ATV

Blog

  • Fischer: Vuçiq është në një situatë të vështirë, është i rrethuar nga NATO dhe aleati i tij po e humb luftën

    Fischer: Vuçiq është në një situatë të vështirë, është i rrethuar nga NATO dhe aleati i tij po e humb luftën

    Atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jeffrey Fischer, intervistë CONTEXT në ATV, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tani është një një situatë të vështirë, pasi që është i rrethuar nga NATO dhe aleti i tij, Rusia po e humb luftën.

    “Presidenti Vuçiq është në një situatë të vështirë. Nuk do të doja të isha në vend të tij. Ai tërësisht është rrethuar nga NATO-ja dhe aleati i tij numër një është në një luftë të cilën po e humb, 100-200 mijë ushtarë të vrarë, tani ka raportime nga vija e frontit se grupi mercenar “Wagner” në fakt po lufton ushtarët rusë. Një nga citatet e mija të preferuar nga Napoleoni është: “Kurrë mos i pengoni armikut kur ai është duke e bërë një gabim”, andaj nëse forcat ruse po e luftojnë njëra-tjetrën, kjo është një mundësi e shkëlqyer, ndërsa sa i përket Serbisë dhe presidentit Vuçiq, çfarë mundësi ka ai… është duke e shikuar perëndimin, duke e shikuar NATO-n, Bashkimin Evropian dhe duke e shikuar aleatin e tij i cili po dështon në mënyrë spektakolare”, tha Fischer.

    Ai tha se sjellja e mirë e Kosovës po shpërblehet nga perëndimi, pasi kohëve të fundit ka shënuar progres në disa tema të rëndësishme.

    “Unë kam qenë i stacionuar në Kosovë për dy vite si atashe i mbrojtjes dhe kam qenë pilot gjatë luftës në 1999-ën, unë e dua Kosovën andaj jam pak i njëanshëm. E dua vendin. Por, këtu qëndron çështja. Arsyeja pse e dua Kosovën është se ata nuk ia qëllojnë gjithmonë në herën e parë, por është njëjtë si të bëhet një tortë dhe të ketë përmirësime vazhdimisht. Në fund keni një tortë, dhe keni këto vlera demokratike perëndimore dhe ka aspirata që të ketë lidhje me konstruktet perëndimore dhe evropiane. Dhe për t’u treguar i sinqertë, këto konstrukte si NATO-ja apo BE-ja, ato shpërblejnë sjelljen e mirë, shpërblejnë administrimin e mirë të veprimeve kombëtare dhe mendoj se kur shohim gjëra si kjo qeveri aktuale që po tenton të lëvizë para pak më shumë me njohjen e komunave me shumicë serbe, në mënyrë “magjike” gjithashtu shohim një politikë të liberalizimit të vizave për zonën shengen. Ju mund të shihni gjëra të tilla, në të cilat Kosova është duke përparuar. Në anën tjetër, te pala serbe shihni se si nëse vazhdoni të silleni si aktor i keq, atëherë nuk ju ofrohen mundësi të mira, dhe kjo është gjë e mirë për Kosovën”, tha Fischer. /atvlive.tv

  • Fischer: Rusia po e humb luftën, e vetmja shpresë për Putinin është Kina

    Fischer: Rusia po e humb luftën, e vetmja shpresë për Putinin është Kina

    Atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jeffrey Fischer, intervistë CONTEXT në ATV, duke folur për zhvillimet në Ukrainë, tha se sulmi i pretenduar i ukrainasve me dron në Kremlin është pjesë e fushatës ruse të dezinformimit, pasi që sipas tij, sulmi ishte i vogël dhe po të ishte në të vërtetë cak i ushtrisë së Ukrainës, nuk do të ishte aq i vogël si me mjete piroteknike.

    “E kam parë videon, mendoj se kjo është pjesë e fushatës ruse të dezinformimit. Duhet të shohim dhe të presim lidhur me informacionet me këtë, por shpërthimi ishte shumë i vogël, do të mendonit se nëse Ukraina po bënte gati një plan ta sulmonte Kremlinin, po të shkonin deri aty nuk do të kishin një shpërthim kaq të vogël, ne bëmë shaka prapa kamerës se unë kam parë mjete më të forta piroteknike në një koncert të muzikës rok, madje më të mëdha, kështu që koha do ta dëshmojë, por ose është një strategji me të vërtetë e keqe nga Ukraina ose ky është edhe një herë një rast i propagandës ruse”, tha Fischer.

    Ai tha se Ukraina është duke bërë luftë për ta mbrojtur territorin e vet dhe jo që ta sulmojë Rusinë.

    “Kjo është një pyetje e shkëlqyer, dhe mendoj se ka arsye për shqetësim se Rusia do ta shfrytëzojë këtë edhe nëse ata e nxitën atë, që të thonë se jemi sulmuar në shtetin tonë. Unë kam thënë disa herë se nëse njerëzit në Ukrainë nuk mund të flenë të qetë natën dhe kanë frikë se mund të sulmohen, atëherë nëse jeni në luftë me një shtet tjetër, njerëzit e atij shteti gjithashtu duhet të frikësohen. Unë shpesh kam thënë se mbështes sulmet ukrainase në territoret e Rusisë, përshkallëzimet që kemi parë janë ngritur që prej shpërthimit masiv në fabrikën e karburanteve, dhe që nga kjo kohë kemi parë një ngritje të aktivitetit”, theksoi Fischer.

    Koloneli tha se pos Ukrainës, nga loja e Rusisë nuk mund të ndahet as edhe Ballkani, në rastin konkret Serbia dhe Kosova, pasi që sipas tij, të gjitha janë pjesë e lojës.

    “Unë besoj se nuk mund të ndani asgjë që prek Rusia, qoftë nëse bëhet fjalë për Ukrainën, Transistrinë, Osetian Jugore, “konfliktet e ngrira”, apo Serbinë dhe Kosovën, ato të gjitha janë pjesë e lojës, gjithashtu do të thosha se Kina, përkundër se nuk është në konflikt, gjithashtu është në lojë. Dhe Vladimir Putini dhe Rusia kanë vepruar si manipulues që kanë drejtuar gjithçka në këto vende të ndryshme, duke tentuar që të ndezin zjarre, konflikte të cilat do ta tërhiqnin vëmendjen larg tij dhe asaj që ai po bën në Ukrainë, ndoshta që do ta përshkallëzonin luftën, ndoshta që do ta nxisnin NATO-n të ndërhynte, sepse ai po humb luftën dhe mendoj se e vetmja shpresë për të është që ta shpëtojë Kina, nëse Kina siguron fondet, armët, ushtarët, dhe në këtë pikë Kina nuk po e bën këtë, dhe ai duhet t’ia dëshmojë Kinës se ka pasur një lloj përshkallëzimi që do të kërkonte ndërhyrje të Kinës dhe deri në këtë pikë, ai nuk ka arritur ta bëjë këtë”, vlerësoi koloneli amerikan Jeffrey Fischer. /atvlive.tv

  • Shembet dheu në urën afër liqenit të Badocit, rrezikohen qytetarët

    Shembet dheu në urën afër liqenit të Badocit, rrezikohen qytetarët

    Dëmtimi i kësaj ure, po shkakton edhe vonesa në komunikacion.

    “Paraqet problem, normal që paraqet, për shkak që tash unë jam duke shkuar për në Hungari dhe më vonon kjo rruga këtu”, tha Faton Qoqaj, qytetar.

    “Katastrofë, vështirë mos vet, 15 minuta diferencë. Po qysh nuk është vështirë, se atje ka asfalt, kurse këtu nuk ka. Çfarë është në pyetje këtu nuk e di”, tha Xhafer Krasniqi, qytetar.

    Edhe rreziku në komunikacion është shtuar.

    “Kjo po paraqet problem boll, por edhe shoferët shumë të pakujdesshëm po vozitin drejt. Shumë mirë që e kanë vendosë këtë pengesën”, tha Burhan Morina, qytetar.

    “Duhet të rregullohet, sigurisht që është në procedurë të rregullimit”, tha Gani Deliu.

    Ndërkaq, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thonë se ura e Liqenit të Badocit, paraqet një rrezik të lartë për qytetarët.

    “Ura në Lokacionin: liqeni i Badocit, është në gjendje pothuajse “para-shembjes” dhe është konstatuar nga inxhinierët e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve se kjo urë duhet rindërtuar. Aktualisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, (MMPHI) është në procesin e hartimit të projektit për këtë urë, i cili do të tregojë shkallen e ndërhyrjes dhe koston financiare të kësaj ndërhyrjeje”, thuhet në përgjigjen e MMPHI.

    Deri në ndërtimin e rrugës së re, sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është përgatitur baza e rrugës alternative për asfaltim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Në një shkollë të Kaçanikut ndërpritet mësimi, shkak insektet

    Në një shkollë të Kaçanikut ndërpritet mësimi, shkak insektet

    330 nxënës të shkollës së fshatit Dogaaj të Kaçanikut sot nuk mbajtën mësim.

    Më të shqetësuar lidhur me këtë situatë janë prindërit.

    “Para se me fillua mësimin, nxënësit kanë humbë shumë e tash përsëri është mbyllë shkolla prej dje, për shkak të insekteve që kanë dalë brenda shkollës”, tha Ibrahim Talloshi, prind.

    “Prej momentit kur jemi njoftua që janë shfaq këto insekte krimba, jemi shqetësua shumë. Tash është edhe fundi i vitit të shkollës, sidomos klasat e 9-ta humbin shumë”, tha Bekim Terziu, prind.

    Drejtori i shkollës, Fitim Selmani, thotë se insektet shfaqen sa herë që fillojnë të ngrihen temperaturat. Por, sipas tij, mësimi do të fillojë të hënën.

    “Mësimi nuk është mbajtë sot për shkak të insekteve në shkollën tonë, si pasojë e kësaj derisa të bëhet një dezinfektim i shkollës, e kemi parë të arsyeshme për shkak të shëndetit të fëmijëve të mos mbahet mësimi”, tha drejtori i shkollës, Fitim Selmani.

    Në anën tjetër, për problemin në fjalë në dijeni janë edhe në komunën e Kaçanikut.

    “Sot është ndërpre mësimi, në këtë shkollë edhe nesër ata kanë më mbajtë aktivitete fizike, pikërisht për shkak të insekteve. Ka tri vite që paraqiten këto insekte, mirëpo ne e bëjmë dezinfektimin vazhdimisht, gjatë vikendit do ta dezinfektojmë këtë shkollë”, tha nënkryetari i Kaçanikut, Sabedin Vishi.

    Në vitin 2019 ka filluar të ndërtohet objekti i ri i shkollës, por punimet që do të duhej të kryheshin në 2021, ende janë larg përfundimit.

    Për këtë vonesë, komuna e Kaçanikut, fajtor e lë Ministrinë e Arsimit, që sipas tyre nuk po i ndan mjetet financiare për vazhdimin e punimeve në objektin e ri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Vuçiq pretendon se BE-ja propozoi djegien e mandateve të kryetarëve të rinj

    Vuçiq pretendon se BE-ja propozoi djegien e mandateve të kryetarëve të rinj

    Bashkimi Evropian nuk tregoi çfarë zgjidhje të përkohshme kishte propozuar Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, në takimin e 2 Majit, pas zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Në një përgjigje për ATV-në, BE-ja nuk dha shpjegime për propozimin e saj.

    Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, pretendon se Borrell propozoi djegien e mandateve të të zgjedhurve më 23 Prill – duke mos kryer ceremoninë e betimit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga momenti i certifikimit të rezultateve.

    “Kurti refuzoi një zgjidhje të përkohshme, sipas së cilës ata nuk do t’i uzurponin zyrat në veri më 28 Maj. Mendoj se ishte një mundësi ideale për Kurtin që të tërhiqej dhe pastaj e kuptova që plani i tij është dëbimi i serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.

    Ai tha se refuzoi draftin e propozuar të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit – pasi nuk dëshiron ta njohë Kosovën.

    “Gjithçka ishte një grackë që Serbia të njohë Kosovën, de facto dhe de jure. Kishte një përpjekje për një plan të ri zbatimi, dhe pikë e parë ishte prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, pika e dytë ishte t’i lejojmë ata të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare dhe pika e tretë ishte themelimi i Asociacionit. E refuzova atë, sepse është në kundërshtim me atë që kemi diskutuar”, tha Vuçiq.

    Të martën, Ekipi Menaxhues, tashmë i liruar nga detyra, prezantoi një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, i cili propozoi një draft-vizion për vetë-menaxhimin.

    BE-ja ka shprehur “shqetësim të thellë” për situatën në veri të Kosovës dhe rrezikun e përshkallëzimit të saj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Prokurorja Drita Hajdari jep detaje rreth aktakuzës së parë në mungesë

    Prokurorja Drita Hajdari jep detaje rreth aktakuzës së parë në mungesë

    As pas gjashtë vjetësh hetime, D.R., që akuzohet për dhunim seksual, nuk u soll para drejtësisë, andaj ndryshimet në kodin e ri të procedurës penale mundësuan ngritjen e aktakuzës në mungesë.

    “Hetimi ka nisur në vitin 2017. Dhe pavarësisht se kryerësi nuk ka qenë në Kosovë, me policët e Kosovës kam grumbulluar prova. Rrethana që i akuzuari nuk ishte këtu, nuk na ka ndalë të punojmë. Kjo është prej të mirave për aktakuzën në mungesë. Përveç që paraqet satisfaksion për viktimën, me anë të aktakuzës në mungesë dokumentohet krimi:, tha prokurorja e specializuar, Drita Hajdari.

    Pavarësisht se kishin kaluar vite, viktima e kishte identifikuar dhunuesin përmes një fotografie.

    “Në rastin konkret përveç viktimës, kryesin e kanë identifikua edhe banorët e tjerë të fshatit…”, tha ajo.

    Meqenëse aktakuza në mungesë ishte e para, përgjegjësia në përpilimin e saj ishte e madhe.

    “Në njëfarë mënyre kam krijuar një model të aktakuzës, të cilën do ta përdorim në vazhdim, unë por edhe kolegët”, tha Hajdari.

    Por, kjo nuk do jetë aktakuza e fundit në mungesë për këtë vit.

    “Unë personalisht i kam edhe disa aktakuza të tjera në mungesë, që po i përgatis për këtë vit, që kanë të bëjnë me dhunimin në Kosovë”, u shpreh Hajdari.

    Hajdari shprehet optimiste se gjykimet në mungesë do të kenë sukses.

    “Kompetencat e gjykatës janë të caktuara me ligj, d.m.th. nuk besoj se do të ketë problem në zbatimin e gjykimeve në mungesë”, theksoi Hajdari.

    Prokuroria Speciale gjatë ditës ngriti edhe një tjetër aktakuzë në mungesë, ndaj të pandehurit me inicialet Ç.A., i cili akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar – maj të vitit 1999, në Kosovë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Tragjedia në Beograd, homazhe para shkollës ku u vranë 8 fëmijë

    ​Tragjedia në Beograd, homazhe para shkollës ku u vranë 8 fëmijë

    Që në orët e para të mëngjesit para shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd nisën të mblidhen qytetarët, si dhe një numër i madh nxënësish nga i gjithë qyteti, me çantat e shkollës në supe.

    Të qetë, me kokë të ulur, me lot në fytyrë, ata lënë lule dhe qirinj para shkollës ku një ditë më parë u vranë tetë nxënës dhe një roje dhe u plagosën gjashtë nxënës të tjerë dhe mësuesja e historisë.

    Dy fëmijë janë ende në gjendje kritike dhe po luftojnë për jetët e tyre.

  • Strukturat paralele ilegale serbe rrethojnë objektin e Komunës së Zubin Potokut

    Strukturat paralele ilegale serbe rrethojnë objektin e Komunës së Zubin Potokut

    Strukturat paralele/ilegale serbe kanë filluar përgatitjen për të penguar qasjen në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ku pritet të betohet kryetari i ri, Izmir Zeqiri.

    Burime të KosovaPress-it kanë bërë të ditur se në derën kryesore të objektit komunal në Zubin Potok disa persona tashmë kanë filluar të vendosin rrethoja prej hekuri.

    “Sot jane pare disa persona në hyrje të objektit te komunës duke vendosur rrethoja prej hekuri”, ka thënë burimi.

    Ndryshe, kjo e ashtuquajtura “rezistencë” serbe vjen vetëm një ditë pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se do të ketë “krizë të madhe” në veri të Kosovës.

    Ai para gazetarëve të mërkurën ka akuzuar ndërkombëtarët se gjoja po mbështesin kryeministrin Albin Kurti, për të shuar pikërisht “rezistencën e serbëve”.

    Kujtojmë se zgjedhjet në katër komunat veriore u mbajtën më 23 prill.

    Serbia vazhdimisht apeloi serbët të mos dalin në votime. Si pasojë e presionit të Beogradit zyrtar, edhe kryetari i Partisë së Serbëve, Aleksandër Jabllanoviq është tërhequr nga gara zgjedhore.

  • ​Octopus: Vuçiq ka urdhëruar rebelimin e serbëve në veri të Kosovës

    ​Octopus: Vuçiq ka urdhëruar rebelimin e serbëve në veri të Kosovës

    Instituti Octopus thotë se ka informacione se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka urdhëruar nënkryetarin e Listës Serbe, njëherit i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës.

    Drejtori i këtij instituti për studime të luftës hibride, Agim Musliu, shkroi në rrjete sociale se Vuçiqi dëshiron të tërheqë vëmendjen nga një shkrim i “New York Times” ku shfaqeshin lidhjet e tij me kriminelë serbo-rusë.

    “Sipas të dhënave që Instituti Octopus i ka marrë nga opozita serbe në Beograd, Aleksandër Vuçiqi ka urdhëruar Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës. Me këtë, Vuçiq dëshiron ta tërheqë vëmendjen e brendshme dhe eventualisht edhe presionin mediatik e diplomatik nga disa vende perëndimore, e cila u acarua pas publikimit të një shkrimi dje nga NYT, ku dëshmoheshin lidhjet e tij me kriminelë serbo-rusë”, shkroi Musliu.

    Në të vërtetë, edhe vetë Vuçiq, përmes një konferencë për media paralajmëroi se një krizë e madhe po pret veriun e Kosovës.

  • ​Kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut pret të betohet: Nëse duhet do ta marr objektin e Komunës

    ​Kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut pret të betohet: Nëse duhet do ta marr objektin e Komunës

    Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, është shprehur i gatshëm të udhëheqë me këtë komunë sapo ta kryej aktin e betimit, për të cilin tha se do të ndodhë brenda një jave.

    Ai gjatë një interviste për KosovaPress ka bërë të ditur se janë në proces të harmonizimit të punëve së bashku me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    “Nuk kam dhënë betimin akoma, jemi në përgatitje e sipër të këtij akti ceremonial, mirëpo presim së shpejti dhe brenda jave, ditësh, kjo do të ndodhë… Do të fillojmë me punë menjëherë, jemi në proces e sipër… Kemi ftesa nga Ministria e Pushtetit Lokal, kështu që do të takohemi, t’i harmonizojmë punët..”, deklaroi Zeqiri.

    Sipas Zeqirit, nuk është synimi kryesor marrja e zyrës që ndodhet në qendër të Zubin Potokut dhe funksionimi i punës së kryetarit nga kjo zyrë, mirëpo nëse duhet domosdoshmërish, atëherë thotë se do ta bëjë një gjë të tillë.

    Nën udhëheqjen dhjetëvjeçare të Listës Serbe, në zyrat e Komunës së Leposaviqit kanë gjetur strehë edhe strukturat ilegale serbe.

    Zeqiri theksoi se disa drejtori të Komunës së Zubin Potokut, siç janë regjistrimi civil, Drejtoria për Mirëqenie Sociale e të tjera, të cilat janë udhëhequr nga shqiptarët, nuk janë ndalur së punuari asnjëherë, duke qenë kështu vazhdimisht në shërbim të qytetarëve.

    “Unë të gjitha herët gjatë fushatës, por edhe tash, nuk e kam pasur synim dhe prioritet marrjen e objekteve, mirëpo nëse duhet të merren objektet, natyrisht do ta bëjmë… Disa dikastere në komunë janë duke funksionuar në vazhdimësi e sipër, do të thotë kurrë nuk janë ndalur, janë në funksion, punojnë, siç janë regjistrimi civil, regjistrimi e automjeteve dhe Drejtoria për Çështje Sociale, dikastere të cilat udhëhiqen kryesisht nga shqiptarët, këto janë në funksion e sipër, janë në shërbim të qytetarëve”, vijoi Zeqiri.

    Duke qenë i sigurt se do të jetë në krye të kësaj komune deri në fund të mandatit të plotë, ai premtoi se do të bëjë më të mirën në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    “Unë mendoj se do të jem deri në fund të mandatit për dy vite, kështu që ne jemi të orientuar të punojmë dhe të bëjmë më të mirën për qytetarët’, ka thënë Zeqiri.

    Në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Zeqiri i Partisë Demokratike të Kosovës mori 52.2% të votave dhe fitoi ndaj kundërkanditatit nga Lëvizja VEtëvendosje, Flakron Hasani.