshkrimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra në Kosovë gjatë luftës së fundit.

    Ajo përmendi edhe disa deklarata të ish-eksponentëve të PDK-së që sipas saj kërkonin të amnistoheshin gjitha krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.

    Në anën tjetër, në reagimin e saj deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, u shpreh e habitur me këto deklarata të ministres Haxhiu. Ajo insistoi se termin “të zhdukur me forcë” nuk njihet në konventat ndërkombëtare.

    Në debat u inkuadrua edhe deputeti tjetër i LDK-së, Kujtim Shala, i cili paraqiti argumentet e tij se pse në Deklaratën për Personat e Zhdukur, Kosova barazohet me Serbinë për këtë çështje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2 maj në Bruksel kanë nënshkruar Deklaratën për Personat e Zhdukur./KP

  • Trajtimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë për Shërbimin Korrektues

    Trajtimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë për Shërbimin Korrektues

    Trajtimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Kështu thotë raporti i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë”.

    Drejtoreshja e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh sot se objektiv i këtij monitorimi është të identfikohen shkeljet, me të cilat po ballafaqohen të dënuarit dhe mangësitë e sistemit korrektues.

    Ajo tha se nuk u është lejtuar monitorimi i shërbimeve shëndetësore.

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se trajtimi i personave të privuar nga liria është i rregulluar sipas standardeve evropian dhe vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar këtë rregullim, me qëllim që të burgosurit të trajtohen me dinjitet.

    Ai tha se ligjet e miratuara për SHKK-në kanë mundësuar rikthimin e disa të drejave shtesë që iu kishin kufizuar të burgosurve.

    Ndërsa, zëvendësuesi i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani u shpreh se qendrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë janë më të hapurat ndaj shoqërisë civile.

    Ai theksoi se tashmë me rregullimet legjislative të ndërmarra po hartojnë edhe rregullore sipas standardeve.

    Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) deklaroi se në përgjithësi ka ekzistuar klimë e mirë në mes të burgosurve dhe stafit korrektues.

    Sipas raportit, viti 2022 ka qenë sfidues për trajtimin e personave me çrregullime mendore, sepse këta persona nuk ka pasur hapësira e institucione të veçanta për t’u trajtuar e vendosur.

    Sfidë mbetet edhe trajtimi i personave të varur nga narkotikët.

    Ajo tha se janë bërë hapa për parandalimin e kontrabandës, por megjithatë, sipas saj, kontrabanda është prezente në burgje.

  • Boksieri shqiptar Valon Ahmeti premton fitore në meçin e radhës më 27 maj

    Boksieri shqiptar Valon Ahmeti premton fitore në meçin e radhës më 27 maj

    Kampioni i pesëfishtë i Kosovës në boks, Valon Ahmeti, i cili bëri krenar gjithë shqiptarët me përformancën e tij të fundit në “Audi Dome”, do të ngjitet në ring me datën 27 maj ku synon fitoren e tretë në boksin profesionist.

    Ka qenë vetë mitrovicasi që ka njoftuar për meçin e radhës në rrjetin e tij social “Facebook”.

    “Ndeshja e radhës po afron. Të dashur miqtë e mi, me kënaqësi ju njoftoj për meçin e radhës i cili do të zhvillohet me datën 27 maj në Gersthofen. Edhe kësaj rradhe, do të luftoj me zemër për fitore”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

    Në një prononcim për ATV-në, boksieri shqiptar tha se është duke u përgaditur intensivisht për këtë meç, nga i cili pret vetëm fitore.

    “Po kemi mësuar edhe datën e saktë, pra është më 27 maj në Gersthofen. Ndihem përfekt dhe mezi pres të ngjitem sërish në ring. Jam duke u përgatitur dy herë në ditë me trening profesional edhe do të luftoj me zemër që të triumfoj sërish në atë mbrëmje dhe ti bëj të gjithë shqiptarët krenar”, tha Ahmeti.

    Ai tha se ende nuk di asgjë për kundërshtarin, por ditët në vazhdim do të mësojë shumëçka rreth tij.

    Ahmeti thotë se pas këtij meçi, synimi i tij është që të ngritët deri tek titulli i Gjermanisë.

    “Çdo ndeshje ka rendësin e emocionet e veta, për mua ky meç do të jetë i treti në boksin profesionist dhe shpresoj që të marrë edhe fitoren e radhës. Kështu dalëngadalë të ngritëm deri tek titulli i Gjermanisë”, tha ai.

    Kujtojmë që Ahmeti ka qenë i pari që edhe hapi mbrëmjen e “shqiptarëve” në “Audi Dome” aty ku fitoi me KO duke rrëzuar kundërshtarin në raundin e katërt. /atvlive.tv

  • Elona Ndrecaj: Një zë i fuqishëm për të drejtat e grave në Miss World

    Elona Ndrecaj: Një zë i fuqishëm për të drejtat e grave në Miss World

    Miss World Albania Elona Ndrecaj është duke u përgatitur për pjesëmarrjen e saj në konkursin e ardhshëm Miss World, i cili do të zhvillohet së shpejti në Shtet e bashkuara Arabe. E njohur për ambicien dhe bukurinë e saj, Elona planifikon të mbrojë kauzën e grave të dhunuara dhe të shtypura brenda familjes dhe shoqërisë në këtë ngjarje. Me përpjekjet e saj ajo synon të përfaqësojë Shqipërinë me krenari dhe dinjitet.

    E lindur në Tiranë, Elona aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë, ku drejton qendrën e saj estetike. Pavarësisht orarit të ngjeshur, ajo mbetet e lidhur me shtëpinë e saj të fëmijërisë në Tiranë. Teksa hyn në fazat e fundit të përgatitjeve të projektit të saj për Miss World, Elona kërkon të na ‘zbardhë fytyrën’ me paraqitjen e saj.

    Përkushtimi i Elonës për të mbrojtur të drejtat e grave të dhunuara dhe të shtypura e veçon atë nga konkurrentët e tjerë, duke demonstruar përkushtimin e saj për të bërë një ndikim pozitiv në shoqëri. Me ambicien, bukurinë dhe pasionin e saj për ndryshim, ajo me siguri do të lërë një përshtypje të qëndrueshme në konkursin e Miss World.

  • ShKK-ja largon nga puna një mbikëqyrës në burgun e Dubravës, dyshohet për keqpërdorim detyre dhe ryshfet

    ShKK-ja largon nga puna një mbikëqyrës në burgun e Dubravës, dyshohet për keqpërdorim detyre dhe ryshfet

    Shërbimi Korrektues i Kosovës, njoftoi se e ka larguar nga puna një mbikëqyrës në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se ka larguar nga puna, Sh.G, Mbikëqyrës në Qendren Korrektuese të Dubravës”, thuhet në njoftim.

    Sipas ShKK-së ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

    “Vendimi për largim nga puna është marr nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e këtyre dukurive negative dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore ndaj secilit individ, i cili është i përfshirë në veprime të tilla korruptive, pavarësisht rolit dhe funksionit që ka”, thuhet mes tjerash në njoftim./atvlive.tv/

  • Ngritet aktakuzë ndaj tri të pandehurave për sulmin e të moshuarës në strehimoren “Orenda”

    Ngritet aktakuzë ndaj tri të pandehurave për sulmin e të moshuarës në strehimoren “Orenda”

    Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të pandehur, A.P., A.R., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtat në bashkëkryerje, ndaj viktimës se ndjeshme (e moshuar) kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 3, nën-paragrafi 3.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzë, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje përdorin forcën ndaj të moshuarës e cila ishte e vendosur në ketë strehimore, në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

    Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit.