ATV

Blog

  • Pryianka Chopra ishte në depresion pas operacioneve plastike

    Pryianka Chopra ishte në depresion pas operacioneve plastike

    Aktorja Priyanka Chopra është e njohur për rolet e saj si në Quantico dhe së fundi në Citadel, por në të kaluarën ajo ishte një modele mjaft e kërkuar.

    Ajo në një intervistë këtë javë kujtoi operacionin plastik që kishte bërë në hundë, e cila tha se e ka dëmtuar në shumë aspekte të jetës së saj, transmeton atvlive.tv.

    ‘’Ishte një fazë e errët. Fytyra ime dukej krejtësisht ndryshe dhe unë përjetova një depresion të thellë’’, u shpreh ajo.

    Aktorja tregoi se ishte përjashtuar nga tre filma pas operacionit plastik dhe ajo e besonte që karriera e saj do të mbaronte./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale të lehta me diell, ndërsa gjatë pas ditës pritet të ketë vranësira të herë pas hershme.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë me 20 gradë Celsius.

    Dhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me intervale me diell.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Prizren me 22 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • 101-vjeçarja tregon sekretin e saj të jetëgjatësisë

    101-vjeçarja tregon sekretin e saj të jetëgjatësisë

    Një grua 101-vjeçare nga Skocia ka zbuluar sekretin saj për një jetë rinore, duke ia dhënë meritën martesës saj me një burrë më të ri se ajo.

    Edna Twivey nga qyteti Strathaven, një ish-infermiere e Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të gëzojë një jetë aktive, që përfshin udhëtimet jashtë shtetit, transmeton atvlive.tv.

    Dhe sipas Edna-s, e cila së fundmi u kthye nga një udhëtim në vendet skandinave, është dashuria e qëndrueshme e të shoqit ajo që e mban të re.

    David, i cili është 90-vjeçar dhe është 11 vjet më i ri se gruaja e tij njëshekullore, përshkruhet nga Edna si një shtyllë e fortë e saj.

    Ata u takuan më shumë se 60 vjet më parë në një orë kërcimi në Londër.

    “Familja është gjithçka dhe David është ‘shkëmbi im’. Dashuria që kemi na mban të dy të rinj!”, tha Edna.

    Çifti tashmë ka plane të mëtejshme udhëtimi, ku pushimi i tyre i radhës do të jetë në Holandë.

    Përveç martesës së saj, Edna potencoi se mbështetja që merr nga stafi lokal i kujdesit social e ndihmon atë të jetë aktive dhe rinore./atvlive.tv/

  • Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Autoritetet serbe kanë arritur që ta arrestojnë 21-vjeçarin e dyshuar për sulmin masiv të mbrëmshëm ku mbetën të vrarë tetë persona dhe u plagosën 13 të tjerë në fshatin Dubonë.

    Siç raporton RTS, i dyshuari është arrestuar në afërsi të fshatit Kragujevcit.

    Sulmi raportohet të ketë ndodh rreth orës 23:00, teksa sipas ministrisë së Brendshme të Serbisë, sulmuesi qëlloi një grup njerëzish me një armë automatike dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Kujtojmë se sulmi i mbrëmshëm është i dyti i këtij lloji pasi të mërkurën një fëmijë 13-vjeç dyshohet se la të vdekur tetë fëmijë dhe rojen e një shkolle në Beograd.

    Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

  • Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria sot me konferencë për media lidhur me rastin

    Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria sot me konferencë për media lidhur me rastin

    Prokuroria Themelore në Pejë sot do të mbajë një konferencë për media, ku do të shpalos të gjeturat e hetimit për njërën nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në kompetencën territoriale të saj.

    Kështu është bërë e ditur nga kjo prokurori përmes një komunikate për media.

    Si kishte ndodhur rasti?

    Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

    Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

    Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

    Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

    “I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

    Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

    Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

  • Lufta në Ukrainë, ShBA-ja mohon organizimin e sulmit me dronë në Moskë

    Lufta në Ukrainë, ShBA-ja mohon organizimin e sulmit me dronë në Moskë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar pretendimet ruse se kanë organizuar një sulm të supozuar me dronë në Kremlin të mërkurën, me qëllim vrasjen e presidentit Vladimir Putin, raporton BBC.

    Një ditë pasi akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmit të supozuar, zëdhënësi i Putinit tha se kjo ishte bërë me mbështetjen e Uashingtonit.

    Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby, e quajti atë një “pretendim qesharak”, përcjell KosovaPress.

    Ukraina ka thënë se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin e supozuar. Putin nuk ishte në ndërtesë në atë kohë.

    Ukraina ka akuzuar Moskën për organizimin e incidentit në mënyrë që ta përshkallëzojë luftën.

    Edhe pse sulmet ruse kanë vazhduar të pandërprera, ku 21 persona u vranë të mërkurën në rajonin Kherson, nuk ka ende asnjë shenjë të intensifikimit nga ana e Moskës.

    Megjithatë, të dielën në mbrëmje një dron u rrëzua mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, jo shumë larg zyrës presidenciale. Zyrtarët më vonë pranuan se ishte një dron ukrainas që kishte “humbur kontrollin” dhe ishte shkatërruar për të shmangur “pasoja të padëshirueshme”.

    Sipas zëdhënësit të Putinit, sulmi në Kremlin, një kompleks i madh qeveritar në qendër të Moskës, ndodhi herët të mërkurën. Pamjet në rrjete sociale treguan tymin që ngrihej mbi kompleks.

    Të enjten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se SHBA qëndron pas sulmit, pa dhënë prova.

    “Vendimet për sulme të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington”, tha ai.

    Në përgjigjen e tij, Kirby u tha mediave amerikane: “Peskov është i shtrirë atje, i pastër dhe i thjeshtë”.

  • Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, gjykimi rinis më 19 maj

    Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, gjykimi rinis më 19 maj

    Seanca e paracaktuar më 5 maj në rastin e Pjetër Shalës është anuluar dhe se gjykimi ndaj tij pritet të vazhdojë më 19 maj 2023.

    Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    ‘‘Pas vendimit gojor të Trupit Gjykues, gjykimi ndaj Pjetër Shalës përfundoi për ditën e sotme, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 5 maj) anulohet. Gjykimi do të rinis të premten, më 19 maj, në orën 09:30’’, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Ndryshe, gjatë seancës së ditës së sotme, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia gjatë seancës së të enjtes, ka nxjerrë pesë urdhra me gojë dhe ka paraqitur kalendarin për këtë çështje deri në janar të vitit 2024.

    Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

    Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

    Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

    Së paku tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, njofton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL për koment të menjëhershëm.

    RTS raporton se të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin dhe se kërkimet për sulmuesin janë duke vazhduar.

    Sipas disa mediave lokale, sulmuesi, 21 vjeç, qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

    Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e REL në terren.

    Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

    Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.
    Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

    Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

    Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

    Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.

    “Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.

    Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë.

  • Këshilli i Evropës mbush 74 vjet

    Këshilli i Evropës mbush 74 vjet

    Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

    Është themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.

    Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

    Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

    Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

    Organizata ka 47 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 820 milionë njerëz dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

    Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.

    Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët zyrtare të saj.

    Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Kongresi gjithashtu përdorin gjuhën gjermane, italiane, ruse dhe turke për disa nga puna e tyre.

  • Pas 24 vjetësh, ngrihet aktakuza e parë lidhur me masakrën e Reçakut

    Pas 24 vjetësh, ngrihet aktakuza e parë lidhur me masakrën e Reçakut

    Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Habibe Salihu, bazuar në provat dhe dëshmitë e mbledhura, ngarkon të akuzuarin Ç. A (Č.A), me veprën penale për kryerjen e “krimeve të kundër popullatës civile”.

    RTK ka siguruar aktakuzën sipas së cilës, në periudhën janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup personash (ende të paidentifikuar), të organizuar e veshur me uniforma policore, paramilitare e ushtarake, ky person, me dashje ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civile.

    Sipas aktakuzës Ç. A (Č.A), më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, ka shkaktuar vuajtje të mëdha, apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës civile, vrasje e urdhërim për zhvendosje të popullatës civile.

    Në aktakuzë shkruan se i njëjti, në fillim të muajit prill 1999, në bashkëveprim me persona të tjerë kriminalë, në pikën “Kodra e Gështenjave” që ndodhet në pjesën mes Shtimes dhe fshatrave Milapolc, Reçak e Petrovë, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin urdhëruar dëbimin e banorëve.

    Pas kësaj, ai me të tjerët, ka marrë pjesë në djegien e shtëpive të vëllezërve R.J, S.J, R.J dhe H.J në Shtime.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari i njëjtë me 13 e 14 maj 1999, në vendin e quajtur “Lugu i Neshës” në fshatin Petrovë të Shtimes, në bashkëveprim me persona të veshur me uniforma policore e paramilitare serbe, kanë kryer dëbime, vrasje e frikësime të popullatës civile shqiptare.

    Ai ngarkohet për vrasjen e H.H, i strehuar në mal bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, si i dëbuar me forcë nga ushtria e paramilitarët serbë.

    Gjithashtu, Ç. A (Č.A), akuzohet se me 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Shtimes, në bashkëpunim, ka marrë pjesë në vrasjen e personave civilë shqiptarë që nuk kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në konflikt apo luftë.

    Kështu, sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në vrasjen e shqiptarëve H.B, H.M, S.M, A.M, A.M, S.M, S.H dhe H.M.

    Në aktakuzë përshkruhet e gjithë ngjarja, kur i akuzuari ka vrarë civilë shqiptarë edhe nga afërsia.

    Më poshtë është aktakuza e plotë: